Akademik, Salvatore Bushati/ Kërkimet në fushën e shkencave shoqërore e humane sjellin zhvillim kulturor

692
Sigal

Roli i kërkimit shkencor, një faktor i rëndësishëm për shëndetësimin e shoqërisë në bashkësinë europiane

Kërkimet shkencore në fushën e shkencave humane dhe sociale japin një panoramë të qartë mbi të ardhmen e Europës. Në këtë aspekt është hartuar dhe po implementohet Programi Horizon-2020, program i Këshillit të Europës. Në fushën e Shkencave Sociale dhe Humane, sfidat lidhen me “Të kuptuarit e Europës në një kontekst global, kalimi drejt shoqërive inovative dhe gjithëpërfshirëse”. Një sipërmarrje e tillë nuk mund të pasurohet pa një punë kërkimore në të gjitha fushat e shkencës, duke përfshirë këtu dhe shkencat sociale. Europa është një kontinent që karakterizohet nga diversiteti: popullsi të racave e besimeve të ndryshme, të shtresave të ndryshme socialo-ekonomike dhe me prejardhje të ndryshme kulturore, e me një demografi që ka pasur e pret ndryshime të vazhdueshme. Në këto kushte, bashkëjetesa e shëndoshë me njëri-tjetrin është i domosdoshëm dhe fenomen i paevitueshëm. Në një kontekst historik, besimi, feja ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e shoqërisë njerëzore. Të gjithë ne, qofshim nga vendet e Lindjes apo Perëndimit kemi ndër të tjera dhe një besim tonin fetar, por kur bëhet fjalë për çështje të interesit të përbashkët, duhet t’i anashkalojmë përkatësitë tona fetare e të bashkohemi për t’i dhënë njëri-tjetrit atë çka na mungon. Një harmonizim i tillë do të siguronte një qytetërim të vërtetë, ku shpirtërorja shprehet dhe gjen vend në atë çka është materiale. Duhet të përpiqemi që të ruajmë këtë ideal të lartë, e të arrijmë të çimentojmë harmoninë ndërmjet nesh, e midis kombeve: zemrat do të freskohen, sytë do të hapen, njerëzit do të fuqizohen dhe lumturia e njerëzve do të jetë më e sigurt.

Një program kërkimor europian me politika të orientuara siç është Horizon 2020 duhet të ketë edhe më në thelb të tij nevojat e një Europe që karakterizohet nga diversiteti dhe shoqëritë komplekse. Programi synon që t’i ndihmojë shoqëritë europiane t’i kuptojnë periudhat e tranzicionit dhe t’u përshtaten atyre për të tashmen dhe të ardhmen: në kulturë, besim fetar, demografi, ekonomi, mjedis, teknologji etj., dhe të zhvillojë gjithashtu edhe hapësira për prurje më krijuese; ai duhet të ofrojë mundësi të krijimit të njohurive të reja dhe të pasurojë debatet demokratike që lidhen me zgjidhjet që bën shoqëria e sotme për një bashkëjetesë në kuptimin e gjerë të fjalës; vetë bashkësitë fetare duhet të gjejnë gjeneratorët e ruajtjes e „pastrimit“ të besimeve të tyre nga rryma të pa pranueshme e jashtë besimit fetar të tyre. Teksa për shumë çështje të shkencave natyrore, humane dhe shoqërore kemi nevojë të bashkojmë forcat, ekzistojnë transformime të rëndësishme ekonomiko-shoqërore, të cilat mund të përshkruhen si sfida qendrore të shkencave shoqërore dhe humane. Këto sfida kanë të bëjnë me edukimin, aspektin gjinor, identitetin, dialogun ndërkulturor, fetar, median, sigurinë apo inovacionin shoqëror. Ajo që unë vrojtoj është se shpesh herë prioriteti që u jepet këtyre problematikave lë për të dëshiruar, nuk është me peshën e duhur. Ngjarjet e fundit ne Europë e më gjerë edhe në botë e demonstrojnë më së miri këtë domosdoshmëri për të cilën problemet e mprehta të shoqërisë duhet të trajtohen më me kujdes. Po kështu, vetëm kërkimit në fushën e shkencave shoqërore e humane mund t’i adresohen shumë prej çelësave të ndryshimeve në sjellje dhe zhvillim kulturor, të cilat sigurojnë kushtet e përqasjes aktuale të një jetese të shëndetshme në bashkësinë europiane. Programet edhe të BE duhet të ndërmarrin “Angazhime të mëdha në sfidat shoqërore”, siç janë për shembull sjelljen ndaj besimeve fetare si pjesë e qëndrimeve dhe mënyrës së bashkëjetesës, modele për institucionet, apo politika specifike të zhvillimit gradual europian në kontekstin global, etj. Një mjedis kërkimor ndryshe, mund të ofrojë ato analiza, përqasje dhe mjete që janë të nevojshme për të eksploruar mundësitë e vjetërsuara dhe rreziqet që i shfaqen shoqërive për të sotmen e të ardhmen e qëndrueshme. Aftësia për t’i dhënë formë Europës të së ardhmes nuk ka nevojë për vendime guximtare. Në një kontekst imediat, sfida e saj është “Të kuptuarit e Europës” për diversitetin e përqasjeve: një përpjekje qëllimplotë që përfshin politikat e programeve përkatëse, të cilat e shtrijnë kërkimin në fushën e shkencave shoqërore e sociale, në tërë Europën e më gjerë. Për qëndrueshmërinë e kërkimin kërkohet mbështetje: përfshirja e të parit të perspektivave ndryshe e me vështrim nga e ardhmja, të kulturave, besimeve fetare, prejardhjeve dhe shkollave të mendimit të ndryshme, të cilat stimulojnë reflektime kritike dhe një pjesëmarrje më të mirë në sfidat shoqërore për të ardhmen. Për sa më lart, kërkohen zhvillime të reja në shkencat sociale e humane nën një kontekst të ri e Innovativ, për të cilat, kam bindjen se Komisioni dhe Parlamenti Europian si dhe qeveritë e parlamentet e vendeve europiane, do të jenë dakord me idenë që një klimë e qëndrueshme e gjithëpërfshirëse e inovative në Europë mund të vendoset vetëm nëse shoqëritë europiane janë të bindura për mundësitë që u ofrohen dhe pengesat, të cilat duhet t’i tejkalojnë – gjë që e mundësojnë me prodhimin e politikave të kërkimit në fushën e shkencave shoqërore dhe humane e me një spektër më të gjerë e aktual të problematikave të sotme të zhvillimit.