Sigal

Nga sot e në vazhdim shëtitorja e Sarandës do të jetë tërësisht me hapësirat e saj në funksion të qytetarit për të kaluar lirshëm orët e lira në ritualin tradicional të qytetit. Ka qenë një vendim i bashkisë Sarandë dhe i kryebashkiakes Koka që shëtitorja të jetë me frymëmarrje të lirë. Historikisht kjo shëtitore, e veçantë nga qytetet e tjera, ka qenë jashtë ndërtimeve për hapësirat e sajë. Tranzicioni okupoi sipërfaqet me ndërtime lokalesh, por shteti ka ndërhyrë disa herë për çlirimin e hapësirave publike të kësaj shëtitoreje. Vendimi i fundit bashkiak, i cili mori fuqi ekzekutive paraditen e së hënës, ka vulosur përgjithmonë moslënien e okupimit të këtyre hapësirave. Vetëm para tre ditësh shitësit ambulantë për suvenire dhe prodhimeve artizane, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake për zbatimin e këtij vendimi, mësynë në bashki të revoltuar, por kryebashkiakja ka qenë e vendosur në zbatimin e ligjit duke u lënë afatin e fundit për ditën e hënë të zhvendosen në vendin e caktuar nga bashkia për këtë treg. Nuk është respektuar kjo marrëveshje dhe ky urdhër, ndonëse këta tregtarë janë me kontratë me bashkinë. Por dita e sotme i ka larguar me polici nga shëtitorja. Përsëri grumbullime para bashkisë ku tregtarët ambulantë janë pritur nga punonjësit e bashkisë dhe nga kryebashkiakja, pasi ajo e quan të mbyllur dialogun me ta. Qytetarët e Sarandës e kanë përgëzuar kryebashkiaken për këtë vendim të saj në kornizat ligjore dhe krijimin e sa më shumë hapësirave publike të lirshme në sezonin turistik. E vërteta është, se ka qenë një mjedis i zymtë ku, përveç ngushtimit të hapësirës së shëtitores në këtë periudhë mbipopullimi, të merrte frymën edhe tymi i zgarave të misër-pjekësve duke shtuar edhe nxehtësinë përtej asaj natyrale në këtë periudhë. Por edhe kanë shkelur kontratën duke tregtuar lloj-lloj mallrash të papërshtatshme në ambientet publike, pa përjashtuar abuzimet duke shtuar emra të familjarëve në kontrata me nga 5-6 tezga dhe i lëshojnë me qira tek hallexhinjtë. Ajo që të bën përshtypje në këtë përpjekje të kryebashkiakes për të respektuar ligjin dhe krijuar mjedise çlodhëse e të këndshme, është qëndrimi i politikës së të dy krahëve, të majtë e të djathtë, duke inkurajuar tregtarët të mos e lëshojnë shëtitoren, por të rezistojnë. Ndërkohë që opinioni qytetar është në krah të kryebashkiakes e cila ka marrë parasysh edhe kostot elektorale që forcat politike mundohen t’i rikuperojnë me shkeljen e ligjit. Koha ka ardhur që duhet të mësohemi me respektimin e ligjit si qytetarë të Evropës. Mos tërheqja e kryebashkiakes nga zbatimi i vendimit është një shembull i mirë për pushtetarët e zgjedhur, por i keq për politikën që bëhet palë me shkelësit e ligjit.