Ambasada Ruse dekoron disa prej shqipëruesve shqiptarë të letërsisë ruse

1278
Sigal

Flasin ambasadori rus, Aleksander Karpushin, Anvi Xhelili, Nasho Jorgaqi, Elona Agolli, Atalanta Pasko, Drita Lazri, gruaja e Dalan Shapllo

 Një takim mbresëlënës. Një takim plot emocione, e ndërtuar si koncert. Mbresa, kujtime, recitime, interpretime. Plot dy orë në Akademinë e Shkencave, u dukën si dy minuta. Në këtë takim, me rastin e dekorimeve nga ambasada ruse në Tiranë të shqipëruesve shqiptarë të letërsisë ruse, ishin mbledhur akademikë, shkrimtarë, poetë, shqipërues, botues, miq dhe të afërm të atyre që dekoroheshin. Në tribunë, në drejtimin e aktivitetit ishin Ambasadori Fuqiplotë i Republikës Ruse, në Republikën e Shqipërisë z. Aleksander Karpushin, Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, z. Vlladimir Masallov, Dekani i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës z. Avni Xhelili, Kryetari i Akademisë së Shkencave z. Muzafer Korkuti, si dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi. Fjalën e hapjes e mbajti z. Avni Xhelili (njëkohësisht shqipërues i gjuhës ruse) i cili i bëri një rezyme përkthimit të letërsisë ruse në vendin tonë. Pas tij, fjalën e mori Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, z. Aleksander Karpushin. Në këtë takim u dekoruan përkthyesit Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Drita Lazri, Afrim Koçi, Petraq Kolevica dhe Myzejen Shapllo.

 Nasho Jorgaqi

 Ky vlerësim është një vlerësim emocional sepse unë jam edukuar dhe bumosur me letërsinë ruse, por me letërsinë ruse klasike, por edhe më vonë me letërsinë sovjetike për mëse 50 vjet. Letërsia ruse është një letërsi me talente të mëdha, është një letërsi me ide të përparuara, një letërsi humanitare, një letërsi që e bën për vete lexuesin. Unë vetë, personalisht, kam sjellë një ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë ruse siç ishte Çehovi. Ndjehem mirë që ky auto,r dhe pse kanë kaluar dekada apo shekuj, mbetet gjithmonë i madh, mbetet gjithmonë tërheqës, një ndër përfaqësuesit më të denjë ët letërsisë ruse. Letërsia ruse ka shumë korifenj dhe unë gjithmonë mendohem se kë mund të zgjedh për përkthim. Nuk kam vendosur ende, por di që duhet të përkthej sërishmi një prej gjigandëve të letërsisë ruse. Ata janë shumë dhe përzgjedhja është e vështirë,

 Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, z. Vlladimir Masallov 

Jam shumë i kënaqur që kam ardhur atashe kulturor në Shqipëri, pasi Shqipëria është vendi i fëmijërisë sime, vendi i ëndrrave të mia. Unë jam krenar që kam ardhur në Shqipëri, pikërisht në fillim të vitit, atëherë kur në Rusi ky vit është shpallur si viti i letërsisë.  Jam shumë i gëzuar që marr pjesë në këtë ceremoni të dekorimit të disa përkthyesve shqiptarë të gjuhës ruse dhe të rimëkëmb atë lidhje të madhe të së kaluarës midis dy letërsive tona.  Patjetër, për çdo shkrimtar dhe për çdo poet, është shumë e rëndësishme për pasqyrimin e krijimtarisë. Unë personalisht kam në plan të shkruaj disa poezi për Shqipërinë. E kam detyrim. Siç thashë më lart Shqipëria është vendi i ëndrrave të fëmijërisë sime, pasi unë në vegjëlinë time, në ish BRSS, kam parë me shumë dëshirë, vëmendje dhe habi filmin e udhëheqësit legjendar kundër turqve Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kanë kaluar gati më shumë 55 vite të atij filmi për udhëheqësin e Shqipërisë dhe ende unë ruaj kujtime dhe patjetër që unë të shkruaj një poezi për Skënderbeun. Është një detyrim shpirtëror për bëmat dhe famën e tij. Kjo do të jetë pak a shumë poezia ime, se nuk do të harrohet kurrë lufta e madhe dhe e pakrahasueshme e Skënderbeut, që e ngriti lart lavdinë e popullit shqiptar. Duke ardhur këtu në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë ma ka instruktuar dhe më ka vënë detyrë që të vendos kontakte të qëndrueshme midis përkthyesve rus dhe atyre shqiptar. Puna e përkthyesve është shumë herë më e vështirë se puna e vetë poetëve, pasi përkthyesi duhet të përsërisë në mënyrë sa më të saktë mendimin e poetit ose shkrimtarit. Më mbush me krenari fakti se këtu në Shqipëri jam takuar me njerëz që janë specialistë, që janë përkthyes të zotë të gjuhës ruse, të letërsisë ruse. Kjo nuk është pak. Javën e kaluar, në një ceremoni të tillë po në Akademinë e Shkencave, unë thashë se do të ishte shumë bukur n.q.s do të mund të përkthenim letërsinë shqiptare në gjuhën ruse dhe anasjelltas.  Unë i jam drejtuar z. Avni Xhelili, shef i Katedrës së gjuhës ruse në Universitet, dhe dikur ish diplomat, që të gjente një poezi të bukur shqiptare, për ta përkthyer në gjuhën ruse. Unë e kam konsideruar si detyrën time të parë me ardhjen në Shqipëri, përkthimin e një poezie shqiptare në gjuhën ruse. Miku im z. Xhelili, më gjeti dhe më bëri prezent një poezi të poetit Fatos Arapi që mua më bëri shumë përshtypje dhe unë do ta recitoj përpara jush këtë poezi.

 Myzejen Shapllo

Unë në këtë sallë nuk jam e vetme në përkthimin e veprave ruse, por jam e nderuar që jam një prej tyre. Unë jam e nderuar me këtë diplomë dhe dua ta ndaj këtë diplomë, jo vetëm me veten time, jo se më përket vetëm mua, pasi unë jam vetëm njëra prej asaj plejade të shkëlqyer të viteve të kaluara, të atyre përkthyesve të talentuar që u përmendën këtu. Pavarësisht se çfarë ere kanë fryrë mbi Shqipërinë, ata, nëpërmjet përkthimit të Korifenjve të letërsisë ruse, i dhanë Shqipërisë, popullit tonë, një letërsi të shkëlqyer. S’ka se si një letërsi e tillë, e një populli të madh, mos të ishte pjesë e popullit letërsidashës shqiptar. Kjo diplomë i përket dhe bashkëshortit tim Dalan Shapllo, i cili  nuk jeton më. Ai gjithë jetën e tij ishte një iniciues, studiues i letërsisë ruse, me përkthime, me botime, me përkrahjen e talenteve të reja, duke u dhënë mundësinë ti botojnë ata, për tu treguar se çfarë letërsie duhet të përkthejnë dhe s’ka se si një letërsi e tillë të mos jetë pjesë e jetës sonë, ashtu siç është dhe populli rus. Sepse fjala apo emri rus do të thotë Pushkin, Lermontovi, Dostojevski, Gorki, dhe të shumë emrave të mëdhenj të letërsisë ruse.

 Atalanta Pasko, vajza e Mitrush Kutelit (Dhimitër Pasko)

Faleminderit për këtë vlerësim, për këtë organizim të kësaj ceremonie nga ana e ambasadës ruse. Jam shumë e kënaqur që marr një vlerësim pikërisht në këtë kohë pasi mendoja se nuk do ta merrja. Eshët një punë e bërë me dashuri dhe me respekt, për të sjellë në Shqipëri, tek lexuesit tanë, letërsinë ruse, si një letërsi e veçantë, një letërsi që dashurohet nga populli ynë dhe kjo tregohet për përkthimet e shumta që janë bërë nga letërsia ruse në gjuhën shqipe. Me këtë rast, doja të uroja ambasadën ruse për vlerësimin që i bëhet babait tim, por njëkohësisht do të doja që ashtu si babai im i kushtoi një vëmendje të veçantë letërsisë ruse dhe e përktheu me shumë dëshirë, do të doja që dhe vepra e babait tim të përkthej në gjuhën e bukur ruse. Do ishte shumë i vlerësuar babai im dhe vepra  e tij n.q.s do të përkthehej. Besoj se këtë e meriton babai ,për përkushtimin që ka treguar ndaj veprave të gjuhës ruse në letërsi.

 Drita Lazri (bashkëshortja e Sofokli Lazrit)

Ndihem shumë e vlerësuar. Unë si pedagoge e letërsisë ruse dhe si përkthyese, e kam dashuruar shumë letërsinë ruse, por sidomos poezinë ruse. Poezia e ruse është e veçantë, ajo  të rrëmben, të bën për vete. Jo çdo popull ka nxjerrë poezi të tillë. Një poezi humane, një poezi e ndjerë, një poezi plot ndjenjë, plot mesazhe. Sa herë kam përkthyer këtë poezi kam humbur në detin e bukur të vargjeve brilante dhe kam harruar se çfarë bëj. Poezia është magji, është një art specifik që të mbush me emocione të veçanta. Unë, në këtë rast mora dhe nderimin që i bëhet  Petraq Kolevica, një poet i talentuar dhe përkthyes virtuoz. Është një ditë e shënuar, pasi merr vlerësimin atëherë kur nuk e mendon.

 Elona Agolli (vajza e Dritëro Agollit)

Është një ditë e veçantë për mua, ashtu dhe për babanë tim. Është një dekoratë e merituar për shumë arsye. Do të doja shumë që këtu sot të ishte babai im, por për arsye të pamundura ai nuk mund të ishte prezent fizikisht, por është shpirtërisht. Unë po flas në emër të tij, por do të ishte shumë më mirë të ishte Dritëroi dhe të fliste ai. Por, megjithatë, dua të theksoj se im atë është jo vetëm një poet i mirë por edhe një shqipërues i mirë. Por kjo pak njihet për të. Shqipërimet e tija janë po aq të bukura sa edhe poezitë e tij. Poetët rus tek “Shekulli i argjendtë,” kanë ardhur në shqip shumë bukur, si asnjë tjetër. Esenini, Majakosvki, etj., kanë ardhur në shqip në mënyrë shumë origjinale. Duhet të dalë në pah dhe kjo anë e Dritëro Agollit si shqipërues, pasi pak vetë e dinë.

  Aleksander Karpushin: Në botë ka shumë pak vende si Shqipëria, që e njohin aq mirë kulturën dhe letërsinë ruse

 Siç dihet, Rusia dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie miqësore shumëvjeçare, që bazohen në respektin e ndërsjellë dhe në qëndrimin dashamirës të të dy popujve ndaj njëri-tjetrit. Aktualisht jemi duke përjetuar periudhën e rivendosjes aktive të marrëdhënieve të ndërprera nga vendet tona për gati 30 vite. Duhet të pranojmë se fusha më e zhvilluar dhe më dinamike në agjendën tonë dypalëshe janë lidhjet kulturore dhe humanitare. Dhe një vend i veçantë në këtë fushë i përket bashkëpunimit në sferën e letërsisë. Së fundmi, në një bisedë private një diplomat shqiptar më tha: në botë ka shumë pak vende si Shqipëria ku e njohin aq mirë kulturën dhe letërsinë ruse. Dua të theksoj se në Rusi vëmendja e veçantë i kushtohet përhapjes dhe popullarizimit si të letërsisë klasike, ashtu edhe të asaj bashkëkohore. Për këtë dëshmon edhe ai fakt që viti 2015 është shpallur në Rusi si “Viti i Letërsisë”. Dhe veprimtarinë e sotme, këtë takimin tonë me intelektualët, kritikët letrarë, shkrimtarët dhe poetët shqiptarë po e zhvillojmë në kuadër të këtij Viti të Letërsisë. Javën e kaluar, po në këtë sallë, kemi dekoruar z. Jorgji Doksani, i cili është një specialist për gjuhën ruse, një përkthyes i dalluar i letërsisë ruse në shqip dhe një mik i madh i Rusisë. Kemi prezantuar këtu botimin e 12 vëllimeve të veprave të shkrimtarit të madh rus Fjodor Dostojevski, të përkthyera në shqip nga z. Doksani. E dimë që lexuesit shqiptarë shfaqin interes të madh për letërsinë ruse, sidomos për atë klasike. Pas Luftës së Dytë Botërore, veprat e shkrimtarëve rusë dhe sovjetikë, u botuan në Shqipëri në mënyrë shumë aktive. Pastaj, pas prishjes së marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona, shumë klasikë rusë u ndaluan. Dhe vetëm me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Rusisë dhe Shqipërisë, në fillim të viteve ’90, ata filluan të përktheheshin dhe të botoheshin sërish. Përveç Dostojevskit, shumë të njohur në Shqipëri janë edhe shkrimtarët e tjerë rusë, si Mihail Lermontov, Nikollaj Gogol, Ivan Turgenjev, Leon Tolstoj, Anton Çehov, Maksim Gorki, Ivan Bunin, Mihail Bulgakov, Mihail Shollohov, etj. Më duhet të nënvizoj se ky interes tradicional i vazhdueshëm të shqiptarëve ndaj arritjeve të kulturës ruse për ne, për Ambasadën tonë, është një sinjal shumë pozitiv dhe një shtysë e fortë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ruso-shqiptare në tërësi.Më vjen shumë mirë që sot në këtë sallë janë mbledhur, para së gjithash, ata përfaqësues të letërsisë, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër janë lidhur me letërsinë ruse. Këtu janë të pranishëm ata që i kanë kushtuar shumë vite përkthimit të veprave të shkrimtarëve të mëdhenj rusë, emrat e të cilëve janë bërë pjesë e thesarit të letërsisë botërore. Në emër të Ambasadës Ruse në Tiranë ju drejtohem juve, përkthyes profesionistë nga rusishtja në shqip, dhe më lejoni t’ju shpreh mirënjohje të thellë për talentin tuaj, për punën tuaj këmbëngulëse dhe për atë kontribut që ju jepni në popullarizimin e letërsisë, artit dhe kulturës ruse në Shqipëri. Jam i bindur që botimi i veprave të autorëve rusë është jashtëzakonisht i rëndësishëm si për Rusinë, ashtu edhe për Shqipërinë, se kontribuon shumë në pasurimin intelektual të vendit tuaj dhe, pa dyshim, i afron lexuesit shqiptarë me letërsinë e nivelit më të lartë.Jam i kënaqur t’ju njoftoj se për kontributin e madh në popullarizimin e letërsisë ruse në Shqipëri dhe për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe humanitar mes Rusisë dhe Shqipërisë, një nga përkthyesit më të mirë të letërsisë ruse, z. Mitrush Kuteli, dekorohet, fatkeqësisht pas vdekjes, me një diplomë dhe me medaljen e artë “Mihaill Lermontov”. Gjithashtu, me diplomat dhe medaljet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë dekorohen sot përkthyesit Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Drita Lazëri, Afrim Koçi, Petraq Kolevica dhe Myzejen Shapllo. Për ndarjen e çmimeve më lejoni t’ia jap fjalën një njeriu shumë të talentuar, një poeti të njohur rus, një ish-ambasadori dhe njëherësh sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, z. Vlladimir Masallov.

Albert Z. ZHOLI