Agron Muho:Biletat në qytetet kryesore shiteshin me autorizim

829
Sigal

INTERVISTA/  Flet artisti i Cirkut Kombëtar të Tiranës, Agron Muho

Ai ka një jetë në cirk, por i duket sikur ka hyrë sot. Kujton me nostalgji krijuesit e cirkut si mjeshtrin me famë Telat Agolli, të cilët pa kushte formuan këtë art të vështirë. Sot cirku ndoshta është i vetmi që po krijon përsëri fizionominë e tij dhe po thith për çdo ditë spektatorë. Në regjimin komunist në cirk s’gjeje biletë, pasi fëmijët argëtimet i kishin të pakta. Sot po punohet shumë me cirkun, por baza materiale sigurohet me vështirësi pasi s’ka dyqane të mirëfilltë për këto pjesë.

 Ku është krijuar cirku shqiptar?

Cirku Kombëtar i Tiranës është formuar në vitin 1959. Ishin një grup artistësh, të cilët u mblodhën krejt spontanisht, gjetën shoku shokun dhe filluan të organizojnë cirkun.  Ambienti i parë ishte tek ish- qumështi, pranë Teatrit Kombëtar, apo afër ish- Pallatit të Pionierit. Ishin rreth 10 akrobatë, të cilët i kryesonte Mjeshtri i Madh  “Artisti i Popullit” Telat Agolli, së bashku me disa artistë të tjerë si Bajram Kurti,  Andi Petrela,  Arjan Miluka dhe disa të tjerë. Të gjithë këta kishin një dashuri të madhe për cirkun dhe që në atë kohë filluan të krijojnë disa profile bazë, të cilat janë dhe tani. Pra ne po ecim në gjurmët e tyre.

Cilat janë profilet kryesore?

 Ajri, ekuilibri,  xhonglimet,  klounët, kafshët, etj…

Ambienti i parë ishte me çadra si sot?

 Si fillim ambient u përdor një sallë në Pallatin e Pionierëve. Rreth viteve 1960 u formua arena e vogël që është në krah të çadrës së sotme dhe që është pjesë e Teatrit të Metropolit. Në vitet 1975 erdhi çadra e parë shqiptare e cila u vendos pikërisht këtu ku është sot. Me ardhjen e çadrës cirku pati një zhvillim shumë të madh, pasi kishte më hapësirë. Në këtë kohë u zhvilluan shumë profilet e ajrit të cilat, i lejonte hapësira e çadrave. Por u zhvilluan edhe profilet apo gjinitë e tjera, pasi sallat e mëparshme e bënin të kufizuar punën tonë. Por shumë shpejt dhe çadra, nga profilet e shumta, filloi të na dukej e vogël.

Ju vetë çfarë profili kishit në fillim?

Në fillim  fare kam filluar me ekuilibrin mbi telin e lirë,  pra ekuilibrist. Më vonë zhvillova profilin e ajrit. Kam punuar me dyshe ajri, me trapeza fluturues, plus ushtrimet e tjera si tablo, etj… Pra nuk u pozicionova në një zhanër, por në disa, por jo vetëm unë.

 A je rrëzuar ndonjëherë nga lartësitë?

Ngjarje të tilla ka çdo artist. Rëniet janë normale. Por ne kemi dhe masat e sigurisë dhe vetëmbrojtjet. S’ka artistë mos të ketë pasur probleme gjatë shfaqjes.  Por ka dhe  numra që nuk të lejojnë masa sigurie kështu përdoret ndihma nga jashtë. Madje, jam dhe dëmtuar, pasi të dy krahët i kam me muskuj të këputur, nga sforcimet. Rëniet janë të pashmangshme.

 Në regjimin komunist a ka pas spektatorë në cirk?

Kur isha në hapat e mi të parë kur isha në cirkun amator që drejtohej nga “Mjeshtri i Merituar” Ismail Reka mbaj mend që biletat në arenën e vogël shiteshin një javë përpara. Pra, s’kishe, ku të gjeje bileta. Kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, ku spektatori me publikun ishin jashtëzakonisht të lidhur. Ne na respektonin në maksimum.

A shkonit në qytete të tjera?

Pas ardhjes së çadrës, ne filluam të  praktikonim shumë turnetë. Pra, shkonim në çdo qytet apo fshatar të mëdhenj dhe rrinim nga 40 ditë. Në këto turne s’di si të flas. Na prisnin  si të ishim udhëheqsa. Në këto turne ne jepnim dy shfaqje në ditë, një paradite një pasdite dhe biletat në qytetet kryesore shiteshin me autorizim. Njerëzit s’kishin, ku të venin dhe vinin në cirk, aq më tepër që asnjë qytet nuk kishte cirk. Madje, as unë  si pjesëtar i cirkut s’mund t’i bëja nder ndonjërit që t’i gjeja një biletë. Kishte një intensitet të madh pune.

 A vinin udhëheqësit e regjimit në shfaqje cirku?

Në çadër jo, por ne jepnim shfaqje në Pallatin e Brigadave, me numra të veçantë. Por vinin gjithmonë nga Komiteti i Partisë që shikonin stërvitjet para shfaqjes. Çdo gjë ishte e politizuar. Pra kur thoshin ata në rregull fillonte shfaqja.

 Në vitet e tranzicionit a ka pas rënie cirku?

Pak rënie ka pasur, pasi neve na ikën shumë shokë. Pastaj interesi nga shteti në vitet e para ra. Por tani shikohet një interes i veçantë, aq më tepër që na kthyen në Cirk Kombëtar që varemi nga Ministria e Kulturës, pasi varësia nga Bashkia na dëmtoi shumë. Tani na janë rritur fondet dhe kërkesa e llogarisë.  Këto  muajt e fundit deri tani, ne kemi bërë katër premiera, pra që nga shfaqja për 100-vjetorin. Në muajin maj  ne do të japim një shfaqje tjetër premierë.

 Si punohet me talentin e ri?

Punohet shumë. Madje, ne kemi studion apo klasën e përgatitjes të artistëve të rinj. Këtë studio e drejtoj unë së bashku me kolegen Silvana Dumi. Kjo studio ka në drejtim artistë me përvojë si: Sokrat Buzo, Kujtim Dumi, Ali Juca, Bajrami etj..  Ne i përgatisim nxënësit nëpër profile të ndryshme. Aktualisht në cirk janë artistë të rinj, ku ne të vjetrit kemi kaluar në mjeshtra që përgatisim këta elementë.

 Është thënë dhe nga drejtues, se nja nga problemet është mos pasja e një baze materiale të re, apo bashkëkohore?

Bazën materiale e zgjedh vetë, pasi sipas numrit jep idenë. P.sh një ekuilibrist në fillim zgjedh si bazë mjete rrethanore, mandej kalon në kërkesa dha bashkëpunim me drejtorinë. Por duhet të themi se në rajon nuk ka bazë materiale apo dyqane të mirëfilltë. Largësia është pengesë për bazën materiale. P.sh një shkop bambuje ne duhet ta porosisim në Kinë. Pra nuk kemi mundësi për kërkesa, por sot s’jemi aq artistë sa ishim dikur dhe kjo bazë materiale mendoj se mjafton dhe pse koha kërkon gjëra të tjera. P.sh ushtrimet e reja duan pjesë të reja kështu që kërkesa do kohë që të plotësohet.

Po kafshët kur janë larguar nga cirku?

Kanë disa vjet, pasi iku Tahiri, mjeshtri që merrej me këtë profil dhe ai nuk pati një zëvendësues. Kjo ishte e keqja që ne nuk përgatitëm dikë që kur ai ishte tek ne. Pra kemi ngel pa trashëgimtar. Tani kemi vetëm një qen, ndërsa atëherë kemi pasur,  ari, gomar, qen, etj..

 A keni shkuar për specializim jashtë?

Shumë nga ekipi i vjetër kanë shkuar në Kinë për të marrë eksperiencë në vitin 1975 plot 6 veta rreth një vit. Ata u kthyen me ne në bagazh numrash dhe pamë se shfaqjet pati një hop cilësor. Pra, kishin mësuar shumë gjëra që i kishin përvetësuar mirë. Pastaj eksperienca të vogla kemi pasur nëpër turnetë e ndryshme të Europës si në Itali, Kroaci.

 Konkurrojmë me numrat në Europë?

Besoj se po, pasi në Ballkan ne kemi vendin tonë të veçantë. Por ne punojmë shumë, kërkojmë dhe nuk rrimë në vend. Kjo punë do punë, do përqendrim, do precizion. Por do bashkëpunim dhe interesim. Nga dita në ditë po rritet numri dhe besojmë se do të bëjmë një cirk më të bukur.

 Si punohet me të rinjtë?

Ne kemi një studio cirku, i cili ka vite që është formuar dhe përgatit artist të rinj që i duhen cirkut. Unë kam gati 12 vjet që jam  përgjegjës i kësaj studioje  së bashku me Silvana Dumi dhe shoh se, nga  kjo studio po dalin elementë të shkëlqyer. Studio është fidanishtja e cirkut,  ku fillohet  stërvitja që 6 vjeç për tetë vjet rresht. Në këtë moshë ata shkëputen nga studio dhe fillojnë stërvitjen me mësues të tjerë që të jenë gati për arenë. Ne bëjmë përzgjedhje pasi i fusim që në këtë moshë edhe në cirk. Ne tani kemi 36 nxënës, një prurje shumë e madhe që duan shumë punë duan kokë më kokë. Mund të përmend: Altin Maka, Haki Farka, Eni Hoxha, Sefer Qosja, Alfons Rroboçi etj..