Anton Vasili, “miliarder për katërmbëdhjetë ditë”

676
Sigal

 

Historia e panjohur e njeriut që shpëtoi bankën e Sarandës nga grabitja
në 1997

 

E quajnë Anton Vasili, ekonomist me pasion të thellë për profesionin e
tij. Në vitin 1997 ka qenë drejtor i bankës shtetërore në Sarandë. Në tre
udhëtime, me një thes të zi në shpinë, përmes pritave dhe plumbave, me rrezik
jete në çdo hap, ka transportuar e ka vendosur në Bankën Kombëtare të Greqisë
në Janinë të gjitha paratë e bankës të Sarandës. Në vitin 2001 ka qenë
zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk i dhanë shtëpi për të
strehuar familjen e tij.  Dhe kujt nuk i
dhanë? Nuk i dhanë një njeriu që po t’i përshtatej ndërgjegjes së kohës do të
kishte në pronësi jo një por disa vila në tërë bregdetin shqiptar dhe në
kryeqytet. Tani jeton në Athinë me familjen e vet, në kërkim të një pune nga
“part time” në ”full time”. Një ditë zhvillova me të një bisedë, bisedë e cila
përkoi me dhjetëvjetorin e rënies së piramidave dhe të tragjedisë më të madhe
që ka jetuar Shqipëria në tërë qenien e vet si shtet.

 

Kanë kaluar vite nga koha që u
ngritën dhe ranë piramidat në Shqipëri dhe, si në Piramidat e Egjiptit, lakohen
e zgjedhohen në të gjitha rasat dhe vetat. Ka kaluar kaq kohë dhe nuk po
gjendet si lindën, si u rritën, si ranë, ku shkuan vlerat e shqiptarëve. Mos
vallë do të na duhen mijëra vjet që të hidhet dritë e plotë mbi këtë ngjarje të
rëndë?

Në radhë të parë do të thosha se fenomeni i piramidave është një
fenomen që ka ndodhë në shumë vende të botës, dhe në vendet e Lindjes më tepër
se kudo. Këto vitet e fundit nuk kanë ndodhë piramida vetëm në Shqipëri por në
shumë vende të tjera të botës. Ato janë një sjellje, një mënyrë veprimi
ekonomik i vendeve të ndryshme të cilat sollën ndërtimin e piramidave. Në vitin
1997 kur shpërthyen piramidat në Shqipëri çdo gjë ishte logjike mbasi ato u
ndërtuan pa baza ekonomike. Rrëzimi i tyre pritej por e keqja tek ne ishte që
politika shqiptare nuk mundi të veprojë në kohë dhe me veprimet e tyre  të eliminonte sadopak pasojat që do të
sillnin ata. Ma pret mendja se piramidat nuk ishin vetëm një shkatërrim
ekonomik për popullin shqiptarë por dëmi më i madh qe se shteti kaloi në një gjendje
komplet anarkie ishte tragjedia më e madhe, për mendimin tim, që ka pësuar
Shqipëria në historinë e saj. Në kohën e luftës dihej se ku ishte armiku dhe
luftohej përballë njeri tjetrit, në nëntëdhjeteshtatën ndodhi një luftë e
padukshme me pasoja katastrofale.

 

Ku ishit ju atëherë?

 

Unë atëherë isha drejtor banke në Sarandë. U ngarkova nga drejtori i
përgjithshëm i bankave të kursimit të Shqipërisë z. Bedri Çollaku për të bërë
bashkimin e bankës kombëtare tregtare, bankës agrare dhe bankës së kursimeve në
një. Në atë kohë mbaj mend që depozitat e qytetarëve shqiptarë në banka kishin
sasi të konsiderueshme valute. Saranda në atë kohë 25 – 30 për qind të parave i
kishte në valutë të huaj, përgjithësisht dhrahmi. Në atë kohë qarkullonte shumë
para në Shqipëri si në bankë po ashtu edhe në firmat piramidale.

 

Tërhiqeshin para nga bankat për
t’i vendosur në firmat piramidale?

 

Këtë nuk e thotë njeri por veprimet e parasë nga banka  tregojnë se ekzistonte edhe ai fenomen. Me
kalimin e kohës u krijua një sjellje mbi paranë që qytetarët të shikonin se ku
ishte fitimi më i madh. Për këtë, derisa në firmat piramidale interesat mujore
ishin shumë të larta, ishte e natyrshme që paratë të lëviznin drejt firmave
piramidale. Shteti shqiptar nuk ishte në gjendje të vlerësonte pasojat e
veprimeve të qytetarëve. Në qoftë se kontrolloheshin piramidat, në qoftë se
vëzhgoheshin dhe në qoftë se do të kishte ndërhyrë shteti, nuk ma pret mendja
se pasojat do të ishin kaq katrastofike. Për mendimin tim janë politikanët
shqiptarë përgjegjësit e asaj gjendje. Gjëja më e vështirë, për mendimin tim,
është të vësh gjërat e thjeshta me rregull. Këto nuk vlerësoheshin. I gjithë
mendimi logjik ishte jashtë veprimit të punës. Veprohej pa i vënë këmbët në
tokë.

 

Pushtetarët e asaj kohe sa
kishin dorë mbi piramidat?

 

Pushtetarët e asaj kohe ishin komplet në valle, kush e kush të
përfitonte sa më tepër.

 

Dini gjë për lëvizjet e parave
nga piramidat në drejtim të Greqisë?

 

Nuk kam dijeni për këtë problem. Di ato gjëra të përgjithshme që janë
botuar në gazeta. Unë personalisht kur kam qenë në bankë nuk jam ngatërruar dhe
nuk merrja pjesë në veprimtarinë e firmave piramidale, as për të depozituar, as
për të qenë pjesëtar në njërën apo tjetrën firmë. Unë mendoja se ato do të
shpërthenin një ditë. Përveç asaj drejtori ynë i përgjithshëm z. Bedri Çollaku,
në mbledhjet që herë pas here na bënin, na paralajmëronte të vëmë në dijeni
punonjësit tanë, sidomos klientët që kishim në bankë që të mos ngatërroheshin
fare me firmat sepse ishte një veprim me pasoja të këqija. E admiroj shumë
drejtorin tim të përgjithshëm sepse që në atë kohë, kur politikanët flisnin me
gjuhën e politikës, ai fliste me gjuhën e ekonomistit.

 

Ju personalisht keni
transportuar para për në Greqi?

 

Po. Unë atëherë isha drejtor i bankës së ri konstruktuar. Kishim 19
lokale bankare. Bashkë me punonjësit, mbas shkatërrimit që iu bë firmave
piramidale, ne morëm valutën e huaj nga banka me synim ta transferojmë jashtë
shtetit. Kjo u bë me vendim kolegjial të punonjësve të bankës, krijimit të një
komiteti të bankës, këto me porosi të drejtorit të përgjithshëm Bedri Çollaku.
Unë shkova tre herë në Janinë për të transferuar valutën e huaj në marka,
lireta dhe dhrahmi që me kurset e atëhershme bënin rreth dyqind milionë lekë
shqiptare. Sasinë tjetër të parave, rreth 2.2 miliard lekë shqiptare i kemi
ruajtur në shtëpinë e Vasil Merkurit, të një qytetari shumë patriot, shumë të
ndershëm, bashkë me familjen e tij në qytetin e Sarandës.

 

Si e transportuat valutën e huaj
në Greqi?

 

Udhëtova tre herë, me vështirësi të mëdha, me vdekjen në çdo hap.
Rrugët ishin të mbushura me njerëz të armatosur, me njerëz me maska, me tanke e
autoblinda. Përmes tyre shkova dhe u ktheva në Sarandë…

 

Mund të na i përshkruani
udhëtimet?

 

Udhëtova me dy makina nga Delvina. U thashë shoferëve se më duhet
patjetër të shkoj në Greqi sepse i kam fëmijët e sëmurë. Paratë i kisha futur
në një thes plastik të zi plehrash. Brenda tij kisha qeskat me para. Kur arrita
herën e parë në Kakavi pashë doganën shqiptare komplet të djegur. Në derën e
hekurt të kufirit qëndronin nja dy-tre çuna me kallashnikovë në duar që me sa
ma mori mendja prisnin emigrantët që vinin nga Greqia për t’i zhveshur lakuriq
siç ndodhte rëndom. Unë, me thesin në krah shkoj drejt tyre. Isha i palarë, i
paqethur, i pa rrojtur, me pantallona të grisura. Thesin e kisha përlyer me
baltë. Isha transformuar në një leckaman të mjerë. Shkoj përpara më kriminelit
që mund të qe. Më thotë me arrogancë “Ku do të vesh ?“. Unë hedh thesin para
këmbëve të tij dhe mbi të disa rroba të vjetra, të gjitha këto që ai të mos
dyshonte. Duke bërë sikur më merrej goja i thashë se dua të shkoj në Greqi dhe
i kërkova ndihmë të kaloj. Ai më pa me përçmim. Nuk më kushtoi rëndësi fare.
Unë u largova nja pesë a gjashtë metra larg thesit dhe bëja lojën e budallait.
Më tha që t’i afrohem dhe më tregoi një vrimë në telat e kufirit për të kaluar.
Vazhdova lojën e gagaçit, i thashë faleminderit dhe mora thesin, ula kurrizin
dhe kalova telat…

Në doganën greke një herë jam futur nga vrima e telave dhe dy herë nga
dera….

…Shkova tek policia greke. Prezantohem si drejtor i bankës së
Sarandës. U thashë dua të lë këto para këtu tek ju dhe si këmbim kërkova një
dokument zyrtar të doganës që unë kam lënë 
paratë  dhe kur të mbarojë gjendja
e luftës që është në Shqipëri le ta gjejnë të dy shtetet, për mua nuk ka
rëndësi. Më duhej ky dokument mbasi Greqia është shtet i Komunitetit Evropian
dhe do të gjendej forma për rikthimin e parave. Ata nuk pranuan. Unë fola me
komandantin e doganës dhe të policisë greke atje. Më tha që të më shoqëronte me
makinën e policisë në Janinë. Nuk e pranova të më shoqëronte me makinën e
policisë mbasi nuk doja të ingranohesha në gjëra të tilla. Mora një taksi dhe
shkova në Janinë. Shkova tek banka kombëtare greke, zura radhën se kishte shumë
njerëz. Ajo që më ka ngelur në mëndje është përvoja greke për bankat. Më
pëlqente profesioni i bankierit. Doja të përfitoja nga përvoja greke, si ata do
të reagonin kur u vjen një i varfër me shumë para. Zura radhën. Shkova në
sportel. I them sportelistes se kam për të depozituar një sasi të madhe parash
në dhrahmi, lireta dhe marka. Më pyeti se çfarë jeni. I thashë se jam shqiptar.
Më kërkoi pasaportën. Më pa dhe më tha “Të lutem do të presësh pak në sportel”.
Shkoi dhe siç duket pyeti, kthehet dhe më thotë që të shkoj tek sporteli tjetër
ku qe thesari i degës së Bankës Kombëtare Greke për Janinën. Ishin tre burra.
Shkova i vendosur që të mos thoja fare se kush jam. Ata, pasi numëruan paratë
për afro një gjysmë ore, më pyetën se me çfarë emri do t’i depozitoja. I thashë
do t’i depozitoj në emrin tim, Anton Vasili. Meqenëse u dyshua nga ana e
punonjësve grekë dhe unë mendova se po të dal jashtë do të më kapi policia
greke dhe do të haja ndonjë dru, në mos më keq, thashë më mirë të shkoj tek
drejtori i bankës dhe t’i them të vërtetën. Shkoj tek drejtori i bankës të
Janinës. I them që jam drejtori i bankës së Sarandës. Kam sjellë paratë e
bankës mbasi u bë shkatërrimi i bankës atje. Ai u prek dhe më tha: “Bravo të
qoftë! Është një akt i rrallë për gjëra të kësaj natyre”. Dola jashtë bankës
kombëtare dhe vajta tek OTE-ja greke ku i dërgova një faks drejtorit tim të
përgjithshëm z. Bedri Çollaku ku i shkruaja se sasia e valutës të depozituar në
Bankën Kombëtare Greke – dega Janinë, në emrin tim,  me numër e datë aq e kaq qëndrojnë për
llogari të degës së bankës së Sarandës.

E bëra këtë se rrugës së kthimit edhe mund të vritesha dhe të paktën të
dihej se sasia e parave të depozituara ishte për llogari të shtetit shqiptar.

…Kur kthehesha nga Kakavija për në Sarandë gjendja ishte tepër e
acaruar, lëviznin tanke e mjete të motorizuara. Në kthimin e parë nuk mund ta
harroj skenën që pashë në fshatin Pet afër Delvinës. Tre makina IFA të
ngarkuara me policë studentë po ktheheshin nga Delvina për të ikur në Tiranë.
Para tyre në një makinë të vogël ishte komandanti i tyre. Mbi makina valëviteshin
flamuj të bardhë. Unë udhëtoja me një djalë nga Delvina. Ata tundnin flamurët
dhe na bënin shenja të cilat unë nuk i kuptoja. Kur u afruam pranë u ndaluam.
Ne nuk dinim se çfarë kishte ndodhë. E vetmja pyetje që na bëri komandanti
ishte: “A ka gjë rebelë në rrugë?”. Ne u thamë se rruga nuk është e bllokuar.
Vetëm është një tank i braktisur tek kryqëzimi. Kur i thamë kështu studentët e
shkretë, çuna të rinj, shpërthyen në brohoritje dhe në një gëzim të
papërmbajtur duke thirrur “Shpëtuam ! Shpëtuam!…”

Vazhduam rrugës dhe pas 5 – 6 kilometrash shohim një makinë “saurel” të
mbushur plot e përplot me njerëz dhe dy veta që i prinin me motoçikleta. Dhe
pas “saurelit” nja pesëqind veta popull. Kishte shumë njerëz që unë i njihja.
Ishin të gjithë të armatosur me kallashnikovë, me dyfekë me gjerdanë. Na pyesin
për forcat e Berishës. Për të shmangur ndjekjen u them se janë shumë larg dhe
nuk mund t’i kapin…

Dua të them se ishte një situatë e jashtëzakonshme që nuk mund ta
shkëpus kurrë nga kujtesa derisa të jem gjallë. Më pas mora vesh se policia e
Berishës që kishte vajtur në Delvinë kishte shkaktuar shumë incidente, ju i
dini të gjitha…

 

Unë i kam përjetuar vetëm nga
kuadrot që përcillnin televizionet greke…

 

Unë i kam përjetuar të gjalla dhe nuk mund t’i kuptoj si ndodhën dhe
nuk mund t’i harroj kurrë.

 

Më thatë që keni bërë tre
udhëtime për në Janinë të ngarkuar me thasë me para…

 

Po. Në fillim fare paratë i morëm nga Saranda në një furgon vezësh.
Punonjësve të bankës u thashë se do t’i çojmë në Korfuz. Drejtori i
përgjithshëm më kishte thënë:  “Anton,
vepro si të duash, por mbi të gjitha shiko jetën tënde“. Për të fshehur paratë
unë pata biseduar me kryetarin e këshillit të rrethit të Sarandës me qëllim që
t’i sigurojmë tek reparti ushtarak i marinës. Marrim në telefon komandantin e
marinës zotin Godo nga zyra e kryetarit të rrethit dhe ai na thotë që jemi
informuar që për gjysmë ore do të sulmohet marina. Dhe kjo ndodhi me të
vërtetë. Nuk mundëm t’i çojmë paratë. Marr drejtorin e përgjithshëm dhe i
kërkova të dërgojë një helikopter në Vurg ose në fshatin Lefterohor. Ai, pasi
kishte biseduar me ministrin e brendshëm dhe ministrin e mbrojtjes më tha se
një gjë e tillë është e pamundur.

Mora paratë. U thash punonjësve që do të nisem për në Korfuz për të
fshehur gjurmët dhe u nisëm me dy veta për në Janinë. Isha unë si drejtor
banke, Artan Bega dhe Shpëtim Kresho. Njeri prej tyre kishte gruan në bankë.
Kisha besim tek ata pasi tek shtëpia e tyre erdhën punonjësit e bankës që
dorëzuan lekët. U nisëm për në Janinë. Rruga ishte e bllokuar. Marrim rrugën
për në Delvinë. Na ndiqte një makinë pa targa. U detyrova të shkoj në fshatin
Lefterohor. Në pikën më të lartë, në rrëzë të Sopotit, unë e njihja vendin,
dija një strofkë të madhe dhe e gjykova që mund të vëmë atje paratë. I
vendosëm, u kthyem dhe natën e kalova në fshat. Në mes të natës u nisa për në
Delvinë, tek shtëpia e prindërve. Të nesërmen bisedova me një shofer që kishte
autoritet rrugëve. E pagova mirë. I thashë që kam fëmijët sëmurë dhe dua të
shkoj në Janinë. Ai nuk dinte gjë për paratë se po të dinte me siguri do të më
rrezikohej jeta. Rrugës ai komunikonte me njerëzit e armatosur që i dilnin
përpara…

…Kështu kalova edhe herët e tjera derisa arrita të depozitoj të
gjithë shumën e parave.

 

Kur keni ardhur në Greqi?

 

Kam ardhur në fund të 2001-shit dhe fillim të 2002-shit.

 

Me se u more kur erdhe?

 

Mësova në praktikë tregun e punës. Për një intelektual që ka mbaruar
studimet dhe ka investuar për dijet e tij është shumë e vështirë të përshtatet
në ekonominë e tregut të lirë. Isha mbi dyzet vjeç. Bëra kërkesë të futem në
një bankë private greke. Shkova tek të gjitha bankat dhe kudo mora të njëjtën
përgjigje “Me të dhënat që ju dispononi nuk kemi vende pune“.

 

Tani çfarë pune bëni?

 

Unë nuk kam punë stabël. Aktualisht punoj në një kooperativë ndërtimi,
nxjerr bilancet e saj mujore e vjetore, mbaj llogaritë e kooperativës së
ndërtimit. Është një punë jo e përditshme. Pjesën tjetër të kohës e kompensoj
me çdo lloj pune që më del përpara. Kërkoj se ku mund të punoj vazhdimisht. Jam
me familjen, gruan dhe dy fëmijët. Kemi kaluar shumë vështirësi deri sot. Vetëm
një vit punova me një ekspert kontabël. Nga dita në ditë kërkoj se ku mund të
punoj përveç asaj që e kam parte time.

 

Keni bërë ndonjë hap për njohjen
e diplomës?

 

Diplomën e kisha njohur para se të vija këtu. Konkurrova në
Universitetin Maqedonia në Selanik për administrim-biznes, mora Masterin. Punoj
shumë në vetvete. Më pëlqen profesioni im si ekonomist. Nuk e kam ndarë
asnjëherë librin nga dora. Çdo ditë lexoj, marr informacion nëpërmjet
internetit, librave, gazetave, revistave ekonomike. Më pëlqen profesioni dhe
nuk dua ta lë sepse kam investuar shumë për të. Përpiqem të përshtatem këtu me ndërmarrje
të ndryshme. Jeta këtu është përpjekje e përditshme. Kur erdha në 2002-shin
megjithëse e dija greqishten u futa në kurs për përvetësimin e plotë të saj me
shkrim. Nuk e kam frikë punën sepse mund të bëj punë që nga fshesar e deri në
punë të larta. Rrjedh nga një familje që kishte gjashtë fëmijë dhe nuk kishte
behar në Shqipëri që të mos punonim në pushimet e shkollës. Me babanë tim veja
për thupra që fëmijë. Puna është jetë, është kënaqësi. Kam kaluar një jetë të
bukur në Shqipëri.

 

Nuk keni menduar të keni një
zyrë llogarie tuajën?

 

E kam menduar por meqë erdha me familjen dhe kishim nevoja më imediate
nuk pata kohë të merrem me këtë. Tani mendoj që të hap një veprimtari të tillë.

 

Morët ndonjë detyrë në Shqipëri
pas vitit 1997?

 

U emërova në vitin 2001 zëvendësministër i Shëndetësisë për problemet
ekonomike. Mua më pëlqen profesioni im, jam teknicien e jo politikan. Nuk isha
i përshtatshëm për ta, u prishja punë…

 

Ju ka ngelë ndonjë merak nga e
kaluara?

 

Isha zëvendësministër i Shëndetësisë. Nuk më dhanë shtëpi…

 

Bisedoi: Abdurahim Ashiku

Gazetar, Athinë