“Ahengu Shkodran 2016”, kujtesë për mjeshtrit e mëdhenj Bik Ndoja dhe Naile Hoxha

724
Sigal

Për të
katërtin vit radhazi erdhën me interpretimin e zërave të rinj këngët perla me
të cilat ky qytet ka vendosur një gur të çmuar

 

Nga
RAMAZAN ÇEKA


Gazeta telegraf/ Koncerti
i përvitshëm me këngë të zgjedhura nga repertori i pasur i këngës popullore
shkodrane është një aktivitet, jo thjesht argëtues, por ka si qëllim që
trashëgiminë e pasur shpirtërore të këtij qyteti ta ruajë e përçojë ndër breza
duke e risjellë atë magjishëm vit pas viti si një perlë të “Ahengut shkodran”,
por edhe si pasuri të madhe të kulturës shqiptare. Ishte një natë magjike,
sepse i tillë është edhe “Ahengu shkodran”. Kënga dhe muzika mbushi
mjediset e lulëzuara të oborrit karakteristik të shtëpisë muze “Oso
Kuka”, me tingujt e mrekullueshëm, me djem dhe vajza të bukura dhe të
talentuara, të veshur me kostume karakteristike të qytetit, të cilët për rreth
dy orë, sollën para publikut një buqetë këngësh, pjesë nga repertori i pasur i
“Ahengut Shkodran”. Risia krejtësisht e veçantë e kësaj mbrëmjeje
ishte se këto këngë, sa të bukura, aq edhe të vështira, u interpretuan nga
këngëtarë të rinj, zërat më të zgjedhur e më të afirmuar të qytetit të
Shkodrës, të cilët janë vlerësuar dhe na kanë nderuar edhe në evente kombëtare
si: festivale të ndryshme, “Talent show”, “X-Factor”,
“Gjeniu i vogël”, etj. dhe që tani me duartrokitjet e publikut
shkodran morën një vlerësim dhe mbështetje të fuqishme. “Ahengu shkodran”
është edhe një eksperiencë e jashtëzakonshme e vlefshme për të gjithë pjesëmarrësit,
sidomos të rinjve. Për të katërtin vit radhazi erdhën me interpretimin e zërave
të rinj perla të këngëve me të cilat ky qytet ka vendosur një gur të çmuar në
krijimtarinë shekullore të muzikës popullore qytetare. Organizatorët me
aktivitete të tilla synojnë që ta ruajnë këtë traditë, por edhe ta kultivojnë
tek brezi i ri, të cilët duhet të jenë pasuesit e denjë të interpretuesve të
paharruar të këngës së bukur shkodrane. Përveçse argëtues, organizimi në këtë
mënyrë ishte edhe përgjegjësi, sepse aty brezi i ri i këngëtarëve,
interpretonte para një brezi pak më të “vjetër” që me siguri ishte
aty edhe për t’i dëgjuar me kënaqësi, por edhe për t’i vlerësuar e këshilluar,
sepse realisht nuk është e lehtë të këndohet kënga shkodrane ashtu siç e kanë
kënduar ata dhe brezat para tyre. Dhe natyrisht kënaqësia më e madhe ishte për
ata këngëtarë të rinj që merrnin pjesë për herë të parë në “Ahengun shkodran”
dhe të cilët ishin jo pak, por rreth 20 këngëtarë. Ata u ngjitën në skenë të
shoqëruar nga orkestra profesioniste e Teatrit “Migjeni”: Anton
Kaftalli në violinë, Namik Jahja, klarinetë, Fatmir Mesi, dajre, Kujtim Tuzi,
kontrabas, Myrteza Dibra, kitarë me drejtues orkestre, maestro Ilir Zoga.

 

Zërat e bukur, të freskët e rinorë

   

Zërat e bukur, të
freskët e rinorë sollën në këtë bahçe me lule një copëz pranverë. Jehona e
këngëve përplasej në avllitë e larta të oborrit, hynte përmes shkallëve të
gurta në çardakun e madh dhe pasi shëtiste shtëpinë rikthehej në oborr
nëpërmjet penxhereve kafazlije. Të krijohej kështu ndjesia, se në këtë shtëpi
po bëhej një dasmë e madhe shkodrane. Këtë e evokonin si në një pikturë të
Idromenos edhe kostumet tradicionale popullore. Ata që për shumë vite i kënduan
këto këngë dhe i përcollën tek brezi i ri, në këtë mbrëmje ishin të shumtë.
Kishin ardhur aty për të shijuar zërat e më të rinjve të skenës, pasardhësve të
tyre të denjë. Në këtë natë u kujtuan me respekt edhe këngëtarët e famshëm
shkodranë, që para pak kohësh u ndanë nga jeta: Bik Ndoja dhe Naile Hoxha,
artistë që kanë kontribuar në vite për këngën e bukur shkodrane. Porosia e tyre
e paharruar për brezin e ri ishte: “Këngën shkodrane duhet ta këndoni
pastër dhe bukur, pa deformime të tepërta, i gjithë trupi dhe mimika juaj duhet
të transmetojë atë çka ju ndjeni!”.

 Në vitin 1961 u
organizua për herë të parë në Shkodër festivali i parë i këngës, i cili në atë kohë
drejtohej nga mjeshtri krijues dhe instrumentisti i paharruar Mark Kaftalli, i
cili në krijimtarinë e karrierën e tij na ka lënë mjaft këngë të kompozuara që
kanë hyrë në fondin e artë të këngës popullore shkodrane. Falënderimet i
shkojnë dhe trashëgimtarit të tij Anton Kaftalli. Ishte një kënaqësi e madhe të
dëgjoje Ahengun e bukur Shkodran, që
me të drejtë është cilësuar si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë
kulturore shqiptare. Në Shkodër ka shprehje të veçanta për ahengun shkodran si:
“Ju shkoftë jeta me aheng!”, sepse ahengu nënkupton gëzim, hare,
emocion, pasion, mall, meditim, gjithçka e shprehur në larminë e këngëve që
dikur janë kënduar sipas një rregulli të caktuar për orë dhe ditë të tëra pa
përsëritur dy herë të njëjtën këngë.
Edhe këtë natë ishte
krenari që u sollën copëza nga kjo trashëgimi e vyer. Krenohemi me Palokë
Kurtin, këtë reformator të parë të muzikës së kultivuar shqiptare.
“Jaret” e famshme të krijuara prej tij me interpretimet e Marie
Krajës dhe artistëve të tjerë do të konsideroheshin me të drejtë si
“Arie” për nga mjeshtëria e ndërtimit dhe interpretimit.  Në “Ahengun Shkodran” kush këndonte
“Jaret” klasifikohej këngëtar i vërtetë, sepse ata duhej të
këndoheshin në “Zyl hava”, sipas modelit të “Ahengut të
vjetër”.   “Pse ti
lule rrin e mshehun
” ishte kënga që hapi këtë natë, kënduar nga
këngëtaria e re Xheni Palushaj.

 

Dy këngë të tjera shumë të njohura

 

Dy këngë të tjera
shumë të njohura të titulluara: “Marshalla bukurisë tande” dhe
“Moj e vogël si flori” u interpretuan me plot mjeshtri nga djaloshi
simpatik Lorjan Ejlli. Mund të themi pa hezitim se në Shkodër dëgjon këngë të
bukura, shikon kostume të bukura popullore me vlera të veçanta etnografike, por
mbi të gjitha mëson edhe shumë gjëra të bukura për “Ahengun
Shkodran”, apo organizimin e tij që në zanafillë. Mëson për “Redin e
Odave” të dikurshme që ishte një lloj festivali për krijime të reja, të
cilët organizoheshin në çardakët e shtëpive shkodrane, ashtu siç ishte edhe kjo
natë, ku përveç artistëve merrnin pjesë edhe dëgjues që vlerësonin këngët që
duhet të hynin në “Aheng”. Për të ruajtur këtë traditë të
trashëgimisë dhe pasurimit të repertorit popullor shkodran, në muajin nëntor do
të organizohet nën kujdesin e Bashkisë së Shkodrës dhe nga Qendra Kulturore
“Pjetër Gaci” Festivali i Këngës Shkodrane me krijimtari të re.   
Bashkia Shkodër meriton një falënderim të veçantë për mbështetjen e këtyre
aktiviteteve të rëndësishme Një tjetër këngëtar me ndjeshmëri artistike Ademir
Fresku, student në Akademinë e Arteve, me jaren shkodrane “Qenke nuri i bukurisë” korri
duartrokitjet e publikut me interpretimin e tij të ngrohtë. Interpretimi i
këngës “Tri vjet që u deshtme bashkë
nga këngëtarja simpatike Ketlin Pjalmi, krijoi atmosferë dhe emocion tek
spektatorët e pranishëm të cilët i dhanë asaj vlerësimin e merituar. Të
pranishëm në këtë koncert ishin edhe personalitete të artit e kulturës në
Shkodër si: Kryetarja e Bashkisë znj. Voltana Ademi, shkrimtari dhe dramaturgu
i shquar Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, këngëtari Bujar Qamili
“Mjeshtër i Madh”, këngëtarja Mukades Çanga, Drejtori i Qendrës
Kulturore të Ulqinit Prof. Dr. Nail Draga etj

 

  

Vlerësim nga “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili

 

Vlerësim për
aktivitetin solli në fjalën e tij edhe “Mjeshtri i Madh” Bujar
Qamili, i cili vuri theksin në  punën e madhe që bëhet me këngëtarët e
rinj, por në mënyrë të veçantë ai vlerësoi edhe sipërmarrjen e Bashkisë
Shkodër, Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” me drejtor Sidrit Lohja dhe
me drejtues artistik Bardhyl Hysa, si dhe Teatrin “Migjeni” me
maestro Ilir Zoga që janë angazhuar për organizimin e festivalit me krijime të
reja.
Një aktivitet i tillë, vuri në dukje ai, që do
të organizohet në Shkodër në nëntor të këtij viti, nuk e di nëse bëhet edhe në
ndonjë qytet tjetër, kuptohet me këngëtarë të rinj. Bujari theksoj që, mbas
brezit të parë si; Marie Kraja, Bik Ndoja, Luçie Miloti, Naile Hoxha, Xhevdet
Hafizi, Ibrahim Tukiqi, Shyqyri Alushi etj. jemi ne brezi i dytë si; Bashkim
Alibali, Valdete Hoxha, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga, Enriketa Kuqani, Adnan
Bala, Hajro Pepa etj. Ndaj dëshiroj dhe uroj që ky grup këngëtarësh të rinj, të
jetë brezi i tretë i këngës popullore qytetare, sepse kjo tregon që Shkodra
është burim i pashtershëm i talenteve që ruajnë dhe interpretojnë me dashuri
këtë këngë. E rëndësishme, tha Bujari, është që organizohet një event i tillë,
duke uruar këngëtarët për suksese në karrierën e tyre artistike, por dhe duke i
këshilluar që të ndjekin brezin e këngëtarëve të vjetër. Në përfundim të fjalës
së tij Bujar Qamili tha se sonte janë të gjithë këngëtarët fitues. Drejtuesja e
talentuar e këtij evenimenti Gentjana Dani falënderoi edhe mësuesen e kantos
znj, Rita Dervishi në Shkollën e Mesme Artistike “Prenkë Jakova” për
kontributin dhe punën e vazhdueshme profesionale e të palodhur me këngëtarët e
rinj. Një nga këngët që ka kënduar Naile Hoxha titulluar “Djal’ i dashtun” u interpretua me
shumë pasion nga këgëtarja e re Klodiana Vata. Edhe pse janë të rinj Adelina
Corraj dhe Klinsman Llazani kanë një repertor të gjerë të këngës popullore
shkodrane, ata dinë mbi 100 këngë. Adelina Corraj performoi me këngën “Iptida për t’paren herë“, duke vazhduar
me Klinsman Llazanin, student në pedagogji muzikore, me këngën “Po ta marr’ kangen me saze“, që
gjatë interpretimit pati shumë duartrokitje nga të pranishmit.