Sigal

(Sjell te Turbina dramën “Terrori”)

Agim Xhafka

Në datën 5 tetor, pra të premten e ardhshme,në Teatrin “arTurbina” do jepet shfaqja e dramës “Terror”. Nuk do ishte ngjarje, nëse do luanin aktorët e radhës të Teatrit Kombëtar. Por është supergëzim, se kjo premierë ka për regjisor Gëzim Kamen. Siç na ndodh me filmin kur gozhdohemi pas produksioneve të Roman Polanskit apo pas filmave të arkivit të Felinit, ashtu dhe në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup turremi të shohim krijimet e Gëzim Kames. Ky artist në prag të moshës së tretë na ka mësuar se “gjella” e tij është cilësore. Me mish kaprolli, me salca pikante dhe erëza plot afroziadikë. Në dhjetëra vite ka sjellë drama, komedi, tragjedi e shumë, shumë emocione. Ka gatuar me drama të huaja, me krijues shqiptar e përherë ka marrë notën dhjetë. Është akademi më vete Gëzimi, është thes plot xhevahire e me mbresa që artdashësi i ngul në tru e deri sa ikën nga kjo jetë nuk i shkulen. Sa për kujtesë ky regjisor i madh ka sjellë “Shi në plazh”, “Bernarda Alba”, “Fernando Krafti më shkroi një letër”, “Pjata e drunjtë”, “Darka e të marrëve”. Kushdo artist Hollivudi do e kishte zili këtë CV. Dhe ja, të premten zbret në skenë trupa e “Terror”. Një dramë gjermane,shkruar nga Ferdinand Von Schirach, autor i quajtur Shileri i ditëve të sotme. Në 85 shtete është dhënë kjo shfaqje e mendohet që do të jepet brenda 2019-s edhe në 50 herë të tjera. Ngjarja është dramatike.

Niset një avion nga Berlini për në Mynih. Sa ngrihet drejt kabinës së pilotit sulet një terrorist dhe i kërkon pilotit ta përplasë avionin në stadium ku luhej Angli-Gjermani ku ishin brenda në të 75 mijë tifozë. Piloti lajmëron qendrën e vrojtimit dhe sakaq ngrihen dy aeroplanë luftarakë. I kërkojnë terroristit ta lejojë udhëtimin se ndryshe ata do qëllonin avionin. Por terroristi nuk bindet. Aviatorët luftarakë presin urdhër të bombardojnë avionin që po sulet drejt stadiumit. Ministri i mbrojtjes nuk e lëshon një të tillë, se nuk ka ligj ta lejojë. Kur avioni afrohet drejt 75 mijë tifozëve, një pilot i avionëve luftarakë qëllon dhe asgjëson avionin me 164 pasagjerë. Stadiumi shpëtoi, piloti shkoi në gjyq. U dënua me burgim të përjetshëm, por gjykata e lartë e ktheu për rigjykim. Sa do dënohet? Këtë e kanë në dorë shikuesit e shfaqjes që do japin mendimin si juri amerikane. Ata do vendosin me SMS se cili do jetë verdikti. Kjo shfaqje kaq dramatike ka një grup aktorësh për t’u pirë në kupë. Rolin e gjykatësit e ka Viktor Zhusti, prokurore është Eva Alikaj, pilot Lulëzim Zeqja, avokate Yllka Mujo etj. Java tjetër mban në “barkun” e vet një sihariq të madh. Gëzim Kame rivjen në “arTurbina” me premierën “Terrori” Ngjarje që i sjell gëzim Tiranës. Që zbukuron qytetin dhe i jep dritë e optimizëm. Duroni deri të premte!. Një javë kalon shpejt…