Akademikut Prof. Dr. Anastas Angjeli i dorëzohet diploma e anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Europës

211

Në ceremoninë e ndarjes së diplomave, mori pjesë Presidenti i Austrisë Heinz Fischer

Në 7 mars, në Salzburg të Austrisë, me rastin e 25 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të diplomave për anëtarët e rinj të pranuar gjate vitit të kaluar.Në këtë ceremoni iu dorëzua diploma e anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli.Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës vlerësoi kontributin e këtij institucioni për zhvillimin e shkencës dhe të artit në vendet evropiane dhe të mbare botës duke përcjellë mesazhin që shkenca na bashkon për zhvillim dhe integrim.Këtë event e nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitete akademike dhe të shkencës nga 72 shtete të botës që kanë anëtare në këtë institucion shkencor. E veçanta e kësaj ngjarjeje të rëndësishme festive ishte pjesëmarrja në të, fjala e mbajtur dhe fakti që shpërndarja diplomave u bë nga Presidenti  i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer. Në këtë ceremoni festive morën pjesë zv. kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Gudar Beqiraj.

Prof. Dr. Anastas ANGJELI

Profesor në Ekonomi-Financë, me një kontribut të shquar në këtë fushë, veçanërisht në atë të Financave Publike dhe të Reformave Strukturore në Ekonomi. Prej vitit 1982 e më pas, ka kontribuar në profesoratin e Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës e më tej, pas vitit 1990, me angazhimin e tij në politikë. Është deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1991-2005 dhe u rizgjodh deputet në 2013-n, si edhe ka qenë disa herë drejtues i komisioneve parlamentare për Çështjet Ekonomike e Financiare dhe Ministër i Ekonomisë, Ministër i Financave dhe Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, për një periudhe të gjatë kohe gjatë tranzicionit. Prof. Dr. Anastas Angjeli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë që prej vitit 2009. Prof. Dr. Anastas Angjeli nga muaji Korrik 2014 është zgjedhur Anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.Është afirmuar si një nga ekonomistët-financier më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Kontributi i tij i veçantë për reformën buxhetore e fiskale, për zhvillimin e sistemit financiar(bankar dhe jobankar), për zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri, për zhvillimin e lirisë ekonomike, për kryerjen e reformave strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, për liberalizimin dhe integrimin e ekonomisë shqiptare në atë rajonale dhe europiane, gjatë periudhës së tranzicionit, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik vendas, por edhe nga institucionet ekonomiko-financiare ndërkombëtare. Profesor Anastas Angjeli është themelues i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Ai është autor dhe bashkëautor i disa librave universitare dhe monografive, i shumë artikujve shkencor, brenda dhe jashtë vendit, studimeve me karakter kombëtar dhe rajonal.

Botimet  më të fundit të Prof. Dr. Angjelit janë:

  • Ligjeratat Nobel në Ekonomi (4 vëllime, 2003-2004)
  • Albania-Economic Development Aspirations and Endeavors for a Regional and Euro-Atlantic Integration (2004)
  • Tranzicioni dhe Liria Ekonomike në Shqipëri (2007)
  • Hyrje në Ekonomi (2010)
  • Makroekonomiks (2010)
  • Marketingu bankar (2010)
  • Transition and Economic Freedom in Albania (2011)
  • Në ethet e krizës (2012)
  • Ditari i tranzicionit ekonomik (2013)
  • Ndërhyrja e Shtetit në Ekonomi (2015)