Agron Mema/ Kënga dhe muzika, bashkëudhëtare në familjen Hysa

97
Petriti tregohet modest në bisedë, madje një i kuq i purpurtë i mbulon fytyrën, teksa përgjigjet për ato ç’ka ne e pyesim për familjen e tij dhe lidhjet me këngën dhe muzikën popullore. Ata janë një familje e njohur, që prej 4 brezash, për artin e tyre të veçantë të muzikës popullore. Të ngulur me vendbanim në fshatin Shkallë të Konispolit, që nga viti 1800 u bënë të dëgjuar nga stërgjyshi Braho dhe kështu erdhi ndër breza trashëgimia e tyre tek Levendi, Remja e Baçi, Petriti e Luani, djemtë e Luanit e Izetit, që ndjekin konservatorët e muzikës në Greqi. Një familje që në breza ka jetuar me këngën dhe muzikën. Kush nuk i mban mend të famshmit Reme e Baçi, kush nuk ka dëgjuar sot tingujt e klarinetës së Petritit dhe violinës së Luanit nëpër skenat shqiptare dhe ato të huaja, nëpër gëzimet e dasmave dhe festave popullore, kush nuk është ndjerë i relaksuar e çakërqejf nga dehja e talentit të tyre. 

Petriti sot wshtw 55 vjeç dhe Luani 48, por ndjehen të rinj e në kulmin e talentit të tyre. Thotë se klarinetën e ka mësuar nga i ati, Remja, që i vogël, por në publik doli në moshën 20 vjeçare dhe sot numëron 35 vjet me klarinetë në dorë. Gjatë kësaj karriere ku numërohen mbi 1000 dasma e koncerte, me këngëtarët dhe muzikantët më të njohur shqiptar, Petriti kujton si rast fatlumë kur bashkë me valltarin e talentuar, tashmë të ndjerë, Taip Madani kompozuan dhe koreografuan, vunë në skenë dhe konkuruan në festivalin folklorik të Beratit më 1995 vallen ”Moj çame syzeza çame” dhe “Vallen e kodrave”, por hulumtimi dhe eksplorimi, krijimi dhe risitë nuk mbaruan këtu për këto talente të rralla. Përsëri vihet në skenë një nga perlat e folklorit çam,”Vallja e Isuf Arapit” e padëgjuar deri atëherë, por e mbajtur në sepetet e kujtesës së të moshuarve, por ritmi dhe dashuria për të eksploruar dhe prezantuar vlerat e kulturës çame, nxorën në dritë edhe këtë valle të harruar, që për nga vlerat arrin me “Vallen e Osman Takës”. Duartrokitje ka korrur edhe në Greqi dhe Itali më 1995 me ansamblin “Saranda”. Askush në këtë zonë nuk konkuron dot me këta artistë për interpretimin e këngëve e valleve të Çamërisë. Së afërmi përgatiten për një koncert gjatë një turneu artistik në Turqi dhe përtej Atlantikut, në Çikago.

 Petriti tregon se dy nga vëllezërit, ai dhe Izeti interpretojnë në klarinetë, Luani me violinë, Avniu dhe Flamuri me def, ndërsa i ati, Remja interpretonte me të gjitha instrumentat e muzikës popullore. Pra një familje–orkestër. Por kjo trashëgimi nuk ngecet, me gjithë erozionin që po vuan muzika dhe arti popullor në ditët e këtij trazicioni të tejzgjatur, që nuk shpëtoi as trashëgimia kulturore pa u sakatepsur. Fëmijët e tyre studiojnë për muzikë në shkollat e Europës. I ati i tyre, Remja ishte një valltar i rrallë dhe pritej me respekt nga valltarët e Ansamblit të shtetit. “Por Remja”, thotë Petriti, “nuk na mburri asnjëherë në sy, madje na vinte edhe në një garë xhelozie, se Izeti do dilte klarinetisti më i mire”. Dhe dihet në shpirtin e fëmijës zgjohet shpirti i garës dhe krenarisë për suksesin, sedra që të jesh gjithmonë i pari, por veçmas, babai, nuk rrinte pa u gëzuar dhe vlerësuar talentin tonë, madje e thoshte me mburrje, “ashtu si ç’do prind për suksesin e fëmijës së tij”. Dhe ky qëndrim i babait na bëri të arrijmë këto suksese në interpretimin e këngëve dhe valleve popullore dhe të ushqejmë me meloditë e tyre mijëra shpirtra njerëzor.