Anna Stratigo: Një rit i detyrueshëm, në familjen tonë ka 500 vjet që flitet vetëm shqip

715
Sigal

INTERVISTA/ Flet mbesa e poetit arbëresh, Vincenzo Stratigo, këngëtarja Anna Stratigo

Njohja me të ishte një befasi. Ishte shoqëruar me miken time, këngëtaren e mirënjohur Aida Dyrrah, e cila kishte ardhur nga SHBA enkas për këtë takim. Anna fliste një gjuhë të bukur arbëreshe që të kujtonte gjuhën e bukur dhe të pastër të Naimit me një dialekt që të bënte për vete. Në shqipërimin e saj nuk kishte asnjë fjalë të pakuptueshme, aq sa nuk e besoja, duke pasur parasysh se në 22 vjet demokraci nga shumë emigrantë qysh tani është asimiluar gjuha e nënës. Në të gjitha familjet arbëreshe, sipas saj, është kthyer në një rit të heshtur që të gjithë jashtë flasin italisht, ndërsa brenda në shtëpi e pa diskutuar që flisnin shqip dhe vetëm shqip ose arbërisht, siç thoshte Anna. Ajo ishte kurioze se si ecte Shqipëria në regjimin komunist dhe lexonte çfarë të mundte për atë periudhë. S’linte gazetë apo libër që i binte më dorë pa e lexuar. Por nga sjellja e pjesëtarëve të ambasadës dhe nga vetë tregimet e vëllait që erdhi në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1984 ishte e lehtë të kuptoje se në Shqipëri kishte diktaturë.

Cili është qëllimi i ardhjes tuaj në Shqipëri?

Ka shumë arsye, por qëllimi kryesor është realizmi i një kënge duet xhaz me këngëtaren e mirënjohur Aida Dyrrah. Ne kemi disa muaj që flasim dhe diskutojmë në internet me njëra-tjetrën dhe mendoj se ka ardhur koha që ta realizojmë këtë duet. Këngën nuk po e bëj prezent, pasi dua të jetë surprizë, por është xhaz  tipik shqiptaro-arbëresh (etno -xhaz). Kjo lloj muzike ka të veçantat e saj në çdo vend të botës, ku edhe në Shqipëri ka të veçantat e saj, pasi këtu ka muzikantë të tjerë kompozitorë të talentuar që kanë bërë shumë këngë për këtë gjini muzike kaq të pëlqyer nga të rinjtë dhe po fiton terren.

Pse keni këmbëngulur tek kjo gjini?

Është shumë pranë meje, por edhe se muzika xhaz në rastin konkret quhet etnik xhaz, pra xhaz kombëtar, ka hapësira të pa shkelura. Ju në këtë gjini keni një kompozitor të shkëlqyer, që quhet Markiljan Kapedani nga Shkodra, i cili banon në Zvicër, por është me origjinë nga Shkodra. Ai ka ardhur disa herë në Itali për të dhënë koncerte. Frekuenton xhaz blu.

Sa herë keni ardhur në Shqipëri?

Kam ardhur tri herë. Në herë në vitin 1998, tjetrën në vitin 2009 dhe tani.

Si e keni njohur Shqipërinë dhe si është sot?

Po bën përparime çdo ditë sidomos në drejtim të rrugëve. Më parë kishte shumë rrugë pa asfalt ndërsa sot ato janë zvogëluar ndjeshëm. Shoh ndërtesa të bukura.

Po në kohën e regjimit komunist çfarë dinit për Shqipërinë?

Dinim shumë pak. Shumë-shumë pak. As s’e kuptonim se çfarë regjimi ishte, por dalëngadalë mësuam se ishte në regjim diktatorial. Megjithatë unë kam shumë kujtime lidhur me Shqipërinë?

Në ç’drejtim?

Unë për gjysh kam pasur Viçenco Startigo. Im gjysh ka qenë poet revolucionar. Ai ishte një mik i afërt i Garibaldit. Poezitë e tij ishin thirrje për drejtësi. Shumë poezi të tij ishin përkthyer dhe në shqip. Madje disa kanë qenë dhe në tekste shkollore. Si poet revolucionar atë e adhuronte edhe Enver Hoxha. Madje emrin e tij Hoxha e ka përmendur disa herë. Aq më tepër që ishte arbëresh. Për këtë arsye shpesh herë në shtëpinë tonë deri nga viti 1960 vinin ambasadorët apo pjesëtarë të ambasadës shqiptare në Romë. Por kur vinin ata nuk na jepnin shumë shpjegime. Rrinin të ngurosur kur binte fjala për ekonominë, lëvizjen e lirë, ndërtimet e tjerë. Ne e kuptonim se ata nuk ishin të lirë të flisnin. Pra kuptohej se diçka kishin.

Po ti vetë çfarë njohje kishe për Shqipërinë?

Duke njohur gjuhën mundohesha gjithmonë që të lexoja sa mundesha. Doja sa më shumë informacion. Lexoja çdo libër që më binte në dorë dje që fliste për Shqipërinë. Vetë mbyllja ma shtynte më shumë kureshtjen. Por dija shumë pak dhe kisha shumë dëshirë që ta vizitoja Shqipërinë. Televizionin shqiptar nuk mund ta shikonim se ju bllokonit rrjetet tona. Sa përpjekje bëja unë e di. Ishim si familje shumë të interesuar për Shqipërinë, tokën e të parëve tanë.

Kush nga pjesëtarët e familjes ka ardhur në Shqipëri në regjimin komunist?

Ka ardhur vëllai im. Ai këndon me grupet arbëreshe. Erdhi në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1984, një vit përpara se të vdiste Enver Hoxha.

Pse e mban mend vdekjen e Enver Hoxhës?

Sepse siç të thashë, ne si familje ishim të interesuar vazhdimisht se çfarë ndodhte në Shqipëri dhe na vinin  pjesëtarë të ambasadës në shtëpinë tonë. Kishim dëshirë vazhdimisht të vinim.

Me çfarë përshtypjesh u kthye vëllai nga Gjirokastra?

Për zhvillimin e Festivalit foli shumë mirë. Për këngët, për veshjet, për mënyrën e organizimit. Por tha që nuk ishim të lirë të lëviznim ku të donim. Ishim të survejuar. Lëvizjet ishin të diktuara. Rrugët nuk ishin cilësore, nuk pamë autostrada. Dukej që kishte fukarallëk.

Si  ju kanë thënë të parët tuaj për prejardhjen?

Ne e dimë shumë mirë në familje se nga kemi ardhur. Ne kemi ardhur nga Moreja (Peleponezi) i Greqisë. Pas disa vitesh qëndrimi në Greqi ne u zhvendosëm në Kalabri. Kemi këtu afërsisht 500 vjet dhe po kalojmë në shekullin e VI. Të parët e mi ishin kalorës të Skënderbeut ishin Kapedanë  të tij. Ishin të lidhur dhe me Venedikun me Kostandinopojën atë kohë për të luftuar kundër Turqisë. Kemi shumë dokumente për këtë fakt.

Në cilin fshat të Kalabrisë jetoni?

Jetoj në Lungro, një katund i madh. Afër Kozencës janë 20 fshatra me arbëreshë. Gjithë Kalabria ka rreth 30 fshatra  me një popullsi prej 52 mijë njerëzish.

Përse keni studiuar?

Në fillim kam studiuar për ekonomi dhe më pas për muzikë në Kozenca Konkretisht studiova për xhaz, për xhaz shqiptar etno- xhaz Albania. Kam një lidhje të mirë me Markeljan Kapedanin, i cili shquhet për këtë lloj muzike, ose më mirë të them se është shqiptari i parë që merret seriozisht me këtë gjini apo lloj muzike. Është një kompozitor i shkëlqyer djali i Gjon Kapdeanit. Kur mbrojtja diplomën e mbrojta me këtë temë, Albania Xhaz. Konkretisht ndala sepse ndalohej xhazi në kohën e Enver Hoxhës, ku askush nuk e beson këtë të vërtetë.

Kur keni filluar të këndoni?

Qysh kur isha e vogël këndoja dhe u bija disa veglave muzikore, por u ndala tek muzika xhaz se ishte shumë pranë meje. Aktualisht luaj në organo, piano, kitarë, por kur bëj koncerte dhe këndoj marr orkestër me vete. Kur s’kam i bie vetë.

Si e keni ruajtur gjuhën?

Shumë thjeshtë. Ne në shtëpi flasim shqip dhe vetëm shqip, ndërsa jashtë flasim italisht. Këtë e kemi kthyer në një rit. Pra për 500 vjet në shtëpi flasim vetëm shqip. Kemi abetaret tona, të cilat i ka bërë Kostandino Belushi në tre variante sipas karakteristikave gjuhësore të fshatarëve të Kalabrisë. Ndryshimi është i vogël.

Pse, në Kalabri ka dialekte të ndryshme?

Posi jo. Siç keni ju këtu. Keni dialektin shkodran, verior, të Shqipërisë së Mesme edhe Jugore. Edhe ne po ashtu.

 

FAMILJA JONË DHE ENVER HOXHA

Si poet revolucionar gjyshin tonë Vincenzo Stratigo e adhuronte edhe Enver Hoxha. Madje, emrin e tij Hoxha e ka përmendur disa herë. Aq më tepër që ishte arbëresh. Për këtë arsye shpesh herë në shtëpinë tonë deri nga viti 1960 vinin ambasadorët apo pjesëtarë të ambasadës shqiptare në Romë. Por kur vinin ata nuk na jepnin shumë shpjegime. Rrinin të ngurosur kur binte fjala për ekonominë, lëvizjen e lirë, ndërtimet e tjerë. Ne e kuptonim se ata nuk ishin të lirë të flisnin. Pra kuptohej se diçka kishin.

VINCENZO STRATIGO

Vincenzo Stratigo ishte poet revolucionar arbëresh i lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe mik i Garibaldit. Vincenzo. U lind në katundin Lungro  të Kalabrisë në dhjetor 1822. Stratigo përfundoi studimet e tij të para klasike në Kolegjin e Shën Adrianit në San Dhimiter Corone. Pastaj u regjistrua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Napolit, por u detyrua të largohet për pjesëmarrje në trazirat e 1844. Mori pjesë në ngjarjet e vitit 1848 ku për pak kohë ishte kapiten ushtrie. Me t’u kthyer në qytetin e lindjes, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës, iu përkushtua me gjithë shpirt mbrojtjes së të drejtave sociale e politike të fshatarësisë së varfër të Kalabrisë. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie dëshmojnë për një vetëdije të mprehtë sociale të tij.