“Anabela” personifikon njeriun që beson në forcën e vet

1125
Autorja e re shqiptare Adela Prifti-Çaushllari, sapo ka botuar romanin e saj të parë me titull, “Anabela”
Autorja më e re Adela Çaushllari ka sjellë për publikun shqiptar romanin e saj të parë: “Anabela”. Një roman që përfshin të gjitha moshat dhe dhe i prek të gjitha tematikat e jetës. Një histori e pesë motrave, pesë karaktere synuese për prestigj, ndonëse dalin nga një kasolle e braktisur… Në një intervistë për gazetën “Telegraf” autorja ka treguar më shumë rreth librit dhe periudhës kur ajo ka filluar të shkruajë. Romani tregon një histori amerikane dhe kjo e shtyn Adelën që librin e saj ta botojë edhe në anglisht. 

Ky është romani juaj i parë, kur daton periudha juaj me të shkruarit? 
Të shkruarit ka nisur herët për mua, në kohën kur ndiqja klasën e 4-t ose të 5-të. Mbaj mend se e nisa me një poezi për xhaxhain tim që kishte ikur në Shtetet e Bashkuara me rrymat e ’90-ës. Kështu vazhdova me poezi deri në vitin 2002 kur mora për herë të parë në duar librin e J.K.Roëling “Harry Potter dhe guri filozofal”. Aty u dashurova shumë me romanin dhe rrëfimin e Roëling. Në vitin 2010 fillova të shkruaj romanin tim “Anabela”. Ajo ishte një princeshë, të cilën nuk e kujtoj mirë se e kujt shteti, por pata lexuar diku dhe me pëlqeu. Ashtu siç më pëlqen edhe emri Aurora. Historia u formësua pas një viti dhe vazhdoi të redaktohej disa herë.

Çfarë personifikon “Anabela” ?
Anabela personifikon njeriun që beson në forcën e vet. Ajo është një vajzë aq e re dhe e brishtë, sa që duket krejt e pamundur që me forcën e shpirtit mund të arrijë të krijojë një emër të madh. Është një model, i cili është krijuar për të frymëzuar.

Pse kini zgjedhur një histori amerikane për lexuesit shqiptarë?
Kur e kam nisur librin nuk kisha ndonjë pretendim për ta botuar dhe rrjedhimisht nuk kisha një target grup lexuesish. Nuk e dija kujt do t’i binte në dorë kjo histori. Më vonë kur e përfundova, mendimi i parë që më erdhi ishte ta përktheja dhe të lidhesha me ndonjë shtëpi botuese amerikane. Në fakt këtë gjë do të bëj tani. Megjithatë si fillim m’u duk më e natyrshme ta botoja në tokën time, e kur të shkoj në Amerikë të vazhdoj ëndrrën time.

Kujt i drejtohet ky roman dhe cilat janë temat kryesore që trajton? 
Nuk ka moshë romani “Anabela”. Tematikat që kam prekur janë shumë dhe të ngjeshura. Ajo që dua të prek në këtë intervistë dhe qe e kam më për zemër është raporti prind-fëmijë. Në familjen Brem Hills, një natë, ndodh një ngjarje shumë e rëndë. Babai xheloz për mamanë e dhunon atë si psikologjikisht edhe fizikisht dhe e largon nga shtëpia. Vajza e madhe e familjes Aisia, prezent e fshehur në skenë është personazhi më i prekur nga kjo ngjarje. Gjithë personaliteti i Aisit formohet duke patur përfytyrimin e një babai të keq, dhunues, i cili e braktisi atëherë kur ajo kishte më shumë nevojë. Fakti që rritet e vetme dhe larg familjes e bën atë një femër të ftohtë e cila pikërisht për shkak të babait, zgjodhi të mos martohej kurrë. Mendja njerëzore ndonjëherë është e brishtë dhe ka ngjarje të cilat janë vendimtare në frikërat apo druajtjet tona. Ky raport midis saj dhe babait, në heshtje, apo edhe mamasë jo ekzistente, e bëri Aisin një femër unike në llojin e saj që ndoshta në rrethana të tjera nuk do t ishte ashtu.

A ka personazhe reale apo është imagjinare e gjithë historia?
Personazhe reale ka shumë. Madje një ose dy emra mund të jenë vajza që unë i njoh e ua di historitë. Megjithatë rrëfimi në vetvete është i gjithi një trillim. Vetëm disa detaje të vogla kam marrë nga ngjarje të dëgjuara.

A do të ketë vëllim tjetër?
Unë për Anabelën dua të bëj një vëllim të dytë, për t’u dhënë zgjidhje shumë enigmave që kam lënë në mes. Një miku im para disa ditësh, pasi kishte lexuar librin, më kritikoi rëndë për shumë gjëra të pasqaruara e që lexuesi kërkon ti dijë. Personalisht, duke qenë se dashuria ime e parë ishte një libër me vëllime si “Happy Potter”, i kam shumë për zemër librat me seri. Prandaj zgjodha që Anabela të mos mbyllet që në librin e parë.

Vajza në kopertinë është motra juaj, pse kjo zgjedhje?
Motrën e zgjodha sepse dua diçka shumë të personalizuar për librin. Që sa herë ta shikoj të kujtoj diçka. Dua që në librin e dytë të jetë po ajo. Edhe në të tretin… motrën do ta kem gjithmonë pas vetes që të rritet nëpër kopertina. 

Esmeralda Pirra


Sigal