Aleksandër Lalo/ Heshtja për legjendën e kitarës shqiptare, Alfons Balliçi

884
Para pak ditësh u shua Alfons Balliçi, padyshim kitaristi më i madh shqiptar dhe muzikanti virtuoz që la një histori të shndritshme pas. Kitara e tij heshti që të dëgjojë dhembjen tonë, të qindramijë artdashësve, kolegëve dhe ne miqve të tij që e deshëm aq shumë. Muzika shqiptare humbi një nga mjeshtrit e mëdhenj, Elbasani, ku lindi më 10 korrik 1941, një nga bijtë e tij më të mirë.
E deshi kitarën qysh fëmijë, sepse vinte nga një familje muzikantësh e një qytet artdashës. Tingujt e parë të kitarës i dëgjoi prej babait të tij dhe u dashurua pas tyre deri në çastin e fundit. Kishte lindur me fat në ballë për muzikë, sepse kishte një vesh të jashtëzakonshëm, që më vonë për ne kolegët e tij do të bëhej proverbial e do t’i thureshin legjenda edhe nga ato që mund të duken si të pabesueshme. Fama e përkëdheli shpejt, kur ishte ende fëmijë 5-6 vjeç dhe duart mezi ia rroknin të tërë kitarën. Moshatarët e tij e mbajnë mirë se si njerëzit çuditeshin me këtë vogëlush në Elbasan dhe vendet përreth ku ai filloi të luante muzikë. Emri i tij filloi të kapërcente një nga një qytetet në një kohë që ambienti muzikor i atyre viteve në Shqipërinë e pasluftës ishte i vakët, aq i vakët sa që shumë syresh nuk ia dinin as emrin kësaj vegle muzikore magjike që quhej kitarë. Luante ashtu me intuitë dhe përparonte mahnitshëm falë aftësive të tij të mrekullueshme. Nuk kishte pika referimi, metodikat për mësim kitare ishin gati të panjohura . Po falë një vullneti të jashtëzakonshëm, aty nga fillimi i viteve 1960 ai ishte bërë mbreti i kitarës në Shqipëri dhe emri i tij kish mbuluar tërë botën muzikore shqiptare. Alfons Balliçi ishte bërë tani një pikë referimi për kitarën, një ëndërr e një armate të rërë djemsh e vajzash që ëndërronin të bëheshin kitarist ashtu si Fonsi i tyre i dashur, që ishte më i magjishmi, më i përkryeri, më i paarritshmi.
Rruga e tij ishte hapur vetvetiu dhe kush tjetër mund të ish tani kitaristi solist edhe për orkestrën e vetë RTSH ku shkëlqeu ndjenja improvizuese e tij, fantazia, plani harmonik dhe po kështu edhe krijimet e tij të mirëfillta.
Është koha kur mbaron studimet në Konservatorin për Kompozicion dhe që nga ajo kohë dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në Festivalet e Këngës në RTSH. Pas studimeve gati tërë jeta e tij fillon të lidhet me qytetin e tij të lindjes Elbasanin, ku la një kontribut të gjithanshëm, duke filluar që nga Shtëpia e Kulturës, Estrada e Elbasanit, Orkestra Simfonike, formacionet e vogla dhe aktivitetet e panumërta që në qytet ishin të shumta. 
Është e pamundur ta rrëfesh në pak rreshta punën që bëri plot dashuri me motivet e këngëve qytetare Elbasanase për t’i studiuar, përpunuar dhe përhapur në mënyrë masive për kulturën muzikore shqiptare. Nuk ish rastësi që edhe diplomën ai mbrojti me këngët e Isuf Myzyrit, kësaj ikone të muzikës elbasanase, një studim profesional që shkëlqen sa nga profesionalizmi aq edhe nga dashuria pasionante e këtij artisti të madh.
Për mua që pata rastin e lumtur ta njoh qysh në vitet e adoleshencës sime, kujtimet tani fillojnë e shenjtërohen edhe më shumë. Kam patur fatin të shoh me sytë e mi talentin që të linte pa fjalë, kur shpesh e shoqëroja në orkestër, të shoh se si figura e tij ish ngritur në lartësinë e një miti për rininë tiranase nëpër mbrëmjet e vallëzimit, që asokohe ishin njëfarësoj të vetmet koncerte spontane ku luante Alfons Balliçi. Kur në një sallë shkolle a ndërmarrje përhapej lajmi se do të luante me kitarë Fonsi, kjo ishte një ngjarje e madhe që pritej deri në elektrizim. Sallat mbusheshin plot e përplot dhe kur aty hynte ai me kitarë në dorë, të gjithë çoheshin në këmbë e shpërthenin duartrokitjet. Buçiste salla vetëm nga një emër për minuta të tëra; Alfonsi!… Alfonsi!… Alfonsi! Me po atë entuziazëm që shohim sot për yjet e muzikës botërore, pa çka se vendi dhe rrethanat ishin në ato përmasa që afronte ajo Shqipëri e vogël dhe e mbyllur. Po adhurimi ishte po ai që do gjendet gjithmonë rreth yjeve të muzikës kudo në botë, kësaj magjie njerëzore që e luan zemrën prej vendit. 
Ky ishte Alfons Balliçi, që u bë tamam një legjendë dhe theu rregullat e kohës. Thonë se legjendat lindin pas vdekjes së heroit. Alfonsi u bë një legjendë duke qenë ende i gjallë, me kitarën e tij në dorë. Tërë kitaristët e Shqipërisë tani kishin vetëm një idhull që nuk ngopeshin ta dëgjonin, ta njihnin, ta takonin. 
Dhe si për të gjithë të mëdhenjtë e botës magjike të artit muzikor filluan historitë për bëmat e tij, për kapriciot e tij kur luante duke e mbajtur kitarës pas shpine, për veshin e tij absolut e të pagabueshëm deri në kapjen e picikatos midis orkestrës që drejtonte. Janë të panumërta “bëmat’ e vërteta të Alfonsit që ndodhnin para syve të njerëzve. Njëra prej tyre ngjan edhe përtej të pabesueshmes për aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Midis orës ku jepte mësim e nuk pipëtinte askush, në kohën që ai ish me shpinë, dikush nga nxënësit përplasi kapakun e bankës. Mjeshtri u kërkoi nxënësve duke buzëqeshur ta tregonin se kush e kish bërë. Klasa heshti disa sekonda dhe mendoi se kjo ishte e pamundur. Por mjeshtri shkoi bankë më banke duke përplasur një nga një kapakët e tyre. Tek njëra ndaloi dhe i tha nxënësit kokulur: ti e ke bërë, është ky kapak! E kish pikasur përmes frekuencës së goditjes. Klasa mbeti e shtangur. Sikur aty të kish zbritur drejt e nga qielli një magjistar. I tillë ish veshi i Alfons Balliçit të madh…
Jeta e Alfonsit kaloi e gjitha në Elbasan

Jeta e Alfonsit kaloi e gjitha në Elbasan, jo në Tiranë, aty ku muzika dhe fama e tij do ti kish shpalosur krahët më gjerë dhe më larg…Aty në vendlindje e gjetën vitet ’90 si Artist të Merituar. Si koleg i tij gjithmonë e kam përjetuar me dhembje, që fati nuk e deshi të ish në kryeqytet, aty ku zemra e tij do të merrte më shumë adrenalinë krijuese. Sepse talenti i tij ish më shumë se sa kënga e muzikës së lehtë, zemra e tij ishte gatuar për gjini më të mëdha. Të tilla ishin ishin energjitë e tij, fantazia dhe imagjinata krijuese e Alfonsit të pashtershëm. Ne sot do të kishim më shumë krijime prej një mjeshtri kaq të madh, nuk do të kishim vetëm aq këngë dhe vepra muzikore sa ai na la, por shumë më shumë se sa kaq. Nuk do të kishim vetëm disa pjesë për kitarë që shkroi, nuk do të kishim vetëm një koncert recital në emisionin “Këngë në pentagramin tim”, që u bë për të në vitin 1985, apo vetëm një recital me krijimtarinë e tij për këngët e Shqipërisë së Mesme që dha më vonë Ansambli ynë Kombëtar. 
Sot në këto rreshta mbresash, që unë po shpreh për mikun tim qysh në kohën e adoleshencës, përveç dhembjes për njeriun e dashur, dua të flas fort edhe për indiferencën e pashërueshme që kanë institucionet tona dhe ky vend ndaj artistëve të tij të mëdhenj që janë krenaria e muzikës shqiptare.
Kjo indiferencë vrasëse ka të bëjë së paku me harresën edhe të detyrimit më minimal e njerëzor, me heshtje e mediave kur ikën një njeri i tillë që duhet të ishte një kryelajm adhurimi.
Lajmi i vdekjes së tij kaloi thatë në periferi të ndonjë gazete e askund tjetër ku e donte nderi i tyre, në mediat qendrore e mbi të gjitha në TVSH, aty ku nuk pati as vëmendjen më të vogël, asnjë informacion, asnjë kronikë. Asgjë…Mbase Maestro bëri gabim që zgjodhi si kohë ikjeje ditët e nxehta, kur institucionet e kulturës dhe mediat ishin me pushime dhe nuk mund të bezdiseshin nëpër vapë për nderimin e një artisti të madh, që u kish falur muzikën e tij të shkëlqyer gjithë jetën. Mbase bëri gabim që nuk u bë deputet a pushtetar qoftë edhe lokal që mediat të gjitha të buçitnin për atë gjatë gjithë natës. Më kot u përpoqa me telefon të njoftoja gjithkund në gazeta, radio, televizione, por askush nuk u bë i gjallë. Në Ministrinë e Kulturës telefoni binte në boshllëk, se me sa duket edhe Ministria ish në plazh për të përballuar vapën e madhe. Ministria ishte si gjithmonë e padisponueshme.
Indiferenca

E nëse do të vazhdojmë kështu me këtë indiferencë, me këtë rrënim të kultit të nderimit për njerëzit më të shquar të artit të këtij vendi, nuk e di se ku do të katandisemi një ditë? Nesër brezat e rinj do të besojnë se kanë lindur në një shkretëtirë e vijnë prej asgjësë. Në se nuk u biem qysh sot kambanave të alarmit për këtë rrënim moral, nesër do të jetë vonë dhe do të kemi në programin e Ministrisë së Kulturës vetëm një synim e punë, mbrojtjen e monumenteve me gurë e mermer, mbrojtje e rrënojave, por pa njerëz që dinë se çfarë vlerash kanë.
Unë jam dakord me restaurimin e monumenteve që bën Ministria e Kulturës, por monumentet më të mëdha në botë janë njerëzit, sepse në fund të fundit edhe ato monumente i kanë krijuar ca njerëz të mëdhenj të këtij formati, si Alfons Balliçi me shokë. Monumenteve mund t’u vësh roje që t’i ruajnë edhe ca kohë ashtu si janë e t’i ndreqësh dalëngadalë. Njerëzve të tillë të mëdhenj nuk u vë dot roje të mos u afrohet mjerimi, harresa dhe vetë vdekja. Le të restaurojmë njëherë njerëzit, se monumentet mund të presin edhe pak, vetëm duke u konservuar. Po njerëzit nuk presin dot dhe ikin buzëplasur si jetim të një vendi ku nuk ka shtet, kujdes, nderim të merituar. Kur them restaurim artistësh e kam fjalën për kujdesin e tyre material e shpirtëror, flas për pensione të veçanta që nuk ua kanë dhënë, flas për kontribute financiare që ata të jetojnë normalisht e të krijojnë deri në ditët e fundit. 
Kur do ta kuptojë Ministria e Kulturës se nderimi për ta nuk ka të bëjë me atë ditën e varrimit, kur shtetarët zbresin tufa – tufa si engjëj para kamerave dhe mikrofonave dhe aktrojnë pikëllimin e tyre të madh rreth arkivolit. Atë aktrim fals, që në shumicën e rasteve ngjan si pjesë e një fushate propagandistike për pak kredi morale më shumë.
Të vjen keq që aty, në atë ditë përcjelljeje mësojnë për herë të parë dhe të fundit se ku dhe si ku jetonte ky njeri, Aty do të mësonin, ditën e ikjes së tij, se Alfons Balliçi u shpërngul nga Elbasani dhe erdhi në Tiranë, për të ekzistuar, për të gjetur një mundësi jete të përballueshme. Erdhi të bënte atë që kish bërë tërë jetën dhe të nxirrte kitaristë të tjerë, siç kish bërë në Elbasan, në atë qytet që e bëri më të madh dhe me të bukur vetëm me praninë e tij si një muzikant i madh.

I shkruaj këto rreshta i goditur rëndë nga vdekja e tij. 

Por më shumë se sa goditja e ikjes nga kjo botë, më ka tronditur shurdhëria e shoqërisë sonë të rrënuar moralisht pranë artistit në banesën e fundit. Sikur të ishte vetëm ky rast do të kish ngushëllim, por në sy më rrinë plot raste të tjera si ai i ardhjes së trupit të Ferdinand Dedës në Rinas, atë ditë që vinte në arkivol prej Turqisë dhe ku mezi ishin bërë një grusht i vogël njerëzish për ta pritur…
Mbase pikëllimi im i madh për një shok jete që iku ma shton pezmin e këtyre fjalëve, por e vërteta e hidhur është kështu. Boshllëku që të lë ikja e njerëzve kaq të mëdhenj si Alfonsi, pa i u bërë asnjë homazh, është një kambanë e fort alarmi për gjendjen ku kemi mbërritur, deri në një absurd primitiviteti që nuk haset askund tjetër në një shoqëri normale e të civilizuar.
Pa kultin e nderimit dhe të kësaj hierarkie vlerash jemi të gjithë të rrezikuar. Unë jam i bindur se koha do ta mposht këtë shkreti shpirtërore dhe vlerat e shokut tim të dashur, Alfons Ballicit, do të fitojnë mbi modën e kësaj thatësire institucionale. Jam i bindur se muzika e tij do të fitoj mbi shkresat e pafundme të Ministrisë që stivohen me fjalë të mëdha për një të ardhme të ndritur të kulturës shqiptare. Sepse tingujt e tij, muzika e tij, dashuria e tij frymon shqip në ajër përreth nesh e do të jetë e gjallë në jetë të jetëve.
Sigal