Agim dhe Kristina Hushi: Preferencat dhe dallimet ekstreme

618
Sigal

PERSONAZHE/ Flasin tenori me famë botërore Agim Hushi dhe bashkëshortja e tij Kristina Hushi

 Koncerti i fundit ishte me ariet më të bukura si: Otello, Luza Miler, Kavaleria, Paljaci dhe Manon Lesko

Tenori me famë Agim Hushi, është njëri me humor, i dashur, i komunikueshëm. Tashmë komunikimi ynë ka disa vite që është tepër miqësor. Një njeri familjar, që punon sistematikisht për profesionin e tij. Intervista këtë herë nuk është në asketin profesional, se sa shplodhës dhe argëtues, duke ja përshtatur stinës së bukur të pushimeve. Për më tej, biseda tashmë është dhe me bashkëshorten Kristina, të cilën ai e pyet për çdo veshje apo ushqim.

 Cili ishte koncerti i fundit?

 Koncerti im i fundit ishte në Zurich! Ishte një koncert për të cilin mund t’ju them se ishte jo vetëm një koncert, por një nga ato koncerte që mbahen rrallë në jetë! Audienca ime absolutisht elita zvicerane, qeveritarë, deputetë, bankierë, personalitete të shquara! Unë këndova dymbëdhjetë ariet më të bukura, por dhe më të vështirat të tenorit, duke filluar nga Otello, Luza Miler, Kavaleria, Paljaci dhe Manon Lesko! Koncerti u mbajt në një sallë të jashtëzakonshme, më e vjetra e Zurichut, ku kanë dhënë koncerte emra si Paganini, List… Koncerti ishte një sukses i tillë, ku audienca e ngritur në këmbë me duartrokiti gjatë.

 Ku do t’i bëni pushimet verore?

 Pushimet verore ndryshe nga vitet e tjera, ku ne kemi vendet tona të preferuara si Sharm El Sheik, Qipro, Tunizia, Malta, këtë vit ne do të jemi një javë në Thesaloniki, ku unë në javën e fundit të korrikut kam një koncert recital dhe 4 javë të gushtit në Split të Kroacisë, ku unë për një javë do të drejtoj një internacional vokal master klas me këngëtarë të rinj dhe javën e fundit kam një koncert recital në një sallë të vjetër 1000- vjeçare.

Çfarë do të lexoni këtë verë?

Zakonisht kur jam me pushime unë kam një listë me autorët e mijë të preferuar të rinisë, të cilët më sjellin pas në vitet e mia më të bukura, por mbi të gjitha më inspirojnë me artin e tyre: Remark, Defo, Tomas Man, Duma, Heminguej, Hugo Mopasan, Dan Braun dhe Zhyl Vern.

 Cili është vendi që keni në plan për të vizituar?

 Vizita më e afërt do të jetë Dubai, Pnom Pen ku do vizitojmë djalin tonë që jeton atje, Hanoin dhe Bangkokun, ku unë kam master klas në muajin tetor!

 Cila është ngjyra e rrobave që pëlqeni për verë?

Ngjyra ime e preferuar është e bardha, por në verë edhe bezha dhe nganjëherë e kuqe ose blu.

 Cili është ushqimi i preferuar gjatë verës po frutat?

Peshku salmon dhe mishi i pulës, perimet dhe frutat, sidomos qershitë, luleshtrydhet janë ushqimet e mia të preferuara!

– Cila është pija e preferuar gjatë verës?

– Gjatë verës unë pi shumë ujë të ngrohtë, por ditën e nis me një lëng të freskët nga lëng rrushi. Në drekë ose në darkë mund të kem një birrë ose verë të bardhë.

  A e duroni dot vapën? Më mirë në verë apo në dimër?

– Vapën e dua, sidomos diellin nga i cili jo vetëm nuk ruhem fare, por edhe e adhuroj lëkurën e nxirë me det dhe puhizë deti të kripur.

  Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?

 Udhëtimin me aeroplan e pëlqej, por dhe e preferoj më shumë se jo vetëm është komfort, por dhe i shpejtë.

 A i keni për zemër udhëtimet vetëm?

Të jem i sinqertë, jo. Vetmia më mërzit…e kam fjalën për Kristinën pa të cilën ndihem zbrazët.

 Sa është koha më e gjatë që mund të rrini larg shtëpisë, a e keni problem qëndrimin larg saj?

Koha më e largët mund të jetë dy javë. Megjithëse, unë largohem gjithmonë, me projekte që janë të ngjeshura dhe plot impresione profesionale gjithsesi mungesa e Kristinës në këto raste bëhet edhe më e dukshme dhe më e ndjeshme.

Në mbrëmje të pëlqen të shoqërohesh me miq apo me pjesëtarë të familjes?

Zakonisht me familjen. Në raste të rralla edhe me miq, por dhe në këto raste gjithmonë me familjen.

Çfarë sporti ushtroni në plazh? Sa kohë qëndroni në diell?

 Volejbolli dhe tenisi janë sportet e mia të preferuara ndërsa në diell po mos më thërrasë stomaku për të ngrënë dhe gjumi i drekës mbase s’do luaja vendit në plazh nga mëngjesi në darkë.

Kur zgjoheni në mëngjes?

Më duhet ta them? ok…! Në orën dhjetë se në darkë më pëlqen shumë të shkruaj muzikë, lexoj ndonjë libër të bukur ose të shoh filma.

 Sa kohë zgjasin pushimet e verës?

Zakonisht pushimet zgjasin dy muaj. Përfshirë edhe ato të dimrit…

Po turizmin malor a e frekuentoni?

Po sidomos këtu në Austri alpet e së cilës janë madhështore dhe nga më të bukurit e botës. Qyteti i Salzburgut është padyshim qyteti më i bukur alpin në botë.

      Për të bërë plazh, të pëlqen më shumë uji i kripur apo i ëmbël?

Për t’u larë dhe notuar më pëlqen uji i detit, sidomos deti i Kuq…

Në shëtitje ecni me këpucë apo me sandale?

Në verë në plazh eci me sandale kurse në qytet gjithmonë shik sipas shijes së Kristinës: këpucë, kostum… Nganjëherë mbrëmjeve të nxehta më pëlqejnë pantallonat e shkurtra sandalet .

– Kur është ora më e vështirë në verë?

– Kur unë shijoj vapën, diellin e fortë dhe Kristina s’i duron të dyja…

-Para se të flini çfarë bëni?

Më duket se po më provokoni (qesh), dush dhe hap dritaren për ajër të freskët…

-A e ndërroni stilin e jetës në verë?

Natyrisht, jeta e plazhit është më relaks dhe në përputhje me kushtet e reja të hotelit, detit, shëtitjeve, sportit dhe mbrëmjeve.

 Bashkëshortja të përshtatet në kërkesa apo të imponohet?

Kristina është një bashkëshorte me rregulla, por që ka një të mirë që më përshtatet dhe në mënyrë të natyrshme mund të them se i imponohem unë asaj po butë, butë dhe pa dhënë urdhra (qesh).

 Më shumë plotëson dëshirat e djalit apo keni një emërues për pushimet?

Duke pasur tashmë një djalë të rritur dhe pothuaj zot të vetes të dy kemi një dëshirë t’i jemi Aldos pranë dhe t’ia plotësojmë dëshirat… gjithmonë kemi qenë të njëjtë në këtë drejtim.

Shtrihesh në rërë apo në çarçaf?

Mua më pëlqen të shtrihem në rërë më shumë. Kontakti me rërën e nxehtë më jep ndjesinë e mrekullisë që trupi njerëzor duhet të ketë me energjinë e tokës!

A i frekuentoni lëvizjet me jaht?

Jahtet janë një dëshirë e imja, por Kristina nuk i parapëlqen shëtitjet me jaht… Ndoshta dhe dy ngjarje të largëta në kohë në dy jahte me të cilat ne shëtisnim në det në Durrës dhe në Ohër në liqen. Gjithsesi, deti vetë ngelet dashuria jonë më e madhe pa të cilin ne nuk i mendojmë pushimet verore!

Kristina Hushi: Diellin s’e duroj dot, dëshiroj të udhëtoj me aeroplan

Preferencat në disa drejtime me Agimin ajo i ka të përbashkëta, por ka dhe dallime ekstreme. Agimi do të rri në diell, Kristina s’e duron dot.

Ku do t’i bëni pushimet verore?

Këtë vit ndryshe nga herët e tjera, në Split të Kroacisë! Agimi ka koncert recital në sallën mijëvjeçare në Pallatin Diocletian dhe master class, gjithashtu.

 Çfarë do të lexoni këtë verë?

Zakonisht librat i ndajmë me Agimin. Shpesh lexojmë bashkë dhe fragmente të shkëputura nga më të bukurat…, por nganjëherë mua më pëlqen të bëj edhe ndonjë punë dore, të cilat më tërheqin …

  Cili është vendi që keni në plan për të vizituar?

 Së bashku me Agimin përveç vendeve, ku Agimi ka koncertet e radhës Greqi, Itali do vizitojmë djalin në Pnom Pen dhe vendet përreth si Hanoi, Bangkok…

 Cila është ngjyra e rrobave që pëlqeni për verë?

Preferencat e mija janë relative, ngjyrat e hapura kryesisht, por gjithsesi në vartësi të vendit, stinës dhe funksionit.

Cili është ushqimi i preferuar gjatë verës po frutat?

Kryesisht frutat dhe gjellët e lehta me sallatra, peshk, mish pule dhe supra

Cila është pija e preferuar gjatë verës?

Ujë, shumë ujë dhe lëngje frutash të freskëta…

 A e duroni dot vapën?

Jo fort, po Agimi më tërheq dhe mua nganjëherë me pasionin që ka për diellin…

Më mirë në verë apo në dimër?

Secila stinë ka bukurinë dhe domosdoshmërinë e saj…

Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?

Zakonisht udhëtojmë me aeroplan. Makina ka bukurinë e saj në udhëtime turistike, por në udhëtime të largëta avioni është vërtet zgjidhja optimale.

 A i keni për zemër udhëtimet vetëm?

Jo. S’më ka ndodhur të udhëtoj vetëm pothuaj asnjëherë.

 Sa është koha më e gjatë që mund të rrini larg shtëpisë?

Ndoshta një javë…

A e keni problem qëndrimin larg shtëpisë?

Nuk është problem, por shtëpia është një gjë e shenjtë që asgjë në botë nuk ta zëvendëson.

 Në mbrëmje të pëlqen të shoqërohesh me miq apo me të familjes?

Me familjen sigurisht. Miqtë e mirë në çdo kohë e plotësojnë me shoqërinë e tyre një familje kompakte.

Çfarë sporti ushtroni në plazh?

Nuk besoj se merrem me sport po pasditeve me Agimin luajmë tenis. Zbavitem shumë me këtë sport.

Sa kohë qëndroni në diell?

Tre katër orë në ditë.

 Kur zgjoheni në mëngjes?

Zgjimi im është konstant. Çdo mëngjes zgjohem në 7:30.

Sa kohë zgjasin pushimet e verës?

Shkojnë me raste edhe dy muaj.

Po turizmin malor a e frekuentoni?

Sigurisht pushimet malore në Austri janë pothuajse të domosdoshme.

Të pëlqen më shumë uji i kripur apo i ëmbël?

Preferoj më shumë detin.

Në shëtitje ecni me këpucë apo me sandale?

Sipas llojit të shëtitjes. Por normal në breg të detit apo mbrëmjeve me sandale.

Kur është ora më e vështirë në verë?

Mesi i ditës kur dielli të përvëlon në maksimum.

Para se të flini çfarë bëni?

Ajrosjen e dhomës.

 A e ndërroni stilin e jetës në verë?

Pak… në përgjithësi i përmbahem normalitetit.

Agimi të përshtatet në kërkesa apo të imponohet?

Besoj se i përshtatemi njëri- tjetrit, duke u përpjekur edhe të mos ia prishim apo duke ia plotësuar dëshirat njëri -tjetrit.

-Më shumë plotëson dëshirat e djalit apo keni një emërues për pushimet?

– Zakonisht kemi një emërues të përbashkët. Por edhe kur të tre kemi mendime të ndryshme për diçka edhe nuk ia prishim njëri -tjetrit.

Në det, shtrihesh në rërë apo në çarçaf?

– Në shezlong .

A i frekuentoni lëvizjet me jaht?

– Jo…ndoshta shëtitjet me barkë disaorëshe. Nuk e mendoj të jetojë në ujë.