Ajet Nuro/ Revolucioni antikomunist hungarez

667
Ngjarjet e tetorit 1956 nuk ishin rrufe në qiell të pastër por një shpërthim i ndjenjave liridashëse të hungarezëve, historinë e të cilëve Dr. Dardeli ne na e përshkruan që në fillim. Madje për të kuptuar dashurinë e hungarezëve për lirinë mjafton të citojmë vargjet e poetit të madh Shador Petëf: “Dy gjëra më duhen mua: Dashuria dhe liria. Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë». Si duket Petëf nuk shkruante ndjenja të paprovuara përderisa ai e dha jetën për liri në luftën e 1848-49. Si pjesëmarrës në revolucionin antikomunist hungarez, Dr. Dardeli na transmeton dëshminë e tij të gjallë, por edhe dëshmitë e shokëve të tij, dëshmitë e gazetarëve të kohës, ngjarjet tragjike hungareze sipas mediave të huaja, kujtimeve, vendimeve të gjykatave apo edhe raporteve të diplomatëve perëndimor të vendosur në Budapest drejtuar eprorëve të tyre. Kështu, ngjarjet tragjike të popullit hungarez që u ngrit në këmbë për liri dhe të drejta njerëzore por që fatkeqësisht u mbyt në gjak, është parë nga të gjitha këndet. Nuk e di por, edhe pse e di fundin e kësaj lëvizje, sepse ke atë dëshirën që ajo lëvizje të përfundonte me sukses ashtu seç edhe nisi. 

Ndonëse ne shqiptarët i kemi njohur komunistët dhe kemi hequr aq shumë prej tyre sa edhe 25 vjet më vonë nuk mund të ndahemi dot prej tyre, kur shikon mekanizmin e shtypjes së revolucionit hungarez, mund të kuptosh se ata janë të gjithë një lloj, të pa besë (në kuptimin e mos mbajtjes së marrëveshjeve), të paskrupull, të pashpirt. Kështu, sovjetikët, në një anë deklaronin se trupat ruse do të tërhiqeshin nga Hungaria, nga ana tjetër, përforconin prezencën e tyre në Hungari duke futur mijëra trupa shtesë në Hungari, i ftuan përfaqësuesit hungarez për bisedime dhe i arrestuan, deklaruan se t’i linin udhëheqësit revolucionar të lirë dhe nga ana tjetër i arrestuan dhe ekzekutuan, premtuan se nuk do të ndiqnin asnjë revoluacionar por ndërkohë mbushën burgjet dhe kampet e internimit me ta. Për të kuptuar pashpirtësinë e komunistëve mjafton të përmendim ekzekutimin e 16 vjeçarit Peter Mansfeld, ditën që mbushi 18 vjeç.Në Shqipëri ndonëse kemi libra që përshkruajnë ferrin komunist, rrallë është marr mundimin për të përshkruar kalvarin e të burgosurve shqiptarë. Nga dëshmitë e shumta të hungarezëve të përfshirë në revolucionin antikomunst të 1956 mund të dalësh në përfundimin se të njëjtin fat kanë pësuar edhe kundështarët e regjimit komunst shqiptar. Në mos më keq. Në faqen 77 të librit të Dr. Dardelit, kemi dëshminë e Bela Lucza e cila pasi përshkruan momentin kur e qëllojnë me plumba ajo përshkruan momentin kur pasi i ra të fikët dhe u zgjua: « …Mbasi erdha në vete duke prekur fytyrën me duar, preka veç rrembave të gjakut, një kokërr sa një arrë e vogël mbështjellë nga gjaku i ngrirë dhe kuptova se ishte kokërdhoku i syrit tim. Nuk e kuptova nëse kisha humbur të dy sytë apo vetëm njërin, e meqë çdo gjë ishte mbuluar nga gjaku nuk isha e sigurtë nëse isha qorruar nga të dy sytë… ».
Hungaria dhe Shqipëria
Ndonëse autori i ka kushtuar një kapitull të tërë marrdhënieve shqiptaro-hungareze, gjithë libri të bënë të reflektosh në atë se të ngjashme dhe sa të ndryshme ishin rrugët tona. Ndonëse ne dhe hungarezët na ka lidhur epoka e ndritur e Skënderbeut dhe ashtu si hungarezët e duam lirinë dhe luftojmë po aq sa edhe hungarezët kundër të huajve, problemi ynë është në mos kuptimin e lirisë së brendëshme, që do të thotë se në japim jetën për t’u çliruar nga të huajtë, asgjë nuk bëjmë për t’u çliruar nga bajraktarët dallkauk të brendshëm. Duke përshkruar ngjarjet para revolucionit hungarez, Dr Dardeli përmend një sërë ngjarjesh si në Shqipëri, Çekosllovaki, Poloni etj. Por, ngjarjet e tetorit 1956 patën efekt në ndryshimet e 1989-s dhe ndonëse në Shqipëri, patëm tre kryengritje si në Zhapokikë (Tepelenë), Malësi e Madhe dhe Postribë (Shkodër), shqiptarët ishin të fundit që “u ngritën” për të ndryshuar regjimin. Ndonëse, kanë kaluar 25 vjet që nga ai vit, shqiptarët edhe sot janë në tranzicion ndërsa Hungaria është prej vitesh anëtare e Bashkimit Europian. Është për të ardhur keq konstatimi i Dr Dardelit se hungarezët në fillim vinin në Shqipëri por me kohë e kanë braktisur një gjë të tillë për shkak të problemeve të sigurisë por edhe pastërtisë së qyteteve që lë për të dëshiruar.
Refleksion nga nderimi hungarez
Hungarezët (ndonëse të rinjët nuk e njohin edhe aq revolucionin antikomunist të 1956-ës) dinë të nderojnë kujtimin e atyre që sakrifikuan për lirinë e tyre. Kështu ata, me anë të presidentit të tyre, në 50 vjetorin e revolucionit e nderuan shqiptarin Thoma Dardeli me titullin “Hero i lirisë”. Çfarë nderi! Sigurisht, ky është nderimi i hungarezëve dhe jo i shqiptarëve. Në të njëjtën jubilé, për të përkujtuar këtë ngjarje madhore, të gjithë shtetet dërguan delegacione të nivelit të lartë të nivelit president apo kryeministër. Përjashtim bënte vetëm Shqipëria. Është për të ardhur keq që në Shqipëri vazhdohet të paragjykohen, vazhdojnë të denigrohen (mjafton të përmendet fakti se pas 25 vjetësh të persekutuarit shqiptar luftojnë për të marrë dëmshpërblimet që u takojnë…) vazhdojnë të vujanë ajo pjesë e shoqërisë që duhet të nderohet për përpjekjet e tyre për liri shoqërore të të gjithë neve. Ndonëse hungarezët e kanë nderuar me titullin e lartë “Hero i lirisë” doktor Dardelin, në vendin e tij doktor Dardeli njohu vetëm vuajtje dhe asnjë titull, asnjë mirënjohje. Për mua personalisht më mirë kështu pasi nuk besoj se do i bëhej nder doktor Dardelit të vlerësohej nga institucione që nderojnë persekutorët e tyre apo që nuk u heqin titujt atyre që i lyen duart me gjakun e popullit të tyre. Libri “Revolucioni antikomunist hungarez” i Dr. Thoma Dardelit, është një enciklpedi kushtuar ngjarjes më të madhe të lëvizjeve antikomuniste që i paraprinë rënies së regjimit të kuq në vitin 1989.

 Ai është interesant për ata që duan të mësojnë më shumë për bëmat e komunzmit por edhe për reagimet ndaj kësaj ideologjie dhe praktike. Libri në fjalë është një vepër e çmuar që ndonëse nuk është një studim krahasues, ndihmon në bërjen e disa krahasimeve dhe në daljen e disa përfundimeve. Kështu, ndonëse lëvizja antikomuniste e tetorit 1956 në Hungari ishte spontane por që u kthye në një revolucion, idetë antikomuniste apo progresive rriheshin mes intelektualëve hungarez në klubin Patëf. Edhe sot e kësaj dite, ne nuk kemi një klub intelektualësh në Shqipëri që të hedh ide progresiste që të ndihmojnë klasën politike në vendim marrje qoftë në politikën e brendshme, të jashtme, në politkat ekonomike e sociale. Klasa jonë intelektaule ose hesht ose edhe kur flet duket se flet me porosi. Mardhëniet shqiptaro-hungareze janë të njohura që nga koha e heronjëve tanë, Skënderbeu dhe Huniadi, por nga libri mësojmë edhe marrdhënie edhe më të thella mes dy popujve. Një prej tyre, ndonëse e njohur, është origjina e Geraldinës, hungarezes që u bë gruaja e mbretit Zogu i Parë. Por, nga ana tjetër, shqiptarët tek perandoria austro-hungareze kanë patur mbrojtëstit e tyre më të mëdhenjë në momentet më të vështira të tyre, krijimi dhe njohja dhe mbijetesa e shtetit të pavarur shqiptar. Një përfundim i hidhur që del nga leximi i librit të Dr. Dardelit është fakti që popuj të vegjël si populli hungarez, ndonëse krijuan një simpati të jashtëzakonshme tek popujt e tjerë, ata bien viktima të diplomacisë dhe të koniukturave politike ndërkombëtare. Kështu, askush nga “bota e lirë” nuk bëri ndonjë gjë konkrete për të shpëtuar Hungarinë e vogël që ndeshej me gjigandin ushtarak të kohës, me Bashkimin Sovjetik apo me Rusinë.
Sigal