Ambasada amerikane: Vizat që duhen për punësim në SHBA

2054
Zyra konsullore paralajmëron shqiptarët të bëjnë kujdes, në rast se duan të punësohen në “tokën e premtuar”. Si kualifikohesh për vizë vizitori
Zyra konsullore e ambasadës amerikane në Tiranë paralajmëroi qytetarët shqiptarë të bëjnë kujdes me vizat që zotërojnë, në rast se kanë planifikuar të punojnë në Shtetet e Bashkuara. Sipas ambasadës, në rast se qytetarët shqiptarë janë të pajisur me një vizë vizitori, e klasifikuar si e llojit B1 apo B2, nuk mund të punësohen gjatë qëndrimit në “tokën e premtuar”. “Shqipëri, ti vazhdon të më befasosh. Mbrëmë isha në një restorant vendas, ku hëngra qengjin më të mirë që kam provuar ndonjëherë dhe bëra një bisedë interesante me shefin e kuzhinës. Edhe pse ai donte vërtet të shkonte në SHBA për të punuar në restorantin e xhaxhait të tij, i thashë se nuk lejohet të punosh kur ke një vizë të kategorisë B1/B2. Ju lutemi, mos harroni se vizat turistike nuk janë viza pune. Kjo do të thotë se nuk mund të punoni për të afërmit në SHBA”, thuhet në deklaratën e punonjësit konsullor të ambasadës amerikane në Tiranë.

Viza e “vizitorit” është një vizë jo-emigrimi për personat që dëshirojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përkohësisht për biznes (viza B-1) ose për kënaqësi apo për trajtim mjekësor (viza B-2). Sipas ambasadës, në qoftë se qëllimi i udhëtimit është për turizëm, për të vizituar familjarë apo shokë, për të bërë një konsultë me partnerë biznesi, udhëtim për një konferencë apo konventë, ose për të negociuar një kontratë, atëherë aplikantëve do t’u duhet të aplikojnë për vizë vizitori.

Për t’u kualifikuar për një vizë vizitori, qytetarët duhet të provojnë që janë të klasifikueshëm si vizitorë sipas kushteve të Aktit të Kombësisë dhe Emigrimit. Një nga kushtet sipas ligjit është që çdo aplikant duhet të demonstrojë që nuk ka për synim të emigrojë në Shtetet e Bashkuara. Kështu që, aplikantët për vizë vizitori duhet të kapërcejnë këtë kusht duke provuar që qëllimi i udhëtimit të tyre është të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për biznes, kënaqësi, ose për trajtim mjeksor. Ata duhet të vërtetojnë se planifikojnë të qëndrojnë në SHBA për një periudhë të përcaktuar dhe të kufizuar kohe dhe se kanë fonde të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë lidhje bindëse sociale, familjare dhe ekonomike me vendin e tyre dhe se kanë një rezidencë jashtë Shteteve të Bashkuara, të cilën nuk kanë ndërmend ta braktisin.

Udhëtimi për qëllime mjekësore
Nëse qëllimi i udhëtimit në Shtetet e Bashkuara është për trajtim mjekësor, qytetarët duhet të paraqesin këto dokumente në intervistë:

Një diagnozë mjekësore nga mjekë vendas, që shpjegon natyrën e sëmundjes si dhe arsyen përse personi kërkon trajtim ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës;

Një letër nga një mjek ose njësi spitalore në SHBA, i cili shpreh dëshirën për të trajtuar këtë sëmundje të veçantë, duke specifikuar në letër kohëzgjatjen së planifikuar dhe çmimin e trajtimit (ku të përfshihen faturat e doktorit, faturat e spitalit, si dhe çdo gjë që lidhet me shpenzimet mjekësore);

Një deklaratë për mbulimin financiar nga individi ose organizata që do të paguajë për transportin, shpenzimet mjekësore dhe të jetesës së pacientit. Individi që garanton pagesën e këtyre shpenzimeve duhet të paraqesë prova që e ka mundësinë për ta përmbushur atë, shpeshherë në formën e vërtetimit nga banka ose vërtetime të tjera për të ardhurat/kursimet ose kopje te dëshmisë së taksave të të ardhurave. Në disa raste mund të jetë e domosdoshme që këto shpenzime t’i paguhen paraprakisht spitalit në Shtetet e Bashkuara.
Sigal