Albert Habazaj: Pesë Maji qan!

189

“Lule, more trima, që ratë për Atdhe!”

Ju e bëtë detyrën, çfarë po bëjmë ne?!

 

Me faqe të njomura më zgjohet mëngjesi mërgimtar,

Po vishet hijshëm me kostumin kuqezi për nderim.

Unë kthehem nga mendoj se bie dheu im shqiptar,

Rri gatitu për respekt të dëshmorëve të Atdheut tim.

 

Për Shotat, Koci Bakon, Qemal Stafën, Margaritën,

Hajredin Bylyshin, Bajramin, Muminin e Hiqmetin e vogël,

Për ata, që lule u bënë për frymëmarrjen e lirë,

Që ranë të mos loz’ bota me ne, si me një gogël.

 

… U bënë  vite, që ndër këto vise, çdo ditë

Është pesë maj, ndaj qan Dita e Dëshmorëve.

Vyshken lulet …, sa dhe të freskëtën dritë

E zbehin, sa e fëlliqin zuzarët e horrave.

 

Harrojmë që në jetë jemi, se ranë ata,

Harrojmë, a na humbtë e na u harruat emri!…

Po i ramë si dudumë të ndryshkurës matarà,

Po harruam nga vijmë, po u hutuam ku vemi.

 

Loti i Pesë Majit dhemb në kockë të dinjitetit,

Eklipsohen elegjitë antike nga lot’ i dëshmorëve;

Dhe sjell Epopeja skënderbejane e Lidhja e Prizrenit,

Pavarësia e Lufta e Vlorës kushtrimin e liritherorëve.

 

Filigran nderi ai ideal gjaku me dritë

I dëshmorëve si yje të Atdheut tim,

Dhembja e yjeve ngrihet në gjysmë shtizë,

Do të ulet, kur të vishet shpresa me blerim…

 

L’Aquila, 05.05. 1999;

Vlorë, 05.05.2019