Arben Kondi/ Monumenti i munguar i Ismail Kadaresë

607
Tani, kur edhe pak ditë na ndajnë nga njëzet e tetë janari, nga ditëlindja e 80-të e Ismail Kadaresë, kësaj maje të lartë në horizontin e letërsisë botërore, kujtoj se në 8 marsin e shkuar, e kam takuar në Paris tok me gruan dhe Çimin, shokun tim më të ngushtë. Ishte vërtet një ditë e bukur pranverore, saqë Çimi, i cili me trenin e shpejtësisë së madhe kishte ardhur për të na takuar nga Marseja e ngrohtë u shpreh vetiu: -Në mars jam gjendur shpesh në Paris, por është hera e parë që e gjej me mot kaq të butë. Pasi u marramendëm gjatë me mrekullitë e kryeqytetit të kulturës botërore, vendosëm të uleshim për të pirë një kafe. Karshi njërit prej kopshteve mahnitëse të Luksemburgut, nga ku edhe dolëm u shfaq pa pritur kafe “Le Rostand”. Menjëherë më erdhi ndër mend libri më i fundit i Kadaresë me të njëjtin titull, që e kisha lexuar pak muaj më parë. Natyrisht portreti i shkrimtarit ikonë mu var në çast përpara syve. Qëndruam jashtë në diell. Pa u rehatuar ende mirë, na u gjet në tavolinë një kamarier me flokë kaçurrela e me fytyrë zeshkane, si e një të riu afrikano-verior. Porositëm të tri nga një kafe, si dhe një shishe me ujë. Kur erdhën kafetë ndezëm edhe nga një duhan të dy. Kishim plot dhjetë vjet pa u parë me njeri-tjetrin. Aq shumë u harruam në bisedë, saqë nuk vumë re se paketat tona u mbaruan. Meqë kamarieri nuk po dukej më, Çimi u ngrit dhe hyri brenda për të porositur një paketë të re. Tek u kthye u shpreh: -Ben. Brenda në kafene pashë Ismail Kadarenë. Ishte krejt i vetëm. Shkruante.U befasova. Megjithëse nga leximi i librit “Kafe Le Rostand” e dija se ai çdo mëngjes kafenë e pinte këtu e po këtu shkruante apo mbante shënime. Me siguri mendova edhe shtëpinë duhet ta ketë këtu pranë. Vështrova edhe gruan e fola: – Do ishte mirë ta përshëndesnim e ndofta do mund të bënim edhe ndonjë fotografi me të. – Pse jo, – tha Çimi që shtoi. – Vërtet do qe mirë. Do ishte një kujtim i bukur. – Dakord, – tha ime shoqe dhe të tri tok u gjendëm në këmbë. Në fakt, plot tridhjetë vjet më parë, kur Kadareja mbushi plot pesëdhjetë vjeç, si gazetar i Radio Tiranës kisha mundur ta intervistoja për Revistën letraro-artistike mbi tridhjetë minuta. Diçka më pas pata intervistuar po në shtëpinë e tyre edhe Helenën, të shoqen e tij. Por nuk isha i sigurtë, nëse pas kaq vitesh, Kadareja do më mbante mend apo jo. Aq më tepër, kur dihet se takimet me gazetar të vendit e të huaj për të kanë qenë mbeten të pafundme. Pastaj, ndryshimet politike në Shqipërisë i shpërndanë shqiptarët si emigrant kudo nëpër botë. Mua dhe familjen time na degdisi në fund, në skaj të saj, në Australinë e largët. Sidoqoftë, hymë brenda në kafe. Pasi i kërkuam ndjesë për shqetësimin dhe e përshëndetëm me respekt e admirim të thellë, i kërkuam të bënim së bashku një fotografi. Ai la punën, na vështroi me vëmendje pas syzeve të tij dhe pranoi duke na pyetur se kush ishim. Kujtoj se mbante veshur një këmishë kafe, një shall me kuadrate si dhe një pardesy treçerekëshe po në ngjyrë kafe. Mbi tryezë, veç filxhanit të mbaruar të kafesë dhe një gote me ujë, kishte edhe një dosje plot me letra të shkruara, të cilën e mbylli para se të shkrepnim celularët. Pas kësaj, ne u kthyem në tavolinën përjashta, kurse ai diçka më vonë doli, veç prej derës tjetër të kafenesë “Le Rostand”. E ndoqa gjatë me sy ecjen e tij të shtruar e pak të harkuar. Nuk di përse në ato çaste mu dhimbs Kadareja. Ndoshta nga mosha, ndërkohë që në kujtesë e ruaj përherë të ri e djaloshar, herë të veshur me një këmishë të kaltër e herë me një pardesy të bardhë e me rrip në mes. Befas, më erdhi në mend një pikturë hyjnore e Lazgush Poradecit, që po ashtu i kërrusur, i vetëm e me flokë shpupurishur nga era ecte buzë liqenit. I vetmuar kishte mbetur poeti i përmasave evropiane edhe në Tiranë, në shtëpinë e tij fare pranë shkollës tetëvjeçare Ali Demi. I vetëm ecte në Paris edhe Isamail Kadareja. Përmes një psherëtime e një shije të hidhur në shpirt pyeta veten. Përse ndodh kështu me ne shqiptarët?! Përse kolosët, kolonat e kombit në vend që t’i lartojmë, t’i ngremë në piedestale siç bën e gjithë bota, ne ju vëmë duart në fyt, i mbysim duke synuar që t’ua bëjmë gropën, duke i zhytur shtatë pashë nën dhe?! Pa qëndruar pastaj ca më gjatë tek rasti i nënë Terezës, tek kjo shenjtore e njerëzimit, të cilën për fat të keq ne nuk u ngopëm, duke e sharë jo vetëm në diktaturë, por edhe tani në demokraci. Por le të kthehemi sërish tek Ismail Kadareja. Ai vazhdonte të ecte i vetmuar në mes të parisienëve të shumtë që me siguri një pjesë e tyre e mirë qenë lexues e admiruesit e tij. Sekondë pas sekonde po më tretej, po më humbiste nga sytë, ashtu pak i harkuar në trup e në shpinë. Edhe me gjeniun e letrave shqipe, i përkthyer në afro pesëdhjetë gjuhë të botës e i shitur në miliona ekzemplarë, shqiptarët njësoj si me nënë Terezën nuk u ngopëm duke e sharë e përgojuar si në diktaturës e po ashtu edhe në demokraci. Madje, shumë herë, për turp e faqe të zezë, duke mos u përballur dot me letërsinë që krijonte ai, i futëm hundët edhe në jetën e tij personale si dhe në atë të familjes. Synimi i këtij soji, i kësaj shpure njerëzish ishte sa djallëzor e po aq edhe lig. Duke qenë liliputë, të paaftë e të pa talentuar , ata ju vërvitën si langonj rrugësh Kadaresë njeri. Çfarë nuk thanë, e sa shumë baltë hodhën ndaj tij! Por edhe ky sulm ju dështoi me turp. Si një zotëri i vërtet, i nderuar prej të huajve me tituj fisnikërie e çmime të shumtë deri tek ky më i fundit si “Kalorës i legjionit të nderit të Francës”, pa qëndruar pastaj gjatë në çmime të tillë të mirënjohur, si “ Men’s Book Prize” në Angli, e “Princi i Asturias” në Spanjë, etj, Ismail Kadareja ngrihej titan mbi ta. Ndërkohë që atyre më tipikëve, të cilët i qenë hequr si miq e si shok të ngushtë, Kadareja ju dha përgjigjen e merituar në shkrimet e botuara, si nëpër gazeta apo edhe nëpër librat e tij, që tashmë janë bërë të njohur për opinionin tonë publik. Por ambicia, xhelozia, smira njerëzore nuk njohka as cak e as kufi. Për dreq, kulmi i ligësisë u shfaq me letrat anonime të dërguara deri në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Suedisë, me qëllimin e vetëm që çmimi ‘Nobel’ për letërsi, të cilin Kadare e meritonte prej vitesh të mos i afrohej kurrë. Ndërkohë, që tashmë pranohet botërisht se vlera e artit të tij e ka kapërcyer prej kohësh vlerën e këtij çmimi që për çudi hera herës merr edhe ngjyrime politike. Por edhe shpifjet që e cilësojnë atë si bashkëpunëtor të regjimit komunist, apo si shkrimtar oborri ju ka rënë kallai me kohë. Ato mbeten thjesht prodhim i thashethemeve tona të pafundme, që edhe sot e kësaj dite 1lomatisin, duke thënë se Kadare i ktheu kurrizin, se ai braktisi Shqipërinë. Për të hedhur poshtë llomotitjet e para e duke mos denjuar aspak të merrem fare me të fundit do dëshiroja të sillja si shembull vetëm kryeveprën “Pallati i ëndrrave”, me të cilën Ismail Kadareja jo vetëm i bën autopsi të përkryer sistemit diktatorial në Shqipëri e më gjerë, por ja nxjerrë, ja vë të gjitha zorrët dhe plaçkat e barkut atij përmbi një tepsi të pështirë mesjetare. Ndërkohë, krijimtaria e Kadaresë mbetet ajka e letërsisë shqipe. Si e tillë, ajo është e vetmja që qëndron me dinjitet në krahë të letërsisë së artë të Markezit, Borgesit, Bëlit, Saramangos e të tjerë korifenjve të letërsisë së globit. Por për të riafirmuar këtë dëshiroj të sjellë pranë lexuesit edhe një fakt tepër interesant të përjetuar në Australinë e largët. Sjell ndër mend se veç studimit të gjerë e të thellë që i ka bërë një botim anglisht veprës së tij kritiku i njohur australian Piter Morgen, sa herë që do vizitoja bibliotekat apo libraritë madhështore të Melburnit, të Sidnejit e të qyteteve të tjerë, emri i Kadaresë do të qëndronte gjithmonë pranë emrave të mëdhenj në kolonën e gërmës “K” si Kafka, Kundreva etj. Pas një meditimi të tillë, me idenë e një qënësimi më të shpejtë e me trishtim në sy ndeza edhe një cigare të dytë. Kur ngrita kokën pashë kamarjerin që rrinte shtruar. Instinktivisht bëra të fusja dorën në xhep, por Çimi më frenoi. Shikimi më humbi sërish në trotuar me shpresën se mos e shihja përsëri ikjen e vetmuar të Kadaresë. Por jo. Nuk e pashë gjëkundi. Ai me siguri e kishte kapërcyer rrugën me trafik të dendur e duhet të ecte shtruar në trotuarin tjetër. Ndërkohë edhe ne të tre lëvizëm. Jo shumë larg kafesë “Le Rostand” ndodhet edhe Panteoni i famshëm. Ime shoqe shprehu dëshiron ta vizitonim. Atje bëjnë gjumin e përjetësisë figurat më të shquara të kombit francez. Pas pak minutash u gjendëm në të. Por tek u përballa me varrin e Viktorit Hygoit të madh, nuk di përse u përhumba sërish. Tablloja e Lasgushit duke shëtitur buzë liqenit të Pogradecit mu shfaq prapë në sy. Kujtova se në një përvjetor të tij, poetit të shquar i ngritën edhe një monument të bukur prej bronci. Mu shfaq në sy gjithashtu figura ikonë e Ismail Kadaresë. Por, përvjetorit të tij të 80-të i mungonte një monument, si ai i Lasgushit, si në Gjirokastër e po ashtu edhe në Tiranë. Tek vizitoja Panteonin francez gjykova, se sa e dhimbshme do të ishte që përjetësimin e tij në bronz t’ia bënte fjala vjen Franca apo ndonjë shtet tjetër në Europë, apo në botë përpara atëmëdheut të tij, për të cilin ai u shkri porsi Naimi.
Sigal