Ali SALAJ/ Mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi

636
Sigal

Nuk kemi as ndonjë botim të veçantë që merret me çështjen e gazetarisë shqipe në Mal të Zi

Mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi nuk kanë ndonjë traditë apo ndonjë histori që do të shënonte zanafillën e gazetarisë shqiptare në këto hapësira. Nuk kemi as ndonjë botim të veçantë që merret me çështjen e gazetarisë shqipe në Mal të Zi. Të gjendur mes dy qendrave të njohura kulturore dhe politike jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, siç janë Shkodra dhe Raguza (Dubrovniku), shqiptarët e trojeve etnike në Mal të Zi përfshiheshin dhe trajtoheshin kohë pas kohe në periodikët që botoheshin në këto dy qytete. Në Dubrovnik botohej gazeta “Shpnesa e Shcypeniise” (1905-1908), ku botues dhe kryeredaktor ishte intelektuali i njohur nga Trieshi i Malësisë , Nikolla Ivanaj. “Shpnesa e Shcypeniise” ishte një organ me frymë kombëtare, që u ushqente mendësinë e shqiptarëve për kryengritje të armatosur dhe ngrinte idenë e bashkimit kombëtar. Gazeta botohej në gjuhën shqipe (gegërisht), serbisht dhe italisht. Botimi edhe në gjuhën serbe bëhej me qëllim që t’u kundërvihej aspiratave të Serbisë dhe Malit të Zi për uzurpimin e tokave shqiptare. Edhe shtypi i botuar në Shkodër, si gazeta “Ishkodra”(1879), “Shqyptari” (1904), “Xani i Shcyptarve” (1905-1906), “Koha-Bashkimi” (1910-1911) etj., merreshin me çështjen shqiptare, duke përfshirë këtu edhe tema që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi. Edhe pse shtypi në gjuhën shqipe ishte i përhapur nëpër të gjithë rajonin dhe në qendrat më të njohura botërore si tek arbëreshët e Italisë, në Vilajetin e Kosovës, në Shkup, Sofje, Bukuresht, Stamboll, Beograd, në Greqi, Egjipt e deri në SHBA, vetëm në Mal të Zi, ku ekzistonte edhe shtypshkronja më e vjetër në Ballkan, nuk doli asnjë organ i shtypit shqiptar. U desh të pritet më shumë se një gjysmë shekulli deri në vitin 1965 që në Radion e Malit të Zi të emetohet një emision javor prej 45 minutash në gjuhën shqipe. Më vonë programi në gjuhën shqipe u zgjeruan me Lajmet dhe Ditari që transmetohen gjashtë ditë në javë dhe një emision prej 30 minutash “Në fund të javës”. Emisioni i parë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi fillon në vitin 1992 me një emision në javë për t’u zgjeruar në kohën e pluralizmit partiak në vitin 1998, kur edhe formohet redaksia e gjuhës shqipe. Në Mal të Zi veprojnë edhe dy televizione dhe një radio private TV Teuta, TV Boin dhe Radio -Elita dhe disa radio publike: Radio Ulqini, Radio Tivari dhe Radio Zëri i Plavës. Fillimet e mediave publike në nivel qendror dhe vendor kishin në fokus propagandën politike e ideologjike. Në emisionet në gjuhën shqipe mbizotëronte informacioni, kronika dhe reportazhi mbi jetën e fshatit dhe zhvillimin e bujqësisë. Përveç informacioneve të përkthyera, në këto emisione vërehej një përqasje deri në imitim dhe kopjim të mediave në gjuhën sllave. Shtypi i shkruar nisi me revistën kulturore “Koha” (1979-1990), ku brenda këtij harku kohor dolën 54 numra dhe për herë të parë sprovohen pendat e reja që më vonë do të jenë emra të njohur në fushën e kulturës, letërsisë dhe artit. Në fillim të viteve ‘90 fillon botimi i revistës “Fati”, botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin, e cila mund të konsiderohet si nismëtare e shtypit pluralist që pak a shumë shkëputet nga zyrtarizimi, nga orientimet e ngurta, duke trajtuar një problematikë më të gjerë e më të larmishme. Pason gazeta e pavarur “Kronika” e lindur si gazetë lokale e Ulqinit. E botuar me ndërprerje për afro 10 vjet (1998-2007).