Arian Sukniqi/ Sezoni i ri me TURPET dhe  AVAZET e vjetra në TKOB

520
Sigal

Nuk mundet të sajosh dhe të quash arritje, sjelljen e ca adoleshentëve, të cilët të vetmin gëzim që kanë kur vinë me urdhër, kanë largimin nga shkolla

Përpara disa ditësh u hap sezoni i ri në TKOB. Të interesuarit prisnin mrekullinë e premtuar, pra ndezjen e llambadarëve që na thanë se, paskëshin kohë që ishin ndryshkur dhe fikur.  E kështu të gjithë prisnin një marramendje ideore, ku njerëzisë do t’i ofrohej parajsa dhe ato veç duhet të hynin në këtë magji, por me kusht, të veshur me smoking dhe fustane imperiale. Në fakt kjo u zbulua  kur një mëngjes  në katakombet e Teatrit na u fanit një pllakat bravurë. Në ngjyrën e gjetheve të thara, ku ndodheshin të rreshtuara telegrafisht të gjitha aktivitetet që do       shfaqeshin në Teatër… vrapuan njerëzia duke u shtyrë me zakonin e vjetër për të leçitur çarçafin  ngjyrë kaki që nga larg të jep përshtypjen e një kamuflazhi ushtarak. Pasi  i hedh një sy të shpejtë këtij programi dallon qartësisht një program të ndërtuar nën trysni dhe panik, të shkruar në dritën e qiriut në një bazament të zverdhur. Them kështu jo për veprat që koha i ka  bërë vend në çdo teatër si “Traviata”, “Toska”  apo “La Bohema” “Aida” etj., të cilat  sigurisht nuk vine rishtazi në këtë teatër, por për disa vepra aksion, të cilat sapo i sheh të vendosura në program e kupton që ky kalendar është për t’u shitur me kile. Në fakt nuk ke kujt ia kërkon shpjegimin, pasi është qesharake t’i kërkosh drejtorit se mbi cilën bazë studimi e ka bërë këtë program?… Pasi ka premtuar çdo gjë do fillojë nga zero. A e ka analizuar vallë ky aftësinë dhe prioritetet që kjo trupë mund të jetë sa më produktive? … Po spektatorin e mori në analizë qoftë edhe në databaze-in ekzistues?… dhe të gjitha këto të përpjesëtuara me buxhetin e institucionit. Sigurisht që, ai i dëgjon për së pari dhe uroj t’i kuptojë, ndaj ai program është ndërtuar në emergjencë të frikshme kohore pa asnjë frymëmarrje të domosdoshme  edhe në distancën midis  dy  shfaqjeve të cilat luhen po nga të njëjtët artistë. Asnjë reflektim nga sezoni i pranverës pink që kaloi. Një program i normuar egërsisht  i denjë për një  rrobaqepësi  brekësh në kohë lufte. Nuk mundet të sajosh dhe të quash arritje sjelljen e ca adoleshentëve të cilët të vetmin gëzim që kanë kur vinë me urdhër, kanë largimin nga shkolla. apo ardhjen e ndonjë anëtari bordi që vjen një nate jep shfaqen dhe ikën pa gdhirë? Teatri zotërinj, Teatriii…  Po 300 ditët e mëpastajme, ç’bëhet. A e mbulon një natë me të huaj skandalet e njëpasnjëshme që rëndomësisht po ndodhin në atë teatër? Si rasti i turpshëm më i freskëti me operën “Toska” përpara disa orësh… E dhimbshme është kur nuk di, dhe e tmerrshme është kur nuk kupton nga dështimet personale. Ç’do të thotë gjithë kjo egërsi e padëgjuar kundrejt kolegëve?! I nënshtrove me vulën e shtetit në dorë për bukën e gojës, u çliruat? Pse tendoseni jashtë realiteteve? Ju po e shikoni se e shumta juaj është për lumë. Ke vënë në skenë 20 shfaqje baleti këtë sezon dhe salla të është mbushur sa vetëm një shfaqe nga shfaqet e realizuara pa ardhur Ju. E vërteta çirret dhe thotë që sezoni që u mbyll ishte nga më dramatikët në historinë e TKOB. Ky sezon filloi me një fjalim  klishe të drejtorit të katapultuar i pritur me respekt nga artistët, por që shpejt u deshifrua si një udhëtar pa busull dhe hartë. Disave iu duk si Kostandini, por shpejt e kuptuan që jo vetëm nuk ishte Kostandini i Doruntinës, por na doli se dhe kalin e kishte lyer me urgjencë në ngjyrë të bardhë.

Shtëpisë së artistëve me kanata të hapura të mirëmbajtura ndër dekada, ku ajri bujarisht e ajroste dhe e ledhatonte, tashmë i është fanitur shejtanëria  përveç se kanatat i kanë mbyllur me brutalitet kanë vendosur dhe një postbllok me rreze infra djallëzore, ku fjalëkalimin ia jep eksperimenteve mediokre në kurriz të artisteve, pra miqve bordistëve dhe servilëve që nuk e cenojnë në emër, pra ata që përshesh me kos duan. Asnjë strategji përmbajtësore dhe  artistike, tashmë na paraqitet dhe si arkitekt që pasi e ndriti në drejtimin artistik nxjerr në statusin e tij që na paskësh ardhur që të ndërtojë Teatrin e Tiranës për ta bërë binjak me atë të Zagrebit… Dikush më tha sa i zoti ky drejtori, erdhi gjeti lekët për të rregulluar teatrin, madje, as tenderin s’do ta bëjë vetë, kishte dëgjuar që do të ndërtohej dhe ura më e gjatë në botë, ku do fillonte te shkallët e TKOB dhe do mbaronte tek shkallet e Teatrit të Zagrebit, njësoj si ura e Adriatikut e teto Ollgës dhe financimin e paska gjetur ky.

Teatri ka nevoja pa fund dhe nëse bëhet do jetë mirë, por në dijeninë time janë më shumë se 5 projekte që kanë vite që aty flenë. Por veç të bëhet se do ta pranojë çdokush edhe këtë produkt zagrebas. Por kjo kurrsesi nuk mund të bëhet çadër, kur mbas një viti shikon artistët të kthyer me dhunë në makineri, ku sadizmi kanibalesk i ka rrëmbyer shpirtin. Në fakt kjo gjendje u paralajmërua që nga mënyra se si erdhën këta drejtues, me borie dhe vuvuzela  duke bërtitur, hapni rrugë se “jemi shoqnia  e Mimoza Llasticës”, nën një entuziazëm eterik, ku ëndrrat kishin zëvendësuar realitetin. Dhe ja ku jemi, institucion ku rrumpallhania është kthyer në moto pune, ku trysnia orientale prodhon veç batuta dhe ofshama, ushqim real për Portokallinë.                                   Dhe tashmë, në qarqet artistike post batutave të ndryshme dua të citoj njërën:“Teatri tashmë është bërë njësoj si kopshti zoologjik, ku ne jemi banorët dhe spektatorët si vizitorë vijnë dhe na shohin si banorë të klonuar, ku me gjestikulacione të komanduara komunikojmë si robotë modernë të 2014-s. Spektatori vazhdon të rëndë  si nga hera në atë teatër, ku për dekada kishte parë kryeveprat botërore dhe krejt papritur gjithmonë dhe më shumë po i bie t’i shfaqen robotë që dominojnë 70% të shfaqjeve ndaj spektatorët po i largohen si djalli temjanit.

Përpara se të terrorizonin artistët, udhëheqësja artistike e katapultuar të studionte njëherë tregun, si të ikur të hershëm që janë. Pastaj të merreshin me tragjikomedinë e kontratave. Një skuadër e tërë me sloganin “skape”, u turr mbi qeniet më të brishta të një shoqërie. Kjo skuadër, për turp të madh, po udhëhiqet nga artistë me bordero pensioni, por  me vula të dhuruara nga  shteti, të rekrutuar me lugë këpucësh, por që thembra i ka mbetur jashtë. Askush s’do mbajë mend nesër, se kush ishte ministre e kush këshilltare apo kryetar sindikate, kur ndodhi kjo gjëmë, pra kur u luajt simfonia e “turpit e artit shqiptar”. Por të gjithë do ta kujtojnë, në kohën, kur drejtonte ai balerini u luajt simfonia e dytë e artit shqiptar , ku kompozimi ishte anonim, dirigjent ishte drejtoria e TKOB-it dhe ekzekutor sipas ligjit Drejtori Ilir Kerni.

 I dashur lexues, dy simfoni janë luajtur dhunshëm në artin shqiptar: E Para në Festivalin e 11-të e titulluar “Në emër të Popullit” dhe e dyta në 2014 e titulluar simfonia e “Bukës së Gojës”.

A ju mbahet mend se si në korr artistët kërkonin dorëheqjen e drejtorit? (e pa ndodhur kurrë më parë) . Por mirë thotë populli “I yti ta bën më zi se i huaji”. Ku ndodh kjo, në cilën pjesë të globit, ku një drejtor kërcënon racën e vet  firmosni kontratat që të merrni rrogat për një punë të bërë. Ku janë kontratat e paligjshme? Ku janë abuzuesit? Ku janë fajtorët që paskëshin krijuar stanjacion artistik?  Ku janë keqbërësit? Apo ishin të gjitha trille për të firmosur kontratën e skllavërisë. Artistët nuk mund t’i fusësh dot në karantinë dhe institucionin nuk mund ta kthesh në repart ushtarak pse paaftësia është fati yt natyral. Dhe është tragjike hakmarrja që po i bëhet një rezistencë në të drejtë të zotit. Ku shoqnia e Mimoza llasticës që kanë uzurpuar institucionin vetëm me përmbajtjen artistike nuk merren atë që do spektatori, institucioni fatkeqësisht po merr ajër gjithandej ndonëse mundohen të mbyllin ndonjë vrimë me ndonjërin që sjellin nga oksidenti, por spektatori nuk ngrohet dot ndaj periodikisht ai po e injoron deri në përçmim.

Risitë e deri tashme janë në fakt disa: tashmë  banerat e shfaqjeve i vendosin nën një sfond stinor, kontratat me dhunë tek artistët, braktisja masive e spektatorëve, largimi i dy të paaftëve midis tyre dhe i tenorit të vetëm që kishte Shqipëria A. Kllogjerit dhe qëndrimi i bukur në karrige i drejtorit të institucionit, urdhri që në lozha nuk do të rri asnjë artist vetëm drejtonjësit dhe shpura e tyre etj..

Pas një viti, gjithkush ka të drejtë të kërkojë llogari se çfarë bëtë nga ato që JU premtuat?

Premtuat se, TKOB do të kthehej në teatër repertori… Për kë?! Për t’u perfeksionuar më shumë artistët se spektatorët se janë më shumë artistë se spektatorë.

Premtuat se TKOB do të ishte shtëpia e artistëve…. Erdhën të zinjtë artistë, por panë diskriminimin që iu bë në pagesë, atmosferë serioziteti etj., temë që do flasin shpejt vetë ata.

 Premtuat se ftesat do të zhdukeshin nga qarkullim…..ftesat po i gjejnë dhe në rrugë njerëzia dhe po shiten dhe me kile

Premtuat që puna këtu do të zhvillohet si një skuadër ….  ku dhe si? Vazhdohet me atë teorinë e vjetër, Topi është i imi penalltinë do e gjuaj vetë, por të paktën bëj një gol or burrë. Premtuat se Ansambli do merrte një dimension tjetër … është kthyer si skuadër qokash duke mbushur ditët…..

    Premtuat se buxhetin do ta rriste me burime alternante… Sigurisht, për kështu punësh duhet të lëvizës e jo duke ndenjur tek dyert e sallave të provave duke marrë mungesat. Normalisht ai është institucion artistik  dhe detyra e tij është të prodhojë shfaqe, por për publikun dhe jo për shokë dhe për vete. Të huajt në teatër kanë ardhur me kohë edhe në Balet edhe në dirizhim, regjisorë, këngëtarë mjafton t’i japësh paratë, ndaj këto metoda sot kur bota është e vogël janë normale dhe duhet të skuqeni, kur e quani risi. Se di nëse shfaqet e dhëna deri tash të paktën a kanë justifikuar financiarisht kostot e banerave dhe ftesave? Por sipas llogarive besoj që Jo!!!

Ky është një moment që ulërima duhet të jetë në tonalitetin më të lartë pasi frikshëm paaftësia dhe papërgjeshmëria është shtrirë sa gjatë dhe gjerë, por jo nga artistët, ata janë heronj që një popull i tërë i qëndisi medalje dhe tash ju po përpiqeni t’ia shqyeni… Opera nuk është me një institucion propagandistik që i shërben pushteteve siç e late ju zonja dhe zotërinj kur ikët, por një institucion kulturor në shërbim të shoqërisë, me mision të shenjtëruar të një edukacioni qytetar për një shoqëri të civilizuar. Por dhe jo një institucion vakant që kush do mund të vijë ta marrë si një biçikletë parku pa zot të bëjë xhiro ta provojë ta shkatërrojë dhe të iki pa i hyrë ferrë në këmbë. Ky mentalitet është tragjik. Teatri i Operës është një kombinat që prodhon një mishelë estetike artistike nga bashkimi fizik dhe shpirtëror i talentit njerëzor. Po për kë?!

Sigurisht, për spektatorin. Ai institucion është krijuar, qëndron dhe do të ekzistojë veç për spektatorin ndaj gjëja më e rëndësishme është pjesëmarrja e tyre. Nëse Spektatori nuk afrohet dhe bën divorc me ty siç po bën prej një viti  atëherë a mban dikush përgjegjësi.

Ai institucion duhet të bëhet partner me shtetin dhe jo ta shohë shtetin si “lope holandeze” me disa lekë dhe këto duhet të ndahen, pse jo? Sipas kësaj metodës së fundit që tashmë është trendi i shpërndajmë me shokë e me miq  deri te kushërinjtë e dytë.

 Ata  që vulën ju dhanë me entuziazmin e keqinformimit, post të tjerave duan dhe produktin entuziast. Qëndrimi bukur në karrige, tregimet nëpër intervista si veteranë të kohëve të shkuara apo dhe ndonjë foto e hershme si pa dashje e nxjerrë me atë që të besoi vulën, nuk mjaftojnë. Për besë, nuk e di pse është zgjatur kaq shumë që thembrat të zëvendësohen nga majat…se për të qenë i sinqertë kjo gjë dihej dhe tashmë dihet nga gjithë njerëzia, se “ai stan këtë bylmet do bënte”.

“Kur prifti nuk predikon dot nuk prishet kisha, por largohet prifti.”…