Alketa Maksuti Beqari me një dramë të re “Dashuri e Verbër”

914
Sigal

Alketa Maksuti Beqari është
dramaturge, skenografe dhe shkencëtare, e cila ka lindur në Drithas, Korçë në
prill 1971. Studimet e larta i ka mbaruar në vitin 2011, Master Shkencor, dega
e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Vazhdon studimet Postmaster për Energji të Rinovueshme në TU, Vjenë. Gjatë
viteve nga 1993 – 2005 ka punuar mësuese Matematikë – Fizikë dhe ka dhënë
mësime private për nxënës dhe studentë në shkencat ekzakte. Nga 2012 – 2015 ka
punuar Sekretare e Drejtorit në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe
Veterinarisë. Pasioni i saj është, letërsia, publiçistika dhe radio. Libri i
saj i parë me poezi titullohet “Parametrat”, botuar në vitin 2000
nga shtëpia botuese “Camaj- Pipa”. Ka shkruar dhe ka realizuar dramën
e suksesshme “Premtimi” (tetor 2014-qershor 2015), e cila u vendos në skenat e
teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatri Kombëtar në Tiranë, me
regji të Vasian Dhimos, me menaxhim nga Miarbi Maksuti, i cili ishte edhe aktor
kryesor në dramë. Tani, Alketa po meret me dramën e re “Dashuri e Verbër”, të
cilën sapo ka mbaruar së shkruari skenarin dhe dëshiron ta shfaqë në skenat
teatrale në Shqipëri dhe Kosovë. Gjithashtu ajo është moderatore e Emisionit
“Bërthamë” në Tiranë, për Radio Liria, me qendër në Austri, me kryeredaktor
Haxhi Muhaxheri. Emisioni “Bërthamë” realizohet çdo të enjte ora 21:00 / 21:30
me transmetim të drejtëpërdrejtë në Radio Liria 
http://radioliria.com.

Bisedoi
Ermira Babamusta

 Prishtina
Press: Përshendetje Alketa. Urime për realizimin me sukses të dramës
“Premtimi”. Si lindi ideja e skenarit?

 Alketa
Maksuti Beqari: Shkrimi i dramës “Premtimi” lindi nga dëshira ime për të
komunikuar me Nënën në botën e përtejme. Në kohën që Nëna ime u largua nga jeta
kishte brengën për mua që të mbaroja studimet e larta. Ishte një amanet që unë
ia pëshpërita në vesh ditët e fundit të jetës së saj, kur ishte në rrugëtimin e
botës së përtejshme. Viti 1998, Maj.
pas duke e kthyer këtë bisedë në dialog mes nesh,nga ditar e ktheva në dramë me
dy personazhe Nëna dhe unë. Kështu e lexoi dramën Regjisori dhe Aktori i
Nderuar Dhimitër Orgocka, i cili më nxiti ta zgjeroja dhe me personazhe të
tjerë. Dhe drama mori trajtën që u shfaq në Teatër pas shumë vitesh si u
shkrua. Gjithëherën e punimit të saj Dhimitër Orgocka ishte redaktues dhe
këshillues i dramës. Falë tim biri, Miarbi Maksuti, i cili ma premtoj se do ta
vendos në skenë dhe e mbajti premtimin me këmbënguljen dhe guximin e tij drama
u shfaq. Ngjarja është pjesërisht
një autobiografi, për të nxjerrë në dukje mbajtjen e premtimit që unë i dhashë
Nënës time për të mbaruar studimet e larta. Dhe për të vënë në dukje që Nëna e
njeh mirë fëmijën e vet, beson tek dhuntitë, prirjet e tij,parashikon si do
jetë fëmija, është ajo që e ndjek hap pas hapi qoftë edhe kur jeton në Qiell.

 Prishtina
Press: Cilat janë disa nga shfaqet që keni realizuar kohët e fundit?

 Alketa Maksuti
Beqari: Kam shkruar tre skenare. Shfaqa e parë që kam realizuar është
drama “Premtimi”, 2014- 2015. Komedia me titull “9.4” e shkruar në shtator –
tetor 2016, e cila filloj si projekt, por për arsye financimi nuk u realizua.
Si dhe drama “Dashuria e verbër” e shkruar së fundmi me dëshirën për ta nisur
si projekt.

 Prishtina
Press: Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?

Alketa Maksuti
Beqari: Titujt profesional janë proçes që i shërbejnë karrierës dhe
kontribut ndaj shoqërisë dhe unë i kam qëllim deri sa të largohem nga kjo jetë.
Arritjet kanë kulminacione sipas kohës që i kërkon. Diplomimi në fizikë është
arritje, sepse mbajta fjalën ndaj Nënës. Arritje për mua është kur shoh sot ish
nxënësit e mi që kanë mbaruar studimet e larta dhe kontribuojnë në fusha të
ndryshme të jetës me dijen e tyre. Krenohem për ta. Arritje është çdo ditë e të qënit Nënë. Sa herë lind dita them:
Edhe sot jam me fëmijët e mi. Është bukur të shoh buzëqeshjet e tyre, por edhe
kur bërtasin për të plotësuar unin e tyre, është më bukur. Të respektosh, të
duash, të japësh mirësinë, të ndash mendimin, të ndash ndjenjën, emocionin me
miq real dhe virtual është arritje. Arritje
e cila tashmë po kurrorëzohet edhe me Emisionin tim në Radio Liria me qëndër në
Austri, të mundësuar nga i nderuari, Z. Haxhi Muhaxheri.

 Prishtina
Press: Cila është drama apo skenari i rradhës?

 Alketa Maksuti
Beqari: Kam përfunduar skenarin e dramës “Dashuri e verbër” me dy
personazhe, të cilën kam dëshirë ta shoh të shfaqur në skenat e teatrove në
Shqipëri, Kosovë.

 Prishtina
Press: Një përmbledhje për këtë dramë, cila do ishte? Cilët janë personazhet
kryesore?

 Alketa
Maksuti Beqari: Drama jep mesazhin e njeriut filantrop, të dashurisë për
dijen, familjen, mes çiftit, njerëzimit, jetës. Pol është një student për
letërsi dëshiron të bëhet shkrimtar me emër që të shkruaj jetën e dy prindërve
të tij. Për arsye të vështirësive ekonomike detyrohet të gjej shtëpi që nuk
banojnë njerëz, kështu kursen edhe shpenzimet e tij. Me të ardhurat që merr nga
puna ndihmon prindërit e tij, babain që e rriti, tashmë i sëmurë dhe nëna që i
shërben. Këtu nis historia, në
shtëpinë që Pol mendonte se ishte pa banorë ndodhet Xhuzepe, i cili ka vendosur
të ngujohet dhe të vdes, pavarsisht se jeta e tij si inxhinier urash, me tituj
dhe famë, me pasuri të trashëguar në breza, i mbetur në vetmi, pa familje, i
duket pa kuptim të jetojë më. Jeta e
Pol dhe Xhuzepes ndryshon nga ky moment takimi.

 Prishtina
Press: Cilat janë dinamikat mes Polit dhe Xhuzepes në dramën “Dashuri e
Verbër”?

 Alketa
Maksuti Beqari: Dy personazhet kryesor janë Pol dhe Xhuzepe. Dinamika e dy
personazheve zhvillohet duke ndihmuar njëri – tjetrin, Pol fal shpirtit
filantrop të Xhuzepes gëzon një pjesë të pasurisë së tij dhe shkollimin e ka më
të lehtë, ndërsa Xhuzepe fiton jetën, të cilën e gjen tek përkushtimi ndaj Pol,
ai është tashmë fëmija që ai do donte të kishte.

 Prishtina
Press: Si e keni menduar përzgjedhjen e aktorëve? Cilët aktorë do marrin pjesë
dhe pse kjo përzgjedhje?

 Alketa Maksuti
Beqari: Dëshira ime është që rolin e Xhuzepes ta shoh të realizuar nga një
aktor profesionist nga Shqipëria, por më tepër do doja nga Kosova dhe rolin e
Pol e shoh në Xhustin Kristian. Përzgjedhjen e dua të tillë për të dhënë
mundësinë e marrjes së eksperiencës nga dy breza si vet qëllimi i dramës është.
Dashuria, mirësia është marrje dhe dhënie, ky raport eshtë i barabartë mes
brezash, kështu është edhe në art dhe realitet. Arti i shërben realitetit dhe
anasjelltas.

 Prishtina
Press: Çfarë e bën një dramë, një produksion teatral të mirë, sipas mendimit
tuaj?

Alketa Maksuti
Beqari: Produksionin e bën të mirë qëllimi që ka. Suksesin e garantojnë
elementët në harmoni: Tema që trajtohet, aktorët që i japin frymën, sponsorat
që i zgjerojnë mushkrinë për ta fuqizuar frymëmarrjen e dramës, produksionin.

 Prishtina
Press: Çfarë ju nevojitet për realizimin e këtij projekti artistik?

 Alketa Maksuti
Beqari: Sponsorat, mbështetja financiare, sepse është hapi që më pas më
çon tek aktorët dhe gjithë stafin për ta realizuar projektin.

 Prishtina
Press: Si e vlerësoni ju teatrin sot? Çfarë roli luan arti dhe teatri në
shoqëri?

 Alketa
Maksuti Beqari: Teatri është themeli i kulturës, edukimit që përcillet nga
brezi në brez, sepse mesazhi merret direkt me emocion të drejtëpërdrejtë. Ka
forcë sa dhe kur del nga dera e teatrit si spektator mbetesh ende aty në
magjinë e skenës, me personazhet që të shfaqen në sy. Është fushë magnetike.
Unë jam brezi që jam rritur në kohën kur Teatri, Aktori kishin vëmendjen
maksimale. Të takoj aktorët e mi të preferuar, emra që janë ikona për mua,
është bekim.

 Prishtina
Press: Këshilla juaj për aktorët kur përgatiten për një shfaqe, si ta
përvetësojë rolin dhe si ta bëjnë për vete publikun?

 Alketa
Maksuti Beqari: Kur u vendos drama “Premtimi” në skenë, puna me aktorët
është një eksperiencë e bukur. Të gjithëve iu shpjegoja rolin që kishin, i
futja në përjetimet reale të miat. Ndjesitë, emocionet që kisha kaluar. Iu
përshkruaja sa të rëndësishëm janë në jetën reale personazhet e mi. Shpesh më
mbusheshin sytë me lot, sepse iu përmenda më sipër është pjesërisht
autobiografik. Këshilla ime: Nëse nuk e analizon personazhin, të hysh nën
lëkurën e tij, si unë vet hyj kur i shkruaj, interpretimi do të jetë i vakët,
pa ngjyrë, pa dritë shpirti.

 Prishtina Press: Si mund të rritet bashkëpunimi midis autorit,
regjisorit dhe teatrit?

 Alketa
Maksuti Beqari: Është trekëndësh barabrinjës që skenës i japin forcë, fuqi
sa ta elektrizojnë maksimalisht.

 Prishtina Press: Na tregoni më shumë rreth vetes, çfarë pasionesh
keni në jetë?

 Alketa Maksuti
Beqari: Dua Natyrën, librat, muzikën, të eci, të udhëtoj më pëlqen shumë.
T’i bie botës qark e kam ëndërr. I adhuroj shëtitjet me biçiklet. I dua
kafshët. Të zgjidh ushtrime është argëtim për mua. Nuk mbaj çantë si gratë
mbajnë, por çantë shpine, sepse nuk rri dot pa libra dhe fletë shënimesh,
sigurisht dhe stilolapsa. Jap dashuri, është themeli i çdo sekonde të jetës time. Jam nënë e dy fëmijëve, Miarbi dhe Xhorxhina,
26 dhe 21 vjeç. Meqë jam këtu tek fëmijët, dua t’ju them: Faleminderit bijtë e
mi, Miarbi dhe Xhorxhina që më keni duruar me “tekat e mia” për shkollim në një
kohë që duhej unë t’ju ndiqja juve me shkollim. Dhe iu duhet akoma të më
duroni. Do jem e lumtur, kur ju të ndjeheni të realizuar në jetën tuaj. Atëhere
do tërhiqem në strehëzën time, studio dhe do merrem qetësisht me librat e
shkrimet. Faleminderit Miarbi, Xhorxhina!

 Cilët
persona kanë ndikuar më shumë në jetë dhe të kanë dhënë kurajo të ecësh përpara
në fushën tuaj?

Alketa Maksuti Beqari: Formësimi
im është me rrënjët, genet e dy prindërve të mi. Në familje dhe familjet e
mëdha nga ana e babit dhe mamit, libri është i shenjtë. Njerëzit që ndikuan
fuqishëm në dijen time, më nxitën të vazhdoj arsimimin tim, të lexoj, shkruaj,
të cilët dua t’i përmend me emra janë veç familjes dal prej saj, mikesha ime e
zemrës, Nikoleta Stiko, nëna e saj Antigoni, familja e Nikoletës, Profesor
Bujar Vila, mësuesi im i fizikës, të cilët më dhanë kurajon që unë të nisja
studimet në 2005, kohë kur fëmijët e mi ishin në moshë 15 vjeç Miarbi dhe 10
vjeç Xhorxhina. Maria Dede, zysha si
i them unë, e cila së bashku me gjithë stafin e Pedagogëve të fizikës, por
nismëtare ishte zysha mundësuan nga ana financiare Masterin Shkencor në fizikë,
sepse vlerësuan faktin që isha nënë, dashurinë time për fizikën, mesataren e
lartë të ciklit tre vjeçar bachelor. Nga të gjithë Pedagogët kam marr
respektin, mirësinë dhe vazhdoj ta marr akoma sa herë trokas tek dera e
Fakultetit, në veçanti Zysh Elisabeta Koçi
Gjithëçka shkruaja e kam ndarë së pari me Nikoletën, kolegët e mi të punës,
kur isha mësuese, më pas me fëmijët, miqtë më të ngushtë. Çdo njeri që ka qënë
pjesë e jetës time qoftë edhe një sekondë, janë 46 vite, jo pak dhe çdo libër i
të gjitha fushave që kam lexuar e studiuar kanë ndikuar dhe lënë gjurmën në
formimin tim. Janë universi ku unë kam ecur me të gjitha ligjet e tij. Ju jam
mirënjohëse dhe ju them faleminderit.

 Prishtina
Press: Çfarë talente të tjera keni? Me çfarë tjetër merreni?

Alketa Maksuti
Beqari: Dhuntia për mësimdhënie. Është Art, sepse e dua dijen dhe është
mision për mua ta shpërndash dijen. Mësuesit dhe pedagogët e mi janë idhujt e
mi. Mirënjohja ime ndaj tyre është pa kufi. Kam shkrime në publiçistikë,
tregime, poezi. Të publikuara online, por jo me botime të shtypura në
libra.Radio një ëndërr e prekshme tani. Qysh fëmijë më magjepste zëri. Kur bëja
punët e shtëpisë, qëndisja, punoja me grep apo shtija emisionet në radio më
shoqëronin, zëri i folësit ishte familjarizuar me mua. Deri natën vonë, kur
zgjidhja ushtrimet në lëndët e shkencave ekzakte më ndihmonte të mendoja muzika
në radio. U zgjata pak për t’i dhënë rëndësinë që ka Radio, forcën që ka fjala
e artikuluar nga tingujt e dalë nga zëri. Falë Kryeredaktorit të Radio Liria,
të nderuarit Z. Haxhi Muhaxheri, i cili e miratoi platformën e emisionit tim,
madje më ka përkrahur dhe mirëkuptuar për vështirësitë e mia për lidhjet
direkte, unë realizova ëndrrën time në Radio.

 Prishtina
Press: Çfarë projektesh keni për të ardhmen? Çfarë mund të presim nga ju për
vitin 2017?

 Alketa Maksuti
Beqari: Projektet e mia për të ardhmen, të le shkrimet e mia të botuara
qoftë artistike, qoftë shkencore. Titujt profesionalë të një pas njëshëm do t’i
realizoj, deri në 2020 them se titullin doktor do ta marr. Pastaj të tjerët
sepse kam kohë, jam ende shumë e re, haha. Në 2017 dua të përfundoj romanin
“Al”, të cilin po e ripunoj. E kam shkruar para shtatë vitesh, dhe tani e shoh
me sy tjetër. Një punim shkencor që nuk dua ta bëj publik për momentin. Dhe
dramën “Dashuri e verbër”, kam shumë dëshirë ta realizoj me ndihmën dhe
përkrahjen e sponcorëve.