Anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” mblidhen në takmin e radhës në Tiranë

719
Sigal

Anëtarë dhe simpatizantë të shoqatës së Përgjithshme, Atdhetare dhe kulturore “Tomorri” u mblodhën para 2 ditëve për një bashkëbisedim për detyrat që i dalin shoqatës për të ardhmen. Në këtë takim merrte pjesë Kryetari i Përgjithshëm i Shoqatës Zoti Ëngjëll Musai, Sekretari i Shoqatës Ramiz Hamzollari dhe të tjerë. Zoti Ëngjëll dha mesazhin e mirëkuptimit midis anëtarëve për ta fuqizuar dhe shtuar më tej anëtarësinë e saj, si dhe të mbajmë gjallë traditat tona patriotike dhe kulturore, për pasqyrimin e figurave të Luftës dhe të Punës tek njerëzit që kanë vlera dhe kontribute në Shoqatë dhe gjithandej, gjë që gazeta “Dielli i Tomorrit” e ka bërë shumë mirë. Aty u bisedua edhe për të nxjerrë dhe promovuar në aktivitete të ndryshme, vlerat kulturore, atdhetare dhe artistike të këngëtarëve, shkrimtarëve dhe njerëzve të artit që janë dhe anëtarë të Shoqatës nëpërmjet promovimeve të ndryshme. Promovime të tilla, theksoi Z. Ëngjëll Musai do bëhen vazhdimisht në të ardhmen; si promovimi i librit të fundit të shkrimtarit dhe gazetarit Bashkim Koçi, por dhe një koncert nga këngëtari Dule Malindi. Është pozitiv fakti që shoqata po gjallërohet dhe anëtarët e saj po shtohen në rrethe të ndryshme të vendit.. Takimi kaloi në një atmosferë të gëzueshme ku gjëmuan këngët tona të bukura, sepse merrnin pjesë edhe këngëtarët tashmë të dëgjuar si Dule Malindi, Pëllumb Gjata dhe Teuta Skrapari që përshëndetën pjesëmarrësit me interpretimet e tyre plot ndjenjë. Aty në këtë takim u bisedua dhe për hallet dhe shqetësimet që kanë anëtarët e shoqatës e u gjykua që, pse jo, të bëhen edhe përpjekje për t’i ndihmuar ata. Traditën e solidaritetit ne e kemi dhe do ta ruajmë brenda vlerave të trevës dhe origjinës sonë të përbashkët. Takimi i përzemërt vlerësoi edhe njëherë potencialet që kjo shoqatë ka për të rritur më tepër anëtarësinë, gamën e aktiviteteve  artistike e atdhetare dhe për t’i çuar më tej këto vlera. Në fund të takimit u lanë detyra që shoqata t’i përmbushë në të ardhmen, sidomos në drejtim të shpërndarjes së gazetës në Tiranë dhe rrethe. Për këtë dhanë mendime me shumë vlerë si Bashkim Koçi, Nazmi Çela, Rushit Kuçi, Rystem Zyko e të tjerë, duke e konsideruar gazetën si tribunë e shpirtit atdhetar e fisnik të Shoqatës dhe frymëzuese për ecur përpara në të ardhmen.