Alma Sulaj:Ne jemi përfaqësues të atij brezi që jetonim me modele dhe idhuj

1094
Sigal

INTERVISTA/ Flet gazetarja e “Top Chanel”, Alma Sulaj

 Nga Radio- Tirana në Top Media. Një rrugëtim i bukur ku ajo ka mbresa të veçanta. Ndonjëherë pendohet për rrugën që ka zgjedhur por menjëherë gjen forca dhe i kalon pengesat pasi është e dashuruar me këtë profesion. Sipas saj, vështirësitë lidhen me “dëshirën” e mirë për të qenë në kohë me lajmin e duhur dhe zërin e duhur… Në bisedë thekson se, femra shqiptare, ndihet pjesërisht e vlerësuar, kjo nga pamundësitë që i ofron shoqëria, ose nga “personaliteti” i brishtë që vazhdon të gëzojë ajo.

 -Kur dhe si trokiti në dyert e Radio –Tiranës, Alma?

 Sapo kishin ndodhur ndryshimet ne Shqipëri. Të mendojë në atë kohë që t’i mund të bëheshe zëri dhe pjesë e stafit të Radio-Tiranës ishte privilegj dhe përgjegjësi. Të duhej të punoje me zërat me të njohur radiofonik të asaj periudhe dhe gazetarët që kishin bërë emër dhe “identifikoheshin” me valët e Radio-Tiranës, ishin Adi Krasta, Arian Dodbiba,  Jani Duri, Vangjel Kozma, Antoneta Malja, Alfred Kanini, Arqile Ndini. Isha 21 vjeç, me pak eksperience në radio, me dëshirën e madhe për t`u marr me art dhe pa e ditur se çfarë do te “ishte” të “bëje” gazetari. Dhe ne këtë “kaos” dëshirash, tentova të bëja provën e parë në radio. Mbaj mend ditën dhe momentin, kur u gjenda në studion e regjistrimit, të katit të katërt, në Radio-Tirana. Ishte  thjesht një prove, nëse zëri im ishte “i duhuri” apo jo. Ishte regjistrimi i emisionit Jeta-Kultura-Arti që drejtohej nga gazetari Adi Krasta. Ndërsa në pultin e regjistrimit ishte montazhieria e njohur Razije Katroshi. Së bashku me Adin lexuam një letër qe kishte ardhur nga dëgjuesit. “Ethet” e mia përziheshin me “pasigurinë” dhe “dëshirën” për t`u prezantuar mirë. Kisha gjetur rrugën për të hyrë në atë që sot mund ta quajmë  “industri” te gazetarisë,  duke ngjitur tre kate  dhe duke m`u dhëne atributi  se, “mund të isha  e aftë për të ushtruar ketë profesion”. Atëherë, nuk kishin nisur ende  transmetimet e drejtpërdrejta, do të duhej edhe pak kohe që faqosja e programeve të Radio-Tiranës të niste me emisionet e mëngjesit. Gazetarët, ishin të pareë  që  përcollën  ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërinë, ata ditën ta  mbanin publikun te mbërthyer,  duke synuar të jenë mbi të gjitha profesionistë. Me pas situatat rrodhën të tilla, një ambicie pozitive dhe pak përkushtimin me dhanë të drejtën “të bëhesha” nga zërat e njohur në Radio-Tirana, së bashku me prezantuesit dhe gazetarët e tjerë të brezit tim, që vazhdojnë t`i qëndrojnë besnik profesionit të tyre dhe të rezistojnë në treg “pa sforco” .

 – Kush ishte nxitësi juaj për t’u bërë gazetare apo ishte një dëshirë e brendshme?

 Ne jemi përfaqësues të atij brezi që jetonim me modele dhe idhuj. Këta të fundit i gjenim, brenda ose jashtë kufijve te Shqipërisë. Edhe Radio-Tirana ishte pjesë e “institucioneve” të tilla. Në fillim ishte dëshira që zëri yt të dëgjohej në ato valë,  që për vite me radhë,  të dukeshin të largëta  me miliona vite drite. Nuk e kuptoje se guximi, këmbëngulja dhe iniciativa ishin “sekretet” për të “shkelur në atë terren” që të dukej sikur ekzistonte në “hënë” dhe jo 140 kilometra larg qytetit tënd të lindjes. Më pas, ajo lloj pune, që në çdo moment “provokon” emocione,  pasiguri,  sodisfaksion për atë qe e mendon të parealizueshme, të bëhet pjesë e jetës dhe ti e kupton se nuk jeton dot pa të. Kështu respektova  ketë të fundit, duke refuzuar rastet për të qëndruar larg këtij profesionit që ka lidhje të drejtpërdrejt me “mikrofonin”…

  -Cila ka qenë dita më e vështirë në radio?

 Unë tani mund të flasë për dy radio, Radio-Tiranën dhe Top- Albania Radio-n. Në Radio-Tirana kemi kaluar momente të vështira, nëse bëhet fjalë për pjesën që ka të bëjë me mikrofonin, ka qenë një nga takimet e emisionit “Heshtje jo” , kur një ore para transmetimit nuk kishim ende të ftuarit për rubrikën “shpirti binjak”, dhe i gjetëm, rrugëve të kryeqytetit, në mbrëmjet e nxehta të gushtit, kur pjesëmarrja në një emision radiofonik për ta ishte “çudi”, ndërsa për ata që e ndiqnin këtë transmetim, çdo të shtunë, në radio, ishte një natë e bukur, për shpirtrat e tyre që gjenin “prehje” përmes filozofisë, përsiatjeve, komunikimit të drejtpërdrejtë,  poezisë dhe muzikës së bukur… Ndërsa larg mikrofonit,  ka qenë 14 shtatori i vitit 1998,  ndërsa institucioni pushtohej  nga njerëz të armatosur,  kuptova që “idhujt” , si ne rastin e këtij institucioni, janë prej letre. Por, nga ditët e mia ne radio, nuk doja te përjashtoja ato  në Top Albania Radio. I konsideroj  nga më të bukurat në jetën time. Vështirësitë lidheshin me “dëshirën” e mirë për të qenë në kohë me lajmin e duhur dhe zërin e duhur….dite të vështira nuk kam patur, ndërsa “të bukura” , çdo njëra prej tyre ka qenë e veçantë,  për ketë arsye e vlerësoj të bukur…

  -Mund të na përcillni emisionet që ju keni realizuar në Radio?

 Emisionet që janë realizuar në radio, janë të shumtë, përgjithësisht emisione të spektaklit radiofonik. Emisionet e mëngjesit, kanë qenë pjesë e rëndësishme e periudhës së punës në Radio-Tirana, antologjitë kulturore, emisione  mbrëmjeje, gjithashtu, kam punuar si reporterë për edicionet e lajmeve.

 -Nga Radio- Tirana në televizionin më të fuqishëm shqiptar “Top Chanel”. Ç’përbën për ju ky fakt?

 Ende pa u hapur “Top Channel”, kishte zëra se, një “televizion” i fuqishëm do të ngrihej tek ish-piramida, ku gjendemi sot. Instinkti e besoi. Edhe pse qe ne themelimin e tij u interesova te isha pjese e këtij televizioni, nëpërmjet Enkel Demit dhe Aldon Lipes, “dëshirat” nuk u përmbushen ne kohe. Ne momentin e pare kur u ofrova pranë Top Albania Radios, përgjegjësia ishte e madhe. Me emrat përreth me te cilët kisha njohje pune dhe personale, nuk ishte e thjeshte. Te bëheshe zëri I Top Albania Radios, ne atë periudhe, kur kjo radio, kishte rrëmbyer zemrat e te rinjve dhe ishte bere “tempulli I lajmit” , do te duhej ta justifikoje ketë besim. Zamira Koleci, Albert Prifti, Mimoza Picari, Denis Dyrnjaja, Eno Popi, Suela Musta ishin bërthama e kesaj redaksie qe ne atë kohe konsiderohej”lokomotiva “ e transmetimeve radiofonike ne drejtim te informimit. Edhe sot e ndjej atë peshe, me profil me shumë nga televizioni, nëse e kupton se çfarë do të thotë te punosh në Top Channel.

 -Si punohet në Top Chanel?

 Punohet me pasion, përgjegjësi, sakrificë dhe përkushtim. Nëse  në paketën tënde “këto tipare” nuk bëjnë pjesë, ose bëjnë pjesë në mënyre të pjesshme, t’i nuk mund të përfshihesh në këtë institucion  televiziv. Asnjëherë nuk të komunikohen këto kritere, por t’i duhet t`i kuptosh, përndryshe “përjashtohesh” nga radhët, ose “vetë-përjashtohesh”. Dhe nuk ka kthim pas, veçse t`i thuash atij vendi, që deri dje e ke konsideruar “ëndërr” , mirupafshim…

 -Je penduar që keni zgjedhur radiotelevizionin si profesion?

 Pendohem, vetëm atëherë, kur bateritë e mia janë shkarrikuar dhe nuk kam me “fuqi” dhe “dëshire” për t`i bërë autosugjestion vetes. Por është momentale, vjen dita tjetër dhe mendja punon për “më të mirën” …

 –A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare?

 Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë “maskiliste”. Dhe për ketë arsye është shumë e vështirë të përcaktosh kufijtë normal gjinor. Mendoj se, femra shqiptare, ndihet pjesërisht e vlerësuar, kjo nga pamundësitë që i ofron shoqëria, ose nga “personaliteti” i brishtë që vazhdon të gëzojë ajo. Disa vite më parë, na u krijua përshtypja se femra shqiptare do të merrte fatin në dorë,  me  guximin e saj kur kapërceu  kufijtë shtetëror, duke emigruar jashtë Shqipërisë dhe duke ndërtuar atje një jetë  të re. . Ose  brenda  Shqipërisë, ku “zëri i saj”  filloi të dëgjohej përmes krijimit të organizatave të ndryshme të gruas,  por destinacioni i punës se tyre, mesa duket  nuk u përmbush. Siç ndodh gjithmonë në shoqëritë e pakonsoliduara. Ato e kanë fituar “pavarësinë e tyre” , por , mund të themi për një pjesë, i shohim shkrimtare, artiste, përkthyese, gazetare dhe prezantuese televizioni, sportiste të mira, që konkurrojnë me meshkujt. Por këto përbejnë pakicën. Kur themi vlerësim, duhet t`i kthejmë sytë nga familja. Nëse kjo e fundit e shikon femrën me mëdyshje për aftësitë e saj, atëherë me të njëjtin sy do ta shikoj edhe shoqëria…

   -Alma televizioni dhe libri. Në kohën e lirë sërishmi i kushtoheni televizionit apo krahas tij dhe librit?

 Televizioni me pëlqen për të mësuar, ndoshta është profesionale, ndërsa “libri”  është “dashuria ime e  fshehur” , nuk flas shumë për të, sepse  puna nuk më lë të lexoj shumë dhe ta shijoj. Gjithmonë  kam dëshirë të shfletoj, mundohem të seleksionoj letërsinë e duhur…më tepër e zgjedh vetë,  mjafton të lexoj pak rreshta dhe e kuptoj stilin e të shkruarit dhe vlerën e tij. Sot, libri dhe kinemaja janë shumë pranë, në kuptimin që kinematografia po bazohet në kryeveprat  botërore të  letërsisë moderne. Janë larg njëra-tjetrës, në atë që gjen, por një  mundësi për të menaxhuar morinë e madhe të librave që pushtojnë tregun tonë, në pamundësi për t`i blerë të gjitha. Një libër për mua është  si “objektet ” e çmuara të një familjeje, i pari ekspozohet në raftet e shtëpisë,  të dytat , mbahen të fshehura dhe u tregohen vetëm njerëzve të “shtrenjtë”   për të cilët dhurata më e bukur, padyshim do të ishte  “një libër”….

 -Pengu i moshës?

 Një studim në Akademinë e Arteve të Bukura  për  aktrim ose  regji. Nuk e di si do të rridhte jeta ime, nëse do ta realizoja një gjë të tillë. Pengjet janë të dëmshme, kam përshtypjen se të rikthejnë tek i njëjti vend apo e njëjta pikënisje kur përballesh me momente të vështira…Mirë është të mos kesh shumë…

  -Mendimi juaj për politikën shqiptare të tranzicionit?

 Është politik,  ndonjëherë mendoj diletante, ndonjëherë “diabolike” , ndonjëherë “mesjetare” . Ne këto 20 vjet nuk kemi dëgjuar asnjë  “ide” kreative të zhvillimit të vendit,  them në planin social dhe atë ekonomik. Ato më tepër janë huazuar nga vende që në shoqërinë tonë kanë rezultuar “ të dështuara”. Në këtë pikëpamje Shqipëria duket eksperimentale, një eksperiment që nisi që në vitet `90 dhe që vazhdon ende… Politika shqiptare më tepër tingëllon  gjakatare, sesa “komunikim diplomatik” mes palëve, në shërbim të një populli,  të një vendi apo të një kombi. Mendoj se politika shqiptare është “unike”, “autentike” e  paaplikueshme në asnjë shoqëri tjetër, do të dukej “utopike” nëse do të merrej si model, e ngjashme me teoritë e materializmit dialektik. Them se, “nuk është proces në zhvillim” , është  e pashërueshme nga “plagët” ,  nuk di të them nëse është “faji”  i së kaluarës sonë diktatoriale, apo është thjesht  çështje “gjenetike” , paaftësia për të ndërtuar një shtet  të së drejtës, që vitin e kaluar mbushi 100 vjet. Janë thjesht vite, jo procese, për të cilat duhet të krenohemi dhe të nderoheshim para “themeluesve” të shtetit  shqiptar, të cilët tani më shumë do t`i gëzoheshin “mbijetesës” sonë,  sesa  arritjeve   dhe  zhvillimit tonë kombëtar.