Anastas Kostandini: Kompozimi i institutit u cilësua “ekspresioniste e kubiste”, kjo gjë me përjashtoi nga shkolla

615
Sigal

-Intervistë me piktorin e talentuar pogradecar, Anastas Kostandini (Taso), “Piktor i Merituar”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Pogradecit

 -Në vend të hyrjes:

I nderuar z.Taso, në fillim të kësaj interviste në emër të Gazetës së Pavarur ju urojmë nga zemra 60 -vjetorin e lindjes-shëndet, suksese në punën tuaj të nderuar, gëzim, e lumturi në familje!

 Të lindësh dhe të jetosh jetën 60 vjet në Pogradec, ku dritaret e saj shohin liqenin unikal nga vlerat  dhe bukuria e pamasë, si në verë , ku rrezet e diellit reflektohen në ujërat e kaltra në jeshil e gri……..,

Ose kur liqeni egërsohet në dimër dhe shkumëzon me valët e dallgët e tij, të cilat i përplas fuqishëm në rërën e guralecët e bregut të vet. – Ç’mund t’i thoni lexuesve, duke pasur parasysh kontekstin e mësipërm? 

Ju falënderoj për urimet tuaja dhe intervistën që vendoset të bëni me mua.

60 vjet, janë një jetë e tërë e shpenzuar në qytetin tim të lindjes, pandërprerje e duke sfiduar “kohërat e reja” të cilat nuk lanë njeri në Shqipëri pa lëvizur vendit.
Shpesh mendoj se, pse kam qenë kaq i lidhur me qytetin tim. Arsyeja duhet të jetë  fakti që jam marrë me pikturë në një mënyre të pazakontë. Përsëri duket si absurditet të shpresosh të realizohesh si artist në një vend të bukur, por pa atmosferën e nevojshme kulturo- artistike. Thjesht, kryeqytetet janë vendet, ku të gjithë shkojnë për të bërë sukses. Mendoj se ka qenë vete arti i të pikturuarit që më mbajti lidhur pranë vendlindjes.
Nuk kam dashur të humbas kohë duke kërkuar vendin e duhur për të ” ngrohur vezët ”
Pogradeci im ka qenë zgjedhja ime inkoshiente, d.m.th. ka qenë  qyteti im që ka vendosur të më mbajë pas vetes me fanatizëm sikur të kish nevojë për sakrificën time.
Rruga që kam ndjekur për tu edukuar dhe studiuar përmes sakrificave të shumta,mund të shpjegojë dhe arsyen e “midese” time të fortë për të jetuar papushim në strofkullën e vendlindjes. Dashuria për natyrën shpesh është identifikuar me bukuritë e vendit tim. Më ka tërhequr gjithmonë studimi i natyrës e njeriut në këtë natyrë. Kjo ka ndodhur natyrshëm në qytetin tim ku dhe kam parë, jo vetëm vendlindjen, por dhe universin natyror universal. Duket se, për mua ka qenë e mundur të ngrihem në fluturim prej pistës që më ofroi sipërfaqja ideale e liqenit.

-Pogradeci më ka dhënë pothuaj temat më të shumta të pikturave të mija. Më ka dhënë gjithashtu, komoditetin dhe ngrohtësinë më të thellë të mundshme.
Jam krijese e familjes time, e cila mundi të më tundte në djepin e zakoneve  dhe traditave qytetare me  shumë përkëdheli në vite të vështira. Prindërve të mi ju dedikoj mbi të gjitha zbulimin dhe inkurajimin e talentit tim në fillesat e veta. Ata me kuptuan dhe bënë të pamundurën që të futesha në  liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1968 .
Ky moment ishte fillimi i aventurës time që ende vazhdon sot e kësaj dite. Natyra kurioze dhe pasioni i përzier me kuriozitet për çdo gjë që më karakterizon, në Tiranë gjeti vendin ideal për t’u zhvilluar, duke thurur ëndrrën për t’u bërë një artist, si profesorët e piktoret  e mëdhenj, të cilët jetonin në të njëjtën qytet, ku unë studioja.  Admiroja Idromenon, Mion, Paskalin, Buzen, Kacelin, Shijakun, Kilicen, Dilon, Gjergon, etj.. Edhe Pogradeci kishte një tradite në pikturë, relativisht të re, por me veçori interesante. Në vitet ‘70 pikturonin Todi Mato, Skënder Lako, Vangjo Vasili, Enver  Oparaku, Sofokli Koçi, etj.. Ky brez artistësh ka ndikuar në formimin e pikturës time duke me sugjeruar temat dhe mjetet artistike.
Në periudhën e studimeve dy ishin momente të vështira dhe interesante. E para, kur kreva diplomën e liceut, tjetra ishte viti i parë në institutin e arteve. Diploma e liceut ishte “kubiste” ndërsa kompozimi i institutit u cilësua “ekspresioniste e kubiste” për pasojë dekadente dhe e dënueshme. Kjo gjë me përjashtoi nga shkolla. Ishte plenumi i 4 i PPSH. Kjo ishte koha e rrezikshme për të ditur e njohur artin. Njohja e jetës Socialiste zëvendësoi njohjen e artit e kulturës. Piktura u be ndihmesë e partisë në vend që të vetëzbulonte artistin.
Në përplasjet e shumta dhe çoroditëse që na impononte koha duke detyruar temat e format, arriti të mbijetonte pasioni dhe përpjekjet për të njohur artin bashkëkohor në kushtet kufizuese, ku sekretaret e partisë vigjilonin me fanatizëm. Megjithatë, gjatë monizmit realizova dhe bëra të njohur artin tim brenda atij lloj arti që kërkohej.
Pas vitit ‘90 filloi një tjetër jetë artistike po në të njëjtin qytet. Liria ishte një peshë shumë e rëndë  për në pasi na gjeti të pa përgatitur. Kjo periudhe eliminoi shumë piktorë duke i nxjerrë jashtë kohë. Disa ndryshuan shumë ndërsa të tjerë vazhduan sikur të mos kish ndodhur asgjë. Unë e mirëprita epokën e lirisë së influencave të çdo gjëje , veçmas ndikimin e artit modern. U ndesha me te në mënyre dëshpëruese,pasi edukimi jonë kish qenë realist, por dhe me shtojcën- socialist. Pa influenca në art nuk mund të ketë art,pasi vete arti është një influence , pra dhënie – marrje mes kulturave, Kjo është përgjithësisht prirja ime, të tjerat janë më pak të rëndësishme. Për sa i takon temave të mija , kanë qenë të shumta nga ato tradicionalet , kombëtaret , lokalet, populloret , modernet e tani ato sociale. Por kryetema ime tash e tutje do jetë piktura si e tillë, pas së cilës, ja vlen të shpenzosh artin tënd.

 Një jetë e tërë me penel në dorë, që me pasion unikal, ke mundur të krijosh një traditë të çmuar artistike që në vetvete përbën ” një shkollë” për ata që do vinë pas. Kjo krijimtari shumëplaneshe  e me shumë stile, tradicionale e bashkëkohore, ka një galeri të tërë peizazhesh, portretesh, kompozimesh, grafikësh, ilustrimesh deri dhe shumë skenografi për teatër e variete estradash. Po ashtu dhe mjaft mozaikë apo piktura murale. Si komentoni për lexuesin mënyrën me të cilën keni realizuar gjithë këto vepra? 

-Në librin e përshtypjeve të ekspozitës së sapo hapur në Pogradec, me rastin e 60- vjetorit tim të lindjes, miku dhe kolegu im i afërt piktori Gjergji Lako më ka shkruar ; Taso, kjo ekspozitë tregon për mallin e dashurinë dhe magjinë që të shoqëron që prej fillimit të jetës tënde si piktor. I rritur pranë ujërave të liqenit tonë, malit të thatë, dimrave të bukur plot bardhësi, erës së fortë të veriut dhe flladit përkëdhelës të Krivecit, ti je gjithmonë në lëvizje, në përjetim artistik me plot figura , forma, ngjyra e dritë hije të gjalla. Ekuilibri në veprën tënde është shumë i çmuar ” .

Respekti dhe ngrohtësia që mu dha ditën e çeljes së ekspozitës ishte një frymëzim e mbështetje për të vazhduar më tutje, pa çka se shumë tablo duken disi të çuditshme  për vizitorët e shumtë. Koleksioni i punëve ishte i përzgjedhur me kujdes nga seria e pikturave në 10 vjetet e fundit. Gjysma e tyre i përkasin tani fondit për shtëpinë muze që parashikoj të realizoj në të ardhmen, kurse pjesa tjetër janë vepra të zgjedhura në përputhje me prirjet e mija eksperimentale. Kurse temat varionin mes traditës e modernes. Shpresoj të vazhdoj pa ndërprerje linjën tashmë të njohur e dashur për shumë adhurues e artdashës që së pari kërkojnë pikturën time tradicionale e cila më ka bërë të njohur e popullor. Po ashtu nuk kam reshtur së eksperimentuari e studiuari arkitekturën e formave e harmoninë  e ngjyrave mbi një pistë krejtësisht bashkëkohore. Po ashtu dua të përziej ekspresivitetin e të vërtetave të jetës së sotme urbane me epokën që kaluam, sigurisht me një formë të re dhe të drejtpërdrejtë siç e kërkon ngutja e nervozizmi i shoqërisë së sotme  në integrim Europian. Kjo e fundit, në disa piktorë kuptohet si një pozicionim pragmatik ndaj një tregu ku mjafton të bësh sukses duke shitur pikturat e tua, qoftë vendasve apo turistëve kalimtarë. Në fakt mua më intereson veçmas vlera e mirëfillte artistike e cila është e mundur të krijohet dhe në një periferi kulturore sikundër jemi të paragjykuar.
Duke u nisur përgjithësisht nga qyteti im gjej kohë të promovoj artin tim kudo nëpër botë, kur më jepet rasti. 40 ditë më parë isha në Strasburg, ku ekspozova  50 piktura dhe grafika në selinë prestigjioze të Këshillit të Europës. Ajo u ndoq nga mijëra vizitorë që soditin këtë Pallat përfaqësues të kontinentit tonë. Ajo që më la mbresë të fortë ishte prezencë e qytetit tim e motiveve  Shqiptare në zemrën e Europës së madhe ditën kur vendit tonë ju dha statusi kandidat për në bashkimin Europian.
Tre muaj të shkuara isha gjithashtu i ftuar në Universitetin  ” Fan S. Noli ” të Korçës për një ekspozitë dhe folur rreth krijimtarisë time. Jam ndjerë vërtet i nderuar nga pritja atje .
Jam gjithmonë pjesëmarrës në aktivitetet që zhvillohen në Korçë, të cilën e vlerësoj për qytetarinë dhe kulturën e trashëguar. Ajo që është e rëndësishme për gjithë rajonin tonë me një kulturë të ngjashme deri në detaje. Po ashtu ajo bart dhe veçantitë  zonale që pasurojnë njëra -tjetrën. Pra, si te thuash, Korça si qendër rajonale, me ekspozitat e përbashkëta po forcon vlerat rajonale dhe me prurjet e reja bashkëkohore në fushën e arteve.
Së fundi, ju falënderoj dhe njëherë përzemërsisht që më dhatë mundësinë të  shprehem  përpara lexuesve të gazetës tuaj të mirënjohur.

                                                      Ju faleminderit!

Bashkëbisedoi: Vehbi Furxhi