Alisa Baraku Ndoci: “Me Frederikun, sinkron në të gjitha gjanat”!…

668
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja lirike, pedagogia e kantos dhe bashkëshortja e Frederik Ndocit, Alisa Baraku (Ndoci)

Një këngëtare lirike me talent të padiskutueshëm, një pedagoge e shkëlqyer, një bashkëshorte korrekte dhe një nënë shembullore. Këto janë cilësitë e Alisa Ndocit, bashkëshortes së Frederik Ndocit. Sipas saj, femra shqiptare duhet ta kërkojë vetë pozicionin e saj në jetë dhe jo t’ia japin si dhuratë, jeta pa sakrifica nuk mund të perceptohet.

Si e nisët punën  për realizimin e ëndrrave të adoleshencës?

Sigurisht që çdo njeri në ëndrrat e tij bën një plan projekt që në paraadoleshencë. Unë pata fatin të ndiqja të mesmen në Liceun Artistik “Jordan Misja” për kanto, pikërisht ku jap mësim sot me të tjerë adoleshentë që kanë ëndrrat e tyre për  jetën. Kuptohet që sapo mbarova Liceun, ishte shumë më e lehtë të konkurroje në Akademi, pasi përgatitja është e freskët dhe intensiviteti i tensionit cilësor është në kulmin e kapacitetit dhe të mundësisë për të sfiduar edhe mundësinë e jurisë për të të rrëzuar lehtë.

 Si është niveli i mësimdhënies në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve, a krahasohet ai me mësimdhënien e Akademive në Europë?

Përsa i përket nivelit të Liceut dhe Akademia e Arteve janë cilësisht me famë botërore. Nëse do përmendja emra që veçohen cilësisht në botë si: Josif Gjipali, Saimir Pirgu, Inva Mula, Ermonela Jaho, Oriana Kurteshi, Mirjam Tola etj., flasin qartë për nivelin  e lartë e elementët me radhë që ka nxjerrë kjo Akademi, ndërsa nëse do të flasësh në raport të popullsisë që ka Shqipëria (3.5 milionë banorë) të nxjerrësh për 30 vjet mbi 1000 të diplomuar nuk është pak por është shumë në raport me popullsinë. Mund të themi se mbarojnë shumë por mjerisht jo në nivelin e këtyre emrave që na zbardhin faqen. Ka defekt në direktivat e ministrisë përkatëse për këtë drejtim, pasi sasia nuk është asnjëherë cilësi, por duhet të hanë  të gjithë bukë, po ku? TOB nuk ka nevojë për koriste të reja pasi mosha e pensionit dhe sasia e koristeve nuk të le as ta ëndërrosh ëndrrën për një vend pune në kor e jo më për soliste. Edhe ato që dalin në pension nuk ua lënë vendin të rejave dhe vazhdojnë me një kriter të vetë krijuar për të qenë atje, paçka se kanë dekada që vetëm emri u përmendet dhe vazhdojnë të bëjnë shou në juritë e “bingove”.

Po a bëhem audicione për të mbajtur vendin e punës apo për të hyrë zëra të rinj?

 Në fakt, bëhen audicione, por të brendshme, sa për të justifikuar zërat ose idenë e  audicioneve, pasi nuk ndiqet kriteri i mbajtjes së nivelit të vokalit dhe ripërtëritja e aftësive të atyre që pasi e zënë vendin e punës mendojnë vetëm për shëndetin dhe jetëgjatësinë dhe as që bëhet fjalë nëse korda mund të zërë edhe kallo dhe nuk je në gjendje të përballosh një audicion të ri dhe të jesh në gjendje të mirë, cilësore vazhdimisht. Unë mendoj se çdo vit duhet të ketë konkurse për të rinjtë që mbarojnë “Universitetin e Arteve” dhe audicione me kërkesa shumë të larta për ata që punojnë pranë Institucionit të vetëm në Shqipëri TOB. Vetëm kështu do të mund të krijojmë frymën e konkurrencës, e të kemi artistë të nivelit të lartë dhe një art cilësor. Përsa i përket nivelit të Liceut, sigurisht që ka vend për të kërkuar edhe më tepër. Megjithatë do të theksoja se puna që bëjnë disa nga koleget e mia me zërat e rinj është vërtetë shumë cilësore dhe me kërkesa të larta llogarie në fushën profesionale.

Ç’do të thotë të kesh bashkëshort Frederik Ndocin?

Nëse do të flisnim për Frederikun si artist, jo vetëm unë, por të gjithë adhuruesit e zërit të tij e konsiderojnë fat të jenë bashkëkohës me të dhe të shijojnë mrekullinë e zërit të tij çdo ditë, ndërsa unë çdo çast. Si bashkëshorte më duket vetja e përkëdhelur dhe e privilegjuar nga Zoti, që si shok jete të kem Rikun me gjithë fisnikërinë dhe madhështinë e tij shpirtërore.

A jeni xheloz ndaj Rikut?

Tek dy persona me ide të qarta për familjen, dashurinë për njeri-tjetrin dhe  të vendosur për stacionin, ku duan të arrijnë nuk besoj se ka vend fjala xhelozi. Jeta është shumë e gjatë dhe e shkurtër njëkohësisht  dhe me punë dhe dashuri duhet të marrësh çka ajo ka më të bukur.

Jeni nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm…

Jam nënë e dy fëmijëve Marilu dhe Nikolo, dritat e syve të mi. Ka ndryshuar çdo gjë tek unë edhe vetë koncepti i jetës. Përpara tyre ndihem e fortë dhe e dobët njëkohësisht.

 Veshja juaj e preferuar dhe moda?

Veshja ime e preferuar mbetet klasikja, vetëm ajo nuk njeh kohë dhe modë. Përsa i përket modës sigurisht që e ndjek, por me kushtin që të rri bukur tek unë dhe jo për hir të saj të kthehem në diçka qesharake si  shumë të tilla që shohim rrugëve tona çdo ditë.

A ndihet sot e vlerësuar femra shqiptare?

E keqja është se sidomos femrat shqiptare presin të jenë të vlerësuara dhe nuk e kuptojnë që janë vetë ato nga e cila varet kjo gjë. Duhet të dish dhe të investosh shumë nga vetja për të qenë e respektuar dhe e vlerësuar, se fundja çdo gjë në jetë fitohet.

VEPRAT SI KËNGËTARE LIRIKE

Kenke nur’ i bukurisë”, “Kroi i fshatit tonë”, “Për mue paska kenë kismet”, “N’at zaman t’njasaj furie”, “Asaman trëndafili çelës”, “Dashnuer tu bana”, “Fryn veriu”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Kënga e bilbilit” e të tjera për të vazhduar me romanca shqiptare: “Ishte Dashuria”, “Në mes dashurive”, “Mall”, “Kopshti i dashurisë”, “Moj e bukura në krua”, Mbrëmje n bregdet”, “Djaloshare”, dhe nuk po lemë ariet e operave  shqiptare si : “Mrika” (Aria e Mrikës), aria e Donikës, (Skënderbeu) vepra të P.Jakovës, Aria e Nastet (karnavalet e Korçës), V.Nova, aria e Marlules (Dasma Arbëreshe) e Rauf Llomi, Aria e Files (Toka Jonë) Aria e Boranes (Borana) A.Mula etj. Pastaj do kalojmë në repertorin botëror në këngët napolitane që trajtohen si kantada, si: “Dicitincelo vuie”, “Carmela”, “Che bel aria fresca’, “Funiculi-funicula”, “Sole mio”, “Parlami d’amore Mariu”, “Nun ti scordar di me,eç”, Ariet e Gildes, Amines nga opera e Belinit Sonambula, Aria e Norinës, Aria Lakme-se, Aria e Madam Buterfly, Aria e Violetes, Aria La Vally, Aria e Lucias, Aria e MimisË, Aria e ToskËs, Aria e Normes, Aria e Michaeles Bize, Aria e Rozines, (Aria e Pamines dhe Arien e Mbretëreshës së Natës nga Flauti Magjik, Aria e Despines, Aria e Serpines… Kontesha. Reckuiem, Mesha Moxart)  të Moxartit, Luigji Pergolezi Stabat Matter  etj., etj..