Anila Muja: Muzikën, e dashuroj pa fund…

1850
Sigal

Ajo e dashuron pafund muzikën, dhe muzika është pasioni i saj më i madh. Bëhet fjalë për këngëtaren bukuroshe Anila Muja, e cila ka tre vjet që është bërë pjesë e skenave shqiptare me muzikë të rrymave të ndryshme. E re, plot energji, dhe me një kurorë Missi, Anilën duket se e presin rrugë të reja suksesi. Ajo sapo ka publikuar klipin me titull “Princesha”, me një fabul që ngjason edhe me vet Anilën. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Anila rrëfen ëndrrat e saj, pasionet si dhe emocionet e pjesëmarrjes në një kompeticion bukurie, ku dhe ka rrëmbyer kurorën e missit. Anila gjithashtu flet dhe për projektet qe do të vinë së shpejti. Anila flet dhe për marrëdhënien që ka me motrën e saj këngëtare.

Për të gjithë publikun kush është Anila Muja?

Kam lindur në qytetin e Kukësit dhe jetoj në Tiranë prej vitesh. Kam studiuar për juridik në Universitetin e Tiranës dhe jam një këngëtare që performoj në rryma të ndryshme të muzikës.

Sapo keni publikuar klipin “Princesha”, cila është fabula e kësaj kënge?

Princesha, nga vetë titulli kuptojmë që bëhet fjalë për një vajzë të bukur që është si Princeshë e që në këtë rast, sigurisht, jam unë princesha. (Qesh)..

Cilët janë bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e këtij klipi?

Janë shumë, duke filluar nga shkruesi i tekstit, te kompozitorët dhe deri te Max Producuion.

Sa vite keni që merreni me muzikë?

Kam plot tre vjet që merrem me muzikë, më pëlqen shumë muzika dhe e dua shumë. Mund të them që është pasioni im më i madh, e them gjithnjë, e dashuroj pa fund muzikën.

Keni fituar dhe Çmimbukurie: “Miss Kosova”. Si u gjend Anila në këtë kompeticion dhe si u ndjetë me kurorë e Miss-it në kokë?

Eh, ç’të them! Ka qenë dhe mbetet një emocion i papërshkrueshëm ende për mua! Sigurisht, që u ndjeva shumë e lumtur, por edhe po aq e befasuar, sepse nuk e prisja që do më vlerësonin për vajzën më të bukur në fazën kur isha tashmë njëra prej 7 konkurrenteve që kishin mbetur në garë për fitoren e kurorës. Për çmimin më herët morën pjesë në garë 150 vajza dhe që unë do zija vendin e parë në top-dhjetëshen e miss Evropa Kosova.

Përveç muzikës me çfarë merret Anila?

Unë kam dhe bizneset e mia private, si agjencinë dhe butikun tim. Po shpresoj të vazhdoj punë dhe në profesionin tim për të cilin kam investuar e mbaruar fakultetin, si një avokate apo një pozicion tjetër në jurisprudencë, por muzikën nuk kam për ta lënë kurrë. Me muzikë do të merrem sa të kem jetë!

Cilat janë pasionet tuaja ?

Pasioni im ashtu siç e thashë dhe më lart është muzika që unë s’do e lë kurrë, sepse e kam në gjak, gjithashtu jam shumë e pasionuar pas sportit dhe pas udhëtimeve.

Ju jeni një vajzë e bukur, a mjafton kjo për të arritur majat e karrierës?

Jo, për mua e rëndësishme, madje e domosdoshme nuk është vetëm bukuria, por në radhë të parë është puna, përkushtimi dhe inteligjenca, të cilat më bëjnë të vlerësohem e të arrij aty ku unë dua… Një vajzë, nëse pret që të arrijë majat e karrierës vetëm se është e bukur, sipas meje, në mungesë të tre elementeve që i nënvizova, ajo shpejt provon dështimin. Bukuria të ndihmon, por ajo që të çon në majën e karrierës është puna, talenti dhe puna prapë.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

 Eh, njeriu ka shumë ëndrra, por unë dua që të jem një avokate shumë e zonja, një këngëtare shumë e mirë, të kem një familje të shëndetshme dhe… të marr atë që unë dua!

Ku e shikoni veten pas 10 vjetësh?

Me ëndrrat e mia të plotësuara…

Çfarë e karakterizon Anilën?

Nuk kam ndonjë karakteristikë të veçantë, veçse sinqeritetin dhe ndoshta… buzëqeshjen.

Ju keni dhe motrën këngëtare, je ndopak xheloze për të?

Jo aspak, nuk xhelozoj përkundrazi jam shumë e gëzuar që është këngëtare, kolege dhe që ka një zë shumë të bukur, madje shumë më të veçantë se unë.

Keni realizuar edhe një bashkëpunim me motrën, si erdhi te publiku ky kombinim?

Po kemi bërë madje dy bashkëpunime, publiku ka qenë i ngrohtë me ne dhe kemi marrë shumë komente te mira, megjithatë ne kërkojmë shumë nga vetja. Ky ishte një fillim i mirë dhe shpresojmë që të arrimë më të mirën për ne, për bashkëpunëtorët tanë dhe, sigurisht, për gjithë publikun që na ndjek dhe na do…

Intervistoi: Era Çela