Arben Shaka: Rregullova Greqinë, tashmë do të rindërtoj Shqipërinë

1446
Sigal

INTERVISTA/ Flet mjeshtri i humorit Arben Shaka: Më duket vetja si UFO, në shtëpinë time

 Një zile në celular bëri që të hedh sytë në ekranin e tij. Një numër i panjohur, por megjithatë e hapa. Përshëndetje Albert, si jeni? U stepa. Një zë i njohur më bëri që t’i thërras kujtesës. Nuk më njihni zërin besoj dhe dëgjova të qeshura nga celulari i atje tejshëm, diku në Tiranë. Por kujtesa nuk më la në baltë. Të njoha, i thashë, si të mos kujtoj zërin tënd të një humoristi karakteristik. Jeni në Tiranë? Po, kam ardhur përfundimisht. Lamë takim tek një lokal në qendër të Tiranës dhe mes shakave të tij të kripura zhvillova këtë intervistë.

 Vendosët të ktheheni përfundimisht?

Po, unë bashkëshortja dhe nëna ime, ndërsa fëmijët, do vazhdojnë jetën aty.

 Ktheheni pas 16 vjetësh, si ndjeheni?

I paorientuar. Ende nuk ndihem si në shtëpinë time dhe pse jam në shtëpinë time. Duke qenë larg për shumë kohë thuajse janë prerë shumë lidhje dhe të hysh në jetën e përditshme të qytetit tënd të dashur pas kaq kohësh duhen disa ditë. Nuk kam shumë numra telefoni, nuk po shoh shumë miq të tjerë, po rregulloj shtëpinë, rregulloj disa gjëra të domosdoshme pra jam ende në hava. Do duhen disa ditë të dal nga kjo gjendje. Më duket vetja si UFO, në shtëpinë time.

 Pse u largove nga Greqia apo më mirë të themi nga Lutraqi një qytezë e bukur greke, që çdo kush do dëshironte të jetonte?

Koha ecën, ajo bën të vetën. Kriza greke tashmë i ka shtrirë krahët kudo. Nuk ishte më ajo Greqi e viteve të para. Madje, dhe shumë ligje kanë dalë të disfavorshme për emigrantët. P.sh n.q.s pronari të pushon nga puna, kurrsesi nuk të paguan si më parë një vit asistencë, madje, as shteti. N.q.s më parë pronari mbante përgjegjësi për pushimin nga puna, tashti ky rregull është hequr. Pra në këto kushte vetë grekët tashmë janë më të interesuar të mbajnë të tyret se emigrantët.

 Për shumë kohë keni punuar si piktor, madje, në këtë qytezë keni bërë shumë piktura murale të përmasave të mëdha deri në 8 me 3 metër, si lindi piktura tek ju?

Unë me pikturë fillova të merrem qysh në moshën 35 vjeç. Pra kur isha në Cirk, punoja dhe me pikturat. Ishte një ndjesi e brendshme. Shumë skena në cirk i organizoja vetë. Bëja dhe portrete dhe peizazhe, madje dhe kompozime. Por në Greqi e bëra profesion të parë. Kur kam bërë pikturën e parë murale me përmasa të tilla vetë pronari grek është habit, pasi unë përmasat e trupave i bëja me llogari matematike duke  shumëfishuar pjesët në raport me origjinalin. Kur ja shpjegoja pronarit grek ai habitej, pasi thoshte që s’do t’ja arrish. Dhe unë me shaka i thashë. Mos u mërzit qirje, se do ta bëjmë Greqinë “lule” si Shqipëria. Ai filloi të qeshë me mua. Ndërsa përsa i përket pikturës, kur më panë disa miq të mi si Zamir Mati në vitet e para më thanë: Ti patjetër duhet të kesh pasur ndonjë nga familja që është marrë me pikturë. Në fillim ngrita supet, por më vonë kur pyeta nënën ajo më tha se babai yt Nuçi (Naun), pikturonte. S’e dija këtë hob të babait tim. Pastaj mora vesh se ai kishte konkurruar për pikturë me Guri Madhin, por më vonë puna ja solli që të merrej me hetuesi. Kështu e la pikturën. Por kjo do të jetë trashëgimia.

 Babai punoi gjithë jetën si hetues?

Ai ishte në kriminalistikë dhe arriti deri në qarqe të larta të hetuesisë. Por nga babai kam dhe një profesion tjetër.

Çfarë profesioni?

Atë të fotografit. Vetë puna e tij me kriminalistikën, kishte të detyrueshme përdorimin e aparatit fotografik. Kur ai vdiq e mora unë aparatin dhe fillova ta përdor më së miri. Për ndonjë gjë pyesja dhe profesionistët e asaj kohe në Tiranë. Dalëngadalë u bëra profesionist. Pra aparatin fotografik kam mëse 30 vjet që e përdor.

 Ka ndonjë të veçantë përdorimi i aparatit fotografik?

Sigurisht që ka, por unë kam dhe mënyrën time të nxjerrjes së fotografisë. Nuk dua ta nxjerr personazhin të sforcuar, duke i thirrur rri kështu ashtu pasi muskujt shtrëngohen. Dua ta nxjerr në mënyrë të lirë, duke folur, duke dialoguar, duke ecur, pra sa më shumë origjinal.

Edhe këtë profesion e ke ushtruar në Greqi?

Sigurisht. Në shumë aktivitete e bëja dhe këtë profesion. Madje dhe në raste të veçanta më ftonin dhe grekë. Ja mora dorën dhe fotot i nxirrja shumë profesionale?

 Cilët nga restorantet grekë do të veçoje gjatë pikturimit?

Ah, po. Pikturova një lokal nate, tip buzuku që ofronte vetëm prodhime pule apo gjeli. Pra pula dhe gjela të pjekur ose fileto. Më tha dua një gjel gjigand. Dhe unë e projektova me përmasa 4 x 2.3 dhe fillova punën. Doli një gjel gjigand që o zot. Gjithë faqja e murit. Greku e shihte dhe fërkonte sytë. Tundte kokën me mosbesim. Tek këmbët e gjelit bëra dhe tre pula të vogla. Njërën pulë e bëra me një këmbë. U nxeh greku. Ku e ka këmbën njëra pulë, pse e ke bërë me një,- më tha. Unë i thashë me seriozitet, se kruan prapanicën, se s’ka duar. Greku qeshi me të madhe. Eh kot nuk je artist më tha.

Po femra erotike a ke pikturuar?

Posi jo. Në një lokal tjetër më të madh, që kishte muzikë nate dhe kishte femra që servirnin. Aty bëra disa femra lakuriq që kur pronari grek i shihte dhe lëpinte buzët. Trashaluq, trashaluq, por femrat i bën elegante më tha. Pse të mos i bëj të tilla, nga trupi i shëndoshë dalin femra me stil. Kur u inaugurua lokali ditët e para njerëzit më shumë shikonin pikturat se femrat që këndonin. Do më lësh pa punë më tha greku. Mos ki frikë i them se do velen dhe prapë do shijojnë të gjallat.

  Çfarë të veçante kanë pikturat murale, a bëhen me bojëra vaji të zakonshme?

Jo, janë bojëra enkas për muret. Muri patinohet, lyhet me një lloj ngjitëse të veçantë saqë bëhet pasqyrë. Pastaj dora ecën shumë lehtë. Të rrëshqet dora.

Ke pasur shenja racizmi aty ku ke punuar?

Mund të them se jo. Rrija i larë, i rruar, korrekt dhe me humor. Grekët e pëlqejnë humorin madje, shumë. Por kur të shikojnë punëtor, familjar, të ofrojnë punë.  Shumë herë madje, më ftonin vetë për humor. Sa më shikonin në ndonjë kafene më afroheshin.

 Gjuhën e mësove mirë?

Po, por në fillim vuajta shumë, ato fjalët me “q”, i ngatërroja. Ata qeshin me mua, por unë s’ua merrja për keq.

Do fillosh punë në cirk si kloun, apo humorist?

Jo. Tashmë kam shumë për të bërë. Kam akumuluar shumë nga jeta. Po ideoj edhe skenarë filmash me metrazh të shkurtër humoristik, por edhe kam një fantazi për skenat e cirkut. Jam bërë dhe mjeshtër montazhi në  kompjuter.

 Çfarë u the miqve grekë kur ike?

Zotërinj, unë Greqinë e ndërtova, tani po rikthehem të rindërtoj Shqipërinë. Deri tani kishit nevojë për mua, ndërsa tani ka nevojë atdheu më shumë.