Anila Lilaj: Femrat janë më të komplikuara për bashkëpunim

885
Anila Lilaj, vjen me këngën “Jetoje jetën” një këngë që pritej prej kohësh nga fansat e saj dhe që më në fund konkludoi rrugëtimin me një klip sensual dhe shumë të arrirë. Jo vetëm për këngën, por edhe për shumë gjëra të tjera të jetës së saj personale dhe profesionale Anila na dha kënaqësinë të realizojmë intervistën e mëposhtme! Lexim të këndshëm!
– Anila, e di që je ndër këngëtaret më të suksesshme në muzikën shqiptare, kur e kuptove që je bërë e tillë? 
– Faleminderit për vlerësimin! Që dua të këndoj e kam kuptuar që e vogël, por që di të këndoj e zbulova, kur publiku im më duartrokiti për herë të parë. Ndërsa, karriera ime, e cila vazhdon për 15 vite dhe njeh vetëm të përpjeta e dëshmon suksesin tim.
– Cilat janë shtyllat e tua mbështetëse?
– Bashkëshorti dhe familja e tij, njerëzit e burrit janë dy shtyllat të cilat shihen më së shumti dhe padyshim janë më të rëndësishmit në karrierën time, por inspirimi tani vjen nga familja ime e kështu me radhë!
– Mjafton talenti apo duhen edhe bashkëpunimet e duhura për të patur sukses?
– Talenti është ingredienti më i rëndësishëm, por për të bërë një hit duhet një bashkëpunim autorësh. Nëse ky bashkëpunim mungon, talenti mbetet i pa zbuluar.
– A do zgjidhje një femër për një bashkëpunim, cila do ishte ajo? 
– Nuk e kam menduar t’iu them të drejtën dhe nuk di se me cilën nga këngëtarët do përshtateshim. Femrat sikur janë më të komplikuara për bashkëpunim.
– E konsideron veten njeri me fat?
– Sigurisht që po. Falënderoj Zotin që më ka dhënë gjithçka që kam.
– Për çfarë do të doje ta ndaloje kohën?
– Nuk do doja ta ndaloja kohën. Besoj që bota do kalonte në një monotoni të paparë po të ndalej në një moment të caktuar.
– Ia vlen çdo lloj sakrifice për muzikën?
– Varet se çfarë nënkuptohet me çdo lloj sakrifice. Ka shumë gjëra që thjesht nuk bëhen,jo për muzikën, por për asgjë.
– Çfarë do quhej mrekulli në këto momente?
– Të bëheshin trojet shqiptare të pasura si Australia.(Buzëqesh)
– Ke pasur shqetësime nga fama?
– Nuk kam përvoja negative nga fama.
– Të jesh e famshme dhe e pasur janë dy nga rezultatet e të të bërit muzikë. Ty cila nga këto të dyja të tundon më shumë?
– Asnjëra nuk ma prish qejfin. Po të mos donim famë do mjaftoheshim duke kënduar në shtëpi, ndërsa paraja ta bën jetën më të lehtë.
– Çfarë do t’u thoje atyre këngëtareve që mendojnë se bukuria të hap çdo derë?
– Bukuria hap vërtet shumë dyer, por jo çdo derë. Shfrytëzoni momentin, pasi të hapni një derë, por kini kujdes të mos përfundoni nga dritarja.
– Si është e përditshmja jote në Australi, po jashtë saj?
– Nuk dallon shumë nga ajo e të tjerëve. Kam një familje për të cilën duhet të kujdesem dhe kam një karrierë që kërkon punë dhe kohë. Sfida më e madhe është të gjej balancën mes këtyre të dyjave e sidomos kur më duhet të udhëtoj.
– Cilat janë gjërat që e bëjnë një person interesant në sytë dhe mendjen tënde? 
– Karakteri i fortë dhe një mendje e ndritur.
– Veten e konsideron më tepër një femër delikate apo të fortë?
– Varet nga situata. Por sidoqoftë, nuk mposhtem lehtë.
– Çfarë të bën të ndjeshme?
– Familja, shëndeti i të afërmve, fëmijët dhe pleqtë e braktisur!
– Kur acarohesh, kujt ia nxjerr inatin?
– Vetëm atij që më acaron.
– Për çfarë je penduar kohët e fundit?
– Nuk më kujtohet të jem penduar për diçka kohët e fundit.
– Nëse do të të dhuronin një këngë, nga kush do të doje ta merrje këtë dhuratë?
– Pa përjashtim nga të gjithë që më duan!
– A mund të themi se, Anila po jeton jetën që ka ëndërruar?
– Definitivisht. Çfarë do një njeri më shumë se kaq? Martesë të lumtur, familje, karrierë.
– Diçka që ke zbuluar së fundi tek vetja dhe që nuk e dije deri më sot?
– Nuk ka ndodhur akoma diçka që do më bënte ta vë veten në test dhe të zbuloja një anë timen që s’e njoh.
– Çfarë të ka ofruar më tepër siguri në jetën tënde?
– Bashkëshorti sigurisht. Ndihem e mbrojtur në çdo aspekt.
– Ndodh t’i thuash vetes “Anila je në majë”?
– Ndodh shpesh të dëgjoj se jam në kulmin e kulmeve, prandaj nuk kam nevojë t’ia them vetes.
– Ndodh të jesh gjithmonë e kënaqur nga vetja? Kur jo?
– Nuk preferoj të kënaqem me veten shumë lehtë, sepse mendoj që autokënaqësia vret kreativitetin dhe dëshirën për të ardhur secilën herë më e mirë dhe më e freskët.
– Nëse një projekt nuk shkon ashtu siç do ti, e rinis edhe njëherë nga fillimi apo e lë fare?
– Projektet e mia, duhet të shkojnë ashtu siç unë dua, aty nuk ka aspak tolerancë. Unë jam në kontroll të asaj që bëhet.
– Këngët e kujt do të kishe kënduar me shumë dëshirë?
– Këndoj me dëshirë këngë të vjetra popullore, por edhe disa nga perlat e këngëve të vjetra qytetare.
– Ka ndryshuar shumë jeta jote deri tani? 
– Po si nuk ka ndryshuar?! Kam kaluar etapa në jetën time, nga fëmijë në adoleshente, nga vajzë në grua dhe nënë, nga njeri i panjohur në këngëtare të famshme. Gjithçka ka lënë vulën e saj në jetën time.
– Jeton me kujtimet?
– Kthehem shpesh në të kaluarën e këndshme, kurse gjërat e hidhura të së kaluarës nuk preferoj t’i ringjall.
Sigal