“Arratisja” e Keti Bashhysës, vajza që largohet nga injoranca e falsiteti, urren politikën

630
Tingujt e muzikës që lëshon violonçeli në duart e Keti Bashhysës, e largojnë atë për një moment nga bota hipokrite dhe pa ngjyra që shfaqet çdo ditë. Vajza durrsake plot ëndrra për të ardhmen premton se do të prodhojë më shumë tinguj
Alma ÇUKA
Ajo është e bukur. Ka guximin dhe zgjuarsinë që ëndrrat e saj t’i bëj realitet. Është një nga artistet më të veçanta të qytetit të Durrësit, Keti Bashhysa. Që kur mori për herë të parë instrumentin e saj (e të cilin tashmë është bërë një), vajza bukuroshe nga Durrësi e kuptoi se ëndrrat një ditë marrin jetë. Nuk pengohet nga askush për të krijuar. Guxon dhe në skenë shkëlqen. Dhuron dashuri përmes muzikës që luan në violonçel. Artdashësit durrsak e kanë provuar disa herë këtë ndjesi. E fundit ishte koncerti i Keti Bashhysës në 22 prill, ku për më shumë se një orë, artistja dhuroi emocione të forta për publikun e saj. Ajo arrin të projektoj gjithçka. Nuk a frikë. Krah saj në shfaqjen e fundit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” ishin skenografi, Avni Delvina. Por nuk mungoi edhe kantautori Elton Deda, me të cilin Keti ka një miqësi të hershme. Ndjesinë e saj që përjeton në skenë, ideja e titullit, frika nga arratisje reale dhe shumë detaje të tjera nga jeta prej artisteje, i rrëfen për gazetën “Telegraf”, violonçeliste Keti Bashhysa. 
“Arratisja” . Vetë titulli të jep përshtypjen e një vajze rebele, e cila mund të arratiset nga momenti në moment, por jo në skenë. Nga kush arratiset Keti Bashhysa?
Unë arratisem nga injoranca, mosmirënjohja, pabesia, falsiteti, hipokrizia, boshllëku, ligësia me edhe pa dashje, domethënë edhe nga budallallëku. 
Vendosja e emrit të koncertit ishte ideja Juaj apo?
Titulli i koncertit ishte ide e imja si çdo titull i koncerteve paraardhëse të miat. Madje jo vetëm titulli por edhe repertori është gjithmonë zgjedhje imja. 
Është arratisur ndonjëherë Keti?
Arratisem shpesh shpirtërisht. Arratisem nga rutina, nga realiteti që është pak a shumë siç e përshkrova pak më lart.
Keni dhënë disa koncerte dhe të gjitha në Durrës. Pse kjo zgjedhje?
Durrësi është qyteti ku kam lindur dhe jam rritur. Teatri i Durrësit është shtëpia ime e dytë, e njoh deri në skuta. E kam prekur që në vogëli atë skenë, kam performuar që fëmijë. 
Si i vlerëson Keti bashkëpunëtoret e saj?
Unë bashkëpunoj vetëm me profesionistë. E vlerësoj punën e tyre. Gjatë eksperiencës time kam pasur dhe rezervat e mia për disa syresh por, i kam seleksionuar gjatë rrugës. Kësaj here veçoj regjisoren e “ARRATISJE”, Mimoza Marjanaku. Një njeri i jashtëzakonshëm! Fantastike jo vetëm në punën artistike me mua por edhe një njeri aq i durueshëm dhe plot mirësi. Bashkim Hoxha, drejtori i Teatrit, njëkohësisht edhe konsulent artistik i eventeve të mia. Një Zotni, i cili më jep aq shumë kurajë. 
Keti Bashhysa një vajzë e re e bukur, e talentuar plotë energji. Si lindi pasioni për violonçelin dhe pse pikërisht ky instrument muzikor?
Violonçeli erdhi rastësisht. Si fillim nisa të studioj për piano. Dikur më sheh duart rastësisht pedagogia e celios dhe më mori. Gishtat e mi ishin të përshtatshme për violonçelin. 
Kur e mori Keti për herë të parë violonçelin?
Diku nga mesi i klasës së parë fillore. Isha 6 vjeçe. Shumë e vogël për ta kuptuar magjinë e këtij instrumenti. Por me kalimin e viteve e dashurova. 
A ke pasur një idhull në pasionin tënd?
Gjëja më anormale për mua është të kesh idhuj! Unë marr aq sa të mundem nga më të mirët. Idhuj nuk kam. 
Gjatë karrierës suaj, keni menduar ndonjëherë se keni zgjedhur rrugën e gabuar?
Pasionet e mia nuk janë perverse ndaj nuk I fsheh. Çdo pasion timin e kam konkretizuar. Më pëlqen ti ndaj pasionet e mia me njerëzit. 
Ju njiheni tashmë se jeni vajza e një prej aktorëve të njohur në Durrës. Ka tentuar babai juaj t’iu imponojë rrugën e tij artistike atë të dramaturgjisë?
Babi im nuk ka tentuar kurrë të më imponojë profesionin e tij. Kur ia shpreha që dua të aktroj për herë të parë, u çudit pak por më inkurajoi. 
Prej vitesh luani në skena të ndryshme. Gjithashtu jeni edhe pedagoge. Na flisni pak për emocionet që merrni kur jeni në skenë dhe në auditor duke dhënë mësim?
Janë dy emocione të ndryshme. Në skenë jam para një publiku që nuk të fal, nëse nuk i dhuron emocione. Më pas ai të duartroket pa fund, të admiron dhe pret me padurim koncertin e radhës. Në mësimdhënie unë punoj t’i jap profesionin fëmijëve, të rinjve. Është punë e vështirë dhe shpërblimin e merr pas disa vitesh. Por në të dyja rastet admirohesh. 
Cila është bota e Ketit kur luan në violonçel?
Një botë plot dashuri, e sinqertë, plot ngjyra. 
Vite më parë Ju keni provuar edhe fushën e gazetarisë. Cilat janë kujtimet më të bukura nga kjo përvojë dhe nëse do të ktheheshim pas në kohë, ku do ta shihje veten?
Periudha ime si gazetare, moderatore ka qenë në tërësi e bukur. Nuk di të ndaj ndonjë fragment. Unë kam punuar shumë dhe me shpirt (si në çdo punë që marr në dorë ) . Kur punon fort të shijon gjithçka pavarësisht bërrylave. Nëse do kishte një rikthim, veten e shoh në temat sociale. 
Duke u nisur nga fakti se keni qenë pjesë e medias. Sot si e shihni këtë zhanër?
Median e shoh si merkato sot, ku ka shitblerje të shumta produktesh (gazetarësh ). Moderatore që ndodhen në TV në bazë dekoltesh dhe jo vlerash profesionale (natyrisht jo të gjitha por shumë prej tyre )
E ndjek një muzikante politikën, çfarë raportesh ka me të violonçelistja e bukur dhe e talentuar?
E ndjek pak politikën dhe sa herë e bëj më duket vetja pis. Nuk e di pse më kujtohet profesioni më i vjetër në botë kur shoh, ndjek politikën. Lidhja mes muzikës që unë bëj dhe kësaj palo politike është 0 .
Ka pasur zhgënjime rruga juaj?
Zhgënjimet janë të pashmangshme. Barriera pengese, bashkëpunëtorë jo korrektë, gjallesa që të hyjnë si pykë, pa lidhje. Zhgënjime nga tipa që unë i kam konsideruar miq. Por të gjitha këto më bëjnë më të fortë dhe më shtyjnë të shkëlqej akoma më shumë në rrugën ku unë eci me dëshirat dhe punën time. 
Cilat janë projektet tuaja?
Kam idenë e një projekti tepër të veçantë por që nuk mund ta tregoj pa ndërtuar piketat e para. 
Pasi kemi kaluar gjithë rrugën tuaj artistike dhe gazetareske ndër vite. Cila është Keti sot?
Unë sot jam një femër e cila bëj gjithçka që më pëlqen,duke punuar fort. Jam e aftë të gjykoj saktë gazetarinë (ku shoh shumë gazetarucë ). Jam femër që të mbaj mbërthyer për më shumë se një orë në skenë duke operuar në disa zhanre. Jam e vetmja që e bëj. Unë fal emocione të forta falë punës time dhe bashkëpunëtorëve të mi. 
Kur do të jetë koncerti i radhës?
Më pëlqen shumë vjeshta ose pranvera për koncertet e mia . Të shohim. Pres diçka tejet të veçantë.
Faleminderit!
Sigal