Aleksandër Lalo: Jeta e punës dhe pengjet e jetës

689
Sigal

Sot kompozitori Aleksandër Lalo mbush 65-vjeç

Ai sot mbush 65-vjeç. Sot TVSH-ja do të realizojë një film dokumentar “LALO”. Ky është vlerësimi i vetëm që ka marrë nga shteti. Në gjithë këto vite ka kompozuar me qindra këngë, me dhjetëra muzikë filmash, por i duket sikur ka bërë pak. Megjithatë e cilëson: Nuk kam pengje. Pengje s’kam, por kur kthej kokën pas më duket sikur s’kam bërë asgjë, por tani kur kam filluar t’i shikoj mirë çka kam bërë, them, që kam bërë diçka. Po shfrytëzoj në maksimum kohën që të lë dhe diçka tjetër. Peng them është ajo që duhet të kisha punuar më shumë dhe pse më duket se kam punuar jo pak. Ne artistët jemi “mall” me pakicë që tek ne nuk vërehet sasia sa ke bërë, por cilësia, se çfarë dhe sa të bukur e ke bërë një vepër. Tani po punoj në vepra simfonike. Artisti ka nevojë për përkrahje, për një fjalë të mirë.  Perëndia më ka bekuar në jetë. Jam munduar të jem korrekt dhe s’kam pas vështirësi. Në dukje jam njeri i sertë por nuk është ashtu. S’ka shpirt artisti të jetë i sertë. Aparenca nuk vërteton gjithçka. Kam krijuar ndonjëherë konflikte artificiale me njerëz, por këto konflikte të vogla nuk janë Aleksandri i vërtetë me shpirt artisti. Artisti shikon përtej malit, shikon detaje ndaj quhet artist, për këtë vlerësohet, thekson ai.

Artisti, vlerësimi dhe shteti

Artisti. Të gjithë flasin për ta. Të gjithë kur i shikojnë rrugës ndalojnë dhe duan ti përshëndesin. Sot artistët punojnë për veten e tyre,- thotë Lalo. Në këtë koncept shteti nuk hyn fare këtu. Kur them nuk hyn, s’do të thotë që nuk hyn fare. Në ekonominë e tregut i afti çan. Pra janë aftësitë individuale ato që bëjnë diferencimin. Kjo nuk  do të thotë që vlerat e mëdha artistike intelektuale që ka Shqipëria, të mos vlerësohen të mos nënvizohen dhe të mos inkurajohen nga shteti. Në aktivitetet e ndryshme që zhvillon shteti, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës apo RTSH, TOB, TK, duhen mbajtur afër krijuesit e vërtetë gjë që nuk ndodh në mënyrë reale. Këtu shteti nëpërmjet institucioneve të specializuara duhet të ketë një strategji që të përkrahë ato projekte që i mungojnë artit shqiptar, projektet serioze, profesionale dhe të mos bëhen përkrahje projektesh në bazë të bindjeve partiake. Pra, të jepen ose të përkrahen projekte në ato fusha të muzikës që ka boshllëk muzika dhe ka projekte profesionale…përfundon ai