Altin Koruti: “Ëndrra e një nate vere” balet me përmasa botërore, Sukniqi di ç’bën

550
Sigal

INTERVISTA/  Flet balerini Altin Koruti: Të jesh solist në TOB të Greqisë do punë dhe korrektesë perfekte

Ka më shumë se dy muaj  që në TOB, trupa e baletit po bën përgatitje  për baletin “Ëndrra e një nate vere”. Ky balet është mbështetur në veprën e Shekspirit, me muzikë të Mendelson Barthold, dhe në javën e parë të qershorit do të ngjitet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Koreografi dhe regjisori i kësaj premiere Arjan Sukniqi në  provat me trupat kombëtare të baletit,  ka thirrur nga Athina edhe dy prima-balerinët më të njohur shqiptarë, të cilët prej 20 vjetësh zhvillojnë karrierën në shtetin fqinj, Greqi. Njëri prej tyre është solisti, apo kërcimtari i parë i TOB-it të Athinës, Altin Koruti

Baleti, një profesion shumë i vështirë, por po aq i bukur, si e nise këtë rrugëtim?

Kam mbaruar shkollën e mesme të baletit këtu në Tiranë, në shkollën “Jordan Misja”. Mbas përfundimit të shkollës së mesme u futa në TOB, ku punova një vit e gjysmë. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, pra ishin vitet 1990, kur ne sapo përmbysëm një regjim. Edhe unë si shumë shok të mijë kisha dëshirën për të parë më shumë, për të mësuar më shumë, për të ecur më shumë në rrugën e bukur të baletit. Mundësia e parë që m’u dha ishte Athina. Mendova se do na prisnin mirë, do gjenim punë menjëherë, pasi mendoja se isha i aftë që të pretendoja si balerin dhe në Athinë. Por në të vërtetë nuk ishte ashtu. Greqia vërtet ishte në vitet më të mira ekonomike, por aty kishin zbarkuar nga gjithë bota dhe ishte e vështirë të evidencoheshe që në fillim. Ashtu si shumë shokë të mi edhe un në fillim bëra punë të ndryshme derisa m’u dha rasti të konkurroja në Teatrin e Operës dhe Baletit në Athinë. Angjelos Haxhis, ishte koreografi grek që më dha ndihmë që më dha orientimet e para. Ai ishte njëkohësisht dhe kërcimtar i parë të baletin e Athinës. Ai më sugjeroi se si të bëja edicion për të fituar të drejtën që të hyja në TOB të Athinës.

Çfarë viti ishte?

Ishte viti 1994, kur në Greqi kishin zbarkuar mbi 500 mijë shqiptarë. Në atë kohë në këtë Teatër të Operës dhe Baletit kërkohej vetëm një balerin. Ishin mbi 200 konkurrues. Për çudi në fund të audicionit unë dola i pari. Ishte dita më e bukur e jetës time. Ishte dita që mua më hapi dritaren më të bukur të jetës. Sa nuk fluturoja. Nuk po e besoja. Pra që në vitin 1994 deri më sot, unë jam solist në TOB e Athinës dhe po mbush 20 vjet karrierë. Kam kërcyer shumë role.

Cilat janë disa nga rolet kryesore që keni luajtur në Athinë?

Janë të shumta. Për herë të parë m’u dha roli i Karagjozit në teatrin e Miki Theodhoraqit. Më pas kërceva rolin e Tibaltit  dhe Bazilion tek Don Kishoti . Për çdo vit thuajse vinim në skenë pjesë të ndryshme botërore nga më të bukurat. Më vonë me drejtorin tonë Renato Zhanena m’u dha rasti ta kërcej këtë rol, pastaj rolin e Merkuçios tek “Romeo dhe Zhuljeta”,  një rol i vështirë.

Në të gjitha këto role keni kërcyer si solist, kërcimtar i parë?

Po, në të gjitha si kërcimtar i parë. Aq kohë sa jam në Athinë kam luajtur role solistikë dhe role kryesore.

Ju keni lidhur kontratë të përhershme me këtë teatër?

Po, kontratë deri në moshën e pensionit. Dhe mosha e pensionit për profesionin tonë të baletit është 48 vjeç.

Kur ka qenë dita më e vështirë në këto role që me të vërtetë janë nga pjesët më të bukura të botës?

Të themi të drejtën këto role janë të gjithë të vështirë, kanë të gjithë specifikën e tyre, vështirësitë e tyre. Janë të bukura pasi janë të vështira. Por veten më keq e kam ndjerë tek pjesa “Liqeni i mjelmave”, ku ne e kërcejmë çdo verë në teatrin e hapur “Akropolis” dhe mbaj mend  se kërcimtar i parë, solist ishte Zelencki një kërcimtar nga më të mirët në botë  dhe unë kisha rolin e dytë pas atij, rolin e Shakaxhiut, gaztorit. Tre javë para se të jepja shfaqjen më kap një dhimbje mesi. U mërzita shumë, pasi nuk mund të bëja prova të plota. Kryesorja ishte se këtë rol e doja shumë, por njëkohësisht luaja me një personalitet botëror të baletit. Mjekët më qëndruan shumë afër. U thoja bëni çmos që të mos e le këtë shfaqje në mes. Ditën e shfaqjes u futa përsëri me dhimbjet e mesit, por nga adrenalina shpirtërore dhe nga entuziazmi i publikut, ku në teatrin e hapur kishte 5 mijë veta, më iku komplet dhimbja dhe e nxora rolin të plotë, sikur të mos kisha asgjë. Në fund duartrokitjet nuk kishin të sosur. Lotova nga gëzimi. Ishte një ditë e veçantë e karrierës time të cilën e çova me sukses në fund.

A ke ndjerë shenja racizmi në TOB-in, në Athinë?

Kur u futa në vitin 1994, askush s’e priste që të fitoja unë. Nami për ne atë kohë ishte shumë i keq. Kur fitova, gazetat shkruan të gjitha me germa kapitale “Një shqiptar fiton të drejtën të futet në TOB të Athinës”. Askush nuk e besonte, racizmi në atë kohë ishte i madh dhe ne na dinin njerëz me bisht. Madje, ndonjë gazetë e çonte deri aty arsyetimin saqë thoshte, pse nuk ka balerinë Greqia që fitoi një shqiptar? Pas atij momenti nuk kam ndjerë më shenja racizmi. Përkundrazi jemi si në një familje dhe e duam shumë njëri- tjetrin.

A ka shqiptarë të tjerë në trupën tuaj të Athinës?

Po, aktualisht në TOB e Athinës jemi 11 shqiptarë, të cilët dhe ata janë nga më të mirët. Nga këta vetëm dy janë me kontrata të përsëritshme, por që tashmë dihet, balerinët shqiptarë i dhanë një shtytje baletit grek, pasi shkolla jonë ka qenë shumë e mirë. Edhe sot ata habiten me shkollën tonë. Ne kemi shkollën ruse dhe kudo balerinët tanë janë ndër më të mirët.

Po roli që po luani tani në TOB, Tiranë a e keni luajtur në Greqi?

Po. Në vitin 1993 kur shkova në Athinë shfaqja e parë që pashë në skenë në Greqi me koreografin grek ishte ky balet “Ëndrra e një nate vere”. Më pëlqeu shumë roli i Pukut, apo Elfit (Xhindi, magjistari). Koreografi grek më tha që ky rol të shkon shumë. Por që nga 1993-shi, ky balet nuk është vënë në skenë në Greqi dhe tani Arjan Sukniqi më jep rastin që ta luaj, që ta plotësoj këtë ëndërr të madhe. Ky është një rol i veçantë i jetës sime dhe unë po e luaj premierë. Pra pas 20 vjetësh po e luaj në atdheun tim dhe kam dy herë më shumë emocione, sepse luaj në vendin tim dhe luaj premierë.

Kur je ftuar për herë të parë nga Sukniqi në Tiranë?

Për herë të parë në vitin 2010, Arjan Sukniqi më besoi rolin e Zorbas. Ishte një shfaqje shumë e bukur që më ka ngelur ende në mendje. Dua ta luaj sërish këtë rol këtu pasi pati shumë sukses.

Ka përafërsi në mes dy trupave të baletit atij të Athinës dhe Tiranës?

Secila trupë ka të veçantat e saj dhe të përbashkëtat. Por shoh se publiku ynë për çdo ditë bëhet më i lidhur me baletin, bëhet më i dashur me të. Baleti është një profesion i bukur dhe pse shumë i vështirë.

Keni ndonjë peng?

Jo, nuk kam peng, pasi mua më ftuan të bëja kontratë dhe në Holandë një regjisor që më dha rolin e Tibaltit, i cili erdhi në Greqi për këtë pjesë, dhe më vonë më tha që të rrija në Holandë, por unë nuk pranova.  Edhe në Francë më bëri ofertë një regjisor i madh francez, por nuk pranova. Unë kur lidhem diku e kam të vështirë të shkëputem.

Kur shfaqen shenja racizmi në Greqi ndaj nesh si ndihesh?

 Nuk ndihem mirë, por dua të them se racizmi ka rënë dukshëm, pasi shqiptarët janë integruar, janë përshtatur në jetën greke. Unë jetoj në Glifadha, jam i martuar dhe kam dy vajza. Në Glifadha kam dhe një shkollën time për balet. Kjo më pengon të kthehem përfundimisht në Shqipëri. Por tashmë Shqipëri- Greqi është fare afër, sa nuk ndihen largësitë.