Akademiku Rexhep Qosja letër për Sadije Agollin: Dritëroin dhe krijimtarinë e tij i dua përjetësisht

613
Kanë kaluar vetëm disa ditë që shqiptarëve dhe letërsisë shqipe ju këput një lis i madh dhe plot hijeshi , poeti i qytetarëve, i njerëzve të thjeshtë, por edhe mendjemprehti i politikës, i madhi Dritëro Agolli. Pikërisht këto ditë kur në redaksinë e “Telegraf” vazhdojnë të mbërrijnë me dhjetëra dhe qindra letra, poezi kushtuar poetit, ngjarje dhe vlerësime një letër malli mbërrin nga Kosova për familjen e poetit. Ajo është shkruar me plot patos dhe dashuri dhe mban firmën e mikut të shtrenjtë të Dritëroit, nga Akademiku Rexhep Qosja. Ai shpreh pikëllimin e madh që ndjen për humbjen e Dritëroit, të cilin e çmonte shumë. Ai nuk mundi të ishte prezent në homazhet për Dritëroin, pasi ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Ai uron, që Sadija dhe Elona, vajza e Dritëroit, të jenë më mirë tani dhe të jenë pajtuar më në fund me një domosdo që na pret të gjithëve: me ndarjen nga jeta . Këtë letër të Akademikut të shquar vajza e poetit tonë të pavdekshëm Elona vendosi t’ia besojë Gazetës Telegraf, për më tepër, që miqësia e “Telegraf” me Akademikun Qosja dhe të pavdekshmin Dritëro është e hershme dhe e lidhur fort si mish me kockën. 

Ja letra e plotë:
E nderuara Elona
Uroj që Sadija e Ti ta keni marrë veten e të jeni pajtuar më në fund me një domosdo që na pret të gjithëve: me ndarjen nga jeta. Ndarja e Dritëroit nga jeta na ka pikëlluar të gjithëve. Unë e kam çmuar dhe e kam dashur Dritëroin, çka shihet edhe në Ditarët e mi. Dhe unë e kam çmuar dhe e çmoj, e kam dashur dhe e dua shumë krijimtarinë e tij, çka shihet edhe në shkrimin tim që u botua në gazeta e në portale me rastin e ndarjes së Dritëroit nga jeta. 

Për botimin që mendonte të bënte Akademia e Shkencave e Shqipërisë me shkrime të autorëve të ndryshëm për 85 vjetorin e jetës së Dritëroit, unë kisha paraqitur trajtesën me titull “Estetika e humorit në krijimtarinë e Dritëro Agollit”. Por, gjendja e rënduar shëndetësore nuk më dha mundësi ta bëj atë trajtesë, ashtu siç nuk më bëri të mundshme as të vi në homazhet për Dritëroin. Sot i mora tri veprat e Dritëroit dhe CD- në me vjershat e zgjedhura të tij. Botimi i këtyre tri veprave ishte vërtet i mrekullueshëm, përgatitja teknike dhe artistike ishin shumë krijuese. Kishte një harmoni të jashtëzakonshme mes bukurisë botuese dhe thellësisë e bukurisë së mendimeve dhe shprehjeve të Dritëroit.

Teksti im për Dritëroin e Sadijen, i vënë si parathënie e romanit “ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte shumë i privilegjuar. Ju faleminderit për atë që më keni bërë!

Duke ju dëshiruar paqe shpirtërore, Sadijen dhe Ty ju përshëndes me përzemërsi shumë të përkushtuar.

Juaji, vëllazërisht ,

Rexhep Qosja
Sigal