Andrea Pepi/ Sa më shume ikin ditët, aq më shumë e ndjejmë mungesën e djaloshit “vullkan”        

792
Sigal

Ai ishte si Prometeu, e donte popullin, shokët, miqtë e tij të shumtë, të vërtetën

NE 70 VJETORIN E  LINDJES  SË AKTORIT  LLAZI  SËRBO

Ai ishte si fëmija;  dëshironte gjithçka dhe i donte të gjitha! Ai i donte miqtë e shokët si fëmija; me zemër të zjarrtë dhe me mendje të bardhë. Llazi Serbo lindi në qytetin e dashurisë së serenatave, e rrugicave të shtruara me gurë dhe me borën e bardhë si shpirti i një fëmije. Lindi më 9 të  mars të  vitit 1945, kur pranvera sillte lulet, manushaqen bukuroshe, lule kaçen, dallëndyshet bisht gërshërë, bilbilin zëmjaltë, gjelbërimin e natyrës dhe së bashku me to një zë fëmije që do të trondiste skenat dhe ekranet shqiptare dhe ato të huajat. Ishte pranvera e parë e lirisë.

 Jetëshkrimi

Lindi nga dy prindër artistë, mjeshtër këpucësh i ati dhe  qilim punuese e ëma. Shkollën shtatë vjeçare e përfundoi nën tingullin e ëmbël të kambanave, ku në oborrin e shkollës ngrihej madhështore si një vepër arti e pa tjetërsueshme kisha e Mitropolisë. Ai ishte një fëmijë energjik, që evidentohej mbi të tjerët dhe këtë e kërkonte  me këmbëngulje. I donte shokët dhe i respektonte shoqet. I pa kursyer për t’i ndihmuar në çdo moment të vështirë. Në gjakun e tij rridhte gjak artistësh ndaj ju drejtua liceut artistik “Jordan Misja” në degën e skulpturës. Pasionant, këmbëngulës, shpërthyes, kështu e njohën mësuesit dhe shokët e tij. Me mbarimin e liceut, artistin e ri e shohim në rrethin e Pogradecit duke dhënë mësim për dy vjet rresht. Ai kërkonte, gjithmonë kërkonte, dëshironte më shumë kulturë, dije, ndaj në vitin 1965 ju drejtua Institutit të lartë të Arteve për të vazhduar më tej. Një shoku i tij i rinise që konkurronte për teatër  i lutet që të konkurrojë në degën e teatrit. Pranon. Vendimet i merrte  si fëmija. Udhëheqësi artistik i kursit, regjisori i talentuar i teatrit Popullor, Pandi Stillu, pa tek djaloshi Llazi një  vullkan. Në vitin e tretë nën regjinë e pedagoges zonjës Drita Agolli e cila kishte kryer studimet e larta për regjizurë në Moskën e Stanislavskit, e cila i beson rolin e mrekullueshëm të Klestakovit tek komedia “Prefekti”, shkruar nga pena e artë e Gogolit. Si rrallë herë ai diplomën e mbron në gjirin e artistëve të shquar të teatrit Popullor, me regji të artistit të Popullit Pandi Stillu. Teatri i Korçës me regjisor mjeshtrin e fjalës Mihal Luarasin i besoi figura të skalitura me mjeshtëri nga pena e dramaturgut të  njohur, Minush Jero, si tek “Njollat e murrme” dhe – “Të pamposhturit”. “Mosha e bardhë” të D. Agollit, ku Llazi e justifikoi denjësisht besimin. Regjisorët e ekranit të madh zbuluan tek ky djalosh vullkanin që shpërthente, freskinë, sinqeritetin fëminor. I madhi i ekranit, regjisori me kulturë Moskovite, Viktor Gjika i beson figurën e Dajlanit tek filmi ‘Yjet e netëve të gjata’, krahas aktorëve me përvojë si Artistja e Popullit Tinka Kurti, Sander Prosi, Pandi Raidhi. Më pas vjen figura e Kreshnik Martinit, në filmin “Operacioni Zjarri”, dhe gjerdanit te artë të figurave të skalitura me daltën e mprehtë të skulptorit dhe penelin e hollë të piktorit i bashkohen  figurat tek filmat që pasojnë. “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Kur vdes më këmbë”, “Shembja e Idhujve”, “I treti” …dhe gjerdani zgjatej me kalimin e viteve. Asnjë nga figurat nuk i ngjet njëra tjetrës, që nga shikimi, deri tek lëvizja e dorës. Ai zgjohej me figurën, ha drekë e darkë me të dhe shtrihej të flinte po me personazhin e tij të dashuruar. I donte si fëmijët e tij. I përkëdhelte me dorën atërore dhe i puthte me buzët e ngrohta të nënës, ndaj ata sot janë kaq të dëshirueshëm tek ne, artistët e skenës dhe të ekranit dhe artdashësit mbarë kudo që ndodhen në gjithë Globin të shpërndarë si dallëndyshet punëtore dhe paqësore. Ëndrra për tu bërë regjisor filmi e çoi të shtegtonte në vitin 1985 në krahët e Kinostudios. Fillon punën si asistent regjisor duke u cilësuar si një mjeshtër i vërtetë i organizimit të shesheve të xhirimit. Asgjë nuk mund t’u mungonte aktorëve dhe regjisorëve. Ai kudo kërkonte përsosmërinë dhe vëmendje për të gjithë si për aktorin kryesor dhe atë figurantin që do të qëndronte në sfondin e xhirimit.

 Karriera

 Karrierën si regjisor i ekranit kërkoi ta fillonte me legjendën e njohur të Doruntinës. Ai i dëshironte idetë e mëdha. Kërkoi mbështetje tek regjisori i njohur Viktor Gjika dhe te autorit, të madhit I. Kadare, të cilët ja dhanë me kënaqësi. Ai kur dëshironte   diçka nuk kishte pengesë që ta  ndalonte. Ne figurën legjendare të Doruntinës ai fton aktoren e njohur Hajrie Rondo. Por shkrirja e  kinostudios e detyron artistin të rikthehet në rrugicat e kalldrëmta, ku bora është më e bardhë se kudo tjetër, ku kënga e serenatës tingëllon më bukur se në ç’do qytet tjetër, ku mëngjesi vjen me i bukur dhe mbrëmja sjell freskinë e dëshiruar të verës përvëluese. Ku miqtë e shumtë nga të gjithë qytetarët kishin dëshirë të pinin një kafe, të përshëndesnin shokun e fëmijërisë, djaloshin energjik dhe xhentil të qytetit. Ne vitin 1990, ai, me kërkesën e teatrit, vjen të interpretojë krye rolin tek drama “Opera për dy grosh” të dramaturgut, estetit, poetit dhe regjisorit me famë botërore, B. Breht. Meki Thika, një ekzekutim dinjitoz. Një arritje e pashembullt. Një ëndërr për të gjithë aktorët e botës. Duartrokitjet ishin dhurata që artdashësit korçarë ja dhuronin me kënaqësi. Dinamik, dinak, shpërthyes, imponues, i përballshëm para së vërtetës së hidhur që afron jeta. Ai vë në gijotinë shoqërinë e sëmurë që rënkon nga ryshfeti, nga pushteti i korruptuar. Pas vitit 1994 vihet në krye të trupës së teatrit të qytetit të Korçës. Vë në skenë me sukses dramën “Lakuriq me violinë” , “Intergell” e tjera; të cilat konsolidojnë suksesin e merituar. Dëshironte t’i kthente lavdinë e dikurshme të trupës, atë lavdi që kishte fituar me regjisorët e talentuar; që nga Sokrat Mio, Piro Mani dhe Mihal Luarasi. Në kohen qe ai përgatitej te vinte ne skene vepra te tjera dinjitoze, shkarkohet nga detyra e regjisorit të teatrit me pretendimin se ‘teatrit nuk i duhet një regjisor i emëruar’. Po a kishte teatri shqiptar një artist të veçantë si ai?! Nuk mundi ta përballonte këtë goditje ku ishin përfshire edhe ndonjë prej miqve e tij qe ai i donte dhe i respektonte si një fëmijë. Largohet nga trupa ku ai kishte nisur karrierën e tij artistike skenike. U mbyll ne vetvete. Kjo ishte goditja e cila e izoloi nga jeta qytetare. Artisti është si fëmija, do një fjalë të ngrohtë dhe kjo fjalë i mungoi nga pushtetarët e viteve 1998.

 Në Rusi

Por kur trupa e teatrit dhe artdashësit menduan se ai ishte larguar përfundimisht nga teatri, ai u shfaq i fuqishëm me një autor botëror. Pushkini i madh do të fliste jo vetëm në qytetin e tij të lindjes por edhe në Shën Petërburgun e largët e të mrekullueshëm, në qytetin e Netëve të bardha. Ishte trupa e parë teatrore shqiptare që shkonte të shfaqte Pushkinin duke ballafaquar vlerat artistike me trupat Ballkanike. Sa shumë duartrokitje, sa lot gëzimi dhe lule për artistët e ardhur nga Shqipëria e largët nga studentë shqiptarë që studionin në qytetin Hero, sa shumë duartrokitje nga studentët dhe pedagogët e gjuhës shqipe që mësohej në fakultetin e gjuhësisë. Që prej viteve 1960, studentët rusë mësonin gjuhën e bukur dhe të rrallë shqipe. Ne takimin e pas shfaqjes organizatorët të befasuar nga  arritjet shqiptare në teatër do të shpreheshin: ‘Shfaqja tingëlloi më bukur në skenë se sa në ekran. Ky takim do të zhvillohet pas dy vjetësh. Ju e kini vendin këtu’. Televizioni i bëri një reklame të madhe trupës dhe në veçanti regjisorit, Artistit të Merituar – pas vdekjes, Mjeshtër i Madh i Punës-Lazi Serbos. Nuk mund të mos përmend  përkthyesen e bukur Julin që e fliste gjuhën tonë aq bukur sa unë e mora për studente shqiptare. Më kujtohej që u thosha kolegëve: “Llazi na bëri të udhëtojmë mbi dhe dhe nën dhe. Sa  gëzim që ndjente në shpirtin e tij të brishtë prej fëmije .

 Adhurimi

 Ishte viti 2007. Pas këtij suksesi të merituar përgatiti për skenë mono dramën “Sirius”. E përshtati vetë nga novela ‘Ëndrra e një njeriu qesharak’ të të madhit Dostojevski. Ai i adhuronte autorët e mëdhenj. I adhuronte me gjithë forcën e dashurisë së tij vullkanike dhe djaloshare. Idetë e tyre e frymëzonin dhe i jepnin forcë. Dostojevski, ky mjeshtër i madh i zbërthimit të shpirtrave njerëzorë, e bëri për vete me idenë e tij: ‘Ta duam tjetrin si vetja, më shumë se kaq nuk duhet dhe gjithçka do të ndryshojë’. Në premierën  e dhënë në sallën e katedrales së qytetit, miqtë, artistët dhe artdashësit me duartrokitje të zjarrta dhe të zgjatura. Atasheu kulturor i Federatës Ruse në Tiranë, Ilia Uvorov do të shprehej: “Vetë shpirti i Dostojevskit është shprehur shumë qartë, prandaj reagimi i spektatorit është aq i sinqertë. Vepra e Dostojevskit prek dhe merr gjithë shpirtin e njeriut dhe nuk mund të mbetesh indiferent. Kështu që unë jam shumë i kënaqur me këtë. Është një sukses i madh”.

 Vlerësimet

Artisti i njohur  i ekranit,  z. Timo  Flloko u shpreh pas shfaqjes:“Mesazhi u përcoll i plotë. Ju keni bëre më të mirën e mundshme. Andrea, si aktor konkret, e përcolli Dostojevskin me nota realiste. Pashë një shfaqje që më emocionoi shumë. Llazi ka ditur të zgjedhë ide të mëdha që i duhen kohës që po kalojmë. Mono drama është e vështirë por ju e përcollët bukur. Ju lumtë! Vetë Llazi do të shprehej kështu për mediat pas shfaqjes: ‘Kënaqësia ime është që spektatori duhet të arrijë nivelin e mesazhit të autorit, se sa e kam arritur këtë le ta thotë publiku. Mesazhi në spektakël mbetet për të gjitha kohërat sidomos për Shqipërinë, është bashkëkohore. Homeri, Dantja, Shekspiri e Dostojevski qëndrojnë në Panteonin Botëror, prandaj unë frymëzohem nga këta gjeni’. Në takimin Kombëtar të monodramës që u zhvillua në qytetin bregdetar të Vlorës, në vitin 2009, Profesor doktor, kritiku i talentuar, Adriatik Kalluli, pas shfaqjes së Sirius, të Dostojevskit, për mediat dhe diskutantët u shpreh kështu:‘Unë pashë një ikonë që kërkon të sakrifikohet për njerëzimin, me zë të ngrohtë dhe të plotë, larg thirrjeve dhe çjerrjeve. Llazi di të zgjedhë ide të mëdha që i duhen kohës që po kalojmë. Me kërkesa tepër profesionale e filmon në natyrën, mes ngjyrave të mrekullueshme te bjeloskave, në vjeshtë  e arte të  qytetit të Korçës. Nuk arriti ta përgatiste për ekranin dhe kjo jo për faj të  tij. Eh! Sa e mërziste ky fakt. Kishte kohë që përgatiste planin  e tij, kishte hyre Eminguei i famshëm me të pa përsëritshmen “Plaku dhe deti”. Ideja se ‘besimi tek vetvetja nuk duhet të humbasë  kurrsesi’. Ai që guxon, fiton. Filloi përgatitjet. Siguroi varkën në qytetin e Pogradecit. E pikturoi me ngjyra të ndezura si ato të Vangogut, siguroi mjetet më të domosdoshme të peshkimit dhe me një përkushtim të rrallë me tregonte se si përdoreshin. Filloi të shkonte për peshkim. Siguroi dhe maskë, pushkë, shigjetat, këto i siguroi në qytetin e Vlorës kur ishim për festivalin e monodramës. Më fliste për mikpritjen e qytetarëve vlonjatë. Dëshira për të venë në skenë me trupën  e teatrit Kombëtar e bëri të shkëputet nga qyteti i gurtë dhe të punojë me artistë të njohur. Oh! Sa u zhgënjye. Nuk e kishte dëshiruar kurrsesi këtë zhgënjim. Jo se nuk arriti qëllimet e tij artistike, por se ishte ‘tradhtuar’  nga disa, të cilët ai i kishte dashur aq shumë. Ai ju afroi xhentilesën që ai e kishte me shumicë por dikush ja mori për inferioritet, për dobësi dhe kjo e mërziti pa masë. Atë ditë kurë nuk do ta kishte dëshiruar, kurrë … Salla ishte mbushur me spektatorë që kishin ardhur për të shijuar idenë e veprës, mjeshtërinë e lojës  së aktorëve, regjisurën e të shumë dëshiruarit Serbo, por paraja kishte bërë punën e saj të dobët. Si ai krimbi kishte brejtur ndërgjegjen e artistit dhe i kishte verbuar sytë. Për inatin me Llazin ai doli para shfaqjes në skenë dhe deklaroi se ‘Nuk do të merrte pjesë në shfaqje se nuk ishte paguar sa duhej’.- dhe i kishte kërkuar ndjesë spektatorëve. I dërmuar nga kjo ngjarje, erdhi  në qytetin e lindjes  dhe ju vu punës për monodramën “Plaku dhe deti”  të mjeshtrit Heminguej. Për meritat në krijimtarinë e tij, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me titullin e nderuar ‘Artist i Merituar’. Vite më parë  u shpall‘Qytetar nderi i qarkut të Korçës’.

Në kuadrin e festimit të 60 vjetorit të krijimit të teatrit profesionist të Korçës, nga artistët dhe dashamirësit u propozua për tu vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh i punës” e cila ju dha pasi ai ishte larguar nga kjo jetë që ai e dëshironte aq shumë.