Arjan Korkaj:“Më jep dorën për unazë”, klipi që më ka befasuar jo vetëm mua

1032
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari Arjan Korkaj: Femrat shqiptare janë të veçanta

“Më jep dorën për unazë” klipi i tij i fundit është ndër më të klikuarit në internet. Madje, ai as e priste këtë sukses kaq të madh. Një këngë popullore me kompozim dhe tekst të Sokol Marsit, bëri që ai të gjejë një tërheqje të madhe të publikut. Këtë arritje ai ja dedikon dhe fansave dhe publikut por dhe këngëtarëve grekë, ku ai ka punuar që i kanë dhënë shumë të fshehta profesionale.

Votoi Arjani?

Patjetër. Qysh në mëngjes. Unë që jam gjumash atë ditë u zgjova pa u gdhirë.

Pse kjo korrektesë në zgjedhje?

Pse? Po njeriu duhet të ndjejë përgjegjësi për atë që e udhëheq, për atë që do e drejtojë. Njeriu nuk duhet të flasë tavolinave për politikën dhe keqqeverisjen, por ta përcjellë kritikën e vetë nëpërmjet votës. Madje mund të them dhe për kë kam votuar.

Klipi juaj i  fundit “Më jep dorën për unazë”, pati shumë sukses, si erdhi kjo këngë. Cili është kompozitori dhe autori tekstit?

Kjo këngë me këtë titull “Ma jep Dorën për unazë”, ishte si gjithmonë një frymëzim tjetër i Sokol Marsit, si Tekst & Muzikë i Sokol Marsit, dhe sa për suksesin s’e prisja kaq. Rëndësi ka që e këndova  me shumë qejf dhe me shpirt. Falënderoj popullin tonë shqiptar anë e mbanë për këtë mbështetje, pa ata s’jemi asgjë…

– Urime të shumta si jeni ndjerë?

Po sa për urime pati vërtet pa masë dhe kjo më bën vërtet të ndihem shumë këndshëm dhe më pëlqen që mundimi im dhe i Kolit u pëlqye dhe po pëlqehet nga dita në ditë, kjo s’do të thotë kurrë ama që tipi im fluturon në ajër, (qesh)…

– A e menduat se do të kishit kaq sukses?

Jo kurrë s’mund të mendosh se sa sukses do të ketë një këngë, por e ndjeva që do pëlqehet se më pëlqeu mua në radhë të parë si Arjan…

-Si ndjeheni tashmë në Tiranë, a jeni ambientuar?

Në Tiranë kam qenë që i vogël kur erdhi familja ime në 1989-n, por në kohën e sotme dhe mbas 20 vjetësh pa ardhur fare, më duket vërtet e ndryshuar çdo gjë dhe fatkeqësisht jo për mirë, por një çrregull, që ishalla ndryshon me këtë RILINDJE të re…

– A ju mungon Athina?

Po edhe më mungon se atje u rrita, që nga mosha 17 e gjysmë kur ika dhe erdha 37 vjeç këtu përsëri e ika prapë, siç dal e vij. Pra s’jam stabël dhe këtu…

-Kush ishte pjesa më e vështirë e këtij klipi?

(qesh)  …Pjesa më e vështirë për mua ishte kur i kërkoja dorën për unazë personazhit (femër) dhe ajo qeshte…. shaka…

– Çfarë more nga këngëtarët grekë  në bashkëpunimet me ta?

Pyetje e bukur kjo, që s’më është bërë kurrë. Sa mirë që ma bëre… mora nga ata stilin dhe sjelljen ndaj njerëzve dhe eksperiencën që kishin si edhe kulturën e Buzuqeve…

-Çfarë dallimesh kanë femrat greke nga ato shqiptare?

Hahata… S’besoj se kanë dallime, madje femrat tona janë dhe më të pashme dhe si kukulla në përgjithësi…

-Si do t’i komentonte këto zgjedhje Arjani, a kishte atmosferë dhe kulturë?

Për atmosferë unë do doja mos të kishte asnjë vrasje. E nxjerrim vetë ne emrin e keq e pastaj shajmë të huajt. Ky ndryshim në këto zgjedhje unë besoj se ju desh këtij vendi nga themelet komplet. Mendimi im është se Rama do bëj ndryshime për mirë dhe votën time hallall ta ketë. Nëse edhe Rama s’bën gjë atëherë duhet t’ja liroj vendin tjetër kujt, më të aftë. Këto votime treguan se shqiptarët dinë kë votojnë. N.q.s Rama do të gabojë si Saliu do të ketë të njëjtën disfatë. Shqiptarët kanë nevojë për shumë gjëra ndaj votuan për Rilindjen….

-Ju  jeni lab, një krahinë me tradita patriotike dhe  shumë e dashuruar me këngën, je krenar për origjinën tënde, pasi thuhet që origjinën e lashtë e keni nga Progonati Tepelenës?

Po Albert Zholi, jam tepër krenar që jam Lab me gjysmë opinge… Deri para një viti e dija se prejardhja është vetëm nga Velça e Vlorës, por mësova se… nga  stërgjyshërit kemi qenë me mbiemër KOKAJ nga Progonati i Tepelenës. Jam krenar nga të dyja vendet, jam LAB…Nga krahina që i ka dhënë lavdi Shqipërisë që është ashtu siç e ka cilësuar i madhi Rexhep Qose që: “Sa herë lëngon Shqipëria, ngrihet në këmbë Labëria”

-Çfarë pëlqen më shumë tek një femër?

(qesh)….! Shumë e thjeshtë, të jetë Femër, se me modernizimin po ndryshohen rrolet… S’dihet kush pi cigare, raki, etj..

-Cilat këngëtare janë në preferencat tuaja?

Janë shumë vërtetë dhe ato që respektoj dhe s’do doja të përmendja dikë që mos le ndonjë pa përmendur dheu ngelet hatri….. (qesh).

-Ku do i bëni pushimet?

Pushime do të bëj shumë pak. Jam i ftuar në shumë dasma dhe aktivitete. Ditët për pushim janë të pakta dhe ato do i kaloj vetëm në bregdetin shqiptar.

-Cila është veshja juaj e stinës?

Veshje sa më të lehta dhe thjeshtë, kapele, pantallona të shkurtra, dhe bluzë ….(qesh) ..Me ngjyra behari…

-Cili është vendi ideal për ju për plazh?

E thashë dhe pak më lart. Vendi im për plazh është pa diskutim Vlora ime. Por edhe Sarandën nuk e përjashtoj…

-Pas këtij klipi kaq të suksesshëm, a keni ideuar diçka të re?

Po, patjetër që kam. Aktualisht po mendoj për një baladë, por mbas dy muajsh do e bëj klip dhe besoj do pëlqehet nga fansat e mi edhe nga gjithë publiku shqiptar. Plus që mund të kem edhe surpriza, p.sh një duet.

-Kush është sipas jush autori më i mirë i teksteve për këngë?

E mira dhe i miri s’kanë fund, siç e kam deklaruar kudo që vlerësoj pa masë Sokol Marsin, si dhe Jorgo Papingjin, Arben Dukën, e shumë të tjerë, por në moment që më vjen në dorë një tekst i mirë i jap vëmendje se anashkaloj…

-A keni në planet tuaja të ardhme ndonjë këngë për Ali Pashën si një legjendë e trevës suaj?

(qesh)… Si progonatas që jam nga origjina do ta bëja me gjithë qejf. Edhe pse i kanë kënduar shumë kudo që shkoj në Greqi habiten për mitin dhe bëmat e tij. Befasohem nga ajo figurë karizmatike. Koha atë në vend ta harrojë po e lartëson. Me këtë rast dua të përmend të gjithë miqtë e mi që më kanë përkrahur në rrugën time si: Luan Miha, Agron Kondi, Kushtrim Muraj, Shkëlzen Delija, Nikolla Malaj, e shumë të tjerë. Falënderoj gjithë njerëzit e thjeshtë që më kanë ndihmuar që sot të ndihem ky që jam.