Anila Çela: “Televizioni” një magji, tek unë erdhi rastësisht

812
Sigal

INTERVISTA/ Flet Anila Çela: gazetare, modele, prezantuese televizioni: Pamja e bukur është respekt për shikuesit!

 nga  Anila Kalleshi

 Një femër mjaft tërheqëse, e ëmbël, ku bie në sy një portret njerëzor mjaft shprehës. Buzëqeshja e saj është magjike, ku dhe bashkëbiseduesit më seriozë do të hiqnin “perçen” e zymtësisë, për të ofruar bashkëbisedim familjar. Plot ambicie në jetë, fantazia e saj për botën e ekranit gjallon për çdo ditë e më shumë, pasi të tilla i ka kërkesat dhe studimet e saj në këtë fushë. Të arrijë deri këtu, ajo se ka pasur aspak të thjeshtë. Punë, lexim, mundim, lëvizje, kërkesa, deri sa realizojë dhe një nga ëndrrat më të bukura femërore martesën, përvojë e re me një domethënie të madhe. Fillesat e saj në media përkojnë si një gazetare terreni, kërkuese, ngulmuese, kërkesa të domosdoshme për një femër që ka objektiva në jetë. Zëri i saj melodioz dhe tepër karakteristik, me një ëmbëlsi të veçantë zgjonte mijëra teleshikues  teksa u thoshte “Mirëmëngjesi” nga “Konaku” apo “Dita ime”. Ajo e pranon sfidën, debatin, konkurrencën e ndershme. Në këtë intervistë gazetarja Teliti ndan me ne marrëdhënien që ka me paratë, shpenzimet, shopping-un; zbulon pasionet, ëndrrat si dhe projektet

  Ekrani televiziv një magji që e dëshiron çdo femër, por për ju çfarë përbën?

Po, ekrani mbetet magji me vete, një magji që koha e lartëson pasi i tillë është ky lloj mediumi, që vrapon t’ja kalojë kohës. Deri dje edhe për mua ishte ëndërr, por një ftesë nga “Vizion +” ma solli ëndrrën në duar. Mund të refuzohej një format i tillë televiziv, si “Ora 5pm”.  Mund të them se qysh më parë isha pjesë e kësaj familjeje, pasi “Vizion  ka qenë për mua pjesë e pandarë e jetës në përditshmëri me emisionet dhe spektaklet e saj.

A është e vështirë të jesh pjesë e çdo familje?

Shumë e vështirë, por po kaq e bukur. Emocionet dhe përgjegjësitë janë të shumëfishta, por po aq janë të tilla kënaqësitë dhe gjendja shpirtërore që të jep ekrani. Unë dhe shikuesi. Të dy përballë. Unë jam nga vetja, ata presin nga unë. Sytë e tyre janë shpresa dhe nxitja ime. Kur i mendoj ata mijëra sy pranë Vizion, një kënaqësi e brendshme më kaplon dhe më duket se jeta e njerëzve bëhet më e bukur. Kjo është detyra ime.

 Dikur tek emisioni i mëngjesit  “Dita ime” dhe “Konaku”.  Ndihesh e “divorcuar” me to?

 Eh, e shikoj kur kam mundësi dhe qesh me vete. Më duket vetja sikur jam prapë aty.  Sa herë ndjek Brunën dhe Stelën, teksa mirëpresin në shtëpinë e tyre të ngrohtë personazhe interesante, them se drejtoj, dëgjoj, impresionohem bashkë me to. “Konaku” apo “Dita ime” s’mund të them se nuk më mungojnë, ato janë hapat e mia të para, që më kanë bërë të ecë më tej me këmbë në tokë. Kur kujtoj të kaluarën, e tashmja më bëhet më e sigurt. Por mbi të gjitha nuk e mohoj se më mungon dhe terreni, lëvizjet, njohjet e para, lodhja, zhurma, takimet, zhgënjimet, kërkesat, çdo gjë që të lidh me jetën e gjallë. Terreni është konkret, realist, pa iluzione, je direkt me njerëzit me problemet apo me kënaqësitë njerëzore.

Si mund të bëjmë një krahasim terren studio?

Krahasime dhe veçime mund të bëhen shumë. Secila ka të veçantën dhe bukurinë e vetë. Kanë shumë të përbashkëta, sikundër kanë dhe të veçanta. Bukuria brenda tyre ka ngjyrën specifike. Ngjyrë që i dallon, por deri diku edhe i bashkon.

 Bukuri të veçanta brenda emrit magjik televizion.

 Secili emision ka të veçanta, por dhe të vërtetat e saj.

 Në emisionin tuaj keni ndonjë specifikë apo sekret?

“Orën 5pm” nuk ka ndonjë sekret timin, por ka një sekret të tijin, se është shumë profesional, është ideuar shumë mirë, pasi njerëzit  duan të dëgjojnë të diskutohen tema të prekshme pasi një pjesë e mirë e njerëzve në atë orë janë mbledhur në shtëpitë e tyre. Si kam diskutuar me shumë pedagogë, psikologë, gazetarë, shkrimtarë,  kam vënë re se njerëzit duan, më shumë dashuri dhe ngrohtësi në ato orë të pasdites.

 Si e kishe menduar dhe si po e përjeton të qënit prezantuese?

Në televizion asgjë nuk është e lehtë pa punë, madje shumë më shumë se sa e kisha imagjinuar. Është tjetër kur sheh dikë në ekran, është tjetër kur drejton vetë. Të jesh prezantuese perfekte duhet punë, studim, korrektesë, dialog, por mbi të gjitha dhe eksperiencë. Të gjitha këto elementë për një prezantim dinjitoz nuk më mungojnë, por asnjëherë nuk jam kënaqur me kaq. Të kritikosh dikë është e thjeshtë, por të kritikosh veten është shumë e vështirë. Mendo se deri tani kam arritur çdo objektiv, të ardhmen e shoh më të sigurt.

 Të jesh prezantuese kur je dhe familjare është paksa e vështirë. Ju ndihmon apo jua lehtëson punën jeta në çift?

Familja është një kërkesë e domosdoshme që e kërkon koha. Familja ka magjinë e vetë sikundër ka dhe impenjimet e saj. Familja ka ngrohtësinë e saj, rregullat, normat, lidhjet, oraret e saj. Të qenit familjare kërkon më shumë angazhim në shtëpi dhe më pak në shoqëri. Por kryesorja është se jeta në çift është përvoja më e bukur jetësore. Por ka dhe privacione, pasi jo në çdo kohë mund të pish kafe me shoqe apo mund të shkosh në teatër. Atë copë kohë të lirë që ke duhet të përmbushësh dhe detyrimet familjare, të laj, të pastrojë, të gatuaj, të kujdesem për shtëpinë. Por dua të them se, mbrëmja më gjen më së shumti në shtëpi, por edhe në ndonjë kafe me shoqërinë; nëse nuk dal, punoj diçka në kompjuter, studioj ose shoh ndonjë program interesant në televizion. Jam pak e dhënë pas gjumit, prandaj filmat në darkë më pëlqen t`i shoh në krevat dhe shpeshherë, nuk i çoj dot deri në fund, sepse më merr gjumi (buzëqesh).

 Në fillim cekët paksa se televizioni tek ju erdhi rastësisht?

Po, ka qenë rastësi. Por dua të them se nuk e kisha menduar ndonjëherë veten në rolin që jam tani, por diku në një pozicion tjetër në televizion e kam menduar. Ka qenë një ëndërr fëminore ndaj edhe po të më kishte ardhur në formën e një zgjedhjeje, do ta kisha hedhur atë hap në një moment të caktuar. Por ja më parë erdhi rastësia tek unë në televizion. Këtu dua të shpjegohem se ka ndodhur që një pjesë e mirë e gjërave të bukura (tek unë), të kenë ardhur rastësisht. Të arrish diçka rastësisht quhet fat, por në të dyja rastet si tek rastësia, si tek zgjedhja puna jote duhet të konvergojë tek suksesi.

 Në një emision të tillë edhe luku është pjesë e suksesit. Me ju natyra është treguar bujare, por mendoj se i kushtoni kohë dhe pamjes së jashtme?

 Faleminderit për komplimentin dhe jam plotësisht dakord që dhe pamja, luku, kanë pjesën e vet të suksesit në një emision televiziv. N.q.s në  përditshmëri, nuk i kushtoj shumë rëndësi pamjes së jashtme, (pasi për mua mjafton që të ndihem rehat me veten dhe të kem një pamje të rregullt) në ekran është një “detyrim” për veten dhe për ata që të shohin që të jesh e këndshme dhe e rregullt estetikisht. Aq më tepër një femër e ka të domosdoshme një pamje të rregullt, një veshje të bukur, një prezantim dinjitoz përpara ekranit, pasi respekton shikuesit, por edhe veten. Televizioni e ka të detyruar një pamje të bukur, fine, me kulturë dhe të rregullt. Në ditët e zakonshme jam më shumë sportive dhe një mikeshë shumë e mirë e xhinseve.

 Si qëndrojnë marrëdhëniet tuaja me lekët?

Ah, nuk jam shumë korrekte. Shpenzoj, disa herë dhe pa kuptuar. Arsyeja mbetet e paqartë. Kur më pëlqen diçka tundohem. Nuk shpenzoj për pamjen e jashtme apo duke bërë shoping apo në qendra estetike. Thjesht shpenzoj se më pëlqen çdo gjë e bukur.

  Secili ka një ëndërr profesionale. Në drejtim të të ftuarve, cila mbetet ëndrra për të intervistuar?

Ah, sigurisht e kam një ëndërr. Do ta bëja me kënaqësinë më të madhe dhe me përkushtimin më të madh profesional një interviste me Madonën në shtëpinë e saj.

 Ju dhe hobet.

Çdo njeri ka hobe dhe unë nuk e përjashtoj veten. Më pëlqejnë librat (librat autobiografikë dhe historikë, tregimet, romanet); më pëlqen të lexoj, më pëlqejnë kafshët, sporti… Janë shumë? Aspak. Janë pjesa më jetësore e jetës, janë kërkesat më të domosdoshme të suksesit këto hobe. Janë brenda realitetit dhe aspak utopi.