Albina Hoxha: Shkrimtari nuk duhet të jetë kurrë indiferent

800
Sigal

Intervista/ Flet shkrimtarja & poetja Albina Hoxha: “Femrat në poezi janë më përpara se meshkujt”

 Albina Hoxha është lindur në Vlorë. Studimet e larta universitare i kryen në Tiranë dhe në vitin 1991 diplomohet për Gjuhë Angleze. Për një periudhë 15 -vjeçare largohet nga Shqipëria dhe së bashku me familjen e saj jeton në Greqi, Pakistan, Iran & Peru. Në vendet ku ka jetuar është marrë me organizata humane (për bamirësi) dhe ka shkruar e ka botuar mjaft artikuj mbi tema sociale. Në vitin 1997, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Toena” , ka realizuar dy botime: “Qeshja e loteve” & “Përqafim i përjetshëm”. Libri “Me sytë e një fëmije” i cili u prit mjaft mirë nga lexuesit është botimi i saj i tretë.

-Cili është lexuesi juaj i përsosur?

Një lexues që pëlqen Dante Aligerin, por që nuk e shijon si Don Kishotin – apo si Shekspirin dhe nuk merr të njëjtën ndjenjë kur lexon Kafkën.

 -Çfarë ju shtyn të shkruani?  Mos keni ushqim të veçantë?

Unë filloj të shkruaj pas mëngjesit, rreth orës 10:00. Nuk punoj me shumë se 2 orë në ditë. Pi vetëm kafe, asgjë tjetër.

 -Cilët libra keni mbi tavolinën tuaj para se të flini?

 Libra që unë aktualisht nuk i hap, por që vetë prezenca e tyre të rrezaton diçka. Shpesh kjo ndjenjë është krejt e ndryshme nga ajo që përjeton kur i lexon. Por kjo është ndjenja për të cilën unë kam nevojë.

 -Keni një rutinë të shkruari?

Ndërmjet orës 10:00 dhe mesditës çdo ditë. Kur ndodhem jashtë, çdo ditë punoj në po të njëjtën kafe. Në Tiranë është e pamundur për shkak të kuriozitetit të njerëzve.

 -Cilat janë influencat tuaja letrare?

Të tre gadishujt e Europës: Apeninet, me Danten; Ballkani me tragjeditë greke; baladat mesjetare shqiptare; gadishulli iberik me Don Kishotin. Ishujt britanikë me Shekspirin. Rusia dhe literatura e Europës Qendrore (Kafka).

 -Çka mendoni për letërsinë që krijohet sot?

Unë mendoj që është një fazë e re, ku ka hyrë letërsia, qoftë këtej në Shqipërinë zyrtare, qoftë edhe andej nga Shqipëria tjetër, Kosova. E njëjta gjë është që letërsia dhe artet kanë kaluar në një fazë tjetër të re. Këtej bëhen kërkime, njerëzit shprehen me stile sa më të ndryshme por, jo vetëm me stile, por edhe me rryma. Me shkolla të ndryshme, në mënyrë që letërsia të pasurohet. Veçanërisht janë autorët e rinj që japin një kontribut të shquar në këto anë, por edhe ata me moshë të mesme dhe ata që kanë krijuar dikur në kohën e socializmit. Përsëri bashkërisht mundohen të gjejnë forma dhe mënyra të tjera të shprehjes, që veprat e tyre të bien në duart e lexuesve, jo vetëm në vendin tonë, por edhe të përhapen në botë. Kështu që, ka një lëvizje të mirë letrare dhe artistike, por do të thosha që kjo veçanërisht është në poezi. Më shumë shkruhet poezia. Ajo që na gëzon shumë, është që ka mjaftë autore vajza dhe gra, që shkruajnë me një nivel të përparuar artistik. Unë do të thosha se në poezi janë më përpara se djemtë dhe burrat. Ka femra që shkruajnë më mirë se ata, siç janë : Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Flutura Açka dhe vajza të tjera, që janë me një shprehi krejtësisht të veçantë, transparente, moderne, por jo ekstravagante, për t’i bërë librat si fjalëkryq duke marrë parasysh realitetin tonë. Kanë një synim, apo një sens tepër të përparuar. Edhe në Kosovë, unë vë re një gjë që në poezi, por edhe në prozë, prozën e shkurtër veçanërisht, ka një element të ri, që po bëhet më me lëng poezia dhe proza. Po hyhet edhe në disa anë më intime të jetës së njerëzve, po jepet edhe ndjenja e dashurisë më shumë, e familjes, e peizazhit, që në kondita të veçanta, siç ishte atëherë në Kosovë puna e lirisë, puna e problemeve nacionale. Ishte si e them unë, në një kohë kur bie tërmet, nuk mund të flasësh për lulet. Kështu që, ajo justifikohej. Kurse tani në Kosovë, ka një poezi veçanërisht, por edhe proza ka një figuracion të lartë edhe kështu po ecën edhe ana tjetër e një poezie më intime, më e shkriftë.

 -Kur e morët vesh se do të bëheshit shkrimtare?

Kur isha 12 vjeç. Atëherë ishte e lehtë ta imagjinoje veten një shkrimtar të rëndësishëm…

 -Çfarë do t’i porositnit shkrimtarët e rinj ?

Unë mendoj, që shkrimtarët e rinj duhet t’i njohin dy realitete. Realitetin e jetës që të takojnë shumë njerëz, që të mos jenë indiferentë ndaj zhvillime të shoqërisë, të politikës, të kulturës. Sa më shumë të jenë njerëz kurioz, aktiv, ashtu siç thoshte poeti i madh gjerman Hajne. Ai thoshte, “po më humbi kuriozitetit politik, unë mbarova, nuk mund të jetoj dot”. Po kjo është një gjë shumë domethënëse, që shkrimtari nuk duhet të jetë kurrë indiferent. Duhet të jetoj me pulsin e zemrës së popullit. Duhet ta njoh mirë atë, të njoh kërkesat, të nxit njerëzit për përparimin e shoqërisë etj.. Të bëjë vepra të atilla, siç kanë bërë rilindësit tanë dhe të mos mbyllet në Kullën e Fildishtë edhe të duket si njeri që vetëm shkruan dhe bën eksperimente në krijimtari. Ky është njëri realitet. Kurse realiteti tjetër, është realiteti i librit. Shkrimtari duhet të jetë gjithmonë një lexuesi nga më të mëdhenjtë, që të jetë në kontakt gjithmonë me zhvillimin e letërsisë së vendit, por edhe të huaj. T’i njoh mirë teknikat e reja, zhvillimin e këtyre teknikave, zhvillimin e kësaj teknologjie të re të të shkruarit, por gjithmonë në funksion me ato të psikologjisë së vendit të vet