Akademiku Muzafer Korkuti, sot prezanton në sallën “Aleks Buda”, Etnogjenezë e ilirëve

97

 

Sot në Akademinë e Shkencave ora
11:00, organizohet prezantimi i librave të Akademikut Muzafer Korkuti

 

 

(Prezantimi organizohet në sallën
“Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)

 

-Librat:

•        Etnogjeneza e ilirëve

•        Shkrime (si një histori e shkencës
arkeologjike shqiptare)

 

“Etnogjeneza e ilirëve” nuk është
thjesht një përmbledhje studimesh dhe botimesh të mëhershme të Profesor Muzafer
Korkutit për këtë çështje. Ajo është një dëshmi historike e përpjekjeve të
shkencës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX për të ndriçuar një
proces historik me rrjedhoja tejet të rëndësishme për historinë e lashtë të
Ballkanit perëndimor: origjinën dhe shfaqjen e ilirëve. Arkeologjia shqiptare
ka pak modele të tilla të trajtimit të çështjeve të rëndësishme të saj.
Profesor Korkuti dhe kolegët e brezit të tij kanë hedhur disa baza cilësore për
ngritjen e një modeli shkencor interpretimi. E ardhmja e mendimit arkeologjik
shqiptar duhet të ngërthehet në debate konstruktive me këto arritje si mënyra e
vetme për të ecur përpara. Sidoqoftë, duke ruajtur dhe mundësisht forcuar
karakterin shkencor të argumenteve të këtij libri: metodologji kërkimore,
koncepte operative dhe teori koherente. 
Nëse Shkrimet e këtij libri do t’i konsideronim si një dritare për të
parë se ç’ka ndodhur në arkeologjinë shqiptare gjatë një gjysmë shekulli e më
shumë, atëherë do të kishim të drejtë të pohonim se ajo është përballur
denjësisht me teza e hipoteza të diskutueshme të qendrave arkeologjike në rajon
e në botë, të diskutueshme pikërisht për faktin sepse kanë qenë formuluar në
shërbim të një paraqëllimi joshkencor. Një pjesë të mirë të Shkrimeve e zënë
polemikat, të cilat bëhen sunduese sidomos në gjysmën e dytë të librit (dhe kjo
ka lidhje edhe me cilësitë e periudhës kulturore që ka kaluar Shqipëria në çerekshekullin
e fundmë). Polemikat kanë të bëjnë më shumë me raportet e autoriteteve
shtetërore me institucionet e kërkimit shkencor, me reformat e njëpasnjëshme që
ato kanë qenë të detyruara të provojnë. Libri Shkrime i M. Korkutit është dhe
një nderim për shtypin e një kohe, që, megjithëse ideologjikisht e kontrolluar,
krijonte periodikisht dritaret e veta për të afruar njeriun e zakonshëm me
arritjet e dijes.

 

 

Box

Jetëshkrimi

Prof. Dr. Muzafer Korkuti ka
lindur në Fterrë të Kurveleshit. Ka kryer studimet e larta më 1962 në
Universitetin e Tiranës. Për një kohë të shkurtër ndoqi studimet e larta në
Leningrad ( Petërburg), por u detyrua t’i ndërpriste për shkak të  prishjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.
Pasi mbaroi shkollën e lartë u emërua në Qendrën e Studimeve Arkeologjike të
Akademisë së Shkencave. Është specializuar si arkeolog në fushën e
prehistorisë. Gjatë veprimtarisë së tij 43 vjeçare ka drejtuar gërmime në mbi
15 qendra pre dhe protohistorike. Ai ka botuar mbi 79 artikuj shkencorë në revista
shkencore brenda e jashtë vendit. Është bashkautor i teksteve universitare
“Arkeologjia” 1972, 1985 dhe “Historia e Shqipërisë”,
“Les Illyriens”, 1985 dhe “Historia e Popullit Shqiptar”
2003. Është autor i monografive: “Neolithichum und Chalkolithichum in
Albanien”, 1985 (Gjermani) dhe “Parailirët, ilirët, arbërit”
(Histori e shkurtër), 2003. Është lektor i arkeologjisë, që nga 1968 në
Universitetin e Tiranës dhe në vitet 1972-1975 në Universitetin e Prishtinës.
Gjithashtu, ka dhënë leksione në Paris (Francë), Heidelberg e Munster
(Gjermani), Romë, Pizë, Bari e Bolonjë (Itali), Sinsinati (SHBA) etj. Është
pjesëmarrës në disa dhjetra simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare.  Ka marrë pjesë me kumtesa e referate shkencore
në disa dhjetëra simpoziume e kongrese ndërkombëtare. Është drejtor i
Institutit të Arkeologjisë që nga 1998, kryeredaktor i revistës
“Iliria”, që nga viti 1971, dhe anëtar korrespondent i Institutit
Arkeologjik Gjerman, që nga 1986. Është Kryetar i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë që nga shtatori 2013.

 

Dekorimi

 

Presidenti Moisiu duke vendosur
dekoratën

Presidenti Moisiu

dekoron

Prof. Dr. Muzafer Korkuti

me urdhrin

“Mjeshtër i Madh”.

Me këtë motivacion:

“Për kontribut të veçantë në
zhvillimin e përparimin e arkeologjisë shqiptare, studimet arkeologjike dhe
formimin e brezave të arkeologëve të rinj”.

Tiranë, 7 qershor 2006

 

 

                                 

 

 

INSTITUTI ARKEOLOGJIK I AMERIKËS

Ky dokument vërteton se

Muzafer Korkuti

Është bërë anëtar korrespondent i

INSTITUTIT ARKEOLOGJIK TË
AMERIKËS

me vendim të Këshillit të 8
janarit 2010

në vlerësim të diturisë dhe
arritjeve të mëdha në fushën e arkeologjisë

Në dëshmi të sa më sipër,
Presidenti ka vënë këtu firmën e tij

C. Brian Rose, President

Letra shoqëruese, ndër të tjera,
shkruan:

I dashur Prof. Korkuti,

Kam kënaqësinë t’ju vë në dijeni
se  Instituti Arkeologjik i Amerikës ju
ka zgjedhur si Anëtar Korrespondent i Institutit. Çdo vit IAA përzgjedh
arkeologë të shquar jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë si anëtarë
korrespondentë, dhe emërimi juaj është miratuar nga Këshilli i IAA në mbledhjen
tonë vjetore në fillim të janarit 2010.

Çdo Anëtar Korrespondent është
dikush që ka arritur famë të mirënjohur në disa degë të arkeologjisë, ose në
shkencat dhe artet që lidhen me të, përfshirë fushat e edukimit, ruajtjes dhe
muzeumet.

Anëtarëve korrespondentë u jepen
privilegjet e anëtarësimit të përjetshëm në IAA …

C.Brian Rose

Profesor James B.Pritchard i
Arkeologjisë Mesdhetare,

Universiteti i Pensilvanisë;

President, Instituti Arkeologjik
i Amerikës

 

 

 

 

                               

 

 

 

 

E mail:[email protected]