Anila Mimani: Publiku i huaj është entuziast

1375
Në fillim të viteve 2000, ishte këngëtarja më e kërkuar në koncerte dhe në çdo makinë nuk mungonte një kasetë apo një CD e Anila Mimanit. Këngët e saj mbahen mend e këndohen akoma dhe sot! Për diçka më shumë rreth saj, për “Telegraf” ka folur vetë Anila…
Anila, përshëndetje! A mendon se e ke kryer misionin tënd si këngëtare, kur shikon që këngët e tua i kanë mbijetuar kohës? 

Përshëndetje! Mua më vjen mirë që dhe pas shumë vitesh këngët e mia dëgjohen e këndohen, por misioni vazhdon akoma!
Sa e vështirë ka qenë për ty të realizosh tre albume, në një treg joprogresiv si ai shqiptar?

Unë kam tre albume të realizuar për tregun shqiptar. Përfundimi i albumit të parë ka qenë pak i vështirë, ama dy të tjerët u bënë vetvetiu, në sajë dhe të kërkesave të ndryshme që kisha. Por, nëse do krahasojmë “tani” dhe “atëherë” për realizimin e një albumi, atëherë ka qenë shumë herë më e lehtë për të bërë një album sesa tani.
Vëren diferencë në vlerësimin tënd si këngëtare në trojet jashtë Shqipërisë?

Diferenca nuk është e madhe, por jashtë Shqipërie kam shumë kërkesa, veçanërisht në diskotekat në Zvicër.
Ke pasur ndonjëherë skena të papëlqyeshme me kolegët gjatë karrierës tënde?

Nuk kam arritur deri tek skenat, por prapaskenat dhe fjalët prapa krahëve kanë qenë pjesë e karrierës sime. Më parë kam qenë pak më gjaknxehtë, por tani nuk i vë re shumë këto gjëra. Vjen dhe me moshën ajo (qesh).
Anila, si ka mundësi që të gjithë ju, “grupi” i këngëtareve që e nisët karrierën në fillimet e 2000-shit, jeni larguar nga Shqipëria?

Ndoshta ngaqë e kemi gjetur veten më mirë jashtë shtetit, ndoshta dhe prej shkaqeve ekonomike. Jashtë shtetit, sezoni dimëror ka shumë fluks, ndërsa ai veror, fare. Prandaj, duke shkuar në periudhën e dimrit, mbeta andej në njëfarë mënyre, dhe u mësova. Mund të them dhe që e gjeta veten atje, pasi në Shqipëri ka rënë dhe puna e këngëtarëve “live” nëpër organizime.
Jeton jashtë pjesën më të madhe të kohës. Shikon entuziazëm nga të huajt për muzikën shqiptare?
Publiku i huaj është shumë entuziast, veçanërisht ballkanasit.
Për ta përmbyllur, një përgjigje që besoj e duam të gjithë. Projekti më i afërt nga Anila?
Kam gati një këngë ritmike, të cilën do ta realizoja vjet, por e shtyva në pamundësi të kohës së lirë. Sivjet besoj se do të jetë gati për publikun.
Intervistoi: Klajd Heta 
Sigal