Ali Asllani, me “Hakërrim” mbetet krijuesi i rrallë i poezisë shqipe

3516
Sigal

“Vlora, Vlora”, një himn i Ali Asllanit për luftën heroike të Vlorës më 1920.

 Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!

 

ALI  ASLLANI (1882 – 1966)

– Atdhetar që mori pjesë në të gjitha lëvizjet progresive për liri dhe Pavarësi Kombëtare, që nga viti 1908 deri në shpalljen e Pavarësisë më 1912, në Luftën e Vlorës 1920 etj.

– Burrë shteti, nëpunës i lartë i shtetit dhe kryekatundar, kryetar bashkie i Vlorës nga 20.12.1918 deri më 30.11.1920 dhe prill 1934 – korrik 1939.

– Diplomat dhe ministër i akredituar në vende të huaja.

– Poet i shquar e atdhetar.

                                                                 *      *      *

Jetëshkrimi

Ali Asllani ka lindur në vitin 1882, në Vlorë, në familjen e myderisit Asllan efendi Sulejmanit, nga Vajza dhe të nënës Hyrije Meminaj nga Trevëllazëri.

Në vitin 1902, ai shkoi në Stamboll për të studiuar mjekësi, por  mbas një viti e la atë fakultet dhe kërkoi ndihmën e Ismail Qemalit dhe të Mulla Xhafer Drashovicës, për të studiuar në Shkollën e Lartë Administrative,  Mekteb-i-Mylkie, që e mbaroi në vitin 1906 dhe me ndihmën e Ismail Qemalit u punësua në administratën osmane, duke shërbyer fillimisht në Halep të Sirisë e më pas në Korfuz. Në korrik të vitit 1909, Ali Asllani mori pjesë në Kongresin e Dibrës si delegat i Vlorës dhe për këtë veprim u thirr urgjentisht në Stamboll për t`u ndëshkuar nga Porta e Lartë, por me ndihmën e Ismail Qemalit dhe të Shahin Kolonjës, ndëshkimi ndërmjet viteve 1910 – 1911, iu kthye në emërim si kajmekan në një provincë periferike të Anadollit Lindor, në kufi me Rusinë e Persinë. Menjëherë, pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Ali Asllani u kthye në Vlorë dhe u dekretua si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe sekretar i Kryeministrit, duke pasur si detyrë kryesore kontributin në krijimin për herë të parë të policisë e xhandarmërisë shqiptare. Në këtë detyrë qëndroi deri në janar të vitit 1914, kur Ismail Qemali dha dorëheqjen. Ali Asllani mbeti një nga bashkëpunëtorët besnikë të Ismail Qemalit. Në shkurt të vitit 1919, ditën kur në Vlorë mbërriti kufoma e Ismail Qemalit, patrioti dhe poeti Ali Asllani, që në atë kohë ishte kryetar bashkie, i prekur nga kjo humbje shkroi një poezi të gjatë dhe e lexoi atë në momentin e lamtumirës, më pas dorëshkrimin ua dhuroi djemve të Ismail Qemalit. Poezia u botua për herë të parë në gazetën “Illyria”, dt. 28.11.1935. Më 10 shkurt 1914, Ali Asllani u emërua nga Komisioni i Fuqive të Mëdha, nënprefekt në Fier, detyrë të cilën e kreu  edhe gjatë mbretërimit të Princ Vidit, deri më 30 gusht 1914, kur Vlorën e pushtuan rebelët antikombëtar të Haxhi Qamilit. Ai së bashku me Ibrahim Abdullahun, Alem Mehmetin e Osmën Haxhiun shkuan në Romë ku u takuan me Ismail Qemalin dhe biseduan për gjendjen e vendit. Në këtë takim Ismail Qemali i kërkoi parësisë së Vlorës që të paktën të ruanin dhe të mos ulnin flamurin kombëtar. Një kohë të gjatë ai qëndroi në Itali, deri sa më 10 nëntor 1915, kur në Vlorë u ngrit një administratë me prefekt Osman Haxhiun, Sekretar i Përgjithshëm i asaj prefekture u zgjodh Ali Asllani, i cili njëkohësisht kryente edhe detyrën e kryekatundarit të Vlorës dhe zëvendës prefekt. Me këto funksione Ali Asllani vazhdoi nga vitet e para të pushtimit të Vlorës nga Italia, deri në shkurt të vitit 1917, kur për një veprim atdhetar të prefektit Osmën Haxhiu dhe të sekretarit, ata u pushuan nga puna prej autoriteteve italiane.

Kur në dhjetor të vitit 1918, në Durrës u krijua qeveria e Turhan Pashës, ajo qeveri menjëherë, e dekretoi më 20 dhjetor sërish Ali Asllanin kryetar të administratës lokale të Vlorës, kryekatundar, (kryetar i Bashkisë). Në këtë detyrë ai qëndroi deri në 30 nëntor të vitit 1920.

Ali Asllani e ka ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, në ndërtesën që sapo kishte përfunduar në qendër të qytetit, ku sot është Muzeu Historik i Vlorës, dhe shërbeu për këtë qëllim që nga viti 1918 deri në vitin 1939. Në atë periudhë ai kontribuoi seriozisht në çështjen kombëtare. Është për t`u veçuar roli tij i rëndësishëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare, lidhur me pretendimet italiane për territore shqiptare, përpara  të dërguarit personal, të presidentit Uillson, në Shqipëri, konsullit Josef Haven, i cili qëndroi 15 ditë në shtëpi të Qazim Kokoshit dhe 15 ditë në shtëpi të Ali Asllanit. Ali Asllani kishte bashkëshorte mbesën e patriotit të shquar vlonjat Qazim Kokoshit, gjë që e lidhte më shumë me Vlorën dhe me çështjen kombëtare shqiptare.

Konsulli Haven, i shoqëruar nga Tefik Mborja, në mars të vitit 1919, udhëtoi nëpër tërë Shqipërinë Jugore për t`u njohur me pretendimet e shqiptarëve.

Mbështetës i luftës heroike të Vlorës

Më 1920, i ndodhur si kryetar i katundarisë, mbështeti luftën heroike të Vlorës duke shkruar dhe himnin e fuqishëm të kësaj lufte dhe disa poezi të tjera të njohura dhe të vlerësuara nga ana ideore dhe artistike. Për veprimtarinë e tij atdhetare, ai u burgos prej pushtuesve italianë dhe më pas u internua në ishullin e Sazanit me shumë patriotë të tjerë. Në festimet madhështore që u organizuan pas fitores së Luftës së Vlorës, më 3 shtator 1920, ai mbajti para popullit një fjalim të nxehtë atdhetar, si dhe i bëri në emër të popullit një telegram urimi qeverisë së Sulejman Delvinës, që edhe iu përgjigj atij. Gjendet gjithashtu  një korrespodencë ndërmjet “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” dhe kryekatundarit të Vlorës Ali Asllani, ku del qartë angazhimi total i tij në luftën për çlirimin e Vlorës, nga pushtuesi italian.

Me rastin e festimit të 28 nëntorit 1920, Ali Asllani ftoi në qytetin e Vlorës kryeministrin Sulejman Delvina të cilin edhe e shpalli “Qytetar Nderi të Vlorës”. Pas Mis Durham, ishte i pari shqiptar që u shpall qytetar nderi i Vlorës. Më 17 dhjetor 1920, nga Tirana, Ali Asllani dhe Qazim Kokoshi lajmërojnë me gëzim shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë: “Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Urime nga zemra…”

*       *       *

*       *       *

Kryetar i Bashkisë së Vlorës

Në prill të vitit 1934, ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vlorës, jo vetëm si një personalitet vlonjat, por edhe me veprimtari të gjerë në shërbim të atdheut e të kombit.

Më 12 prill 1939, Ali Asllani u kooptua deputet i parlamentit shqiptar, për të plotësuar vendet e deputetëve që migruan së bashku me Mbretin dhe në korrik të atij viti ai ia dorëzoi detyrën e kryetarit të bashkisë Kristaq Stratit.  Si deputet shërbeu një vit, sepse në prill të vitit 1940, pushtuesit italian suprimuan parlamentin dhe krijuan në vend të tij Këshillin e Epërm Korporativ Fashist. Ali Asllani gjatë viteve 1940 –1943, shërbeu si anëtar i Këshillit të Shtetit. Në vitin 1943 zgjidhet anëtar i Institutit Shqiptar të Studimeve.

Në vitin 1944, Ali Asllani u kthye në vendlindje, në Vajzë të Vlorës, ku jetoi ditët e vështira të luftës. Në vitin 1945 është një nga themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1946 – 1952, ka punuar si përkthyes në Institutin e Shkencave.

Nga viti 1952 deri në fund të jetës së tij, më 20 dhjetor 1966, jetoi në Tiranë, në varfëri  të plotë, pa punë dhe pa pension, i persekutuar dhe keqtrajtuar. Në vitin 1963, i rënë shpirtërisht, në një gjendje të vështirë ekonomike i kërkon Kryeministrit akordimin e  pensionit për aktivitetin e shquar atdhetar dhe punën e kryer. Përgjigja e Kryeministrit ishte kjo: “Në bazë të dispozitave ligjore që janë në fuqi, nuk ka mundësi t`u jepet ndonjë lloj pensioni. Ndërkaq, duke marrë parasysh gjendjen tuaj ekonomike, u pa me vend t`u jepet një ndihmë e menjëherëshme prej 10.000 lekë”.

Krijimtaria letrare

Ali Asllani ka botuar vjersha që në moshë të re, por u bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që e botoi në vitin në 1942. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste botimi i veprave të tij u ndalua, por pas shumë kërkesave që iu bëri personaliteteve të larta komuniste, pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij si: “Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960), “Shqipëria kryezonjë” (1961), “Vajzat dhe dallëndyshet” (1964), “Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes më 1973, në kolanën  “Poezia shqipe” u botua poezia e zgjedhur.

Ali Asllani është autori i tekstit të këngës së njohur “Vlora, Vlora”, një himn për luftën heroike të Vlorës më 1920.

Vlerësimi i veprës atdhetare dhe letrare të Ali Asllanit

Vlerësimi vërtetë i veprës atdhetare të Ali Asllanit u bë vetëm pas vdekjes, në vitet e demokracisë. Lasgush Poradeci e ka portretizuar me këto fjalë: “Ali Asllani shfaqet si një bir i vërtetë i vendlindjes së tij duke kënduar burrërinë me akcente që janë një dokument atdhedashurie e gjelozije kombëtare shqiptare tradicionale”. Prof. Rexhep Qose ka thënë: “Ali Asllani është krijuesi i rrallë i poezisë shqipe…”. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe e ka quajtur Ali Asllanin apostull të shqiptarizmës dhe poet kombëtar. Poeti Kudret Kokoshi e radhit Ali Asllanin me kolosët e letërsisë shqipe: “Brenda një kohe relativisht të shkurtër, veprat e Naimit, Fishtës, Ali Asllanit, Çajupit, Koliqit, Lasgushit, Haxhiademit e Nolit do të formonin përmendoren e vetme letrare të shpirtit e të trurit shqiptar gjatë rrjedhimit të shekujve…” At Shtjefën Gjeçovi, letrën e vet drejtuar Ali Asllanit e mbyll kështu: “Ju, zot e mik, pritni të fala nga ai, i cili ju nderon e çmon, e qi s`ka me ju  harrue për jetë”.  Poeti i shquar popullor Lefter Çipa nga Vlora e ka quajtur: “Asllan Aliu i poezisë sonë…” Me vendim nr. 9 datë 24.11.1992, të Kryesisë së Këshillit të Rrethit Vlorë, shkollës 8/vjeçare “24 Maj”, iu  ndryshua emërtimi dhe quhet  shkolla “Ali Asllani”.

Në vitin 1993, u themelua në Vlorë shoqata “Ali Asllani”, me kryetar Ylli Bora nga Vajza, dhe pas vdekjes së tij, në vitin 2010, kryesinë e mori Fari Shaska nga Koculi.

Hakërrim

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Përgatiti: Enver Lepenica