Ark. Rest. Shpresa Prifti/ Trashëgimia Kulturore dhe kontributi i grave në vlerësimin e monumenteve

628
Krahas gjuhës dhe historisë si dëshmi të së kaluarës, një vend të rëndësishëm zë dhe Trashëgimia Materiale dhe veçanërisht ajo ndërtimore, e cila përfshin objekte të gjinive të ndryshme si ato të arkitekturës popullore pra, banesave qytetare, fshatare, qendrave historike, objekteve të kultit, objekte inxhinerike si ura, ujësjellës, dhe ato antiko-mesjetare të shtrira nga prehistoria deri në ditët tona dhe të cilësuara “monument kulture”.Puna për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës, është konceptuar si një veprimtari komplekse shkencore, që ka në përmbajtjen e saj gjurmimin, vënien në mbrojtje, dokumentimin, studimin, restaurimin dhe botimin. Pa dyshim kjo është një fushë mjaft e veçantë , ku unë kam qenë e privilegjuar të jem pjesë organike e kuadrit restaurues që në ditët e para pas diplomimit tim në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Arkitekturë ku dhe tema e diplomimit i përkiste fushës së Trashëgimisë Kulturore. Instituti i Monumenteve të Kulturës, para viteve 1990, ishte një organ i centralizuar profesional, i cili organizativisht ngrihej mbi bazën e disa sektorëve shkencorë që mbulonin gjini të ndryshme monumentesh, me një sistem vartësie administrative të disa drejtorive rajonale në qytetet kryesore të vendit. Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës së qytetit të Shkodrës, ku unë për 10 vjet (1974-1984) ushtrova aktivitetin tim si drejtore e këtij organizmi, mbulonte një zonë relativisht të gjerë duke përfshirë zonën veriore dhe atë veri-lindore me rrethet Shkodër, Lezhë, Pukë, Tropojë, Rrëshen, Burrel, Mirditë, Kukës me një listë të plotë monumentesh të të gjitha gjinive. 
1. Gjatë shek. XVIII, Shkodra ka qenë një nga qytetet më të zhvilluara zejtaro-tregtare të vendit, kryeqendra e Shqipërisë së Veriut. Ajo ruan një pasuri të madhe në fushën e Trashëgimisë Kulturore në të gjitha gjinitë e ndërtimeve, veçanërisht në aspektin e qendrave të banuara me aktivitet zejtaro-tregtar. Janë gjithsej 124 objekte në rrethin e Shkodrës të gjinive të ndryshme, të cilat për vlerat e veçanta historike, urbanistike, arkitektonike, tipologjike dhe artistike janë cilësuar “Monument Kulture” të kategorisë I, ndërkohë që të gjitha ndërtimet e tjera dhe ato të Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur , trajtohen me status të veçantë nga shteti. Gjatë periudhës së detyrës në Shkodër, është kryer një veprimtari e gjerë sipas kritereve bashkëkohore të vlerësimit të monumenteve. Kjo konfirmohet prej veprimtarisë sime në rritje dhe thellimit profesional, të gjurmimit dhe vënies në mbrojtje të monumenteve, dokumentimit të tyre, hartimit dhe zbatimit të projekteve të restaurimit, veprimtarisë studimore dhe asaj botuese, krahas popullarizimit të monumenteve. Rivlerësimi i Trashëgimisë Kulturore të qytetit të Shkodrës, i bërë në vitin 2002-2003, është parë dhe në aspektin historik dhe arkitektoniko-kulturor për dëshmitë e fillimit shek. XX, si për monumente të veçanta ashtu dhe zgjerim të qendrave qytetare. Kjo pruri shpalljen “monument kulture” të mjaft objekteve me vlera të spikatura arkitektonike të periudhës së fillim shek. XX. krahas, rivlerësimit të Qendrës Historike të qytetit si dhe të hapësirave rrethuese, të cilësuara “Zonë e Mbrojtur” ndaj qendrave historike, të cilat lehtësojnë kalimin në zonën e lirë të qytetit pa kushtëzime specifike urbanistike. Pjesë përbërëse e Hartës së zonifikimit, është dhe hartimi i Rregullores përkatëse të kritereve të projektimit dhe zbatimit të punimeve në këto zona, në mbështetje të ligjit “Të Trashëgimisë Kulturore”.
2. Qendrat Historike, janë dukuri urbanistike të formuara nga bashkësi ndërtesash me vlera arkitektonike të periudhës kohore. Ashtu si monumentet në përgjithësi, duke qenë dëshmi historiko-kulturore, qendrat historike janë objekt shumëplanësh. Studimi dhe hartimi i projekteve të tyre, përfshin aspektin urbanistik si dhe atë arkitektoniko-kompozicionalo-teknik, si një bashkëveprim që shfaqet te ndërtesat me zhvillimin e trasesë së rrugës, mureve rrethuese me portat bashkëngjitur, në drejtim të aplikimit të teknikave të ndërtimit dhe materialeve përbërës të periudhave përkatëse. Do të vlerësoja restaurimin e ansambleve urbanistiko-arkitektonike të rrugëve “Kol Idromeno”, “Kardinal Mikel Koliqi” sot me toponimin e vjetër “Gjuhadol”, si dhe atë “13 Dhjetori” , pjesë të Qendrës Historike të qytetit të Shkodrës, restaurime të kryera gjatë viteve 1981 -2006 – 2011. Restaurimi i këtyre ansambleve kishte pikësynim së pari: ruajtjen e vlerave origjinale të elementeve të ndryshëm arkitektoniko-teknik si dhe të materialeve përbërës, dhe së dyti: kthimin e mjaft ndërtesave në formën fillestare si pasojë e transformimeve në kohë. 
3. Projektet e restaurimit të Qendrave Historike, apo të monumenteve të veçantë, janë paraprirë nga dokumentacioni i hollësishëm grafik, fotografik dhe përshkrimor, realizuar nga specialistë restauratorë me përvojë. Në mungesë të gjurmëve origjinale si rezultat i dëmtimeve në kohë, apo të transformimeve, projektet janë bazuar shpesh here në dokumentacionin fotografik të disponueshëm në mjaft raste nga pronarët; një ndihmesë të jashtëzakonshme kemi pasur nga ana e fototekës Marubi për objektet e Shkodrës e cila ka qenë burimi më i shpeshtë dhe i vërtetësishëm i gjendjes fillestare të monumentit, duke kontribuar shkencërisht në hartimin e projektit të restaurimit. 
4. Për monumente të veçanta do të vlerësoja restaurimin e banesës së patriotit, Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, kullën e Gjon Marka Gjonit në Shkodër dhe mjaft banesa popullore në qytet, ku autorët janë gjithmonë anonim, mjeshtër të artit, të të ndërtuarit shqiptar. Restaurimi i banesave të fshatit para viteve 1990 ka zënë një vend të rëndësishëm, megjithëse ka qenë një ndërmarrje mjaft e vështirë si rezultat i vendndodhjes së tyre në zona të thella, ku mungonte plotësisht infrastruktura e rrugës dhe transporti i materialeve bëhej me kafshe dhe me fuqi punëtore, krahas vështirësive të akomodimit të personelit dhe brigadës së specialistëve etj. Vështirësia qëndronte dhe në aspektin shoqëror, mbasi ndërhyrjet restauruese ishin përgjithësisht kontradiktore me kushtet e reja social-kulturore dhe mënyrën e sotme të jetesës. Por, nuk mungonte asnjëherë dëshira dhe pasioni për punën që bëhej, në kushtet e shoqërisë së sinqertë dhe bashkëpunimit në grup të specialistëve, që ishin padyshim disa veti njerëzore që në ditët e sotme i takon rrallë. Do të vlerësoja ndërhyrjet restauruese në objektet, si Kulla e Mic Sokolit në fshatin Bujan të rrethit të Tropojës, kulla e Lulash Keçi në fshatin Theth Dukagjin, Teqja e Frashrit, në Frashër të Përmetit, e mjaft banesa fshatare si në Mirditë, Tropojë, Burrel, Mat, etj. Një punë e madhe është bërë në drejtim të profesionalizmit të specialistëve të ndërtimit me organizimin e kurseve profesionale, shkëmbim përvoje në rrethe etj. duke formuar vit pas viti, një staf me mjeshtër të specializuar në fushën e realizimit të teknikave të vjetra si, gdhendjet në gur, daltimet në dru, punimet në stuko- reliev, etj .
5. Realizimi brenda kritereve të restaurimit dhe me cilësi të lartë i këtyre punimeve, e ka shpjegimin në bashkëveprimin e aktivitetit projektues me atë të zbatimit dhe ndjekjes së punimeve si një domosdoshmëri specifike e bashkëpunimit në fushën e restaurimit të monumenteve. Projekti i restaurimit, përfundon me përfundimin e punimeve të restaurimit, mbasi gjatë ndërhyrjeve dalin gjurmë dhe fakte të reja , faza të ndryshme ndërtimi, për të cilat duhet mbajtur qëndrim shkencor. Dhe kjo specifikë ka qenë plotësisht e realizueshme në kushtet e sistemit të centralizuar të aktivitetit të IMK, ku brigadat e zbatimit të punimeve me mjeshtër të specializuar, si dhe autorët e projekteve ishin pjesë e pandarë e organikave të DRMK në rrethe . Aspekt i punës gjurmuese dhe dokumentuese të vlerave të trashëgimisë kulturore, kanë qenë dhe ekspeditat shkencore në zonën e Vermoshit dhe të Kelmendit, të cilat kanë evidentuar shembujt karakteristik të ndërtimeve në këto krahinave të periudhës së fund shek. XIX dhe fillim shek. XX, si një kontribut në studimin e banesave fshatare. Padyshim, vlerësimi i gjendjes së monumenteve dhe i shkallës së degradimit të tyre, ishte një preokupim serioz lidhur me shkallën dhe radhën e ndërhyrjeve në to, si me punime të karakterit mirëmbajtës ashtu dhe atyre restaurues. Kjo problematikë ka qenë e zgjidhshme si rezultat i organizimit të ekspeditave të vazhdueshme të kontrollit të gjendjes së monumenteve nga organika e DRMK, si dhe e funksionimit të zinxhirit të kujdestarëve të monumenteve të shpërndarë në rrethet përkatëse ndërkohë që, në qytete për planifikimin e banesave të kategorisë II, pjesë të ansambleve arkitektonike si në Gjirokastër, Berat, etj. është bashkërenduar me seksionet përkatëse pranë komiteteve ekzekutive.
6. Periudha mbas viteve 1990, me kalimin në sistemin e ri demokratik, solli ndryshimin në sistemin administrativ me shkëputjen e drejtorive rajonale nga qendra, IMK-ja dhe zbatimin e procesit të restaurimit me anën e aplikimit të tenderave nga ndërmarrje ndërtimi me një përfaqësues të specializuar të fushës. Ndërprerja e funksionimit të dy hallkave, bashkëveprimit të aktivitetit projektues me atë të zbatimit, si komponent të rëndësishëm dhe specifik të mbarëvajtjes së punës për ruajtjen, administrimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, solli mjaft mangësi serioze në drejtim të zbatimit të kritereve të restaurimit dhe të cilësisë së realizimit të tyre.
Periudha në vazhdim, mbas viteve 2002 pozicionuar pranë IMK, në pozicionin shefe e sektorit të “Arkitekturës Popullore dhe Qendrave Historike”, është shoqëruar me veprimtari të gjëra në mbarë qytetet, fshatrat dhe qendrat historike të vendit me projektimin dhe ndjekjen e zbatimit të punimeve të restaurimit pranë firmave të licencuara, njëherazi me studime të ndryshme për qytetet kryesore si Berati, me qëllimin e rinovimit dhe përshtatjes me kushtet e reja të jetesës, etj.
Sigal