Amnisti për 43 mijë diploma të (h)universiteteve kioska, njohje pa verifikim të 21 mijë diplomave të huaja

1443
Përparim HALILI

Tregu i diplomave false që druvarët dhe baxhoxhinjtë i ka bërë deputetë, ministra, ambasadorë, drejtorë dhe profesorë
Sipas një informacioni tepër të sigurt, skenari i amnistive ka nisur të përfshijë e do të do të përfshijë edhe sektorin e arsimimit të qindra e mijëra zyrtarëve të administratës shtetërore në Shqipëri, të cilët në 10 vitet e fundit, janë punësuar e janë emëruar në funksione zyrtare të çdo niveli, nëpërmjet diplomave që ata kanë blerë me lekë e me klering, me militantizëm partie e me shërbesa të tjera të çdo lloji. Eshët fakt i vetë-deklaruar edhe nga kryeministria, ministria e arsimit dhe nga vetë përfituesit, që këto diploma janë blerë në disa qendra kancelarie që vetëquheshin ”universitete”, por që shisnin kartonë diplomash. Shumë nga këto “kinkaleri-universitete” ishin licencuar nga Ministria e Arsimit, por edhe vepronin pa asnjë një leje, duke prodhuar “shkencëtarë” të çdo lloj profesioni, madje edhe në shkenca e profile që deri sot nuk ekzistojnë në asnjë universitet të botës! 
Gati projekti për legalizimin e diplomave të dhëna nga (h)universitet-kioska që u mbyllën 
Eshët gati në tavolinën e kreut të “Rilindjes”, një projekt vendim amnistie, që do t’i imponohet për zbatim jo vetëm Ministrisë së Arsimit, por edhe Drejtorisë së Administratës Publike (DAP) dhe të gjithë ministrive e njësive të pushtetit lokal të cilat kanë të punësuar si nëpunës e drejtues të çdo niveli, persona të pajisur me diploma false, fiktive e të paligjshme në ish-universitetet kioska që u hapën jo vetëm në Tiranë por edhe në fshatrat e atyre që i hapën! Ky projekt-vendim amnistie, që është i dyti akt i paligjshëm pas amnistisë fiskale që u fali miliarda lekë hajdutëve dhe trafikantëve e kontrabandistëve. Por nëse me amnistinë fiskale të ministrit Ahmetaj u dëmtua buxheti i shtetit dhe ekonomia kombëtare, me amnistinë e diplomave false e fiktive, shkatërrohet krejt administrata publike, ligjvënia (parlamenti), drejtësia, shkenca, arsimi, shëndetësia, kultura, energjia, transportet, bujqësia, mjedisi, pyjet, pasuritë ujore, ushtria, policia, diplomacia, siguria kombëtare e gjithçka që ka lidhje me funksionimin “mendor” të një shoqërie e shteti! Siç thuhet në informacionin që ka ardhur në “Telegraf”, kjo amnisti që do të firmoset prej kryeministrit vetëm 15 ditë para votimeve, parashikon të quaj të rregullta 43 mijë copë karton-diploma të prodhuara e shitura nga (h)universitetet kioska, ku vërshoi gjithë populli për t’u diplomuar në atë fakultet e profil që dëshironte, me synimin për ta futur në “CV” e për ta paraqitur në parti, ose tek shitësit e vendeve të punës në administratën publike! Madje, 31 mijë e 700 prej tyre, sipas evidentimit që ka bërë Ministria e Arsimit, rezultojnë të kompletuara me të gjithë nivelet e “masterizimit” shkencor e profesional. Këto copa kartoni me stampën “diplomë universitare”, pas amnistisë do të jenë të baras-vlefshme me diplomat e atyre që kanë studiuar realisht në Universitetin shtetëror apo në ato 2-3 universitete, shkolla e kolegje të larta universitare privatë, të cilat u lejuan të vazhdojnë aktivitetin e prodhimit të diplomave, titujve e gradave shkencore jo për shkak të cilësisë, por pazareve dhe ortakërive, në të cilët punojnë shtetarë e politikën të lartë! Me këtë legalizim, që kartonin e blerë me lekë, me dru zjarri, me fucoi djathi, me fasule, auto-vetura, kostume, lëndë druri e lule natyrale për vilat, “rilindja” po barazon diplomat e profesorëve dhe akademikëve, pedagogëve, shkencëtarëve, intelektualëve, studiuesve, historianëve e juristëve të njohur, me kartonë-diplomat e druvarëve, baxhoxhinjve, taksistëve, blegtorëve, fatorinove, xhenerikëve, suvaxhinjve e rojeve të parkingjeve, të cilët me këto diploma janë punësuar e janë edhe drejtues të lartë në administratën publike si zv/ministra, këshilltarë ministrash e kryeministri, sekretarë të përgjithshëm në institucione, prefektë, drejtorë arsimi, kulture, shëndetësie dhe specialistë qendrash kulturore të fëmijëve, drejtorë monumentesh e qendrash antike, shefa policie e komandantë ushtrie, ambasadorë, konsuj ambasadash e konsuj nderi. Këto kontinente analfabetësh që nuk din të shkruajnë as emrat e tyre, janë zgjedhur edhe deputetë, kryetarë bashkie e qarqesh, deri edhe kryetarë bordesh në sektorë financash dhe ekonomie kombëtare, paçka se realisht, sipas regjistrave të shkollave parauniversitare të fshatrave e qyteteve ku ata kanë nisur shkollimin, rezultojnë se janë jo vetëm me 5-6-8 e 10 klasë, por nuk kanë arritur të bëjnë “Festën e Abetares në klasën e parë (as 1 semestër)! Madje, 40% e tyre, rezulton se janë shefa zyrash e institucionesh të profesorëve, akademikëve, specialistëve dhe ekspertëve me kualitet profesional.
Shqiptarët kanë blerë diploma në rajon, të huajt i kanë blerë në Shqipëri
Për të fshehur falsitetin dhe fiktivitetin e diplomave me të cilat ata janë pajisur e punësuar, graduar e zgjedhur deri edhe deputetë në parlament, ka ndodhur kështu: Shqiptarët kanë blerë diploma universitare jashtë Shqipërisë si në Itali, Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Rumani, Turqi, Hungari, Kosovë, Greqi, Rusi e deri në Gjermani dhe Austri. Ndërsa të huajt, i kanë blerë diplomat në Shqipëri, pikërisht në këto ish-universitetet që u mbyllën, por edhe në disa prej atyre, që janë ende në aktivitet në Shqipëri, duke i paraqitur këto për punësime dhe karrierë zyrtare-politike në vendet respektive. Ka një fakt: 39% e diplomave që janë përdorur për punësime zyrtare dhe karrierë shtetërore në institucionet shqiptare, janë me vulë universitare “Made in Maqedonia”, 17% janë me vulë “Made in Rumania”, 19% janë me vulë “Made in Serbia, Kosova e Bosnja”. të tjerat, janë me “stampë” nga lloj-lloj shtetesh, pra në vendet ku i kanë blerë poseduesit dhe përdoruesit që janë graduar shtetarë, ligjvënës, diplomatë, politikanë e zyrtarë të lartë! Mjafton të hapësh dosjet e punësimeve të tyre dhe gjen diploma me logo universitetesh, që nuk i ka zbuluar dot as shërbimi satelitor. Janë me profile nga më të çuditshmet, që nuk njihen deri sot si shërbime apo profesione! Nëse amnistia e “rilindjes” do të “legalizoj” 43 mijë diploma të (h)universiteteve kioska shqiptare, po kjo amnisti diplomash, do të bëjë njohje pa verifikim edhe të 21 mijë diplomave me stampa universitetesh enigmatik të vendeve të huaja. Mos u çuditni, por duke lexuar “CV” e deputetëve, ministrave,, zv/ministrave, gjeneralëve të ushtrisë, krerëve të policisë, diplomatëve e drejtorëve të çdo niveli, konstaton këtë fakt: Askush nuk ka paraqitur kohën dhe vendin e përfundimit të shkollës së mesme. Afro 30% e tyre, nuk deklarojnë që kanë kryer nga një institut 1 vjeçar për mësuesi në vitet ’70!. Ata që kanë blerë dëftesa që nga fillorja, paraqesin vetëm “diplomat“ me logot e universiteteve fantazma jashtë Shqipërisë. Çudia vazhdon me faktin, që 58% e deputetëve dhe ministrave kanë pasqyruar në “CV” e tyre diplomim në 3-4 e deri në 10 universitet, kolegje, institucione arsimore-shkencore dhe specializime pasuniversitare në shumë vende të botës, por asnjeri nuk tregon fizikisht diplomat! 
Nesër do të lexoni
Cilat ministri janë të mbushura me zyrtarë e drejtues me diploma “kleringu”?
Në cilat institucione e shërbime publike, drejtojnë “profesorë” të tillë?
A do të njehsohen diplomat universitare me logo universitetesh të huaja?
A ka nisur një proces “Vetingu” nga shërbimet e specializuara për hetimin e këtyre diplomave?
Sa “profesorë” të tillë punojnë aktualisht në administratën publike, të cilët kanë fituar edhe Statusin e Nëpunësit Civil nga DAP, me testim me vlerësimin “Shkëlqyer”? 

box

Nga 88 mijë nëpunës, 49 mijë janë me diplomë juridiku, 51 mijë me 2-4 diploma
Burimet Njerëzore të Kryeministrisë, të 19 ministrive dhe 23 institucioneve shtetërore shqiptare, kanë dorëzuar 1 javë më parë në zyrën e kryeministrit, informacione të detajuara në lidhje me arsimimin e nëpunësve të tyre. Ky informacion është imponuar nga BE, si kërkesë për të evidentuar nivelin arsimor të administratës publike shqiptare, pas procesit të “Rilindjes” së saj, për të cilën janë harxhuar shumë energji e debate mes palëve me akuza për spastrime politike, shumë procedura administrative, shumë financime projektesh kualifikimi në miliona euro të akorduara prej BE dhe shumë luftë politike edhe brenda forcës qeverisëse “Rilindje”, në atakim me anëtarësinë, e cila kërkonte të punësohej në zyrat e administratës publike. Ajo që del nga informacionet e ministrive dhe të institucioneve publike, strukturë varësie ose shërbimi direkt e indirekt të ministrive, ka lidhje me një fakt që është tjetërsuar edhe në batuta humori të përdoruara prej kryeministrit Rama, si stigmatizim i “ushtrisë” së juristëve që kanë mbushur çdo “cep” të Shqipërisë, “prodhuar” prej universiteteve publike e private, të mbyllur e të mbetur hapur, deri edhe me klering. Dihet se ku dhe si është diplomuar kjo ushtri “juristësh” që ka pushtuar zyrat e shtetit. Janë “juristë” që kanë vetëm kartonin e diplomës dhe kolltukun që kanë uzurpuar me këto diploma e me diploma të tjera të çdo fakulteti brenda e jashtë vendit. Një tjetër shifër që del nga informacionet e nxjerra prej zyrave të burimeve njerëzore është fakti, që 51 mijë e nëpunësve dhe drejtuesve, punonjësve, sekretarëve e deri pastrueseve e magazinierëve të institucioneve shtetërore, rezultojnë të jenë me 2 e 4 diploma universitare. Ka nëpunës e drejtues, që kanë diploma universitare për marrëdhënie ndërkombëtare, për jurist e ekonomist. Kjo “çudi” konstatohet edhe nëpër bashki, qarqe e prefektura, ku jo vetëm kryetarët e bashkive, prefektët dhe drejtuesit e qarqeve, por edhe shoferët e tyre janë me diploma juridiku, ekonomisti, psikologu, sociologu, inxhinieri e diplomati… 
Sigal