Arbër Çepani: Kam shumë ëndrra, ide dhe dëshira në mendjen time…

602
Arbër Çepani, fituesi i Big Brother 1, tashmë moderator në TVSH i programit “Mirëmëngjesi Shqipëri!”. Arbri djaloshi 30 vjeçar me një natyrë të qetë, i dashur por mbi të gjitha një djalë me karakter të fortë dhe punëtor na tregon në një intervistë për gazetën Telegraf të gjitha planet e tij. Ai flet për pasioni e ti të koleksionimit, për pasionet për televizionin si dhe për suksesin e tij si sipërmarrës. Arbëri gjithashtu flet dhe për jetën private duke thënë se nga dashuria e tepërt askush s’ka vdekur deri më sot. Arbri gjithashtu thotë se ka shumë ëndrra, ide dhe dëshira në mendjen e tij. 

1-Sa ka ndryshuar Arbri, nga fitorja e “Big Brother 1”, deri sot kur ju thua të gjithë shqiptarëve: “Mirëmëngjesi Shqipëri”? 
Çdo vit që kalon mundohem të jem më i mirë sesa një vit më parë. Nëse nuk do ndodhte kështu do të ishte shqetësuese. Uroj që në këto vite ndryshimet e mia të kenë progresive dhe mbi të gjitha pozitive. 

2-Si janë mëngjeset tani në televizion, ka ndryshuar ritmi juaj i jetës? Jeni mësuar me zgjimin shpejt? 
Ky është një ndryshim i madh në fakt. Përpara se të nisja emisionin e mëngjesit kisha një organizim tjetër të ditës. Ritmi ndryshe fillonte që nga zgjimi në mëngjes. Sot zgjohem me gjelat dhe, duhet ta pranoj, ato orët e para të mëngjesit janë më efektivet profesionalisht. 

3-Të shkëmbyerit e bisedave televizive në mëngjes, ku ndryshojnë nga bisedat në orët e vona në lokalin tuaj?
Orët e vona janë më intime. Bisedat e mëngjesit janë më impenjative. Dita është për të prodhuar, nata është për të reflektuar. 

4- Do ta quanit veten me fat pasi keni mundësi që t’u thoni shqiptarëve ‘mirëmëngjesi’ nga ekrani dhe ‘natën e mirë’ një pjese të mirë njerëzish nga sipërmarrja juaj. Me pak fjalë të punosh me dy gjëra krejt të kundërta me njëra tjetrën është fat apo lodhje ?
Njeri duhet të bëjë sa më shumë eksperienca në jetë. Çdo eksperiencë qoftë pozitive apo negative është një investim për të ardhmen. Jam me fat që Zoti më ka dhënë fuqinë dhe shëndetin për të punuar. E lodhshme është shumë por asgjë e mirë nuk vjen pa lodhje. 

5- Ku ndryshon puna në televizion me atë sipërmarrjes? 
Çdo punë që të ketë prodhimtari ka nevojë për shumë dedikim dhe shumë përqendrim. Nëse punon fortë në idetë dhe ëndrrat e tua, ja del njësoj si në sipërmarrje ashtu edhe në televizion. Ndryshimi midis njëra tjetrës qëndron vetëm tek shfaqja publike. Mund të jesh një sipërmarrës që nuk shfaqesh asgjëkund, por nuk mund të jesh një produkt televiziv dhe të qëndrosh në hije.

6- Si e ndan kohën midis televizioni dhe sipërmarrjes tënde, pasi mesa di unë ti je duke e shtuar dhe nëpër qytete të tjera këtë sipërmarrje? 
Sa herë që mendoj që s’më del koha për të bërë të gjitha gjërat që dua….mendoj se njerëz si Elon Musk kanë të njëjtën kohë me mua dhe kanë arritur të dërgojnë raketa në hapësirë, ndërtojnë makina elektrike dhe të ndryshojnë tërësisht konceptin e energjisë! Kështu që nuk duhet të qahem për kohën që më mungon…. 

7- Arbër një tjetër pasion i juaji është dhe koleksioni i gjërave tipike të vjetra, mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij pasioni?
Pasioni për koleksionimin është një nga pasionet që më dhuron më shumë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore. Fatmirësisht përtej pasionit personal ky pasion ndihmon edhe në ruajtjen modeste të trashëgimisë kulturore.

8- Sa e vështirë është që ta ushtrosh këtë pasion këtu në Shqipëri?
Koleksionimi është një pasion “filantropësh” dhe që ta ushtrosh ka nevojë për qarkullim të vazhdueshëm financash. Në një vend të varfër si Shqipëria sigurisht që është shumë pasion i vështirë. 

9-Ti e ke arreduar vetë Komitetin tënd diçka shumë e bukur dhe e veçantë e ke pasur të vështirë?
Tek Komiteti, si në Tiranë ashtu edhe në Korçë kam ushtruar të gjithë dashurinë time për arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore njëkohësisht. Vështirësitë janë të papërfillshme kur në mes ka dashuri dhe pasion për atë çka bën. 

10-Televizioni është dashuria juaj konstante, çfarë do të dnit të realizonit në të ardhmen me emrin tuaj? 
Kam shumë ëndrra, ide dhe dëshira në mendjen time… Mundohem çdo ditë të vë nga një tullë më shumë për shkurtuar distancën deri tek to… Uroj që një ditë të kthej kokën pas dhe ato ëndrra të jenë bërë histori suksesi. 

11-Të pëlqen politika , do të të shohim ndonjë ditë të angazhuar? 
Politika ka aftësinë e jashtëzakonshme që të jep mundësinë nëse do të punosh të ndryshosh të ardhmen e një vendi. Fatkeqësisht këtë dhuratë të mrekullueshme shumica e politikanëve tanë e keqpërdorin… Të angazhohesh sot në politikë do të thotë të bëhesh pjesë e disa skemave që nuk kanë asgjë të përbashkët me dëshirën për të ndryshuar gjërat për mirë. Në këtë situatë preferoj të ofroj kontributin tim diku tjetër. 

12- Të kalojmë pak në jetën private, si shkoni? 
Rrethohem gjithmonë nga dashuria e njerëzve që kam afër, kështu që gjithçka shkon më së miri.

13-Sekreti i marrëdhënies jetëgjatë? Dhe çfarë mendoni se e bën jetëshkurtër një lidhje?
Besoj se është e vështirë të japësh receta të përgjithshme. Çdo rast është unikal nga tjetri. Por ajo që mendoj se është e pazëvendësueshme në një lidhje është që partneri të të ndihmoj të bëhesh më i mirë nga se ishe para se të lidheshe. Nëse ndodh e kundërta ajo marrëdhënie nuk ka asnjë kuptim të vazhdoj. 

14 Dashuria e parë, ju kujtohet?
Sa herë bie në dashuri është një dashuri e parë në vetvete, sepse e ndryshme nga gjithë të tjerat. 

15-Dashurinë me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim, e besoni? 
Vështirë….impresioni i parë në shumicën e rasteve të gënjen. 

16 Çfarë ju gëzon dhe frikëson njëkohësisht në një lidhje? 
Më gëzon kur më kompleton në gjërat që më mungojnë dhe më frikëson kur më tërheq në negativitet. 

17- Dashuroni shumë? Apo mesatarisht? 
Jam njeri pasionant që i kuron shumë detajet, kur i bëj gjërat i bëj me qejf. Nga dashuria e tepërt askush s’ka vdekur deri më sot. 

18- Libri që shërben si udhërrëfyesi juaj për të pasur sukses në jetë? 
“Baba i varfër, baba i pasur” nga Robert Kiyosaki. 

Era Çela
Sigal