Albana Çakshiri: Gara bukurie ka shumë, diferencën e bën suksesi

563
Miss Summer World u mbyll duke i dhënë kurorën Artemis Mustaki, vajzës 21 vjeçare nga Greqia. Kurorë, e cila u dha nga kryetari i jurisë së këtij kompeticioni, Drejtor i gazetës “Telegraf” Engjëll Musai. Ky kompeticion u organizua nga agjencia e spektakleve “Albania Event Productions” nën produksionin e producentes Irena Vreto. 20 vajza nga vende të ndryshme të botës janë vlerësuar nga juria ndërkombëtare, në të cilën përveç emrave të njohur të producentëve nga vende të ndryshme të botës në fushën e bukurisë ka pasur dhe përfaqësues shqiptare. Kryetar i jurisë ndërkombëtare ishte Engjëll Musai, drejtor i gazetës “Telegraf”. Po kështu pjesë e jurisë ndërkombëtare ishte edhe producenti i Miss&Mrs. Grand Sea Universe Chavdar Arsov nga Bullgaria, Lili Kovàcs përfaqësuese e KSID Model Hungary nga Hungaria, Sidrita Sadikaj nga Kosova, Kosta Pelikani Shqipëri, Dashnor Asllani nga Kosovë. Spektakli Miss Summer World ka pasur koreografe të tij Ledia&Jonel Asabellen, ndërsa është prezantuar nga Albana Çakshiri dhe Klevis Saliu. Miss Summer World ishte një event mbresëlënës, ku mes të të ftuarve, emrave të njohur të jurisë etj., kryefjala ishte hiri dhe bukuria e konkurrenteve. Por për post eventin ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” kemi realizuar një intervistë me organizatoren dhe prezantuesen e këtij eventi Albana Çakshiri
Albana Çakshiri jemi në post eventin e Miss Summer World, mendoni se i arritët pritshmëritë tuaja si organizatore, por edhe ajo çka pritej nga vajzat?
Miss Summer World ka mbyllur siparin e tij dhe bashkë me triumfueset e këtij edicioni jemi duke bërë bilancin e asaj pune te jashtëzakonshme prej me shume se 6 muaj. Sigurisht që pritshmëritë e mia dhe te stafit janë tejkaluar dhe besoj se ia kemi dale jo thjesht të kurorëzojmë më të bukurën në botë të kësaj vere, por të bëjmë bashkë shumë mentalitete, botë të ndryshme që boshtin kryesor ka pasur të bukurën. 
Sa kohë jeni përgatitur ju Albana për realizimin e këtij eventi, duke qenë se jeni edhe ideatore e këtij eventi? 
Duhet të theksoj se ideatore e këtij organizimi është producentja e spektaklit gazetarja dhe shkrimtarja e njohur Irena Vreto. Sigurisht në rolin e organizatores kam pasur gjithë drejtimin e punës për të arritur deri në natën finale ku pati shkëlqim dhe sharm sigurisht. Puna për të mbërritur deri në show final ka qene intensive. Ashtu si e theksova edhe më sipër na është dashur më tepër se 6 muaj punë bashke me znj. Vreto të preknim finishin.
Sa e vështirë ishte për ju realizimi i këtij eventi, sepse duhet thënë që Miss Summer World realizohej për herë të parë në Shqipëri?
Garat e bukurisë në botë janë të shumta, por diferenca është ajo që e bën ose jo të suksesshëm. Ka qenë një sfidë më vete që për herë të parë të vijë në Shqipëri një patentë e këtij niveli, për më tepër që tregu është ngopur nga disa gara kombëtare që kanë humbur dhe interesin e publikut. Madje vështirësitë rriten kur mbështetja nuk është ajo që duhet, madje bë ndonjë rast konkurrenca ka tentuar të vere shkopinj “nen rrota”. Miss Summer World tashmë ka edicionin e tij të parë dhe pavarësisht shumë vështirësive mbrëmja e 21 majit ka qenë mbresëlënëse.
Sa vajza merrnin pjesë në këtë event?
Në edicionin e parë Miss Summer World kishim 20 konkurrente të cilat na kanë dhuruar emocione të bukura gjatë natës së spektaklit. Në fakt kemi pasur më shumë kërkesa, por disa konkurrente nga Afrika nuk kanë mundur dot të pajisen në kohë me vizë për të hyrë në Shqipëri dhe kjo ka kushtëzuar prezencën e tyre. 
Si u bë përzgjedhja e bukurosheve që morën pjesë në këtë konkurs bukurie?
Përzgjedhja e konkurrenteve pjesëmarrëse në Miss Summer World 2016 kaloi në disa faza dhe vajzat që preken për herë të parë tokën shqiptare kaluan disa filtra. Fillimisht grupi i punës i agjencisë së spektakleve “Albania Event Production” ka vendosur se cilët persona do të përzgjidhte si Drejtorë Nacionalë për shtetet nga do vinin konkurrentet. Kjo nënkupton faktin që producentë të njohur në garat e bukurisë, apo drejtues të agjencive të njohura të modës të bëheshin pjesë e stafit ndërkombëtar. Më pas këta drejtorë janë kryer casting të posaçëm për të vendosur për delegatet të cilat natyrisht duhet të plotësonin kriteret e për përcaktuara nga ana jonë.
U deshën muaj prova për të arritur tek më e mira, në tre netët e këtij kompeticioni? 
Në fakt mund të befasoheni nëse iu them që ditët e përgatitjeve kanë qenë të kufizuara aq sa ka qenë qëndrimi i vajzave në Shqipëri. Për vetëm katër ditë kemi mundur të përgatisim gjithçka për finalen e madhe. Gjithsesi duhet theksuar fakti se vajzat pjesëmarrëse janë kryesisht vajza të njohura në fushën e modës dhe bukurisë që e lehtësonte dhe punën në skenë gjatë provave. 
Mund të kujtojmë pak anëtarët e jurisë dhe si u bë përzgjedhja e tyre?

Sikundër e theksuam, për sa i përket Drejtorëve Nacionalë që ishin të licencuar nga ana ime të përzgjidhnin konkurrentet, njëherësh ishin baza kryesore e jurisë ndërkombëtare. Ndërkaq nga Shqipëria kishim figura të njohura që votuan për të vendosur për vajzat fituese. Kryetar i jurisë ishte botuesi dhe publicisti i njohur Ëngjëll Musai. Gjithashtu producenti i njohur bullgar Chavdar Arsov i eventit botëror Miss&Mr Grand Sea Universe ishte pjesë e jurisë, Lili Kovàcs nga Hungaria drejguesja e agjensisë më të njohur të modelingut KSID Model Hungary, Aurora Sulçe gazetare, Dashnor Asllani përfaqësues i Moda City Kosovë, Sidrita Sadikaj Kosove, Kosta Pelikani sipërmarrës Shqipëri. Anëtarët e jurisë kanë vlerësuar nga 1-10 pikë konkurrentet për të dalë tek vendimi final. 
Prezantimi në shqip dhe anglisht si u prit? 
Meqenëse bëhej fjale për një kompeticion botëror, sigurisht një nga kushtet e përcaktuara më parë ishte prezantimi në dy gjuhë i spektaklit. Gazetari dhe prezantuesi i njohur i Vizion Plusit Klejvis Saliu ishte për prezantimin në gjuhën angleze, ndërsa unë për atë në gjuhën shqipe. Publiku e ka mirëpritur pasi në teatrin e Durrësit ku u shfaq spektakli kishte dhe anglisht folës.
Përse u zgjodh Durrësi për të kurorëzuar më të bukurën e verës në botë?
Qyteti i Durrësit ashtu si dhe bukuroshet e botës ka një simbolikë të të bukurës mbretëreshën Teutë. Por nuk është vetëm ky argument që na nxiti të organizojmë këtu Miss Summer World. Një qytet turistik, bregdetar dhe shumë pranë aeroportit ishin pikat e forta të Durrësit mikpritës. Të gjitha këto komponentë u bënë bashkë për të arritur suksesshëm Miss Summer Wirld 2016, i cili pati punë, angazhim, lodhje dhe sukses në fund.
Tashmë kopmeticioni përfundoi, ju vetë kishit ndonjë vajzë të preferuar, të cilën donit që ta fitonte vendin e parë?
Për mua si organizatore, e rëndësishme është suksesi i krejt garës, ndërsa të gjitha konkurrentet ishin dinjitoze dhe çdonjëra e meritonte kurorën. Natyrisht që vendimi i jurisë ndërkombëtare është i padiskutueshëm, madje do thoja që ishte shumë profesional, ndaj gjej rastin ta falënderoj sërish. 
Si e shijuan Shqipërinë bukuroshet e ardhura nga vendet e ndryshme të botës?
Konkurrentet e Miss Summer World janë ndjerë të surprizuara nga Shqipëria dhe ky ishte dhe qëllimi. Ne zgjodhëm një garë bukurie për t’i bërë promocion vlerave të bukurisë natyrore, turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Madje oazi i qetësisë dhe relaksit ka qenë Kompleksi Turistik FAFA në Malin e Robit, në Golem që ka mikpritur vajzat konkurrente të këtij edicioni. Parajsa e vogël buzë detit Adriatik i ka magjepsur bukuroshet dhe jam e sigurt qe nuk do i ndahen Shqipërisë. Unë gjej rastin të falënderoj z. Fatos Cerenishti jo vetëm si anëtar i jurisë ndërkombëtare, por dhe si sponsori kryesor i Miss Summer World. Gjithashtu sponsor të kësaj gare kanë qenë dhe kompania e sigurimeve Eurosig, Dajti Expres dhe natyrisht Bashkia Durrës dhe kryebashkiaku i saj z. Vangjush Dako, institucioni i teatrit “Aleksandër Moisiu”, si dhe i gjithë stafi i palodhur i këtij institucioni me drejtor shkrimtarin, Bashkim Hoxha. 
Intervistoi: Klaudia Malaj 
Sigal