Akademik, Anastas ANGJELI/ Profesor Hekuran Mara, vlerë e paçmuar akademike dhe njerëzore

572
Sigal

Profesor Hekurani ishte njëri prej themeluesve të shkollës së mendimit ekonomik shqiptar

Është një kënaqësi e veçantë për mua të flas në këtë konferencë jubilare për 90 vjetorin e lindjes së Profesor Hekuran Marës, njërit prej korifenjve të shkencës ekonomike në vendin tonë. Profesor Hekurani ka qenë për të gjithë ne një pedagog i duruar, një koleg i vyer, një shkencëtar i vërtetë dhe studiues i përkushtuar, dhe mbi të gjitha një njeri i mire, me zemër dhe shpirt të gjerë. Ekzistojnë disa vlera që i bëjnë disa njerëz të kujtohen e të rikujtohen përjetësisht edhe pasi nuk ndodhen më midis nesh. Janë pikërisht këto vlera e virtyte ato që në fund të fundit e bëjnë njeriun të denjë për tu mbajtur mend, për të mos u shuar asnjëherë nga kujtesa dhe për të shërbyer si shembull për gjeneratat e ardhshme. Dhe këto vlera janë integriteti, përulësia, puna dhe angazhimi. Vlera të cilat e karakterizuan Profesor Hekuranin gjatë gjithë jetës së tij. Në epokën në të cilën jetojmë, mund të themi pa frikë se janë të rralla figura të tilla kaq shumë oliedrike, komplekse, e kaq të kompletuara e me integritet kaq të lartë. Një njeri i cili që në fillimet e jetës së tij prej të rrituri kontribuoi për vendin e tij duke marrë pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare dhe që këtë aftësi për tu angazhuar për të mirën e përbashkët e shndërroi në lajtmotiv të jetë së tij. Profesor Hekurani ishte njëri prej themeluesve të shkollës së mendimit ekonomik shqiptar, një anëtar i brezit të artë të studiuesve që eksperiencën e përftuar jashtë vendit e vunë në shërbim të ngritjes së institucioneve të larta arsimore në Shqipërinë e viteve 50-60. Në ato vite të vështira ai arriti që nëpërmjet punës së palodhur dhe përkushtimit të tij të jetë pjesë thelbësore e trupës pedagogjike të Institutit të Lartë të Ekonomisë në Tiranë dhe në vazhdim të Fakultetit të Ekonomisë duke kontribuar edhe si përgjegjës i Katedrës së Ekonomisë Politike por edhe Dekan i tij. Profesor Hekurani me njohuritë e thella teorike dhe me përvojën e tij u shndërrua në një studiues dhe njohës të shkëlqyer të të dyja sistemeve ekonomike të kohës; të ekonomisë së centralizuar dhe të ekonomisë së tregut. Idetë e tij, shumë të përparuara për kohën, për futjen e disa elementeve të ekonomisë të tregut në Shqipërinë totalitare, sigurisht që nuk gjetën terren por shërbyen për të vërtetuar vizionin dhe largpamësinë e tij. Një pedagog është i mirë kur bën çfarë është e mundur që studentët e tij të bëhen më të mirë se ai vetë. Kur nuk mban asnjë dije vetëm për vete por e ndan atë me auditorin dhe me studentët, duke shpresuar pa fund që ata një ditë do të arrijnë ta kapërcejnë vetveten. Kur arrin ti bëjë studentët të aftë të mendojnë me mendjen e tyre. Pikërisht një njeri i tillë ishte edhe Hekuran Mara. Një njeri që e meritonte titullin e nderuar të profesorit. Një studiues me aftësi të shkëlqyera, me një thellësi mendimi kritik të papërsëritshëm dhe me një guxim profesional të admirueshëm, Profesor Hekurani ishte gjithmonë besnik i ideve dhe mendimeve të tija, të cilat i vuri në mënyrë të pakursyer në shërbim të vendit dhe të shoqërisë.

Si një prej anëtarëve të parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prej themelimit të institucionit shkencor më të lartë në vend dhe në vazhdim anëtar i presidiumit të saj si edhe Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Institutit të Ekonomisë, Profesor Hekurani kontribuoi në zhvillimet shkencore të ekonomisë duke botuar një sërë studimesh, artikujsh, monografishë shkencore dhe librash universitare të cilat edhe kur i lexojmë sot karakterizohen nga një qartësi dhe mprehtësi mendimi dhe vizioni të admirueshëm. Gjatë periudhës së tranzicionit të tejzgjatur, Profesor Hekurani vazhdoi të kontribuonte në mënyrë thelbësore, nëpërmjet studimeve të tij, të cilat do të zinin vend në retorikën ekonomike të subjekteve që u morën me përgatitjen dhe zbatimin e reformave në vend. Ai nuk e shkëputi ekonominë nga synimet afatgjata të integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke përcaktuar përparësitë ekonomike të periudhës aktuale dhe perspektive të vendit në familjen e Evropës perëndimore. Për të gjitha këto vlera humane që mbajti dhe përçoi gjatë gjithë jetë së tij, për të gjitha aftësitë profesionale të papërsëritshme dhe për të gjithë kontributin dhe angazhimin për progresin e shkencës dhe të shoqërisë të gjithë ne e kujtojmë dhe do të vazhdojmë të kujtojmë njeriun e mirë, shkencëtarin dhe bashkëpunëtorin e shkëlqyer, profesorin tonë të nderuar Hekuranin.