Amaneti i Trebickës: “Mos qani për mua”, por Shqipëria shpërthen në lot

249

Ikën gjeniu i komedisë. Paja: Trebicka në shfaqjet e fundit tha: “Kam ftohtë”, por nuk u dorëzua asnjëherë

“Artisti i Popullit”, Luftar Paja, kujton ditët e fundit me gjigandin e skenës shqiptare Roland Trebickën: “Rolandi ishte i papërsëritshëm dhe shumë i madh. Edhe si aktor edhe si njeri”, shprehet ai dhe menjëherë kujton ditët kur Trebicka mori përsipër realizimin e rolit të tij, tek drama “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Për këtë, Paja tregon: “Ai u përkushtua me gjithë shpirt, për realizimin e këtij roli dhe arriti një rezultat të shkëlqyer në përsosjen e figurës që interpretonte. Por ca ditë më parë, ai kishte ftohtë, për shkak të kushteve të vështira të Teatrit Kombëtar. Disa herë tha: “Kam ftohtë”, por asnjëherë nuk u dorëzua dhe me vullnetin e tij, të lartë, arriti të mposhtte çdo vështirësi”, përfundon Paja. Kjo ndodhi derisa vdekja e largoi atë nga skena, ku ai kishte vënë ëndrrat dhe planet e tij të mëdha për të ardhmen. Para vdekjes, fjalia e tij e fundit në formë amaneti ishte: “Mos qani për mua”. Por në fakt për humbjen e tij shpërtheu në lot e gjithë Shqipëria.  Ëndrra e Ismail Qemalit” drama me karakter historik, me autor  Bashkim Kozelin dhe me regjisor Spiro Dunin riktheu në skenë edhe aktorin Roland Trebicka, i cili luajti pas një shkëputjeje rreth dyvjeçare si shkak i një sfide shëndetësore. Konkretisht në këtë dramë ai luajti rolin e Seit Beut një rol i veçantë dhe një figurë historike jo dhe aq e njohur. Për vetë Rolandin “ky rol është i veçantë pasi thuajse nuk e njohin kështu që jam rehat, pasi do të jem vetvetja, por duke mos përsëritur asnjë rol tjetër”. Madje në provat gjenerale ai shprehet se: “Jovan Bregut nuk i ngjet”.  E ndoqa dy herë këtë shfaqje dhe në premierë salla e Teatrit Kombëtar ishte mbushur plot e përplot. Dalja në skenë e Roland Trebickës u prit me duartrokitje të stuhishme edhe pse ai ende nuk kishte folur. Pra, dëshira e publikut për ta parë në skenë mjeshtrin e madh të humorit ishte e madhe. Dhe ai sërishmi e justifikoi këtë interesim. Loja e tij ishte elegante, me një plastikë ndryshe, me një zë të bukur dhe lëvizje harmonike. Kritika e vlerësoi këtë rol dhe pse s’ishte ndër rolet kryesorë. Ishte një rol karakteri, por me një dimension njerëzor specifik. Një personazh tjetër nga ata që kemi parë në skenë Trebickën. Dhe ai ashtu siç pati deklaruar nuk ishte Jovan Bregu, por një Seit me karakteristikat e një Beu të mirëfilltë herë komik, por dhe herë dinak. Një rol që nuk është parë  herë tjetër në kostumin aktorial të Trebickës, rol të cilin ai e justifikoi plotësisht. Asnjëherë s’do t’i harroj duartrokitjet e spektatorëve në dy momente të  zhvillimit të dramës, në atë të hyrjes në skenë  dhe në fund të shfaqjes kur përshëndesnin spektatorët. Publiku duartrokitjet më të fuqishme ja dhuroi atij, Rolandit, aktorit më të spikatur të humorit shqiptar, atij që kish mëse dy vjet që i kish munguar skenës, atij që i ka dhënë publikut shqiptar, gëzim dhe  hare në momente  stresi, atij që mbushte ekranin me rolet e tij të spikatur, atij që në çdo moment ishte bërë shëmbëlltyra e humorit shqiptar. I thjeshtë deri në frymëzim, i dashur deri në papërcaktim.

Bujar Asqeriu “Mjeshtër i Madh”

Kam pasur fatin e madh që të luaj me këtë gjigand të skenës pikërisht në rolin e tij të fundit tek drama “Ëndrra e Isamil Qemalit”.  Më bënte përshtypje mobilizimi, përkushtimi, serioziteti. Shumë herë njerëzit duke e parë në skenë mendonin se Landi ishte jo serioz. Por  ai në përgatitjet për dramën apo komedinë ishte më shumë se aq. Mbi të gjitha ai ishte një njeri i kompletuar dhe një aktor i dimensioneve të mëdha. Në dramën e fundit jam shoqëruar shumë me të. Ai më mbante gjallë pas skenës. Disa sekuenca përpara se të dilnim në skenë aty pas kulisave bënte humor “mos e ngri shumë nivelin artistik”. Humori nuk i ndahej, asnjëherë s’u mposht durimi i tij, përballimi i skenës, ishte kolosal ndaj ai kishte fituar dhe  kishte merituar  respektin e të gjithëve. Dhe pse jo mirë me shëndet ai përgatitej si ne, punonte si ne, bënte humor me ne. Ky është Landi aktori i madh dhe njeriu me botë.  Ikja e tij është një ndër humbjet më të mëdha të artit shqiptar, pasi rolet e tij nuk mund të përsëdyten.

 Kush është Roland Trebicka

Roland Trebicka u lind në Korçë në vitin 1947 dhe u nda nga jeta me 6 mars 2013. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak: shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Vitet në këtë trupë profesioniste, ku debutuan edhe aktorë të tjerë të cilët më vone do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si: Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari ( Cekja), Mehdi Malkaj, Behar Mera etj., ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai u bë anëtar i kompanisë së Teatrit Kombëtar më 1971-n dhe punoi aty deri më 1999-n. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar, ku punon edhe sot. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”. Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetëra transmetime TV dhe dhjetëra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm.

Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trëndafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nasi). Është nderuar me titullin “Artist i merituar”.

Rolet

•      Te gjithë kanë huqe – (2009) teatër, komedi

•      Kohë për t‘u çmendur – (2009) teatër

•      Tifozët – (2004)

•      Po vjen ai – (1999)…Jovan Bregu

•      8 persona plus – (1994) komedi-teatër

•      Valsi i Titanikut – (1990) teatër

•      Pallati 176 – (1985) komedi…Jovan Bregu

•      Ëndërr për një karrige – (1984) …Vaska

•      Koncert në vitin 1936 – (1978)…..Nesti

•      Debatik (1961) …. Kosta

•      Martesa e avokatit

•      Dua një gënjeshtar

•      Berberi i Seviljes