Laura Nezha sfidon me “Antigonën” në Teatrin Kombëtar Eksperimental

197

Drama “Antigona” nga e enjtja deri mbrëmjen e së dielës, deri më 31 mars vjen për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra shkruar nga Jean Anouilh përkthyer nga Ekrem Basha e sjell regjisorja Andrea Brusque. “Antigona” vjen me gjithë fuqinë që një tragjedi e sjellë në kohët moderne mund të ketë. “Lufta për pushtet, revolta ndaj tiranit, dashuria, të gjitha ngjyrat që një shfaqje mund t’ju sjellë”, shkruan një kritik teatri. Këtë herë regjisorja franceze i ka besuar rolin kryesor atë të Antigonës aktores së njohur Laura Nezha.

Ky rol ka sjellë sukses për aktoren Nezha, e cila është vlerësuar nga publiku, por dhe kritika. Antigona e Jean Anouilh, është një heroinë që përcjell mesazhe, të cilat i kalojnë kufijtë. Me interpretimin e aktores Laura Nezha është historia e një vajze të re që thotë jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon dhe kjo liri e të shprehurit do t’i kushtoj jetën. Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët.

Aktorja Laura Nezha për këtë rol është shprehur, se është me fat që interpreton Antigonën. “Jam me fat, që më është besuar ky rol. Antigona më ka bërë të dashurohem pas saj, për disa elementë të çiltërisë dhe pastërtisë, që them se duhet ruajtur, se janë vlera shumë njerëzore, të shoqërisë e aq më tepër shqiptare. Që në momentin që ajo kundërshton, më ka bërë për vete, sepse nuk do që të bëjë kompromise. Më ka bërë për vete kjo heroinë e kohëve moderne”, u shpreh aktorja. Rolet në dramë interpretohen nga Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela, Klejdi Metaj. Skenograf në shfaqje është Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara.

“Antigona” e Jean Anouilh është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Poliniku. Gjithashtu vepra u interpretua, se përfaqësonte luftën e lëvizjes së rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi, gjatë kulmit të pushtimit nazist.

Antigona në skenë

Varianti i Anouilh i Antigonës prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse, jo bardhë e zi. Në shkrimin e tij Eugent Kllapi shkruan se “Antigona”, erdhi si një premierë e rijetësuar mrekullisht në tragjedinë e saj. “Kasta e aktorëve kishte të veçantat e saj. Laura Nezha, një aktore dinamike dhe elokuente në performancat e mëparshme erdhi me kryerolin e Antigonës, vajza që mban mbi vete peshën e vdekjes, po aq sa edhe dëshirën e një jete të drejtë. Gjithashtu si peng në zemër, mban vdekjen e vëllait të saj”, shkruan Kallpi.

Ai vijon se vepra kishte disa lloj karakteresh dhe disa ngjarje që mbitheksojnë tiparet e karaktereve. “Nga një anë kemi Antigonën idealiste, nga ana tjetër në qendër është ajo e xhaxhait të saj Kreoni, tiran i pushtetit absolut që mund të shndërrohet në bamirës jete sa dhe tolerant. Së fundmi, ai ka dhënë urdhër të panatyrshëm për një të vrarë. Vëllai i Antigonës është lënë i pavarrosur, veprimi i Kreonit duket i sertë, i ngurtë, katil. Tema e autorit Anouilh i Antigonës sjell shumë mesazhe dhe shumë raporte të drejtpërdrejta, dialektikë në rritje nga fillimi në fund”, vijon Kllapi.

Sipas tij, në qendër të vëmendjes vihet Antigona e luajtur nga Laura, baza e ngjarjes shtrihet në antikitet e përshtatur për ditët moderne, një ndërthurje kohe. Antigona është e re, e dashur, e vrullshme dhe me plot pendesa. “Laura shkrihet me rolin, me lëvizjet dhe plastikën, ajo ndjek të njëjtin ritëm si në ngjarje e shkathtësi si një atleteje, revolucionare sa një njeri i fortë, dhe e brishtë sa një fëmijë me dashurinë e saj. Një vajzë dinamike, idealiste sa dhe e lirë, e lirë për të bërë atë që mendon dhe atë që do të bëjë. Por jo të gjithë bëjnë atë që duhet në një kohë kur absolutizmi tiran është mbi të gjithë dhe ndjell vdekje për këdo që e cenon. Kjo nuk i bën përshtypje Antigonës së mbrujtur që në fillim me një urrejtje të pashoqe për këtë lloj sistemi. Nga fillimi në fund të shfaqjes Laura erdhi si melodi në rolin e saj, ritmikisht dhe njëtrajtësisht për të arritur qëllimin final, kryerolin e lartësuar”, shkruan Eugent Kllapi.