Alida Hisku: Kushtetuta busull e shoqërisë demokratike

1027
Sigal

Intervista/ Këngëtarja   e mirënjohur  Alida  Hisku: Nuk po u besojmë  syve dhe  veshëve me ato që  ndodhin  në  Shqipëri!

 

-Kushtetuta   është busulla   e  çdo  shoqërie  demokratike, kush e  shkel atë ka cenuar   jetën  e  popullit

Situata  të  tilla nuk  kanë  ndodhur  as  në vitin ’1990!

 

– Në  Gjermani  as  i shkon në  mendje   njeri  të vjedhë  apo të  publikojë  votën.

– Po ecet mbi hirin e  një vullkani të  padukshëm. O zot  çfarë  mund të  sjellë kjo situatë!

– Nuk   e  kam  ditur  që kënga  “Vajza Shqiptare” ishte  kënga  “Nënë Kosovare”.

 

Dhe  pse ka mbi 30  vjet  në Gjermani këngëtarja  e  mirënjohur  Alida  Hisku  ndjek me vëmendje   çdo zhvillim në  Shqipëri. Ajo të tre fëmijët   e saj  i ka  edukuar  me  një dashuri  të rrallë  për  atdheun. Madje për  vite të  tëra ajo propagandon artistëve, të njohurve  dhe miqve të saj  që të  vijnë  në Shqipëri  për t’i bërë  pushimet. Janë me qindra  turistë  gjermanë që  ajo ka  sjellë  në Shqipëri,  falë  dëshirës së saj, vullnetit, këmbënguljes  për të  propaganduar  vlerat më të mira   shqiptare. Por në këtë   situatë  ajo nuk mund  të  rrijë pa dhënë  opinionin  e saj. I  qan  zemra, pasi në momentin  kur   ajo me  shumë të njohur po përgatitej  për pushime  në  Shqipëri, situata  tejet  e acaruar politike e ka  bërë  që ta  ndërpresë këtë  nismë  gjithëvjetore.

????????????????????????????

– Alida, ne flasim  thuajse   çdo  ditë  bashkë në Watsap disa herë. Jeton me situatën në  atdhe  po aq sa  jetojmë  dhe ne.  Si  e përjeton e si do  ta cilësoje situatën  aktuale  në  Shqipëri?

 

– Si do ta cilësoja ? Katastrofike! Të  pabesueshme!  Në kohën  që  është sezon plazhi, në kohën që  turistët  duhet të dyndeshin në Shqipëri, tashmë po ndodh  ajo që nuk  mund të mendohej  as në vitin 1990.  Në  fund të këtij muaji ne ishim bërë   rreth 100 turistë  nga  Gjermania  për të bërë  rreth 12 ditë  pushime në Shqipëri, po si të vijmë? Ku të  vijmë?  Ato që po dëgjojmë janë të  pabesueshme. Janë jashtë  çdo logjike  njerëzore. Cilët  janë këta politikanë,  xhanëm, që luajnë me fatet  e një populli. A  kanë ndjenja njerëzore?  A kanë nëna, gra, motra, vëllezër, fëmijë? Ku po e  çojnë  Shqipërinë  kështu, ku?!   Shqipëria  ka një Kushtetutë,  ka një  bibël orientuese. Aty janë të saktësuara  të gjitha. Pra  kur ka Kushtetutë  nuk ka pse të  flasë  askush  sipas qejfit. Atë  Kushtetutë  e ka miratuar  populli  dhe   çdo  njeri është  i detyruar  ta zbatojë. Kush mund të dalë mbi kushtetutën  në një vend demokratik?  Cilat  janë arsyet  që shkelet Kushtetuta? Vetëm tradhtarët  mund të hedhin hapa   që bien ndesh me të. Politikanët  janë të  përkohshëm, ndërsa  Kushtetuta   dhe  Shqipëria  të përjetshëm.  Ato që  shkruhen  në Kushtetutë  nuk ka të  drejtë  t’i keqinterpretojë  asnjë politikan  apo kushdo qoftë. Mund ta  shkelë Merkeli  Kushtetutën në Gjermani,  edhe pse  gjermanët  i kanë dhënë  besimin më të  madh në gjysmë  shekulli?! As i shkon në mend, madje  e  shikon Kushtetutën të njësuar  me zotin.  Që  kur  doli dita  e zgjedhjeve  politikanët   duhej të uleshin, duhej  të  sheshonin  çdo keqkuptim për interesat  e kombit. Tani në qershor  Shqipëria duhej të ishte  mbushur  me turistë, ndërsa  në fakt  është  e mbushur  me mitingje  dhe anti-mitingje. Ku  e  çoni kështu  Shqipërinë,  more  njerëz  pa taban? Ku? Boll halle kanë  shqiptarët  dhe tani u duhet  dhe  konfrontimi  i majtë e i djathtë. Qeveria në vend  të punojë  për mirëqenie merret me llafe  bosh. Opozita  duhet të jetë më e vetëpërmbajtur.

 

-Ju keni shumë vite që votoni në  Gjermani  si  zhvillohen  zgjedhjet  aty?

 

Zgjedhjet  këtu  more zotëri janë ditë  feste, ditë  gëzimi. Njerëzit  shkojnë në mënyrë  të ndërgjegjshme  dhe votojnë për të ardhmen  e tyre.  Vota  është  e  fshehtë   dhe as  e mendon  njeri  të të bëjë presion   që të  votosh për këtë  apo atë  parti. As  e mendon  njeri  të  bësh publike votën. Vota  është  e fshehtë, është  ëndrra jote  në sirtar për të ardhmen  e fëmijëve. Kush cenon votën, kush bën presion për votën  ndëshkohet. Ligjet  janë të  ashpra. Ligjet  janë njëlloj për të  majtë  dhe  të djathtë. Qeveria e mbron më shumë  se kushdo votën,  se e ka detyrë. Nuk mund të mendohet  këtu  që një deputet  të blejë  votën apo një kriminel  të bëjë presion  që të  votosh  kundër  dëshirës. As që mendohet. Policia  është asnjanëse, ajo është   e popullit  për popullin. Policia nuk bën  propagandë  për votimet për  asnjërën parti. Ajo ka detyrë të ruajë  qetësinë. Situata,   me  sa  shoh,  ka shkuar në pikën  kulmore  të durimit. Kujdes, kujdes,  një  shkëndijë   është  e  vogël por kur  bie mbi një dinamit krijon  një tragjeditë  pamenduar. Ndaj  them se është  koha  që politikanët  pa mendjemadhësi,  pa arrogancë,  pa  mllefe  të ulen  të gjejnë  gjuhën  e bashkimit  dhe të mirëkuptimit. Kujdes, po ecet mbi hirin e  një vullkani të  padukshëm. O zot,  çfarë  mund të  sjellë kjo situatë! Rrugët e  zgjidhjes janë, mjafton  dëshira e mirë.

Po Alida artiste a vazhdon  të jetë angazhuar me koncertet me grupin “Melodi Rain”? 

 

Sigurisht   që  vazhdojmë. Ne nuk ndalemi  kurrë. Grupi “Melodi Rain” ka një natyrë    specifike. Pra, një program muzikor dhe udhëtim nëpër botë. Është një grup, i cili tashmë ka formuar fytyrën e vet. Një grup që do ta vazhdoj rrugën e nisur duke e shtrirë veprimtarinë e aktiviteteve kudo ku ka emigrantë shqiptarë;  si në Gjermani dhe kudo në Evropë. Fillimi duket i mbarë, Si nismëtare them  se kemi  ecur mirë.  E kisha ëndërr një grup të tillë. Së fundi, ëndrra u bë realitet. Tashmë na duhet organizim dhe përkushtim për të ecur përpara.   Them se  asgjë nuk na ndalon,  pasi  në Gjermani  arti, muzika  vlerësohen  dhe nxiten. Respektohen  në maksimum,  aq më tepër kur  bëhet  fjalë për  emigrantët, pasi  këtu  duan  që emigrantët  të integrohen  në jetën  e vendasve.

-Po Alina  vajza juaj   a  është  pjesë  e grupit?

 

Sigurisht, në promovimin e grupit tim kur dhashë edhe një koncert të madh në sallën e Kulturës së qytetit atje futa madje edhe Alinën të këndonte vetëm, por edhe bashkë me grupin. Besoj dhe dëshiroj që këtë grup ta vazhdojë ta mbajë gjallë Alina në të ardhmen me shoqet e saj.  Alina,  edhe  pse ka lindur në Gjermani  e do shumë  çdo gjë shqiptare dhe  nuk mund të  rijë  pa ardhur në Shqipëri.

– Albini, Djali juaj edhe ai ndjek traditën artistike të familjes, edhe pse në një zhanër tjetër, a ka bërë ndonjë film tjetër në Gjermani? 

 

Albini gjithmonë  thirret  në role televizive, tashmë  ka luajtur  disa  role. Gjithashtu krahas  punës, më shoqëron edhe mua si menaxher në intervista e në  koncerte.   Mbetet  një djalë  i mbarë  që e  do atdheun   e vet  dhe pse u  rrit në Gjermani.

E veçantë por e vërtetë. Sa  herë  vjen në Tiranë kur  ecim  bashkë   rrugës ju putheni dhe përqafoheni me shumë njerëz apo artistë. Nga  buron  kjo  dashuri?

 

Nga  malli. Malli  dhe  miqësia  e sinqertë. Në  atë  sistem ne  vërtetë  ishim  të varfër,  por kishim dashuri  të madhe  dhe  shoqëri  të sinqertë. Por në morinë e miqësive  të mia  do veçoja  dy gra (atëherë ishin ende fëmijë) që dikur kanë qenë në Shtëpinë e Fëmijës, ato janë Elida Hasani dhe Amarilda Goseni.  Me to jam njohur një ditë vjeshte mbas një koncerti në estradën e Tiranës, kur një grup i tyre kishte ardhur për të parë shfaqjen. Ka ndodhur para 34 vjetësh…..në mos gaboj, më 1984-n.  Kjo ditë ka qenë tepër e dhimbshme dhe e veçantë, sepse nuk më kishte ndodhur që të kisha adhurues (fansa) kaq të vegjël dhe sidomos nga Shtëpia e Fëmijës. Ato vinin shpesh tek unë dhe u bënë pjesë  e familjes  sime. Nëna ime ishte vetë artiste dhe dinte mirë t’i trajtonte adhuruesit e muzikës. Ajo tashmë ishte e lumtur që familja e saj u zgjerua dhe krenohej për këtë kudo. Ajo i trajtonte sikur të ishin vajzat e saj. Ato vajza tek ne ngopeshin me dashurinë e nënës  dhe  timen, më shumë se me bukë. Ato ndjenin tek ne atë që mbase kurrë në jetën e tyre nuk e kishin ndjerë. E kjo i mjaftonte Elidës dhe Amarildës. Në atë kohë ato ishin në shkollën fillore, dhe unë u kam ndenjur pranë që ato t’u kushtonin vëmendje mësimeve së pari, si dhe edukimit moral, aty në shtëpinë e fëmijës. E tërë familja ime ndihmonte që të dyja të integroheshin me ambientin familjar si dhe të përgatiteshin që në të ardhmen të bëheshin nëna të denja në familjet e tyre.  E vërtet, ato ashtu  u bënë.

 

Po ju lexoj  diçka  që  s’ju ka rënë  në dorë  nga  një  intervistë  e imja me  poetin  progonatas  Ibrahim Gani, dëgjojeni….(pjesë  interviste   me Ibrahim  Ganin)…

-Atë kohë shumë krijime thuajse redaktoheshin fund e krye kur nuk kishin partishmëri, juve ju ka ndodhur një redaktim i tillë radikal?

Po më ka ndodhur, më ka ndodhur dhe jam gjendur në një situatë të vështirë. Në një nga koncertet e muajit Maj, të Dekadës 1980- ’90, së bashku me artistin dhe kompozitorin e shquar Avni Mula, unë-tekstin, ai-muzikën; paraqitëm motivin “Nënë Kosovare”.

I mirënjohuri Avni Mula, atë vit do të shkonte në Kosovë, më pati thënë se tekstin e kompozuar e kishte dhënë në institucionin përkatës.

Në vazhdim të koncerteve që transmetoheshin nga TVSH direkt nga Teatri Opera-Baletit, prezantuesja përmendi emrin e Avni Mulës dhe emrin tim. Për habinë time, të njerëzve, shokëve e miqve të mi, titulli dhe përmbajtja ishin ndryshuar. Nga “Nënë Kosovare” “kompetentët” e kishin “pagëzuar” “Vajza Shqiptare”. Nga teksti origjinal pothuajse s’kishte mbetur asgjë përveçse disa vargje të refrenit. Kënga u këndua nga këngëtarja zë ëmbël e atyre viteve Alida Hisku, që siç dihet mbas një denoncimi për përmbajtjen e fletëve të ditarit të saj, u syrgjynos në “gjirin e ngrohtë të klasës punëtore” dhe që më vonë u pasuan më ngjarje tepër të dhimbshme në jetën e saj familjare. Sqarimet që kërkova nga ish-shefi i kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, R. H ishin shumë “domethënëse” dhe shumë të “sinqerta”. Sipas tij, ishte më mirë t’i këndohej “Vajzës shqiptare” se sa “Nënës kosovare” që me siguri, sipas arsyetimit të tij, mund të ndizte një debat që mua mund të më kushtonte shtrenjtë, edhe për faktin se… “juve shoku Ibrahim nuk mund të botoni më asnjë shkrim në “Zërin e Popullit” dhe gjithashtu, “juve u është ndaluar pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të dhjetorit. Ju nuk duhet të harroni, – vazhdoi shefi – se shoku Ramiz Alia, në analizën që i bëri grupit puçist në mbledhjen e Drejtorisë Politike për ju është shprehur tekstualisht: ‘Ka tendenca mendjemadhësie edhe në këto sektorë.’

-Alida:  (loton),…Më emocionove…E mbaj mend  autorin  si në ëndërr, por  s’e dija   gjithë  këtë  ngjarje. Sa mirë bëre që ma përcolle. Diçka  që  s’e mendoja  kështu, madje as   e dija  fare të vërtetën.  Këtë  këngë  e kam dashur shumë, shumë.  Tani më bën  të mendoj  dhe ta dua më shumë. Sa mirë  do të ishte  të  këndohej  “Nënë Kosovare”. Një këngë  për Kosovën  martire  do ishte  një mrekulli  atë  kohë. Kjo jetë  është  e mbushur me befasi….Pra kënga  “Vajza Shqiptare” ishte  kënga  “Nënë Kosovare”!