Arben Shira:Nuk duhet të ketë pushkatime në emër të një ideologjie

581
Sigal

INTERVISTA/  Flet piktori Arben Shira: Në monizëm piktura ishte e ideologjizuar

Ndoshta është ndër të paktë piktorë në botë që jeton me artin e pikturës. Në monizëm “biografia” e tij nuk e lejonte që të vazhdonte Akademinë e Arteve, por ai i vazhdoi ato me ardhjen e demokracisë në Bari. Në ekspozitën e tij të hapur në Tiranë, me rreth 70 punime, media tregoi interes të veçantë për tematikën që ai përcillte në pikturat e tij, ku binte në sy ngjyra e verdhë e zbehtë. Piktura e tij është ndarë në tre periudha, ku mbizotëron tema sociale. Një nga pikturat e tij titullohet “Barrikada”, ku ai bën thirrje që këto lloj dënimesh nuk mund të zënë vend më. Në një vend të qytetëruar duhet të marrin fund dënime makabre dhe njeriu duhet të respektohet në bazë të Kartës së të Drejtave të Njeriut.

 Një ekspozitë e veçantë me tematikë të veçantë. Kush ka ndikuar në këtë tematikë?

Prej 22 vjetësh jetoj në Itali  dhe jam piktor profesionist. Kam mbaruar Akademinë e Arteve në vitin ‘91-‘95 në Bari. Dhe prej asaj kohe i jam përkushtuar vetëm pikturës. Kam sjellë ekspozitën time të parë në Tiranë. Punët janë të ndara në tre periudha prandaj e kam cilësuar edhe antologjike. Periudha e parë është një periudhë realiste si të gjithë piktorët. Periudha e dytë është stilizimi im personal dhe periudha e tretë është pikë kalitja si piktor modern. Tematika e pikturës time është jeta rrethanore, por edhe kur kërkohen tema kompozimi gjithmonë i referohem temave shqiptare. Tema mbetet shqiptare dhe stilizimi mbetet modern. Në Itali kam bërë shumë  ekspozita personale dhe bashkë me piktorë italianë kam marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore italiane. Nga opinioni publik italian ka shumë vlerësime por edhe nga kritika. Prej më shumë se 20 vjet i jam përkushtuar pikturës.

-Pjesa e tretë qenka vetëm me problematikë shoqërore?

Po. Por nuk është me temë të realizmit socialist siç kam dëgjuar të thonë. Meqenëse është një temë shoqërore, kjo nuk është e realizmit socialist. Diferenca e realizmit socialist dhe e një teme shoqërore e pikturës time dhe shumë piktorëve të tjerë është kjo se realizmi socialist është një rrymë e cila përdor pikturën dhe artin për propagandën komuniste të pushtetit. Ndërsa këtu është një dëshirë qytetare për të treguar jetën qytetare  shqiptare, në pozitat e një qytetari dhe jo në pozitat e një politikani. E vetmja pikturë politike është një e pushkatimit që tregon demonstrata dhe mund të titullohet “Barrikada”. Pikënisja është  gjithmonë jeta shqiptare dhe problemet tona, por kam dashur t’i përgjithësoj në nivel të artit në përgjithësi. Këto pushkatime kanë ndodhur gjatë regjimit komunist dhe  vetë kam qenë i persekutuar, por piktura ndryshe është e përgjithësuar sepse piktura është një protestë kundër pushkatimit dhe vrasjeve në emër të një ideologjie.

-Të gjithë këto problematika të kanë lindur si një dëshirë e brendshme, apo ka qenë prejardhja juaj që keni qenë i persekutuar?

Janë të dyja këto gjëra, por problemi është këtu. Unë në periudhën e parë si piktor nuk kam dashur kurrë ti referohem temave sociale. Kam pasur dëshirë ti qëndroj larg, por me kalimin e kohës iu futa kësaj teme për të treguar shoqërinë shqiptare. Unë iu referova temës shqiptare sepse unë jam shqiptar dhe dua të jem vetvetja dhe  dua të tregoj se si është jeta shqiptare. Ka qëlluar që dikush më ka  bërë  një pyetje:Si priten këto piktura me tema shqiptare në Itali? A i blen njeri?

Shumë njerëz i blejnë me kënaqësi. Pikënisja  ime është  si shqiptar po  zhvillimi është modern. Pikturat lindore trajtojnë vetëm tema njerëzore. Piktura kineze dhe  japoneze trajton të kaluarën. Piktorët modern si Zhagali ka pasur pikturuar vetëm tema të jetës së tij personale.

Unë kam sjellë këto tema këtu sepse unë erdha në Shqipëri dhe temat janë nga vendlindja. Por pjesa më e madhe e krijimtarive të mia janë jashtë këtyre temave shoqërore. Janë me tema intime dhe  joshoqërore. Po këto tema janë të vlerësuar shumë edhe atje, por edhe në botë.

-Mund të ma lidhni pak idenë e persekutimit?

Unë isha fëmijë dhe nuk kisha lidhje me politikën. Unë i përkisja një familje të persekutuarish nga regjimi. Mua më është ndaluar studimi edhe në një lice të thjeshtë  artistik. Unë dhe prindërit e mi nuk janë marrë kurrë me politikë. Kështu ishte regjimi dhe ashtu shkoi dhe fati jonë. Por demokracia mi solli hapësirat që dëshirat e mia të brendshme t’i realizoj.

 Si është shkolla jonë e pikturës?

Tek ne ka shumë piktorë të aftë që kanë konkurruar kudo në botë. Mund të them se shkolla jonë dhe pse e ideologjizuar ka pas pedagogë të aftë që kanë studiuar jashtë dhe që kanë përcjellë tek studentët teknika profesionale të stilit bashkëkohor.