Ahmet Qeriqi/ Arben Duka, penë e talentuar e poezisë bashkëkohore

802
Të shkruash për krijimtarinë e Arben Dukës është punë e vështirë, por jo e pamundur. E vështirë, sepse ai ka shkruar një “mal Tomori” me krijime dhe të gjitha të nivelit të lartë, poetik e artistik. Nuk është aspak e pamundur, ngaqë ta lehtëson punën sepse është krijimtari e shëndoshë,shpotitëse dhe shëruese, në të njëjtën kohë. Vështirësia e komentimit të saj qëndron në faktin, se nuk di nga t’ia fillosh më parë. Të shkruash vetëm për dy tri poezi të tij lirike, duke mbushur disa faqe, ke ndjenjën se nuk ke thënë asgjë, meqë ai nuk është mjaftuar vetëm me lirikën. Të marrësh mundimin dhe të përmbledhësh tërë krijimtarinë e tij, me një vështrim sado modest, duhen qindra e qindra faqe… Prandaj, në këtë shkrim do të përpiqem të përqendrohem në disa veçori të krijimtarisë së tij, e cila nuk është sa duhet e njohur për lexuesit në Kosovë. Puna e tij e përkushtuar dhe kontributi që ai i ka dhënë dhe po i jep letërsisë shqipe në përgjithësi, është për t’u çmuar dhe për t’u përshëndetur, sepse jo çdo kush mund të bëhet poet, si Arben Duka dhe jo çdo kush ka talent të lindur, arsimin dije e perceptim të duhur tërealitet si ky poet i madh i letërsisë tone të sotme, poezi, e cila tani, “shumë po shndrit, por pak po nxeh”, duke mos shkëlqyer si dikur. Megjithatë, nuk thuhet më kot, se “ku ka pikur, do burojë”. Në mesin e poetëve dhe të intelektualëve që nuk janë konvertuar nga burri në palo-burrë, pa dyshim se ndër vendet e para të tyre është edhe Arben Duka, një emër shumë i njohur i poezisë bashkëkohore shqipe, në disa segmente mbase edhe më i njohuri, më i begatshmi, më realisti, gjithsesi, mund ta thomopa drojë: më burri i burrave. Nuk u përmbajta dot që këto konstatime t’ i lë për fund, sepse, për fat të keq, të rrallë janë ata intelektualë shqiptarë, që i kanë qëndruar besnikë të drejtës dhe të vërtetës, njerëzores dhe kombëtares, vlerave dhe idealizmit të pastër human e kombëtar, sikundër poeti, Arben Duka, Dritëro Agolli, apo ndonjë tjetër. Duke folur e duke shkruar për kohën e “demokracisë”, të ashtuquajturin tranzicion 25-vjeçar, nëpër të cilin kemi kaluar dhe po kalojmë me të gjitha ndërshtresat, babëzitë e prapësitë njerëzore, duke përjetuar mbi kurriz erozionin e vlerave dhe përpjekjet për mohimin e tërë së kaluarës, në të gjitha segmentet e bazamentin e saj fizik, moral e kombëtar, duke pasur parasysh pretendimet, që janë bërë e po bëhen për ta varrosur tërë një epokë, mjerisht, shumë “krijues” në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare iu bashkuan fushatës për të mohuar e shkatërruar gjithçka që ishte ndërtuar me gjak, mund e djersë gjysmëshekullore. Kjo fushatë kundër vetes, kundër së kaluarës, kundër vlerave idealiste më të qarta e më të pastra njerëzore e kombëtare, është bumerangu që po kthehet për ditë e më tepër, sepse këta turra-vrapues, as janë ata që kanë qenë, as që nuk po konvertohen dot në këta që po vijnë gjithandej nga shkretëtira amorale.
 Këta janë ata shqiptarë, që kanë ngelur në gjysmë të rrugës, me shpresë se vetëm në këtë mënyrë mund të integrohen në Evropë, me demek, për t’ u bërë evropianë, ( të bëhesh evropian, sipas tyre do të thotë ta arrish Majën e Ajsbergut, ku nuk shkohet më tej, nuk ke më halle, as nevojë për punë, as djersë, por jeton si pasha, në xhenetin e kësaj bote!). Ata pretendojnë të na bindin se para kësaj kohës së tyre, paskemi jetuar në kontinente të tjera, por jo pikërisht në Evropë, ku kemi gjalluar e gjallojmë denbabaden. Arben Duka është poet në kuptimin e plotë të fjalës, që i qaset poezisë me dinjitet, me respekt, korrektësi e përgjegjësi për gjithë ato që shkruan dhe kumton, jo me fjalë boshe e konstruksione tallava, por me fjalë që kanë peshë, që ruajnë nderin e respektin e vetë fjalës së ndershme dhe të vërtetë, sepse me fjalë nis e sos bota. “Nuk është me rëndësi sa di njeriu, po nuk gjeti fjalë t’ i thotë si duhet e ku duhet, ato që di”. Kjo nuk vlen për dërdëllitësit, nuk vlen për krijuesit e poetët profanë, nëse të tillët mund të quhen krijues. Fjala ka peshë ashtu si guri në murim, ka peshë ashtu si peshorja e drejtësisë, sepse po u tha me vend, po u tha si duhet, pa hile e hipokrizi, ajo mbahet mend, përsëritet nga brezi në brez, është fjalë edukate dhe i përballon kohës, ashtu sikur themeli i fortë i gurit të kështjellës mijëravjeçare. Si të tilla i kuptoj dhe i çmoj poezitë e Arben Dukës, si për nga forma e brendia, ashtu edhe nga përmbajtja e motivi, nga figuracioni i pasur metaforik e stilistik, nga sintaksa e pasur e semantika origjinale krijuese, poezi të brumosura me humor të shëndoshë e shpotitës, pse dhe jo me sarkazëm e ironi, “sipas kokës edhe festen”, për cilindo mohues të vlerave të dikurshme. Poeti e intelektuali Arben Duka është krijuesi e burri i vetëm, ndër më të dalluarit, që ka përballuar dhe po përballon me sukses katrahurën e degdisjen e mendje-tërratisurve, të atyre poetëve, shkrimtarëve e intelektualëve, të cilët ndërrojnë gëzofin sipas motit, për ta pas mirë me të gjithë, edhe me atë “që fryn bulçitë e trumbeton se katrani zbardhëllon” ( Noli), edhe me të tjerë që mendojnë se historia nis e sos me ta, sepse mjerisht po jetojmë në “Një kohë e zhgërryer, keq nga nihilistët, ku llumi i llumit janë ish-komunistët! (Duka), po jetojmë në mesin e atyre që për Enverin, për të cilin dikur jepnin jetën, sot flasin fjalët më të pista…!
 Poezia e Arben Dukës, kryesisht ajo humoristike e satirike, manifestohet me humor të shëndoshë, shërues, anti depresiv. Ajo ta heq bezdinë dhe stresin që të kap kur dashur pa dashur, duke kërkuar diçka në internet, has në shkarravinat e horrllëqet e sojeve mediokre, apo ngatërrohesh në ekranin e televizorit me ndonjë surrat të tillë. Poeti i ka vënë detyrë vetes, që përmes poezisë të komentojë, të analizojë e të mbrojë të kaluarën me vlerat e saj, përditshmërinë, të polemizojë, t’u përgjigjet të gjitha sfidave dhe të sfidojë mediokrit, profanët, arrogantët, nihilistët e rrahagjoksët, lëpirësit e pështymave, servilët e të gjitha sojeve, palo-burrat e palo-krijuesit, kameleonët kokërruar, trabantët e matrapazët dhe tërë një rreth dantesk të ligësive e babëzive njerëzore. Dhe, çuditërisht, në çdo dyluftim me të tillët, ka korrur dhe korr fitore, sepse duke ballafaquar faktet, realitetet, ai nxjerr në shesh dhe godet pa mëshirë fudullëkun, kotësinë e shpirtit të vogël e pagan, që bën përpjekje të imponohet, që përpiqet të duket, të uzurpojë gjithçka mundet, mbi kurriz të cilit do që i del para. Krejt krijimtaria poetike e Arben Dukës është në shërbim të së mirës, historisë, drejtësisë, realitetit e njerëzores. Si e tillë, është njëlloj bari qetësues që të ul tensionin, të disponon, të heq streset e ditës dhe të bën të ndihesh mire. Thjeshtë, ajo është një poezi terapi. Arben Duka ka gjetur mënyrën më të mirë të mundshme të komunikimit me vetveten dhe me gjithë të tjerët, sepse mali nuk shtyhet me gjoks, por është gjoksi ai që i vihet malit për të qëndruar, për t’u mbajtur në të, dhe për të marrë nga ai, atë që të takon. Ai është tejet i vetëdijshëm se një kokërr gruri nuk e mbush hambarin e zbrazur, por ndihmon kokrrat e tjera për ta mbushur, meqë gurë-gurë bëhet mur. Është poeti njeri që ka shumë besim në vete dhe ai besim perceptohet me një realizëm të kulluar, bindës, argumentues e faktues. Barra, që ka ngarkuar poeti mbi supet e veta për ta mbrojtur të vërtetën, nuk është punë Sizifi, por është punë ndërgjegjeje dhe burrërie, është sikur ajo diga, e cila mban ujin dhe e lëshon me masë, për të mos u çarë ajo. Ai nuk i thotë dot të zezës e bardhë, për hir të një përfitimi apo favori, sikundër bëjnë shumë nga soji i deledashëve, i hipokritëve dhe zvarranikëve. Me poezinë e tij, ai vë përpara gjithë Adhamudhët, si dikur Çajupi i madh; godet bajlozin Jan-xhan-gjon-ivan, sikur bënte dikur e në një kohë, Ismail Kadare; godet kukudhët e lubitë sikundër Noli dikur në kohën e tij; godet rriçnat e ndytë, sallahanët e shakllabanët sikundër I fshikullonte Gjergj Fishta; nxjerr lakuriq në shesh, sojin e zvarranikëve të lindorit shqiptarë të motos: “Haja qenit pija qenit, tash i bimë karadyzenit”, të cilin e kishte tipizuar me të gjitha veset e ligësitë, Kristë Maloku. Vargu i këtij poeti është shumë i latuar, i konfiguruar metrikisht, i pasur me ritmikë, tingëllimë, rimë të dyzuar, i pasur me figura stilistike, mbi të gjitha varg i thurur me mjeshtëri, jo varg për hir të vargut, për lojë e qëndisje fjalësh, por varg në shërbim të idesë, kuptimit, kumtit, motivit… Arben Duka sot është poeti më i lexuar dhe më i komentuar ndër shqiptarët. Këtë nuk guxon askush ta mohojë. Ai, me stilin dhe talentin e tij ka arritur ta mbrojë dhe po e mbron me dinjitet të drejtën e të vërtetën, të njerëzishmen e të dobishmen, të mirën e të shëndoshën, të arsyeshmen e të devotshmen, ai po e mbron me sukses dhe me shembullin më të tipizuar artin e fjalës së lirë dhe përgjithësisht atë pjesë të letërsisë sonë të shëndoshë kombëtare.
Sigal