Alush Milori, shqiponja e valles labe

1034
Sigal

Bisedë me ish shefin e Shtëpisë së Kulturës së Progonatit, Z. Shefik. K . Koka

Shefik Koka ka qenë njeriu që solli në skenat folklorike lokale e kombëtare këngën dhe vallen labe të Kurveleshit të labërisë. Në një bisedë me të ai tregon punën për ringritjen e kulturës në një nga zonat e thella të Labërisë, Kurveleshit, dhe pikërisht Progonatit. Vështirësitë dhe sukseset, ku një ndër ta është edhe vallja e burrave labërishte hedhur nga virtuozi Alush Milori. Valle që i ngjan fluturimit të shqiponjave me një koreografi, tekst dhe interpretim virtuoz të papërsëritshëm, por edhe të dhimbshëm se sot kjo vlerë e traditës kombëtare po përfshihet nga harresa.

 -Z. Shefki përshëndetje!Ta nisim këtë bisedë pikë së pari me situatën e shtëpisë së kulturës së Progonatit kur ju shkuat në drejtimin e saj. Si ishte kjo situatë në fshatrat e bashkuar të Progonatit?

-Po, përshëndetje edhe juve! Në vitin 1965 u ktheva në Progonat. Isha në vitin e fundit të shkollës së bashkuar të oficerëve në Tiranë, por u lirova me raport mjekësor pas një kurimi intensiv dhe mjekët konstatuan paaftësi për të vijuar më tej studimet si ushtarak. Kështu fillova punë si drejtues i shtëpisë së kulturës së Progonatit. Erdha plot mall në fshatin tim të bukur, si një oazë i vendosur mes maleve. Kjo më detyronte më shumë t’i përvishesha punës për ngritjen e kulturës në nivelet e kërkuara. Isha i ri dhe talentet nuk mungonin. Labi e ka në gjak këngën dhe vallen e rëndë të burrave, karakteristikë e kësaj treve, madje mund të them se janë pasaporta e Labërisë. S’mund të kuptosh Labërinë pa këngën dhe vallen e saj. Në ato vite shtëpia e kulturës qe në gjendje të mjerueshme. Ju përvesha punës. Qe vetëm një sallë 6×4 tek godina e vjetër e shkollës. Në mes një tavolinë mbuluar me beze të kuqe e rreth e rrotull ca stola druri. Një karrige ku ulej një nuse e re, e cila hapte dhe mbyllte derën e kulturës, dhe një dollap buke ku dergjeshin ca libra që kishte vite që nuk ishin zënë me dorë. Punonjësja e kulturës bënte triko gjithë ditën. Fillova punën pikë së pari, duke ngritur këshillin e kulturës ku në krye të tij do të qe kryetari i kooperativës, Alush Milori, përfaqësues nga organizatat e masave dhe aktivistë të dalluar me të cilët bëmë edhe planin mujor të punës, i pari deri atëherë në këtë lokalitet ku përfshihej informacioni nëpër brigada, recensione libri, përurimi i një biblioteke, furnizimi me literaturë të re, funksionimi i tabelave të emulacionit, krijimi i grupeve artistike, i teatrit dhe estradës ku shumë shpejt do të jepnim shfaqje në skenat lokale e kombëtare dhe do të merrnim atë famë që kemi sot. Jeta artistike u gjallërua. Një nga sukseset qe emancipimi i gruas dhe çlirimi nga zakonet prapanike mjaft aktive në këtë zonë. Kështu me grupet folklorike arritëm të jemi pjesëmarrës në festivalet folklorike të Gjirokastrës më 1968,1973,1978,1983. Po kështu ngritëm muzeun e Heroit të popullit Asim Zeneli në vitin 1974 me një ndihmë të madhe nga partia dhe pushteti, por edhe në sport arritëm rezultate, kështu ekipi “Shqiponja” luajti në kategorinë e tretë të kalendarit të futbollit të asaj kohe. U bë një punë e madhe ku nuk na munguan edhe sukseset.

-Të vijmë tek një prej figurave më të spikatura të valles lave, virtuozi Alush Milori, ç’mbani mend?

Para se të flas për këtë figurë do përmend edhe disa të tjerë aktivistë si Xhevit Abazi, Sali Shena, Ali Mida etj., si dhe gratë Elmazi Mida, Miribe Hila, Fato Qënaj, Filxhane Sena, etj..

Por, figura e Alush Milorit, nga Progonati i Kurveleshit, më është gdhendur në kujtesë që nga fillim vitet ’50. Ishte zot i këngës, i muhabetit e i rakisë Alushi. Me krijimin e kooperativës, më 1958, ku i deleguar qe Shqfqet Peçi, Alush Milori u zgjodh kryetar i saj, vetëm 30 vjeç, dhe e drejtoi këtë kooperativë për 20 vjet rresht dhe të gjitha ato rezultate në kulturë e sport kishin edhe mbështetjen e pa rezerva të tij. Dita e krijimit të kooperativës u kthye në festë. Buçiti kënga dhe vallja. Aty drodhi dhe vallen burrërore që do ta bënte më pas të famshëm Alush Milorin. Që nga ajo ditë nuk do ta ndalte vallen grupi i burrave në ç’do festë e tribunë festivali. E bukur si kënga edhe vallja labërishte. Kush i pa dhe nuk i pëlqeu valltarët virtuozë të Kurveleshit. U dallgëzoheshin fustanellat si deti që lëshon perlat. Në vitin 1968, grupi i valles me hedhës Alush Milorin mori pjesë në aktivitetin kombëtar në Tiranë dhe Krujë me rastin e 500 vjetorit të heroit kombëtar Skënderbeu, dhe në vitet 1973,1978,1983 grupi i valleve mori pjesë në festivalin folklorik kombëtar të Gjirokastrës. Alushi ishte valltar me shpirt poeti. 20 këngë nga repertori i grupit mbajnë autorësinë e tij por edhe nga autorë të tjerë progonatas redaktuar nga mjeshtri Maliq Lila. Progonati ngjan si një kështjellë gjigante. Fushë e rrethuar me male kryelarta. Pjesë e madhështisë së krahinës së Kurveleshit. Nga këto gryka majëmalesh kanë dalë nëpër shekuj plotë bëma trimërie e lavdie në kufijtë e legjendës, të gjitha përjetësuar në këngët dhe vallen e kësaj zone. Për katër dekada rresht jehoi nëpër skenat lokale e ndërkombëtare vallja karakteristike e burrave të Progonatit, hedhur nga virtuozi Alush Milori. Në shikim të parë Alushi dukej hijerëndë si malet. Kur njiheshe nga afër kuptoje thjeshtësinë, mirësinë dhe ngrohtësinë e tij. Dera e shtëpisë i qëndronte kurdoherë e hapur për miqtë. Rakia dhe miqtë nuk i mungonin kurrë. Kur hidhte vallen Alushi ngjante si një shpend gjigant. Me 60 palët e fustanellës së tij, të bardhë si bora e maleve, kombinuar me jelekun, peshlinë e tirqet, me trupin e tij bajrak të lartë, fluturonte në skenë si shqiponja që rreh krahët. Dy reshta valltarësh në formë gjysmërrethi që këndonin të njëjtin varg të alternuar me radhë secili, të bashkuar tek refreni, i jepnin një forcë shpërthyese valles dhe tekstit epik. Thirrja burrërore në fund të vargut, bënte të ndizeshin zjarr zemrat e valltarëve të tjerë. Me një shikim të rreptë, me një dredhje supi apo shamie, hedhësi i valles merrej vesh me mbajtësin e valles. Pastaj bënte atë rrotullimin tipik, duke rënë në tokë lehtë, për t’u ngritur rëndë aq sa thyhej dyshemeja e podiumi. Për Alushin bëhej kujdes i veçantë, që nga veshja se si do vishej në festivalet kombëtare. Me uniformën e bukur të Kurveleshit, me sharkun e zi dhe dyfekun krahut, ai u printe në ballë grupeve folklorike të Tepelenës. Pamja e tij të jepte imazhin e prijësit legjendar të historisë, nisur për të pushtuar kalanë e këngëve dhe valleve të Argjiros. Pra, Alush Milori, e afirmoi veten si bartës dhe ekzekutues i valles epike burrërore të Kurveleshit. Transmetoi me rigorozitet vlerat e traditës, e pasuroi me elementë të rinj dhe vlera estetike të spikatura. Rreshtin e dytë të valles e hiqte Neim Milori, vëllai i Alushit. Dy vëllezër valltarë. Një traditë familjare. Mbajtësit e valles qenë Sali Shena e Xhevit Abazi. Valltarët e tjerë zgjidheshin e ndërroheshin herë pas here. Ramazan Bogdani ka shkruar: “Nëse Besim Zekthi ishte bilbili i Tiranës, Alush Milori ishte bilbili i Progonatit”. Besim Zekthi mësoi nga Alush Milori dhe futi vallen labërishte në repertorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shtetërore. Muzikologu ka shkruar se: “Kur hiqte vallen Alush Milori, sikur dridheshin muret nga temperamenti i zjarrtë, nga vrulli i brendshëm, nga pasioni i madh”. Sëmundja e zemrës e ndau nga jeta. Me këtë rast poeti Izet S. Çulli shkroi atëherë vargjet:

“Alush, o miku i zëmrës

Merrja edhe njëherë këngës”.

Sot era e maleve përkund degët e rrapit shekullor të Progonatit, aty ku dridhte vallen Alush Milori me shokë. Era tund edhe degët e mollëve që u mbollën kur Alushi drejtonte ekonominë e Progonatit. Të ngjan sikur kjo lëkundje është vazhdim i valles epike të Alush Milorit, i cili ka kohë që nuk është midis nesh fizikisht, por i gjallë me veprën, këngën e vallen e tij. Kjo nanuritje degësh ja bën të lehtë gjumin e përjetshëm Alushit dhe shokëve valltar të tjerë të ndarë nga jeta. Përkundja e pemëve vazhdon në përjetësi. Dhe kënga thotë:

“Edhe zogjtë thonë,

Këtë zë kush e përcolli,

Nëpër kohë do gjëmojë,

Vallja nga Alush Milori”.