Aktorja Gjinovefa Redhi: “Hekuba e Euripidit është një nënë shqiptare”

1056
Sigal

Në teatrin “Thision” të Athinës emigrantët shqiptarë vënë në skenë tragjedinë e greke që mbijeton prej mijëra vjetësh

Këto ditë  shfaqet në teatrin “Thision” në Athinë tragjedia  “Hekuba” e Euripidit. Realizimi i kësaj tragjedie të  Euripidit në skenën e teatrit grek është mundësuar nga regjisori shqiptar, Enke Fezollari , një nga më të talentuarit e brezit të ri  të emigrantëve shqiptarë dhe aktorët janë emigrantë nga vende të ndryshme të botës, që kanë të përbashkët emigrimin në Greqi. Shfaqja e deritanishme e tragjedisë “Hekuba” të Euripidit nga regjisori- aktor  amator emigrant, është mirëpritur shumë mirë nga publiku vendas grek, nga komuniteti emigrant, por edhe është pasqyruar gjerësisht nga media greke, ku është dhënë edhe një vlerësim mjaft pozitiv. Por, media e kritika greke ka çmuar shumë realizimin e rolit kryesor, të Hekubës, nga aktorja emigrante shqiptare Gjinovefa Redhi.  Në qarqet artistike greke, për rolin e Hekubës, luajtur nga aktorja shqiptare, Gjinovefa Redhi,  tha  “mirësevjen e reja Katina Paksinu”, deri edhe në cilësime si  “diamanti  i Ballkanit”.

– Zonja Redhi, cila është  Hekuba, heroina e rolit që ju luani?

– Roli që luaj është Hekuba, ish- mbretëresha e Trojës. Ngjarjet janë pas shkatërrimit të Trojës nga grekët. Trojanët skllavë tek grekët. Hekuba, ish- mbretëreshë tani skllave, Hektori, luftëtari i famshëm i Trojës është vrarë, i marrin vajzën Poliksenin ta bëjnë theror mbi varrin e Ahileas. Ka një peshë shumë të madhe emocionale dhe shpirtërore. Prandaj, them, që si personazh është një nënë, ku përmblidhen shumë nëna bashkë, si figurë është një atdhe. Rrënimi i saj nuk është vetëm humbja e fëmijëve dhe burrit,  por edhe humbja  e atdheut.

– Cilët janë  aktorët e shfaqjes dhe përse u përzgjodhën edhe aktorë jo grekë?

Realizimi i tragjedisë Hekuba e Euripidit, në skenën e teatrit “Thision|” të Athinës, është një program i ministrisë  së Kulturës greke, me sponsorizim nga BE-ja, që ndihmojnë në  integrimin e emigranteve në shoqërinë greke.  Në shfaqe marrin pjesë Kostandimos Siardhaqis, një aktor grek, Androniki Mërtiri emigrante shqiptare e rritur në Athinë, një aktor Stefanos Mouage me prejardhje nga Uganda, i lindur dhe rritur në Greqi, dhe unë. Regjisori Enke Fezollari, është  shqiptar dhe është një nga më të aktivizuarit në Athinë, dhe një nga më të talentuarit në brezin e tij. Përzgjedhja  e aktorëve  u bë me odision, por kriteri kryesor ishte që ata të ishin emigrantë, për të përmbushur qëllimin. Ka artista emigrantë që aktivizohen shumë, në jetën artistike të Athinës.

– Cili është këndvështrimi i sotëm i  tragjedisë “Hekuba” të Euripidit?

– Shfaqja është parë nga një këndvështrim i veçantë, është sjellë shumë bukur në kohë, megjithëse e shkruajtur kaq shekuj përpara , shtrohen të njëjtat probleme. Në këtë shfaqje shtrohen probleme, nuk zgjidhen probleme. Secili, duke ikur, mendon dhe jeton momente nga jeta e tij.

 – Ç’është Hekuba për ty?

– Është një nënë, mbi të gjitha, pastaj është një ish-mbretëreshë, një nënë që provon shumë dhimbje, një nënë, e cila mund të jetë nga Shqipëria, nga Greqia, nga kudo. Si personazh, ndërsa  si vepër është një vend, një atdhe. Shtrohen probleme të një shoqërie, të një sistemi të kalbëzuar, i cili ka luajtur rolin e tij në humbjen e cilësive të karakterit të njeriut. Në shfaqje flitet për besën, për njerëzimin, për prerjen në besë, për mirëpritjen, cilësi që çdo popull i tregon me krenari. Kjo shfaqje me këndvështrimin  është parë shume aktualë, për emigracionin, jo vetëm për emigrantët në Greqi, por edhe për vetë grekët, të cilët në një mënyrë sot ndjehen emigrantë. Shtrohet problemi, se si secili shikon njeriun që ka krah, tjetrin, frika nga ajo që ne na duket e ndryshme, nga ajo të cilën ne e shikojmë si diçka që nuk ngjan me ne, ose me jetën tonë.

 – Aktorja si mund të mbushet për të përballuar një peshë të tillë shpirtërore, që kërkon roli i “Hekubës”?

– Unë jam nga Vlora, jetova ‘97-n, tragjedinë e Otrantos. Unë isha atje në Vlorë. Ato nëna, motra, bashkëqytetare, secila në ato momente jetoi në një lloj mënyrë dhimbje. Jetoj në Athinë, ku shumë shpesh, ndodhin ngjarje me emigrantët. Para disa ditësh deti nxori 21 të rinj nga Afganistani. Nuk e di nëse nënat e tyre  munden t’i varrosin siç duhet, por nuk dua të vazhdoj me raste kaq tragjike. Ajo që e mbart mbi vete tragjizëm, është e përditshmja jonë. Mjafton të ndodhesh në autobus dhe shikon sy, ku është shuajtur shprehja e ëndrrës dhe e shpresës. Kjo sa tragjike është, besoj se është shumë më tragjike se tragjizmi, ose jeta dhe vështirësitë që sot jetojmë dhe jo vetëm në Shqipëri dhe në Greqi, por në shumë vende …pasiguria për nesër. Gjithçka flet me ngjyra tragjike. A nuk është tragjike kur shikon sy të vuajtur të njerëzve të një moshe të tretë, të cilët kanë sjellë fëmijë në jetë, kanë kaluar një jetë duke punuar dhe tani rënkojnë dhe presin nëpër radha të pafundme për të marrë në dorë qindarka, për të jetuar. Kështu ka kaq e kaq gjëra, të cilat të bëjnë të shikosh tragjiken dhe tragjizmin dhe mbi të gjitha, humbja e ëndrrës tek të rinjtë.

– Ju u vlerësuat si një aktore me botë  të fuqishme. Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

– Nga komentet dhe përgëzimet që më bënë ishin të ndryshme, por ato që më bërë përshtypje më shumë ishte kur një aktore e njohur greke m’u afrua dhe më tha: “ E kam lexuar dhe parë pjesën shumë herë, por kësaj radhe kuptova çdo të thotë  të duash atdheun”. Dikush më tha e pashë të gjallë Hekubën dhe po e marr me vete, ndërsa një poet më tha që kjo Hekubë i tingëlloi aq bukur  dhe foli kaq bukur në gjuhën time. Në shfaqje ka momente që unë qaj dhe këndoj shqip, ndoshta janë momentet më të bukura dhe sidomos kur, pas shfaqjes të thonë…kuptova çfarë the në shqip…

 – Ç’mendoni për këtë koment?

– Më tremb ky krahasim.  Zonja Paksinu  është një epokë e tërë për grekët, një majë e paarritshme për artin grek, me oskar. Hekuba ishte për mua, një ëndërr e bukur, interpretova për herë të parë në greqisht me Hekubën  dhe për këtë do i jem përherë mirënjohës regjisorit Enke Fezollari, puna e të cilit është plot fantazi, krijimtari, energji artistike dhe pashtershmëri dijesh dhe kërkimesh artistike. Gjatë procesit të punës kishim pranë një nga teatrologet më të përgatitura zonjën Natali Minioni, e cila na shpjegonte me hollësi çdo gjë që kishte të bënte me shekullin e 5, ku zhvillohen ngjarjet dhe Euripidi shkruan veprën.

– Ju ku jetoni aktualisht?

– Jetoj në Athinë prej disa vitesh. E tërhequr nga teatri. U ktheva në teatër vjet, mora pjesë në festivalin e Monodramës në Vlorë. U paraqita me monodramën “Xhordan”, ku u vlerësova me kupën e festivalit.

– Sa e vështirë është që aktorët emigrantë të luajnë në skenat e teatrit në Greqi dhe të jenë në role protagonistë?

– Për aktorët kudo është vështirë sot. Kudo ndihet kriza dhe në Greqi grekët e ndjekin teatrin.  Të themi që në Athinë, në të njëjtën javë, jepen shumë shfaqje.

– Mendoni se emigrantët janë integruar tashmë në shoqërinë greke?

– Po, mendoj se emigrantet janë integruar tashmë në Greqi, mjaft mirë. Shumë aktorë shqiptarë aktivizohen gjerë në artin grek, regjisori i shfaqjes është shqiptar, është një nga më të mirët e brezit të tij të ri, mjaft i kërkuar  dhe i vlerësuar. Nga ana tjetër, politika greke e deritanishme u është borxhlinj emigrantëve, pasi duhet që ligji t’i trajtojë të barabartë edhe emigrantët, pasi ata kontribuojnë për të mirën e shoqërisë greke.

– Ka të ardhme aktori në këtë situatë të krizës së thellë ekonomike në Greqi?

– Në këto momente krize është vështirë sigurisht për artistët në përgjithësi, situata është edhe më e zorshme.

 

  Dramat, ku ka luajtur Gjinovefa  Redhi

 • “Shi në plazh” nga Ruzhdi Pulaha, regjisor Gëzim Kame

• “Vizita e inspektorit nga Nikolai Gogol”, regjisor Birçe Hasko

• “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Federico Garcia Lorca. regjizor Gëzim Kame

• “Kristali Blu” nga Mihallaq Qilleri, regjisor  Besnik Aliaj

• “Sakrifica” nga Ismail Kadare, regjisor  Roland Minga

• “Muri i heshtur” nga Paulo Messina, regjisor Roland Minga

• “Tre Mendje në ankand” nga Ferdinand Hysi, regjisor Armando Bora

• “Familja e peshkatarit” nga Sulejman Pitarka, regjisor Timo Floko

• “Mikroborgjezët” nga Maksim Gorki, regjisor Kadri Roshi

• “Aziloidi” nga Ferdinand Hysi, regjisor Armando Bora

• SOS në Hotel nga Ferdinand Hysi, regjisor Bujar Asqeriu

• “Bankat” nga Gafur Shameti, regjisor Luftar Pajo

 Kinema:

• “Në emër të lirisë” (1987), skenar: Bashkim Kozeli regjisor Fehmi Hoshafi, disa nga pjesët që unë kam luajtur  “Bërtet hajduti” nga Dhimitër Psatha, regjisor Bujar Asqeriu

Vjet në prill u paraqita në Festivalin e Monodramës në Vlorë, ku mora Kupën e festivalit, me pjesën “Xhordan”, ajo shfaqje u dha edhe në Athinë

dhe tani me Hekubën.